Kerko: a
Fahri Dahri: Gjenocidi ortodoks grek dhe pasojat gjeo-etnike (4)
E diele, 02.02.2020, 07:28 PM
DAHRI-NJTË
Në mungesë të të dhënave të hershme për breznitë, gjenezat
familjare, një tjetër faktor goditës etnik perandorak, detyrohemi të kufizohemi
në shënimet familjare që kanë arritur deri në ditët tona që nga fillimi i
shekullit të XVI-të - XVII-të. Vendbanimi Risian (Rrëzanj) në rregjistrat e
taksapaguesave të vitit 1613, ka patur 205 taksapagues dhe 175 çifte. Në atë
shekull banorët e fshatit ishin me emra katolikë. Ndërrimi i besimit nga
katolik në mysliman fillesën e ka në dhjetëvjeçarin e parë të shekullit
XVII-të.
Sipas shënimeve të trashëguara, emrat e kryefamiljarëve të
“Dahrinjëve” shkojnë deri në vitin 1609, dhe fillojnë me emrin Hizdër, në
vazhdim Nuh, Kasim, Arif, Osman, Resul, Dahri, Nuh, babai im - Behaudin, Fahri
(tre djemtë e mi me fëmijët e tyre- tre mbesa dhe dy nipër). Siç shifet të
gjithë emrat deri tek unë i përkasin besimit islam. Kjo tregon se para Hizdrës
emrat ishin të besimit katolik dhe babai i Hizdrës quhej Gjikë. Nga kjo
familje, sipas shënimeve rezulton se në fillimet e viteve 1600 është pranuar
feja myslimane me kryefamiljarin Gjikë, i cili e quajti djalin e tij Hizdër.
Nipi i Hizdrës, Kasimi arsimohet dhe emërohet imam i fshatit. Ky fakt
vërtetohet se lagja ku ai banonte është quajtur deri më 22 korrik 1944 “Mulla
Kasim”. Më pas imamë në fshat (drejtues të fesë) kanë qenë edhe Mulla Dahriu,
Mulla Nuhu dhe Mulla Beho (Behaudini).
Afro 400 vjet më parë ajo familje kishte nivel të mirë kulturor
dhe mbante “emër të mirë”, si në fshat dhe në tërë krahinën. “Emër të mirë” që
e trashëgoi deri në 22 korrik të vitit 1944, kohë kur u shpërngul nga vendi
bashkë me gjithë komunitetin çam mysliman. Rreth viteve njëmijë e nëntëqind e
gjashtëdhjetë, në qytetin e Rrogozhinës, ku banonim në një bashkëbisedim me
babain, mësova se edhe i ati i Hizdrës, Gjika ishte drejtues i kishës katolike
në fshatin e tij.
Kisha emërtohej Kisha e “Shën Gjergjit”, themelet dhe gërmadhat e
së cilës ishin edhe në fëmijërinë time. Sot mbi gërmadhat e saj, banorët e
ardhur të besimit ortodoks, kanë ngritur kishën e fshatit. Në vazhdën e
ndërrimit të toponimeve, nga viti 1957 fshatit Risian njihet me emrin “Agios
Georgios”, që shqiptohet “Shën Gjergj”, një ripërtëritje e para vitit 1600. Nga
kjo më vjen ndërmend një thënie mitologjike, ku Zeusi e ka ditur mirë se: "heret
apo vonë secili do të zbresë në perandorinë e Hadit posa ka ardhur njëherë në
botë".
Gjenocidi ortodoks grek në familjen tonë solli dhe një humbje të
madhe me dëmtimin e Bibliotekës së familjes, e cila ishte pasuruar dekada të
tëra me libra që prej shek.XVII-të. Pjesa më madhe
e librave mbeti e groposur në truallin e shtëpisë në Risian, më pas dhe në
vazhdim groposeshin rrugës së mërgimit, ndërsa në vitin 1967 kur praktika
fetare u ndalua zyrtarisht në Shqipëri, u bë përsëri një seleksionim i librave
nga babai, të cilat u varrosën në afërsi të shtëpisë tonë në Rrogozhinë.
Aktualisht në bibliotekën e familjes time, ndodhen disa pak prej atyre librave,
ato që shpëtuan nga censura e egër e rregjimit të kaluar.
Fisi “Mulla Kasim” dhe ai i “Hoxhenjëve”, jetonin në hyrje të
katundit kur vjen nga Gumenica. Në administrimin e fshatit, me emrat e dy
fiseve dhe fiset e tjera, njiheshin edhe lagjet e fshatit. Lagja e “Hoxhenjëve”
u shkëput nga lagja “Mulla Kasim” nga fillimi i shekullit XIX-të në kohën e
Mulla Dahriut, për arësye të zmadhimit të lagjes “Kasimenj”. Dahriu jetoi 94
vjet dhe ishte babai i 5 djemve: Çerçizit, Nuhut, Harunit, Isklamit dhe
Shefikut. Çerçizi, ose siç i thërrisnin shkurt Çaj, lindi një djalë dhe një
vajzë; Nuhu po ashtu një djalë dhe një vajzë; Haruni një djalë; Isklami dy djem
dhe një vajzë; Shefiku nuk pati jetë të gjatë.
Kur u bë dëbimi masiv dhe i dhunshëm, trashëgimtarët e
“Dahrinjëve” përbëheshin: Nga familja e Çait, jetonin e shoqja me djalin
dhe vajzën; nga Nuhu, jetonin e shoqja, djali, vajza, nusja e djalit dhe
3 nipa e 3 mbesa; nga Haruni jetonte ai, gruaja, nusja e djalit, një nip e një
mbesë; nga Isklami, jetonin gruaja, dy djem, një vajzë, 2 nuset e djemve, një
nip dhe një mbesë; ndërsa Shefiku kishte ndërruar jetë. Trashëgimtarët e Mulla
Dahriut, në kohën e largimit nga Çamëria ishin 26 veta.
Sot, në janar të vitit 2020, trashëgimtarët e Mulla Dahriut, janë
122 veta, nga të cilit më i madhi në moshë jam unë dhe mbas meje vjen një
kushuri, ai është 3 vjeç më i vogël. Të dy kemi lindur në Risian (Rrëzanj), të
tjerët vijnë mbas nesh dhe kanë lindur në Shqipëri. Nga fëmijët e
Dahriut rronte vetëm Haruni. Gjatë udhëtimit vdekjeprurës nga Qafë-Bota deri në
Delvinë vdiqën nga sëmundja dhe uria Haruni 70 vjeç, Xheladini nipi i Harunit 6
vjeç dhe Habibeja 11 muajshe, mbesa e Nuhut. Nga “dahrinjtë” në Shqipëri
vazhduan jetën 23 veta. Tre nga djemtë e Dahriut zgjodhën për vendqëndrim, që
nga viti 1944 e deri sot qytetin e Durrësit, ndërsa trashëgimtarët e Nuhut,
djalit të Dahriut, mbas disa vendqendrimeve, nga viti 1974 jetojnë në qytetin e
Tiranës. Ngjarjet e mëdha që ndodhën në vitin 1991, nuk mbetën pa përfshirë në
emigrim nipër e mbesa dhe stërnipa e stërmbesa të Dahriut, si në Itali, Zvicër,
Francë, Angli, Irlandë, Gjermani dhe në SHBA.
Që nga shpërngulja e dhunshme e banorëve të fshatit tonë, më 22
korrik 1944 asnjë prej dahrinjëve nuk kishte shkuar për vizitë në Çamëri dhe as
në fshatin e tyre Risian (Rrëzanj). Vizitën e parë në fshatin tonë e bëri ime
shoqe në vitin 2000, pas saj shkoi Enveri, djali i Mulla Behos, në mars të
vitit 2002 dhe mbas tij, fshatin dhe tërë krahinën e Çamërisë e vizitova disa
herë edhe unë me djemtë e mi dhe familjet e tyre. Shtëpia ku kishim lindur,
ishte e banueshme, e mirëmbajtur dhe dallonte nga banesat e tjera. Ajo, nga
niveli i detit ndodhet në pikën më të lartë të fshatit dhe se 75% e shtëpive
ishin të pabanuara, të rrënuara, çati të rëna, gërmadha gurësh të avllive të
rrëzuara.
Familje të mëdha dhe fisnike në fshatin tonë përmendeshin:
Kasimenjtë, Hoxhenjtë. Çuçatë, Balinjarët dhe Zekatë. Krushqitë bëheshin
kryesisht benda fshatit. “Fara” e “dahri-njëve”, në dijeninë time, kishte
mardhënie krushqie me “farën” e “Balinjarëve”, të “Çuçatëve” dhe “Zekatëve”.
Gjyshja nga nëna, Ildishani ishte bijë nga qyteti i Prevezës, familjarët dhe të
afërmit e saj ishin përfshirë në shpërnguljen e parë, atë të vitit 1923 dhe u
vendosën në qytetin e Izmirit. Krushqitë e “dahri-njëve“ të brezit të tretë u
shtrinë edhe në qytetin e Filatit, në fshatrat Varfanj, Dolan, Skopjonë,
Vërselë, Dhërmicë, Gurrëzë dhe Vrastova.
Në mbyllje të temës zgjodha gjetjen e Bilal Xhaferrit, i cili ka
shkruar: “Koha na ka vënë në provën e
qëndrestarëve, të luftës, punës dhe shkronjës”. Po. Ne
kështu kemi qenë, jemi dhe do të tillë do mbetemi!
Askush nuk na kërkoi të shkruajmë për të vërtetat tona, me
përjashtim të thirrjes së vendlindjes, kockat dhe zërat e nëndheshëm (të
Hadesit) që u larguan nga kjo jetë me maraz të madh, rrjedhojë e gjenocidit
ortodoks grekovrasës.
(Pjesë nga Libri i 13:
“Tjetërsimi i të vërtetave”)
Fahri Dahri, Studjues i “Historisë së
Rajonit të Çamërisë”
Tiranë, më 17/01/2020