Kerko: a
Ilir Çumani: Hiperbola nuk ka lidhje me bamirësinë!
E hene, 09.12.2019, 09:55 PM
HIPERBOLA NUK KA LIDHJE ME BAMIRËSINË…!
NGA
ILIR ÇUMANI
Nuk
e njoh së afërmi dhe nuk kam patur asnjë rast të vetëm për tu takuar ballë për
ballë me Elvis Naçin. E njoh vetëm përmes medias, aq sa e njohin shumica e
shqiptarëve këtej dhe andej kufirit, prej daljeve të shpeshta publike gjatë
predikimit dhe misionit që ai i beson dhe e ushtron si klerik. Sinqerisht, e
çmoj humanizmin dhe sakrificën e imamit të xhamisë së Tiranës, i cili me
modesti, pasionin dhe zellin epashoq të një shërbestari të dhembshur e të
përulur para Zotit, me energjinë e pamatë pozitive dhe imazhin
e kuruar, ka mundur të sendërtojë e të na paraqes një model të munguar të
empatisë humane, duke formëzuar dhe institucionalizuar tashmë një vepër
monumentale të shpirtit njerëzor, që i tejkalon përmasat sublime të sakrificës
mbinjerëzore! Përtej kësaj, puna dhe kontributi i pangjashëm i këtij misionari
me ndikim të padiskutueshëm në hapësirën mbarëshqiptare, nuk ka nevojë për
koment, përveçse duhet përshëndetur, inkurajuar dhe përkrahur nga të gjithë
aktorët dhe faktorët e shoqërisë, veçanërisht në këto kohë të vështira pas
fatkeqësisë së 26 nëntorit, ku vendi u godit pabesisht nga tërmeti apokaliptik
prej 6.4 ballë i shkallës Rihter. Në kohën që jetojmë, e cila është e mbarsur
me kaq shumë kriza sociale dhe fenomene të polarizimit ekstrem të shoqërisë,
ajo që Elvis Naçi bën, është një vepër hyjnore, tepër e dobishme, konkrete, e
dukshme, frytet e së cilës i kanë prekur me dhjetra e qindra nevojtarë, shumë
familje shqiptare. Në sagën e përvuajtjes së mjerimit përmes ironisë së fatit, (shpesheherë edhe të pashpresë), këta
nevojtarë kanë mundur të prekin fundin, por sërish janë ringritur, falë ndihmës
së Elvisit me të tijët dhe misionit që ai përfaqëson. Është një shembull i
shkëlqyer dhe model frymëzimi e inspirimi që na dëshmon se sa energji të
pashterur mbart në vetvete qoftë edhe një individ i vetëm kur ai udhëhiqet nga
e mira dhe e bukura, nga parimet e shejnta humane dhe besimi, nga dashuria për
JETËN, për NJERIUN! Por, kujdes i dashur Imam, sot, kam një apel të sinqertë
dhe dashamirës për ju dhe për shumë bamirës e filantrop të vërtetë, të njohur
dhe të panjohur, njerëzit e zakonshëm e të heshtur, zemërdhembshur e
vullnetmirë, të cilët, fatmirësisht as i kanë munguar dhe as nuk i mungojnë
truallit shqiptar...! Ju lutem, i nderuar Elvis, lerini mënjanë shifrat
bombastike e të pa verifikuara që ju ofrohen në mënyrë fiktive qoftë edhe nga
individë apo pseudoorganizata që mbase janë në të drejtën e tyre t’ju kërkojnë
pse jo edhe ndihmë, por që për hir të së vërtetës, disa prej tyre, prej tre
dekadash bubërojnë si brejtës e parazitë përmes kauzave të rreme në kurriz të
fatkeqëve. Ju e dini se, për të realizuar me sukses një mision të vërtetë
human, siç është edhe nisma e fundit që keni publikuar për t’iu ofruar falas
asistencën e ndihmës mjeksore për 5.000 fëmijë jetim në spitalin “Continental”
që sapo keni ngritur si fondacion, nuk është e nevojshme që të proklamohen
shifra të tilla me fëmijë jetim me shumë zero nga pas, të cilët, sipas jush do
të përfitojnë nga ky projekt shërbime mjekësore, por që në fakt, në dijeninë
time dhe për hir të së vërtetës, s’kanë asnjë lidhje me realitetin dhe situatën
faktike. Më ndjeni i dashur Elvis, me gjithë respektin dhe vlerësimin maksimal
që kam, ju e dini fort mirë se, qëllimi dhe fuqia e aktit të bamirësisë nuk
mbështetet as në sasi, dhe as në shifrat e fryra me numra fëmijësh që
proklamohen në atë që bëni, apo që do të bëni në të ardhmen. Njerëzit nuk janë
shifra, as numra, janë qënie humane. Aq më tepër kur bëhet fjalë për fëmijët pa
familje dhe pa kujdesin prindëror, portretet dhe imazhet e të cilëve
fatkeqësisht përdoren e keqpërdoren, publikohen në media dhe në rrjete sociale
pa teklif, mbase edhe për show, pa treguar as më të voglin respekt për ruajtjen
e dinjitetin njerëzor nga ata që në fakt duhet të bëjnë të kundërtën: të
kujdesen dhe të ruajnë privatësinë, të dhënat për çdo fëmijë, dhe jo të
publikojnë shifra fëmijësh jashtë realitetit të cilat nuk i pranon as
imagjinata në realitetin ku jetojmë.
Ndryshe,
kjo quhet hiperbolë, dhe humanizmi nuk ka lidhje me hiperbolën që përdoret
shpesh në rrëfenjat e lashta apo në letërsi. Sikurse edhe hiperbola, nuk ka dhe
s’mund të ketë asnjë lidhje me bamirësinë…(!) Këtë e thonë librat e shejntë:
Bibla dhe Kur’hani. Nënë Tereza thotë: “…Nuk ka rëndësi se sa bëjmë dhe çfarë
bëjmë! Rëndësi ka, sa dashuri sjellim në atë që bëjmë…” Këtë postulat të
Shejntores Terezë, besoj se e keni si një busull orientuese në misionin tuaj
human, edhe pse i përkisni besimit islam. Këtë parim duhet ta ketë cilido që e
konsideron veten misionar dhe shërbestar i përulur i Zotit! Nëse do të veprojmë
kështu, të gjithë së bashku do të mund të respektojmë preambulën e Konventës së
të Drejtave të Njeriut, por edhe një nga parimet bazë të saj që lidhet me
ruajtjen e konfidencialitetit dhe respektin e dinjitetit njerëzor të çdo
individi, qoftë ky edhe fëmijë. Këtë gjë e shpreh edhe Kur’ani, i cili thotë se
çdo e mirë që bëhet duhet që askush mos ta shoh, askush të mos e marrë vesh,
veçanërisht kur kjo e mirë që bëhet ka në fokus fëmijët në nevojë, fëmijët
jetim.
Ngulmoj
në këtë çështje, ngase ju i dashur Elvis, thellë thellë e ndjeni, e keni
mishëruar dhe konkretizuar me akte të vërteta voluntariste të vetësakrifikimit,
bamirësisë dhe dashurisë për të gjithë ata që ju kanë besuar, ju besojnë dhe do
t’ju besojnë dhe në të ardhmen, sepse u keni shtrirë dorën për ndihmë në çastet
më të vështira të gjithë atyre që kanë qenë dhe janë në nevojë. 30 apo 50
fëmijë jetim që mbahen peng për lëmoshë nga disa individë të papërgjegjshëm,
matrapazë social dhe pseudoorganizata me emra të rremë strukur skutave e
kthinave të vrugëta të “Shoqërisë Civile”, që në dijeninë time shpesh e rëndom
përdoren si dekor për show para kamerave e publikohen në rrjete sociale, asesi
nuk janë ekuivalenti real me shifrën e 5.000 fëmijë jetim, që, çuditërisht ju
është servirur dhe e keni publikuar pa e verifikuar me aq bujë në statusin tuaj
social. Disa persona apo “organizata” që ju drejtohen për ndihmë, janë të
njëjtët ata të cilët, në gjithë këto vite të tranzicionit kaotik të vendit kanë
çuditur dynjanë dhe institucionet tona të shtetit, ambasadat, fondacionet dhe
bizneset brenda dhe jashtë vendit, duke deklaruar të dhëna të rreme. Këto
“shoqata” parazitare të cilat për fat të keq ju drejtohen juve, nuk kanë as
minimumin e infrastrukturës dhe të logjistikës, nuk zotërojnë as kapacitetet
minimale njerëzore e profesionale dhe janë të palicensuara për veprimtarinë e
tyre nga autoritetet shtetërore të zbatimit të ligjit, mbi çfarë kriteresh dhe
të dhënash deklarojnë njëherë se kanë të rregjistruar në regjistrat e tyre
80.000 familje me fëmijë jetim, dhe njëherë tjetër deklarojnë një tjetër shifër
me 12.000 familje të tilla...!? Nëse vërtetë këto statistika janë të tilla, e
gjitha kjo do të ishte shqetësuese, sepse sfidon dhe vë përpara përgjegjësisë
shtetin dhe institucionet tona, të gjithë zinxhirin institucional të rrjetit të
shërbimeve sociale që vepron në këtë fushë në të gjithë territorin e
Shqipërisë. Në këto rrethana, pyetja që shtrohet është; cilat janë mekanizmat,
modalitetet, tipologjitë, treguesit dhe standartet që aplikohen nga këta
operatorë që monitorojnë e klasifikojnë targetgrupet vulnerabël dhe veprojnë në
tregun privat si të palicensuar duke na paraqitur një tabllo me situata të
tilla shifrash alarmante me fëmijë jetim...!? Padyshim, është i njohur
fakti se shteti dhe vetëm shteti është ai që ka barrën dhe përgjegjësinë
kryesore për mbrojtjen, mbështetjen dhe ofrimin e shërbimeve të kësaj kategorie
të brishtë të shoqërisë. E kundërta nuk ka si të ndodh. Jo vetëm këtu në
Shqipëri, por kudo në botë, shteti ka qenë, është dhe mbetet protektori kryesor
që merr në mbrojtje, kujdeset dhe duhet të kujdeset për këtë shtresë,
përgjigjet me të gjitha detyrimet e veta kushtetuese, (edhe pse rezultatet aktualisht nuk janë ato që duhet ti kemi). Çdo
gjë tjetër që bëhet në favor të fëmijëve dhe shtresave të tjera të shoqërisë në
nevojë nga operatorë privatë, janë komplementare. Sigurisht janë edhe të
mirëpritura, por ato duhet të jenë të kontrolluara dhe të monitoruara për
aplikimin e standarteve të shërbimeve që u ofrohen nga institucionet e
politikbërjes dhe të ligjitzbatues, me synimin e vetëm për të shmangur çdo lloj
abuzimi, që për hir të së vërtetës gjatë viteve të fundit nuk kanë qenë të
pakta rastet edhe brenda disa të ashtuquajtura organizata e fondacione. Arsyet
e lojrave të tilla me numra fëmijësh dhe me familje jetimësh sipas oreksit, më
mirë se kushdo i dinë vetë ata që i bëjnë, por ju lutem, tregoni vëmendje dhe
kujdes të shtuar që ti refuzoni këta
individë që nën petkun e aktivistëve të “bamirësisë” ju ofrohen
djallëzisht duke iu servirë të dhëna me shifra të rreme në mënyrë manipulative.
Në Spanjë, ka një fjalë të urtë që populli i atij vendi e përdorë shpesh, kur
thotë : “... Mos u zhyt në një llucë me derrat sepse me derrat do të
ngatërojnë...”
E
nëse nga empatia, dashamirësia, pakujdesia, toleranca e ardhur qoftë edhe për
shkak të besimit apo sinqeritetit të treguar prej jush, do të vij një ditë
që ndokush do të mund t’ua bëjnë pis sado pak ngrehinën e misionit tuaj
nga ato çfarë cekëm më sipër, kjo do të përmbyste gjithçka të mirë e të bukur
që keni bërë derimë tani, duke e çuar të gjithë mundin dhe përpjekjen tuaj në
bomerang. Në këtë rast, të humbur do të jenë vetëm nevojtarët. Kjo do të ishte
zhënjyese, e dhimbshme, por edhe e trishtë njëkohësisht…!