Kerko: a
Albert Zholi: Bardhyl Gjonçaj - Psherëtima dhe mall
E hene, 13.01.2020, 02:51 PM
“Psherëtima dhe mall” një kontribut pretendues poetik i autorit Bardhyl Gjonçaj
Nga
Albert Z. ZHOLI, Shkrimtar-publicist
Vëllimi
poetik “Psherëtima dhe mall” që keni përpara, është një kontribut pretendues poetik i autorit Bardhyl Gjonçaj. Në fakt, jo
gjithnjë këto ndërmarrje poetike modeste janë njëkohësisht edhe të suksesshme. Por, në rastin e autorit tonë, si modestia
edhe suksesi, janë puqur, janë bashkuar, mbajnë njëri-tjetrin në mënyrë mjaft
mbresëlënëse. Kjo, sigurisht, është për t’u përshëndetur.
Poezitë
e këtij libri, janë jo thjesht frymëzime, por sidomos ato janë edhe ngacmime të
forta e të thella shpirtërore. Në to është jeta, e djeshmja dhe e sotmja, është
kujtesa dhe malli, dashuria dhe morali; në to gjen meditim e filozofim, gjen
revoltë e rebelim qytetar e njerëzor.
Një
ngjyrim të bukur i japin vëllimit poezitë lirike, erotike, dhe ato romantike në
përgjithësi. Ato, ngjajnë si një degë e kaltër lumi që derdhet në një lumë
tjetër edhe më të madh, më të gjerë e më të zhurmshëm.
Në
poezinë “Pa ty” thuhet mes të tjerash: “Ti më je si lot i valë/ Si një puthje
që s’harrohet/ Je dëshirë por edhe mall/ Je si yll që përvëlohet...” Duke
shëtitur nga poezia në poezi, nga vargu në varg, mund të veçojmë: “Ishin të
bukura ato ëndrra pa faj/ Për ne mëkatarët, atëherë fëmijë...” Dhe të merr me
vete vala e poezisë dashurore, ndjenjat e pastra, portretet vajzërore mjaft të
bukura, me gjetje origjinale sipas shijes së autorit.
Në
këtë lumë poetik, shpaloset bukur dhe me një përzgjedhje të goditur ndjeshmëria
njerëzore, poezia e qytetit tim, poezia e atdheut, e strehëzës dhe e lagjes së
vjetër, e shtëpisë së fëmijërisë e rinisë, që sot rri e kyçur, braktisur në
këtë kohë emigracioni... Kjo lloj tematike nuk e lë të qetë autorin, asaj nuk i
shmanget dot, madje, ai e ka si detyrim t’i prekë, ti trazojë këto tema që
shpesh sot trajtohen si folklorizma..., t’i ringrejë në këmbë e të rimarrë prej
tyre krenarinë dhe dinjitetin. Ndërgjegjja poetike, në fund të fundit është po
aq edhe kombëtare!
Vështrimi
poetik i autorit, zgjerohet bindshëm tek realiteti shoqëror, shpesh i
dhimbshëm. Sepse, poezia vërtet që del nga vetvetja, por ajo nuk ka sesi të
mbetet thjesht një rrëfim i vetvetes, kur jeta përreth thërret, qan ose qesh.
Këtë e ndien sidomos te poezitë “Botë e mbarsur”, “A ka Zot”, “Kur të vdes”,
“Përse”, etj. Jo vetëm në këto poezi autori është i drejtpërdrejtë me dhimbjen
dhe padrejtësitë shoqërore, por edhe në ato me tematikë romantike, përshkruese-natyre,
vërehet një lloj nervi, qëllimi dhe tendencioziteti... Kështu, këto lloj
poezish nuk janë thjesht “natyrë e qetë”, por një natyrë që flet, që ngacmon,
që provokon dhe lë një mesazh që del përtej
yllit apo hënës, përtej vjeshtës dhe gjetheve të zverdhura...Pra,
aludimi me realitetin e përditshëm është më se i qartë.
Dhe
këtë prezantim poetik mund ta mbyllim me disa vargje të poezisë “Vjeshtë”, ku
autori konkludon: “Qeshu pakëz dhe ti moj vjeshtë/ Leri hapësirë diellit të
ndrijë/ Pëlhurën e reve shpërndaje lehtë/ Pëllumbthit të shpresës/ Hapi rrugë
të vijë...”