Kerko: a
Enver Bytyçi: Pse Vuçiq po i shet bashkëpunëtorët e tij shqip-folës?
E premte, 21.02.2020, 09:24 PM
Pse Vuçiq po i shet bashkëpunëtorët e tij shqip-folës?
Nga
Enver Bytyçi
Aleksandër
Vuçiq, pasi i korruptoi dhe i përdori si Edi Ramën, ashtu dhe Hashim Thaçin për
ta realizuar projektin e tij të ndarjes së territorit të Kosovës, duket tashmë
se po i shet bashkëpunëtorët e tij. Kjo do të thotë se këta të dy nuk i sheh më
si partnerë në atë projekt, madje i shikon si liderë të konsumuar, të cilët
atij nuk i bëjnë më punë ose mund ta dëmtojnë në planet e tij. Dikush mund të
mendojë ndryshe, por unë po sjell një dëshmi odash në malësi, të dëgjuar në
fëmijërinëtime e të fiksuar për dekada në memorien time.
Duke
iu referuar Luftës Ballkanike të vitit 1912 xhaxhai im në biseda me miqtë e tij
rreth oxhakut me prush të nxehtë disa herë ka përmendur një fakt. Aso kohe,
para se ushtria serbe të hynte në Kukës, komandot pararojë të saj erdhën dhe
asgjësuan spiunët shqipfolës shqiptarë. Ai e shpjegonte këtë akt me faktin se
këta spiunë nuk i duheshin më Serbisë, me ta kishte mbaruar punë. Ndërkaq punët
e ardhshme ata do t’i kryenin me rekrutime të reja.
Edi
Rama dhe Hashim Thaçi mund të mos jenë spiunë të Beogradit, por për arsye të
shumta e të ndryshme u bënë bashkëpunëtorë në dy-tri projekte të Serbisë. Ky
shërbim nuk lidhet me emrat përkatës, por me funksionet që ata kryejnë e madje
në fillim edhe me fuqinë e pushtetit që posedonin. Tashmë ata janë konsumuar si
në opinionin e brendshëm,a shtu dhe te faktori ndërkombëtar. Vuçiq duhet të
ketë info se misioni i Ramës dhe Thaçit është në përfundim. Me ta ai nuk mund
të bëjë më asgjë. Ndaj ka vendosur t’i hedhë pasi i shtrydhi si limon.
Në
deklaratat e para tri ditëve presidenti i Serbisë zbuloi faktin se një
marrëveshje për ndarjen e Kosovës ishte afër, por “Serbia humbi një shans për
këtë, pasi ajo me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje do të kishte aneksuar vetëm
veriun e Kosovës dhe Anamoravën”. Kjo deklaratë rrëzoi pretendimin e Edi Ramës,
sipas të cilit ai nuk ishte pjesë e planit serb për ndarjen e Kosovës. Ndërkaq
nxori krejt zbuluar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili në vazhdimësi
na thoshte se “me korrigjimin e kufijve donte ta bashkonte Luginën e Preshevës
me Kosovën, por jo edhe t’i jepte territore Serbisë”?! Presidenti i Serbisë
thotë të kundërtën. Jo vetëm që nuk do ta jepte Kosovës Luginën, por do ta
zgjeronte territorin e vendit të tij me Anamoravën.
Prita
tri ditë me qëllim të dëgjoja ndonjë përgenjështrim të pohimeve të presidentit
serb nga ana e presidentit kosovar ose kryeministrit shqiptar. Por dy
shqiptaro-folësit shërbëtorë të Aleksandët Vuçiq nuk guxojnë t’ia zënë emrin me
gojë shefit të shtetit të Serbisë, sepse ndryshe hapet thesi dhe këta do të
dalin me këpucët e kuqe të shtatlartit tonë! Përfundimisht, Edi Rama dhe Hashim
Thaçi do të duhet tashmë të presin detaje të reja për komplotin e tyre me
Aleksandër Vuçiq kundër Kosovës.
Në
kohët e sotme Aleksandër Vuçiq nuk ka asnjë shans të marshojë me ushtri në
territoret shqiptare e “t’i eliminojë” bashkëpunëtorët e tij shqipfolës për
implementimin e projektit serb të ndarjes së Kosovës. Ai ka vendosur që ta bëjë
këtë në një mënyrë tjetër, në publikimin hap pas hapi të gjithë mekanizmave që
janë përdorur për implementimin e projektit të Serbisë së Madhe. Fillimisht
shpalli qëllimin dhe objektivin e tij. Tha se plani i ndarjes së Kosovës ishtë
projekt i tij. Ndërkohë për dy vite radhazi veshët e shqiptarëve u bombarduan
nga Hashim Thaçi me retorikën se “Ideja e korrigjimit të kufijve ishte e tij”!
Madje thoshte se “Nuk është e vërtetë se korrigjimin e kufijve e duan në
Beograd”! Nuk la rast pa përmendur “të mirat” që do kishte Kosova nga ajo që ai
e quante korrigjim i kufijve.
Ndërsa
zëdhënësi i shtabit të projektit për ndarjen e Kosovës, Baton Haxhiu, na
thoshte me shkop tregues në dorë se Kosova do humbiste “pak”, disa qindra km
katërore dhe sipas tij, ia vlente që të japim kaq territor për “miqësinë
shqiptaro-serbe”! As Rama, as Thaçi, as Batoni nuk pranuan kurrë se bëjnë lojën
e Aleksandrit të Beogradit. Edhe Aleksandrit i duhej që autorësinë derisa të
viheshin firmat e marrëveshjes ta merrnin autorësinë e ndarjes së Kosovës
shqiptaro-folësit shërbëtorë të tij. Tani që projekti ka dështuar, Vuçiq ka
vendosur që Thaçin dhe Ramën t’i shesë. Por do ta mbajë Batonin, sepse ai do
t’i duhet për të rekrutuar të tjerë politikanë në Prishtinë e në Tiranë për t’i
vazhduar në kushte të reja përpjekjet për ta realizuar idenë e ndarjes së Kosovës!