Kerko: a
Alfred Papuçiu: Një zë shqiptar mbi të ardhmen e diplomacisë ndërkombëtare
E merkure, 12.02.2020, 08:46 PM
Një zë shqiptar mbi të ardhmen e diplomacisë ndërkombëtare
Nga Alfred
Papuçiu, Gjenevë
Meqënëse
për më shumë se 3 dekada jetoj në Gjenevë, autori i librit “Diplomacy &
Promoting Democracy”, miku im, Harilla Goga më njoftoi që fillimisht të
njihesha me librin online, në faqen e www.amazon.com. Megjithëse
disa nga studimet e tij ishin botuar tashmë në median kryesisht ndërkombëtare,
fillova ta shfletoj librin, me një kërshëri të veçantë, sepse edhe nën-titulli:
“Understanding the World of Tomorrow”, më intrigoi edhe më shumë. Pavarësisht
botimeve të tij të shumta në këtë fushë, mendimi im paraprak ishte se diplomati
i karrierës, Goga kishte marrë përsipër një barrë të madhe, duke guxuar të
trajtojë, analizojë dhe parashikojë spektrin kaq kompleks të marrëdhënieve
ndërkombëtare me fokus diplomacinë dhe demokracinë….
Pa marrë përsipër se mund të bëj një zbërthim të plotë të përmbajtjes së
11 kapitujve ose studimeve të librit (8 në anglisht dhe 3 në frëngjisht), nga
pikëpamja metodologjike, unë do ta ndaja librin në tre grup-temash:
E para - trajtimi dhe analiza e interesave të shteteve në rrafshin
ndërkombëtar, politika dhe diplomacia e fuqive të mëdha perëndimore, për të
promovuar demokracinë, mes përplasjeve të vlerave demokratike, brenda dhe mes
tyre, duke përforcuar tezën se “demokracia vetëkorrigjohet”. Përfundimet e autorit rreth kësaj
teme përfshihen psh në “Current Clashes
in the World”, “Challenges for International Organization”, apo “West and Russia - a major security pillar
of our World”;
E dyta - mbështetur në teoritë e sotme të
diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, autori arrin në përfundimin se
sistemi ndërkombëtar dhe vetë diplomacia dy-dhe shumëpalëshe duket se lëviz
shumë ngadalë drejt së ardhmes së përbashkët dhe në një botë gjithmonë e më
globale. Shkaqet duhen kërkuar në “Poverty of ideas”, mungeses së teorive dhe
qasjeve të reja. Kapitulli “Failure of ideas and not failure of political
establishment” përbën ndoshta sintezën edhe të disa kapitujve të tjerë, si ai
mbi “Mondialisation et diplomatie” apo
“Promoting versus imposing democracy”;
E treta dhe më e rëndësishmja - Dr Harilla Goga
shfaq aty ambicjen, jo vetëm të analizojë, të jap ide, por edhe të ofrojë
koncepte që mua më duken të reja, në spektrin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe
diplomacisë mes shteteve, të cilat mund të jenë si “guiding principles” në
negociatat në nivel qeverish në rajon dhe më gjerë. Të tillë janë: Prevalimi i
“common interests over the national interests”, ri-konceptimi i politikës së
“Balance of power policy”, duke i lënë vend gradualisht asaj të “Common
interest policy”, apo koncepti i grup-rajoneve në formën e organizatave
rajonale dhe të vetë OKB, si “qeveri botërore”. Për këtë të fundit, autori
paraqet një seri propozimesh , bazuar te
të cilat mund të kemi “negotiations outcomes”, etj.
E katërta - ka të bëjë me një qasje të re të
standartit të demokracisë si dhe të bazës, ku mbeshteten politikat dhe
diplomacia e shteteve në marrëdhëniet mes tyre: kjo është kultura me në qendër
karakterin e një komuniteti apo kombi a rajoni, nën një këndvështrim historik
interesant. Kjo qasje e re del në pah në disa kapituj, por veçanërisht në atë
mbi “Quatre lessons tirees de la crise greque” /Katër mësime të nxjerra nga
kriza greke/. Nën këtë qasje, autori këtu nis analizën, duke dhënë shkaqet e
gjendjes, bashkë me idetë e tij për trajtën e ardhshme të diplomacisë dhe të
vetë sistemit shumëpalësh.
Në fund, doja që ti përgjigjesha edhe një pyetje
hipotetike të lexuesit: Ku është Shqipëria aty? Megjithëse tematikat janë tërësisht
ndërkombëtare, përfshirë ato rajonale dhe Bashkimi Europian, Shqipëria
nënkuptohet si pjesë e të tërës, psh kur analizohet kriza greke, integrimi në
BE, roli i NATO-s, roli në OKB etj. dhe, më shumë mendoj se vendi ynë është
tërësisht pjesë, kur autori parashikon parimet e negociatave, të çfarëdo çështje
dhe niveli që ato mund të jenë. Mendoj këtu duhet shtuar se idetë dhe qasjet e
reja të ofruara, ndoshta për herë të parë, nga një autor shqiptar, mund të
shërbejnë sado pak, në ndërtimin e platformave të diplomacisë dhe marrëdhënieve
tona ndërkombëtare.
Mbase ka edhe më tepër për të thënë në këtë
libër interesant dhe se ndoshta do ti kthehem përsëri atij, pasi të kem
feedback edhe nga lexues prej vendeve të ndryshme të rajonit apo botës. Megjithatë, dëshiroj ti ofroj lexuesit edhe
disa nga përfundimet e autorit mbi spektrin e ardhshëm të diplomacisë ndërkombëtare:
1-Sistemi Ndërkombëtar me OKB në krye, tashmë ka
qënë në nevojë ndryshimi per disa dekada…Pse? Thjesht për shkak të faktit se
vetë realiteti është në ndryshim të vazhdueshëm, si dhe, në disa fusha, është sistemi
që kërkon të ndikojë në ndyshimin e realitetit në mënyrë që të përshtatet me
realitetet e reja. Nëse sistemi qëndron “stoik”, krizat do të vijnë patjetër.
2-Situata
dhe problemet e shumta në vende të ndryshme, veçanërisht ato në demokracitë
perëndimore, së bashku me menaxhimin kompleks ndërkombëtar të marrëdhënieve
ndërshtetërore, tregojnë se janë pikërisht këto ide dhe teori të reja që mund
të prodhojnë politika, të cilat mund të përballojne sfidat sociale të brendshme
dhe të jashtme dhe ri-orientojnë institucionet politike drejt zbatimit të
politikave të përshtatshme.
3-Nga
mënyra se si kriza është dhe do të trajtohet do të nisë një epokë e re për
njeriun ballkanik, ose ai do ti rikthehet historisë së tij të trishtueshme. Kjo
do të varet nga shumë faktorë që lidhen me kulturën ballkanike, por edhe nga
përgjegjësia e politikanëve dhe shoqërive në rajonin e Ballkanit në dekadat e
ardhshme.
4-Kur është
zgjedhur, është establishmenti politik dhe përgjegjshmëria e tij për të bërë
hapa të mëtejshëm përpara, drejt integrimit në BE. Në nivel ballkanik, qëllimi
i tij duhet të jetë kryesisht forcimi i integrimit në vend, nëpërmjet përmbushjes
së kritereve se sa të garojë kundër njëri-tjetrit, se kush do të merrte më parë
statusin e anëtarësimit në BE.
5-Nëse
ndërtojmë hierarkinë e këtyre koncepteve, përmes historisë dhe të ardhmes së
njerëzimit, mund t'i rendisim ato si më poshtë: Së pari, interesat kombëtarë,
si qëllimi kryesor i Shteteve në sjelljet e tyre dhe marrëdhëniet
ndërkombëtare. Në radhë të dytë, një pozicion win-win, si rezultat i veprimeve
të shteteve për ruajtjen dhe zhvillimin e paqes. Së treti, interesat e
përbashkëta duhet të udhëhiqen ose frymëzohen nga politika e interesave të
përbashkëta.
6-“Përplasja"
midis politikës së balancës së fuqive (Balance of power policy) dhe politikës
së interesave të përbashkëta (Common interests policy) ka filluar dhe ajo
vazhdon rrugën e saj përpara. Eshtë kjo dyta që do t'i përkasë së ardhmes së
marrëdhënieve dhe diplomacisë ndërkombëtare. Vetë fenomeni Brexit ose të tjerë
si ky që mund të ndodhin në botë mund të vëzhgohen si "ndalesë e momentit”
që, për rastin e Britanisë së Madhe, në terma të së ardhmes, jo shumë të largët,
do të rezultojë në dy opsione: ose Britania e Madhe do të kthehet në shtëpi (në
BE) ose gradualisht do të humbasë ndikimet e saj rajonale dhe botërore, për
shkak të faktorëve të brendshëm ndarës. Kështu, Politika e interesit të
përbashkët do të jetë fituese në të ardhmen, duke pasur një përgjegjësi të
domosdoshme të angazhuar politike, së bashku me përpjekjet kolektive të forta
dhe të vetëdijshme të studiuesve, intelektualëve, mediave dhe shoqërise civile
në të gjithë botën.
7-Kultura buron dhe formon karakterin e Politikës;
politika përcakton karakterin e Diplomacisë, dhe kjo e fundit është në
shërbimin e Politikave. Sidoqoftë, diplomacia ka luksin të jetë mekanizmi i
vetëm që ndërsa mbron dhe zhvillon interesat politike kombëtare, gjithashtu do
të mbajë edhe urat e bashkëpunimit dhe do të kërkojë pa u lodhur mënyra të reja
për paqen dhe prosperitetin, duke përdorur koncepte të reja në negociata të
bazuara në multilateralizëm.
8-A është e mundur të kesh një qasje tjetër përballë
Rusisë? Sipas mendimit tim, edhe nëse institucionet e tanishme politike nga të
dy palët do të përpiqeshin të mbanin status-quo-në për një kohë të gjatë, ato
përsëri do të ndryshonin për shkak të elementeve "të brendshëm". Këto
do të vazhdojnë rrugën e tyre që çon në një siguri gjithëpërfshirëse, ku
interesat e përbashkëta do të konvergojnë në sigurinë e shtëpisë tonë - Botës.
9-Nëse diplomacia ndërkombëtare e shteteve do të bazohet
në qasjet e reja të karakterit të përbashkët si prevalencë, dhe nëse shoqëria
do të përballojë katër super-sfidat e shekullit 21: shpëtimi i planetit nga
ndryshimi i klimës, zotërimi i plotë nga njeriu i inteligjencës artificiale,
avancimi i programit global të zvogëlimit të hendekut socio-ekonomik midis
vendeve të pasura dhe të varfëra, bashkë me
arritjen e një shpërndarjeje më të drejtë të të ardhurave në nivelin
kombëtar, atëherë do të shohim një Botë të një forme tjetër, në dekadat në
vazhdim. A do të ishte më e sigurt? Ndoshta po, nën ombrellën e OKB dhe
organizatave të tjera ndërkombëtare.
*Dr Harilla Goga është një diplomat shqiptar karriere, me
më shumë se 30 vjet përvojë. Ai ka pasur detyra dhe pozicione të ndryshme në
Ministrinë shqiptare të Punëve Europiane dhe të Jashtme. Ai gjithashtu ka qënë
në ambasadat shqiptare dhe misionet e përhershme, në vende si Brukseli,
Kopenhagë dhe Gjenevë.
Dr Goga gjithashtu ka qënë
dhe mbetet shumë aktiv në kryerjen dhe botimin e hulumtimeve, studimeve dhe
analizave, në lidhje me marrëdhëniet shumëpalëshe dhe diplomacinë në nivelin
rajonal dhe ndërkombëtar. Libri i tij i
fundit, "Diplomacia dhe Promovimi i Demokracisë", vjen pas botimeve të mëparshme të autorit : „Diplomati“,
„Komuniteti Europian
TPE“, „Njohuri mbi Bashkimin Europian“ (bashkautorë),
„Shqipëria mes zhvillimeve të sotme ndërkombëtare: Analiza dhe përfundime“, „Unë dhe Ti në Shoqërinë
Shqiptare“. Libri gjendet tanimë në librarinë „Adrion“, si dhe mund
të porositet në „Amazon“. Libri është botuar nga Shtëpia botuese „Ymeraj“.