Kerko: a
Mira Meksi: Fjalori frazeologjik anglisht-shqip i Prof. Dr. Eshref Ymerit si një shërbesë e vyer për gjuhën shqipe
E marte, 18.02.2020, 09:20 PM
Fjalori frazeologjik anglisht-shqip i Prof. Dr. Eshref Ymerit si një shërbesë e vyer për gjuhën shqipe
Nga Mira Meksi
Shkrimtari
dhe Fjalori
Në nëntor të vitit 2019 u vu në qarkullim nga botimet
“Bota shqiptare” fjalori frazeologjik anglisht-shqip i prof. dr Eshref Ymerit, i
cili mban kaluar 25mijë shprehje frazeologjike. Kushdo që merret sadopak me
gjuhësi, apo është thjesht një lexues i mirë, e kupton se bëhet fjalë për një
vepër nga më madhoret në këtë lami, nga ato që kërkojnë për t’u hartuar domosdo
një dituri të jashtëzakonshme të fushës, një përvojë të shumëgjatë dhe po aq të
jashtëzakonshme sa dituria, një vullnet titanësh dhe një jetë pothuaj asketësh,
- me pak fjalë kërkojnë një hero me gabaritin mitologjik që të bëjë një nga
“punët e Herkulit”. Apo thjesht një të “marrosur gjenial”pas gjuhës shqipe, që
e ka shpallur atë nënë e atë. Nuk është asfare e habitshme, autori i kësaj mega
pune I ka të gjitha këto cilësi, është një shkencëtar i mirënjohur në fushën e
filologjisë, por edhe në atë të përkthimit.
Shërbimi që i ka bërë gjuhës shqipe ky Herkul modern, përpos asaj ndaj punëtorëve
që operojnë me gjuhën, është nga më të çmuarit: ka qëmtuar, ka nxjerrë, ka
vlerësuar, ka matur peshën dhe forcën që ruajnë në kohën e sotme njësitë
frazeologjike, të cilat mbajnë të ngërthyer në thelbin e tyre tërë historinë
kulturore të shqiptarëve, qytetërimin e tyre. U ka rënë fort këmbanave të hulumtive
të tij, që jehona e tyre etimologjike të dëgjohet e qartë në kohën e sotme; në
fund të fundit, i ka mbrojtur nga Harresa. Ka shkuar, gjithësesi, shumë më larg
në punën e tij për t’i përshkruar, për të ndikuar dhe për të ndërhyrë në
paraqitjen e tyre – ka dhënë raportin midis gjuhës shqipe dhe njërës prej
gjuhëve më të rëndësishme të njerëzimit në ditët e sotme, asaj që e
konsiderojnë si lingua franca, që ndikon te të gjitha gjuhët e botës,
gjuhës angleze. Nëpërmjet njësive frazeologjike, fjalëve të urta apo
proverbave. Nëpërmjet barabitjes së tyre, nëpërmjet gjetjes, shpesh të
paimagjinueshme për nga saktësia, të barasvlerësve…
I mirënjohuri prof.dr Hajri Shehu, në parathënien që i ka
bërë këtij Fjalori të jashtëzakonshëm me rreth 1300 faqe, mijëra njësi
frazeologjike, fjalë të urta e proverba angleze dhe mijëra barasvlerës shqip,
ka shpjeguar shumëçka, duke e ndihur mrekullisht përdoruesin e fjalorit apo
thjesht lexuesin e tij, të kuptojë çdo hallkë dhe syth të thurimës së tij të
pazakontë. Ka shkruar:
“ Me këtë Fjalor, frazeologjia shqipe dhe leksikologjia
shqipe barabiten denjësisht me frazeologjinë angleze dhe leksikografinë
angleze”.
Shkrimtari
dhe fjalori
Kur flitet për një fjalor gjuhësor, apo një fjalor të
veçantë frazeologjik, sidomos të këtyre përmasave, përmendet dobia e madhe që
ai i sjell përkthyesve, studiuesve të gjuhës, deri edhe studentëve dhe askush
nuk përmend shkrimtarin. E vërteta është se uniteti shkrimtar-fjalor është
simbiozë. Shkrimtari pi ujë në fjalor, ndërkohë që ky i fundit ushqehet me ujin
e burimit të veprës së shkrimtarit.
Në botën e artit, përgjatë shekullit që lamë pas dhe
shekullit të ri, përherë e më qartë po duket se detyra e shkrimtarit është të
marrë pjesë në jetën e gjuhës. Ajo që e dallon nga pjesa tjetër e artit, që e
bën të veçantë shkrimtarin, në një kohë kur ekziston përballë tij një
konkurrencë e ashpër me televizionin dhe kinemanë përsa i përket ngjarjeve,
personazheve, apo edhe pikëpamjeve mbi botën dhe shprehjes së ndjenjave, është
pikërisht shkrimi, shkrimësia, puna e tij me gjuhën. Puna e tij vetiake me
gjuhën dhe për gjuhën.
Nuk e kam fjalën këtu për ata shkrimtarë që e përdorin
gjuhën thjesht si një mjet komunikimi, gjuhën për hir të gjuhës, për të rrëfyer
histori a ngjarje. Këta mund të jenë gazetarë të zotë, skenaristë të mirë, apo
edhe krijues trillerash interesantë. E kam fjalën për shkrimtarët që e përdorën
gjuhën ndryshe. Për shkrimtarët që për hir të poetikës apo simbolikës, por edhe
për hir të rrëfimit, narrativës, e
zhbëjnë dhe e ribëjnë thurimën e gjuhës, e përpunojnë dhe e
ripërdorin për nevojat e tyre krijuese, të detyruar apo nën presionin e
asaj që duan të thonë dhe të shprehin. E kam fjalën për ata shkrimtarë që kanë
si mjeshtëri krijimin e veprave origjinale të bazuara tërësisht te fjalët, enët
e kuptimit. I kanë quajtur “rojtarët e jetës” së gjuhës, sepse janë pikërisht
ata që ndodhen më pranë burimit të saj. Janë shkrimtarët ata që i përdorin
fjalët duke patur parasysh dhe duke e shprehur, prejardhjen e tyre. Gjuha është
e gjallë, është përherë në lëvizje, në ndryshim. Gjuha është polemos,
luftë, thotë Herakliti. Fjalori, në një farë mënyre, mban dhe përfaqëson
gjuhën, një pjesë të madhe të gjuhës, leksikun e saj. Që këtu buron edhe lidhja
e shkrimtarit me fjalorin. Fjalori përmbledh edhe raportin e gjuhës që
përfaqëson me gjuhët e tjera, me huazimet, përshkruan vlefshmërinë apo
prestigjin e një fjale në kohë si edhe vendin e saj në aktualitet. Shkrimtari
luan rol të veçantë në krah të specialistëve të gjuhës, në lidhje me gjuhën
dialektore përkundër gjuhës së normës ( sot ka në letrat shqipe shkrimtarë që
po përdorin me sukses gjuhën dialektore), neologjizmave apo përzierjeve
gjuhësore, të cilat e pasurojnë gjuhën.
Po le t’i kthehemi Fjalorit frazeologjik anglisht-shqip
të prof.dr. Eshref Ymerit. Që kur nisa ta shfletoja përpara tre muajve, e “qava
me lotë” mungesën e tij kohës së gjatë kur shkruaja romanin e vështirë
“Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë”. Romani në fjalë, përpos trillëzimit të
mundimshëm që i bën ngjarjeve historike, por edhe personazheve që gjallojnë në
to, aq të largëta në kohë, aq të padokumentuara e të humbura në mjegullinat e
kohërave, sa që shpesh marrin trajtën e
gojëdhanave, është ndërtuar si një bllok i tërë i bazuar në fjalët e një gjuhe
që mund të përfytyrohet si shëmbëlltyra e shqipes parake, e protoshqipes, e
paprekur nga ndikimet e gjuhës së pushtonjësve përgjatë dymijë e dyqind
vjetëve. Njëkohshëm, një gjuhë brenda kohës së sotme, brenda normave gjuhësore,
Një ndërmarrje fort e vështirë. Ndërkohë që Fjalori i sipërpërmendur, ku
gjendet forma e brendshme e njësive frazeologjike, kuptimi i tyre etimologjik,
si shpirti i gjuhës, i papërzier me kuptimin aktual, kuptimi konkret që i
shpëton rrjedhës së pamëshirshme të kohës, do të kish qenë një instrument
magjik në punën time.
Në poçarinë time të sotme me baltë krijuese ende të
paformë: në të majtë kam përherë Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, si një mik
të rrallë që “më shpëton jetën”sa herë mbytem nga dyshimet, që më tregon
kuptimin e vërtetë, kur idengulitje shpesh absurde “më helmojnë” ekzistencën,
që më ndihmon të vërtetoj një intuitë, ta konkretizoj dhe ta zhvilloj gjatë
procesit të shkrimësisë; që pasuron me ngjyresa kuptimore teksin tim të
fillimit, për ta rafinuar dhe lartësuar…Si një autoritet i sigurtë. Është heroi
im.
U bënë tre muaj që pranë dorës së djathtë mbaj Fjalorin
frazeologjik anglisht-shqip të prof.dok. Eshref Ymerit. Iu avita atij së pari
si lexuese, e rrëmbyer nga një pasion leximi i pavetëdijshëm, faqe pas faqeje.
S’do ta kisha besuar kurrë se mund të lexoja kësisoj një fjalor. Për kënaqësinë e leximit. Më mrekulluan, veç
të tjerash, edhe historitë e prejardhjes së njësive frazeologjike apo
proverbave. Një enciklopedi e tërë. Me siguri s’do të ndalesha gjer në faqen e
fundit, sikur ky proces të mos më bënte të ndalesha me dhjetra e dhjetra herë
në shtyllat e gjuhës shqipe përbri njësive frazeologjike në anglisht dhe të
përsiatesha gjatë. Shtyllat e shqipes përbënin fjalorë të vërtetë sinonimikë.
Kishte raste që shtyllat kishin mbi 40 njësi. Një pasuri e vërtetë gjuhësore
ndodhej aty. E mrekullueshme, e jashtëzakonshme. Një pasuri që më vinte në
lidhje edhe me letërsinë e madhe të botës, me autorët e mëdhenj të gjuhës
angleze, me vetveten dhe me intertekstualitetin. Admirova ditë pas dite gjuhën
tonë! Përveçse shumë e lashtë, gjuha e Arbërit është tejet e pasur! E pasur sa
gjuhët e mëdha të botës, të cilat lashtazi lëmonin vargjet e soneteve të tyre,
kur shqipes i duhej të përleshej me dhëmbë e kthetra me zhbërësit e saj ndër
shekuj, që të mbijetonte. Admirova zhvillimin e madh të frazeologjisë së
shqipes, të letërsisë sonë, të kulturës sonë. Dhe njohjen e pafund të
përpiluesit të Fjalorit, “gjuetarit të frazeologjisë”, njeriut të mijëra
skedave gjuhësore që i ka gjurmuar, ndjekur dhe vjelë frazeologjitë, fjalët e
urta, proverbat në mijëra e mijëra faqet e letërsisë së shkrimtarëve të gjuhës
sonë.
Pasuria e madhe e frazeologjisë së gjuhës shqipe e ndryrë
në këtë Fjalor rrezikonte të më merrte përnjëmend frymën. E ndjeva peshën e saj
të madhe si trysni, kur iu avita si lexuese. Si shkrimtare gjeta aty një burim
të madh frymëzimi, ushqimi, dinamizmi: lexoj sinonimet, zbuloj të panjohura,
shijoj dhjetra e dhjetra shembuj, nuanca të holla, rizbuloj shpirtin e gjuhës,
të historisë, dhe imazhe krijohen në përfytyrimin tim, ndjesi, aromëra…
Ide krijuese me rrënjë të thella në frazeologjinë e
gjuhës sime marrin jetë. Dhe balta në poçarinë time të shkrimësisë zë e merr
formë.