Kerko: a
Poezi nga Liliana Muça
E hene, 10.02.2020, 09:22 PM
LILIANA MUÇA
MERRE KËNGËN TIME
Merre ti erë këngën time
Shpërndaje brigjeve të Erzenit,
Merre dhimbjen time
Si varg të refrenit …
Merre ti erë këngën time
E shkrova me plagën e shpirtit;
Plagë e grushtit nga dimri klasor,
Më i egri dimër njerëzor.
Dimër që më ngiu buzëqeshjen
Dhe më shteroi lëngun e jetës;
Mos ardhtë më kurrë ai dimër mizor
Se do të thante gjithë planetin tokësor …
PADREJTËSI
Tradhëtia rend me galopin e marrëzisë
Të gjithë m’u bënë Brutë
Dhe më ngulin pas shpine
Thikën e hipokrizisë.
Merimanga e zezë po bëhet gati
Të më kafshojë.
Mbaj vesh !
Mbështete kokën në faqe të dheut
A po dëgjon ?!
Beteja është e përgjakshme ,
E kahershme
Për pak çekuilibrohem…
Shpatën e Demokleut po kërkoj,
Sadopak të mbrohem.
Globi tundet,
Shpërthejnë tajfunet
Djeg llava,
Rënojnë tërmetet;
Qendrat sizmike regjistrojnë
“Drejtësia po meket”
LIRIA, PENG …
Si një lodër, bota sfiduese luan me mua
Si ngahera me bukuri e shëmti
Sa u lodha në pritje të një ëndrre
Por, ah, mora një mal me mërzi …
Lirinë peng ma ka marrë varfëria
Lindjen e diellit nuk e shijoj sit i
S’më mbetet tjetër vetëm se arratia
Po kreun s’ia di kësaj udhe,
Një Zot e di.
BANALITET
Kronika dha një séance plenare
Salla mbushet me deputetë
Ngrefosur e kollarisur
Në podium ngjiten
Positë-opozitë;
Çirren,
Flasin
Për të mbrojtur partitë;
Çirren,
Flasin
Për interest dhe kolltukët e butë
Nga të cilët përkunden në ëndrrat fantastike
Fjalime slogane,
Fjalime bombastike;
Eh, si u bënë kështu këta deputetë !
Çuditërisht,
Shumë syresh edhe poetë,
E të tjerë profetë! …
Mbi tryeza një projektligj rri pezull,
I ngrirë si akullnajë
Sa shumë Shqipëria
Për të ka nevojë
Dhe bota e perëndimit në pritje
E lodhur
Dëgjon klithma histerike të deputetëve
Të cilët shtyhen,
Pështyhen,
Shahen me nënë e babe.
Ç’e pështirë maskaradë !
Më vjen prej jush vetëm neveri
Don Kishotë dhe Don Zhuanë të shekullit të ri.
GARË E ÇMENDUR
Të ftuarit nëpër kolltukë
Ndjehen rehat;
Të mundurit sërish nisin fushatë
Për të qënë sërish më poshtë,
Apo sërish më lart.
Pushteti në një garë të çmendur
Kuq e blu,
Blu e kuq pret
Në finish “Medaljen e artë.”
Me një motivacion të çuditshëm
Astronomik
“Toka nuk rrotullohet më rreth diellit
Por rreth INTERESIT, or mik !”