Kerko: a
Kadri Tarelli: Butka dhe butkallinjtë, nder i nacionalizmit shqiptar
E marte, 14.01.2020, 10:03 PM
BUTKA DHE BUTKALLINJTË, NDER I NACIONALIZMIT SHQIPTAR
Ylli
Polovina në një liber te ri
Nga
Kadri Tarelli
Godet dhe tërheq
titulli i librit “Historia e Shqipërisë kalon edhe nga Butka”, të
autorit Ylli Polovina, sepse është mjaft ngacmues, aq sa të lind përshtypja e
çastit: “Si shumë lart e paska ngritur emrin e një fshati të vogël në rrëzë
të malit Gramoz, siç është Butka në krahinën e Kolonjës”. Kjo ndjesi
fillestare krijohet te të gjithë këndonjësit, që, ose nuk kanë fare dijeni mbi
Butkën apo butkallinjtë, ose njohja është aq sipërfaqësore, duke mbetur në dy
apo tre emra burrash, që kanë lënë gjurmë, jo vetëm në Kolonjë, por edhe në
historinë e Shqipërisë. Emra të fisëm, disa të
nderuar e të lakmuar për trimëri e mençuri, të tjerë të nëmur, të mallkuar, të
baltosur e të damkosur keq nga politika. Madje edhe më keq akoma, kur për ta
gjëmonte e shkrepte rrufe “Zeusi”, udhëheqësi i partisë Enver Hoxha. Ai edhe
pas 20-vjetësh çlirim, në një vizitë në Kolonjë, në maj të vitit 1965, i
rikthehet kësaj teme, kur thotë: “Një fjalë e urtë popullore thotë:
“Trëndafili bën gjembin”. Familja e Butkës nxori trëndafila, nxori edhe gjemba.
Njëri nga gjembat më të helmatisur të kësaj familjeje, ishte Safeti”, duke
vazhduar më poshtë: “Qysh gjatë luftës Nacionalçlirimtare, u duk qartë, se këta
tradhtarë, që mbanin emrin shqiptar ………”. Kam përshtypjen se të njëjtën
taktikë, baltosja e kundërshtarëve politik të luftës, e përdori kudo që shkonte
në krahinat e vendit. Si duket i bënin hije madhështisë së tij.
Nuk marr
përsipër të komentoj këto fjalë të fitimtarit dhe fitimtarëve që “shkruajnë
historinë”, sepse lexuesi e nxjerr vete përfundimin, duke gjykuar mbi pak
reshta, për secilin nga burrat e familjes së madhe të butkallinjve.
Trëndafila
ishin: Sali Butka, shumë i njohur për patriotizëm, për të cilin shkrimtari
Sabri Godo ka shkruar një libër mjaft të bukur, “Plaku i Butkës”. Trëndafil
ishte edhe i biri Ganiu, që u vra në Starovë të Pogradecit, në përpjekje kundër
forcave të Haxhi Qamilit. Trëndafil u bë edhe Muharrem Butka, pjesëmarrës në
demostratën e rinisë në Korçare, në nëntor 1941, ku u plagos rëndë, më pas dalë
partizan familjarisht. Besoj rast i rrallë.
Ndërsa gjemba
mbetën të tjerët:
Safet Butka, i
diplomuar në Austri, profesor e drejtor në disa shkolla të mesme në Shqipëri,
kundërshtar i pushtuesit italian, i internuar për disa vjet (1940–1943), në
Ventotene Itali. Pas kthimit në vendlindje, krijon çetën e Kolonjës. I
vetëvrarë, sepse nuk pranonte vëllavrasjen mes shqiptarëve, ballistë e
komunistë. Uran Butka ka shkruar një libër monografi për të.
Qemal Butka,
inxhinier-arkitekt i diplomuar në Austri, kryetar i Bashkisë së Tiranës, deri
në Prill 1939, kundërshtar i thekur i pushtimit italian, të citët e kërkuan për
ta arrestuar. Shpëton duke u arratisu fillimisht në Turqi, më pas në Palestinë,
Misir dhe përfundon në SHBA, ku e kaloi jetën.
Xhafer Butka, i
arratisur që në ditët e para të çlirimit. Vdiq në Gjermani. Familja e
internuar.
Fetah Butka,
anëtar i Grupit Komunist “Zjarri”. Pjesëmarrës në Konferencën e Pezës, në
shtator 1942 (I harruar qëllimisht). I kërkuar për t’u arrestuar nga forcat
ushtarake italiane. Komandant i një çete të madhe nacionalistësh. Pajtohet me
komunistët për të luftuar së bashku, të cilët e prishën marrëveshjen, ndryshuan
strategji dhe taktikë, duke u kthyer pushkët çetave balliste. Fetahu, në një
çast tronditjeje nga besë-prerja, thotë: -Pse kështu vritet shqiptari nga
shqiptari? Ai, i ndodhur në vorbullën e përplasjes, s’besoj se u çudit nga
fjalët profetike të komunistit Anastas Lulo, bashkëkryetar i “Grupit komunist
të të rinjve”: “Mos u bashko me ta, sepse janë me jugosllavët. Edhe
unë komunist jam, por jo komunizëm me jugosllavët”. Fetahu arrestohet në
ditët e para të çlirimit, dënohet me burg, familja u internua.
Duam apo nuk
duam, fshati Butka mbetet në kujtesën e kombit, si qendër e nacionalizmit
shqiptar. Ndaj duket sikur autori Ylli Polovina, enkas e ka zgjedhur
këtë fshat e këtë familje, për t’u shprehur: “Jam i çmendur, një i sëmurë
patologjik, kur bëhet fjalë për kombin dhe shqiptarinë”.
Që në ballinë të
librit, bie në sy përplasja paralajmëruese, artistikisht e bukur e ideatorit, i
cili ka vendosur pranë e pranë kapelen me yll të kuq, simbol i komunistëve,
ardhur nga sllavët dhe përkarshi qeleshen, (në Kosovë i thonë “plis”), pra
qeleshen e bardhë me shqiponjën e zezë, simbole “bio” të nacionalizmit
shqiptar. Pamja është një kumt tragjik dhe përgjithësim lakonik i përmbajtjes
së librit, ku ashtu pran e pran e përballë, siç u vendosën shqiptarët në kohën
e luftës, ndeshen dy qëndrime dhe dy ideologji brenda të njëjtës familje. Çudi
dhe fatkeqësi: një atdhe, një popull,
një pushtues, dy qëndrime, dy ideologji, dy ushtri shqiptare, që u
ndeshën me njëra-tjetrën, duke vrarë shqiptari-shqiptarin?! Një dukuri, që nuk
mbeti vetëm në familjen e madhe të butkallinjve, por molepsi tërë shoqërinë
shqiptare të asaj kohe.
Më lart përmenda
fjalët: “Kumt tragjik”, për të mos thënë “ogurzi”, jo thjesht për vazhdimësinë
e kësaj familje të madhe patriote me rrënjë e degë, që u përndoq si nga italianët
pushtues dhe ca më keq nga sundimtarët komunist, por te ndarja, apo përçarja që
e ndoqi shoqërinë shqiptare pas lufte, për 45-vjet me radhë. Është trashëgimia
më tragjike për kombin, që na la sundimi gati 50-vjeçar i diktaturës.
Fatkeqësisht, por jo çuditërisht, zjarri përçarjes ushqehet vazhdimisht nga
politika, si një sëmundje shkatërruese ndaj pajtimit të shqiptarëve dhe
bashkimit të kombit.
Lexuesi, që pas
faqeve të para, e merr vesh, se libri shkruhet për Fetah Butkën, pra është një
monografi e gërshetuar me të gjitha ngjarjet e kohës, si gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Kështu
lehtë mund të nxirret përfundimi, se historia e kësaj familjeje, mund të quhet
një pasqyrë e të gjithë asaj periudhe, ku parakalojnë të gjitha problemet: ato
politike, ideologjike, ushtarake, ekonomike, përfshirë grindjet dhe
marrëveshjet, zhgënjimet, besa dhe besë-prerja. Pas fitores, një strategji e
endur hollë dhe menduar ligësisht: Asgjësimi dhe ndëshkimi i kundërshtarëve,
madje i shtrirë edhe te pasardhësit, në disa breza.
Heronjtë që e
mbushin librin janë të gjithë Butkallinjtë e rritur, mes tyre edhe Fetahu,
personazh sa interesant aq edhe fatkeq. Ai, ashtu si e gjithë familja “Butka”,
mbart në vetvete kalvarin e të gjithë nacionalistëve shqiptar që i shpëtuan vdekjes,
por jo goditjes vrastare komuniste, sepse të gjithë u cilësuan “Armiq” e
“Tradhëtarë”. Askush nuk çuditet, që sistemi dhe diktatura nuk i harronte
“Armiqtë” e tij, duke ushqyer e fryrë zjarrit të urrejtjes në popull. Kështu ndodhi edhe me Fetahun, aq sa emri i
tij do të kujtohej e lakohej edhe nëpër veprat e Enver Hoxhës: “Rreziku anglo-amerikan për
Shqipërinë” dhe “Kur lindi Partia”. Vetiu lind pyetja: Pse? Përgjigja është e
thjeshtë: Menduan keq për të bërë keq dhe bënë keq.
Pa dashje,
politika nuk e çbëri dot Fetahun si faktor historik. Pikërisht këtë të vërtetë
na thotë autori i librit, i cili me guxim e durim, heq pluhurin dhe baltën e
kohës, duke na dhënë leksion, se “E vërteta vonon, por nuk harron” dhe historia
nuk të fal. “Heroi” ishte dhe mbeti një atdhetar luftëtar dhe veprimtar aktiv,
që bëri histori dhe kështu mbeti në histori. Mbase ka të drejtë Sharl De Gol,
ish presidenti i Francës, që thotë: “Lavdia shkon te ai, që nuk e kërkon
vetë”.
Një meritë e
autorit është, se në ngjarjet e mëdha të kohës, nuk ka lënë mënjanë gratë e
butkallinjve, të cilat janë ndodhur e qëndruan përkrah burrave edhe në ditë të
vështira. Ato ishin, sa të bukura e trime, aq edhe të fisme e të duruara, për
të përballuar vështirësitë e luftës dhe të pas luftës, duke mbetur “zonja” deri
në fund. Kush i ka njohur, ka shprehur nderim e adhurim për fisnikërinë e tyre.
Kur mbaron edhe
faqen e fundit, lexuesi kupton, se libri është një porosi, për të njohur dhe
mos harruar të kaluarën. Secili do të ndjejë kënaqësi në artin e fjalës, po aq
edhe nga ndodhitë e shumta të rrëfyera aq thjesht e bukur, me toponimet e
krahinës dhe të zonave ndërluftuese, me një fjalor shpesh origjinal në të
folurën e Kolonjës. Por do të ndjejë edhe trishtim e dhimbje shpirti, duke
pyetur veten: Pse ndodhi kështu me historinë dhe jetën e shqiptarëve. Pyetje që
i shkojë përshtat edhe këto fjalë të thëna nga nobelisti Aleksandër
Sollzhenicin, i cili shprehet: “Nëse mban sytë nga e kaluara, t’u qorroftë
njëri sy. Nëse harron të kaluarën t’u qorrofshin të dy”.
Urime autorit për vepra të tjera me vlera kombëtare e atdhetare!
Kadri Tarelli
Durrës më: 22, vjeshta e dytë, 2019.