Kerko: a
Prend Buzhala: A i ngjan Kosova një grope septike
E marte, 03.03.2020, 09:13 PM
A I NGJAN KOSOVA NJË GROPE SEPTIKE
Nga
Prend BUZHALA
Ende
nëpër Kosovë, në shumicën e vendbanimeve, ekzistojnë gropat septike (gropa që
grumbullojnë ujërat e pista të nevojtoreve, për të mos u infektuar). Ato gropa
(shpesh të mbuluara me një ferrë), janë sinonim edhe i historive trishtuese: në
to janë mbytur jo pak fëmijë. Ato gropa shërbenin, pra, për të mos u infektuar.
1.
Larg
qoftë, nuk po them që Kosova i ngjan një grope septike. Por, nëpër secilin
qytet, buzë ndërtesave të larta, (pra, jo nëpër fshatrat "maloke"),
sheh mbeturina, aty ku lëvizin fëmijët apo i zhvillojnë lojërat e tyre. Por
nëpër qytete që moti ekzistojnë kanalizimet e ujërave të zeza. Kushedi ku
derdhen ato e përse përdoren. Kryesorja, rreziqet nga infektimi qenë mënjanuar.
Mirëpo,
në sheshe tregjesh dhe rrugë vërehen mbeturina: nëpër medie, rrjete sociale,
dhe në jetën shoqërore, dëgjon e lexon për format më helmuese e më të ulëta të
komunikimit njerëzor. Intrigat me qëllime të këqija e ngatërrestare; kurthet
për ta dëmtuar Tjetrin, për të arritur vetë qëllimet jo të ndershme; skandalet
e shumëllojshme që nuk kanë fund. Ndërsa mediat ndjehen mirë, kur ushqehen nga
lënda e tillë helmuese. Si lëndë e parë për informim, debate, ndezje
tensionesh...
Kësisoj,
Kosova iu ngjet gropave septike, madje gropave të pambuluara e që kanalizimet i
gjejnë nëpërmes mediave. Ndërkaq, shpirtrat njerëzorë stërkeqen. Kutërbojnë.
Askush
nga ato grupe qytetarësh që banojnë nëpër ato banesa, nuk e marrin mundimin t'i
pastrojnë. Madje, nuk ua tërheqin vërejtjen as fëmijëve të tyre, filloristë e
gjimnazistë, e, fatkeqësisht, edhe studentë, që i gjuajnë ato kudo nëpër rrugë
e trotuare. Ndërsa kodra e mbeturinave shumohen e shtohen. Hapësira përreth
lëndohet nga këto pamje... dhe, natyrisht, edhe helmohet!
Ndërsa
kjo hapësirë publike helmohet edhe me kanalizimet publike të mediave që i kanë
heronjtë vet, kryesisht nga sfera e politikës (pozitivë a negativë, nuk ka
rëndësi).
2.
E
keqja, me intriga, kurthe, skandale, keqbërje, shitje droge, forma të ndryshme
të korruptimit... nuk po i ndalojnë as arrestimet e shumta. Madje, qenka e
pamjaftueshme, edhe konstatimi i gjendjes.
Mësimdhënësit
janë të paguar që ta edukojnë nxënësin e studentin e tyre edhe për të mos
hedhur mbeturina, apo për t'u ruajtur nga fjala e keqe dhe e pistë. Këtë
përgjegjësi, në radhë të parë, e kanë prindërit. Dhe rrethi shoqëror, publiku,
shteti.
Dhe
kur dështojnë familja, shkolla, shoqëria e shteti, atëherë fëmijën e merr
përdore dikush tjetër. Dhe e dërgon në të tjera rrugë... deri te luftërat e
pakuptimta.
E,
kur të rritet, kur t'i kryejë studimet, ai më nuk është dikushi, por kurrkushi:
s'ka shpresë për punë, për jetë këtu! Shpresa kërkohet nëpër kanale tjera: ose
në ikje nga Kosova, ose duke u futur në kthetra të ndonjë bindjeje të deformuar
në emër të fesë, ose nëpër rrugët e krimit.
Fetarët
do të thoshin: jeta rinovohet vetëm me besim në Perëndinë!
Partitë
politike kërkojnë që të gjithë t’iu besojnë programit të tyre “zhvillimor”.
Ndërsa
të rinjtë mbesin pa hapësira rekreative e sportive, pa hapësira për studim e
lexim, pa angazhime në fushat ku ata kanë prirje.
Gjithçka
i lihet stihisë, anarkisë.
Papërgjegjësisë.
3.
Përgjegjësia?
Kur
ka përgjegjësi, edhe jeta bëhet më e lumtur, më harmonike. Ndryshe, na ndodh që
t’i fajësojmë gjithmonë të tjerët. Të keqen ta gjejmë te Tjetri. Atëherë ti
vuan: fajin ta kanë krejt të tjerët. Ndërsa gjërat nuk lëvizin, nuk ndryshojnë.
“Vetëm kur merrni përgjegjësinë për jetën tuaj, ju zbuloni se sa i fuqishëm
jeni me të vërtetë” (A. Hunt)
Nëse
pret nga Tjetri, ti pret kot.
Kur
e merr veprimin e mirë, edhe qëllimet arrihen.
Secili
ka mundësi ta drejtojë jetën e tij.
Atëherë
ti nuk ke nevojë të kërkosh leje nga dikush, bie fjala, për të mos e hedhur
mbeturinën në rrugë a për ta shqiptuar Fjalën e Keqe, për ta bërë mëkatin e
veprimeve të dënueshme.
Kësisoj,
rritet mirëbesimi te forcat tua. E rrit besimin te vetvetja, te zotësia jote.
Je
ti ai që vendos edhe për fatin tënd.
(Prend Buzhala, 1 mars 2020)