Kerko: a
Thanas Gjika: Partia asgjësoi edhe komunistët e ndershëm
E diele, 17.11.2019, 04:47 PM
PARTIA ASGJËSOI SI KUNDËTSHTARËT EDHE KOMUNISTËT E NDERSHËM E TRIMA
(Portret-biografi kushtuar Dino Th. Martikos)
Nga Thanas
L. Gjika
Gjatë historisë kombëtare të
popullit shqiptar janë shquar shumë burra e gra, djem e vajza për guximin me të
cilin i kanë kundërshtuar padrejtësitë dhe urdhrat e padrejta të sunduesve të
huaj ose vendës. Kjo dukuri ka qenë e përhapur në shekuj, por edhe gjatë viteve
1944-1991, kur diktatura komuniste me politikën terrorizuese dhe propagandën e
saj të fuqishme e detyronte popullin të vlerësonte si trimëri servilizmin ndaj
partisë e pushtetit. Qëndrimet e guximshme të atyre që kundërshtonin politikën
e partisë, ose veprime të gabuar të kuadrove të partisë e të pushtetit,
dënoheshin me burgime, internime, pushkatime, etj. Dënimi shtrihej dhe mbi
familjarët e tij, të cilët shpalleshin po ashtu “armiq e tradhëtarë”.
Bëmat e këtyre njerëzve mbuloheshin me heshtje dhe harresë. Kush i tregonte ato
dënohej dhe ai për agjitacion e propagandë kundër partisë e shtetit.
Të shumtë ishin intelektualët e
formuar në Perëndim, nacionalistë, ballistë dhe legalistë, të cilët Partia
Komuniste Shqiptare i luftoi dhe i asgjësoi që gjatë Luftës Antifashiste dhe
gjatë viteve të para të pasluftës. Mirëpo, po kjo parti asgjësoi dhe shumë
komunistë të ndershëm e trima, që e kundërshtuan politikën e gabuar të saj dhe
kështu u kthye në një parti me karrieristë e servilë.
Mbasi u ndërrua sistemi diktatorial
njëpartiak me sistemin pluralist, ishte detyrë intelektuale të kërkoheshin, të
vlerësoheshin dhe të popullarizoheshin zyrtarisht ata bij e bija të popullit
tonë, që u asgjësuan pa gjyqe vetëm se u menduan prej udhëheqësit të PKSH se
ishin kundërshtarë të vijës së tij, si dhe komunistët që kundërshtuan politikën
e partisë dhe vuajtën dënimet e ashpra të diktaturës komuniste. Mirëpo shumica
e klasës politike të pasdiktaturës përbëhej nga ish-komunistë, ish-sigurimsa
dhe shërbëtorë besnikë të klanit Hoxha. Kështu që kërkimi, vlerësimi dhe
popullarizimi i të tillë trimave e trimëreshave u spostua si detyrë e dorës së
dytë e të tretë. Gjatë tranzicionit ish-pushtetarë, ish-kuadro me përgjegjësi,
ish-shkrimtarë, ish-gazetarë dhe ish-studiues të kohës së diktaturës vijuan të
ishin penat kryesore që mbushnin faqet e shtypit dhe kanalet televizivë.
Pikërisht të tillë njerëz që kishin pushtet e krijuan me vonesë Institutin e
Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, të cilit edhe pas krijimit i
kanë nxjerrë dhe i nxjerrin pengesa të shumta në punën e tij. Madje me
paturpësi parlamentarë të sotëm socialistë kanë kërkuar që ky institut të
mbyllet me qëllim që të mos vijojë zbulimi i krimeve të diktaturës komuniste
dhe të mos vlerësohen bëmat e njerëzve të ndershëm e guximtarë të asaj kohe që
kundërshtuan veprime të padrejta të kuadrove partiakë dhe politikën e partisë.
Nuk duhet humbur kohë për të
kërkuar, gjetur dhe popullarizuar jetën e të tillë njerëzve të guximshëm, me
qëllim që të ndihmohen institucionet përkatëve për të vlerësuar këtë aspekt të
jetës sonë. Kjo punë nuk duhet lënë si detyrë që duhet kryer vetëm prej ish-të
përndjekurve, sepse shumica e popullit që vijon të ndjekë median e majtë, i
sheh këta me sy të shtrembër dhe nuk i vlerëson, madje as i lexon shkrimet e
tyre. Prandaj është detyrë e çdo intelektuali të ndershëm që të përpiqet
seriozisht për të njohur dhe vlerësuar me shkrime të ndryshëm jetën e këtyre
heronjve, sepse shembujt e tyre do të frymëzojnë rininë shqiptare për të
krijuar një shoqëri të moralshme larg gënjeshtrave. pa të cilën populli ynë nuk
mund të rigjenerohet e të ecë përpara...
Në vijim të shkrimeve të mia për të
zbuluar e përshkruar jetën dhe bëmat e njerëzve që guxuan të kundërshtonin
politikën e partisë gjatë luftës dhe pas saj, po përpiqem të ndërtoj këtu një
portret-biografi për birin e denjë të Bregut të Sipërm, himariotit Dino
Themistokli Martiko, pjesëmarrës i Luftës Na-Çl, komunist i vitit 1942, që e
dënuan dy herë me burgim, më 1954 me 7 vjet dhe më 1979 me 23 vjet. Herën e
dytë e dënuan kur ishte pensionist 65-vjeçar dhe ia morrën jetën pas një viti
torturash në hetuesi dhe 5 vjet mundimesh burgu, sepse nuk e duronin dot
gjallë.
Për të mbledhur të dhënat e
nevojshme për hartimin e këtij shkrimi u lidha me zotin Robert Martiko, djalin
e Dinos, i cili më ndihmoi duke m'u përgjigjur pyetjeve të shumta dhe pastaj
duke korrigjuar e saktësuar shumë të dhëna në variantet e parë të shkrimit.
* * *
Dino Martiko lindi në vitin 1914 në
fshatin Shënvasi të Sarandës. Ishte më i madhi i tre djemve të familjes së
Themistokli Mitro Martikos, e cila ishte një familje në gjendje të mirë
ekonomike. Gjyshi i Dinos, Mitro (Dhimitër) Martikua, përveç shtëpisë dhe
arave, ushtronte dhe tregëtinë e kuajve. Ai e dërgoi djalin e tij,
Themistokliun, pra babain e Dinos, me
shpenzimet e veta për të kryer shkollën e mesme në Janinë dhe më pas në Athinë
për të ndjekur studimet e larta për ekonomi. Kur plasi Lufta e Parë Ballkanike,
në tetor të vitit 1912, Themistokliu, si shumë bashkëstudentë grekë dhe
arbërorë (arvanitas), e la shkollën dhe shkoi vullnetar për të luftuar kundër
ushtrisë turke për lirinë e popullit grek që kishte mbetur ende nën zgjedhën
turke. Ai mori pjesë në luftimet e Thesalisë, ku që në fillim ra në sy për
guxim e trimëri në fushat e betejave, prandaj komanda ushtarake greke i dha
gradën toger.
Kur erdhi në Delvinë, te sheshi i
qytetit, njerëzit e ngritën Themistokliun në duar duke e hedhur përpjetë me
thirrje brohoritëse. I ati, Mitro Martikua, që ishte i njohur për guximin dhe
zgjuarësinë e tij në Delvinë dhe në zonën për rreth, kur pa pritjen që po i
bëhej djalit, iu tha disa miqve që i kishte në krah: “Sikur të vdes tani, do
të isha njeriu më i lumtur në botë”! Familja e Martikove kishte miqësi të
shumta me familje të krishtere dhe myslimane. Tregëtia kërkonte, ashtu si dhe
sot, marrëdhënie të gjera e të shumta.
Në verën e vitit 1913 Themistokliu
vendosi të qëndronte pranë familjes për të ndihmuar babain. Nuk shkoi në Athinë
për të vijuar studimet, por u martua dhe mbas një viti u bë baba me djalë, të
cilit i vuri emrin Dino (forma e shkurtër e emrit Kostandin). Mirëpo disa muaj
më pas babain e tij Mitron e vranë pabesisht në pusi. Thuhet se kali i Mitros
atë ditë nuk donte të merrte udhë, por kamzhiku i të zotit e shtrëngoi të bënte
përpara. Nuk u muarr vesh se cili ishte vrasësi. Disa javë para vrasjes kishte
ndodhur një skenë në Shënvasi me disa bashkëfshatarë që kishin bërë vjedhje në
një fshat mysliman. Mitrua i shau me fjalë të rënda: “të pabesë, maskarenj,
na turpëruat fshatin”. Ata, në prani të tij nuk nxorrën gjysmë fjale, por
mbas disa javësh Mitrua u gjend i vrarë në pusi. Varrimi i tij u bë me nderime
brenda territorit të Manastirit të Shën Vasilit. Duke qenë se vrasësi nuk u
muarr vesh, Themistokliu e ngushëlloi nënën e vet: “Le të falenderojmë Zoti,
që na dha Dinon si zëvendësues të babait”.
Pas formimit të shtetit të pavarur
shqiptar porti i vogël i Sarandës po merrte gjallëri, Themistokliu e ndjeu se
tregëtia atje do të sillte shpejt fitime të mira, prandaj shkoi e mori me qira
një dyqan në atë qytezë. Familjen e la në fshat, kurse vetë rregulloi një vend
për fjetje në një kthinë të dyqanit, ku flinte gjashtë ditë të javës. Kjo lloj
jete nuk zgjati shumë, brenda vitit 1920 ai u sëmur dhe vdiq.
Dinua kishte qenë foshnjë kur ndodhi
vdekja tragjike e gjyshit Mitro dhe nuk përjetoi dhimbje, kurse vdekja e
babait, kur ishte disa muaj mbi 6 vjeç ia cingërisi zemrën. Tronditja e asaj
dite, me të qarat dhe kujet e grave, do t'i kujtoheshin sa herë do të ndodhej
në momente të vështira. Si shumica e jetimëve edhe ai u rrit me trauma shpirtërore.
Por me gjithë tronditjen dhe dhimbjen, ky fëmijë, qysh në moshë shumë të re dha
shenja se do të bëhej njeri i zgjuar dhe energjik.
Dinua u shkollua në
shqip, greqisht dhe italisht
Kur ishte ende gjallë babai filloi
ta merrte Dinon 6 vjeçar me vete të hënave në Sarandë dhe e kthente të
shtunave. Atje ai e regjistroi djalin si dëgjues në një shkollë, ku nisi të
mësonte shkronjat e para të alfabetit dhe disa veprime matematike. Në fshatin
Shënvasi nuk kishte shkollë dhe ky fëmijë i mbetur jetim ndjeu se nuk kishte
mundësi shkollimi. Një ditë shpërtheu duke iu drejtuar gjyshes si i rritur: “Ose
më gjeni shkollë, ose këtë avlëmend ku punon ti tërë ditën, do ta bëj copë-copë.”
Ia tha këto fjalë gjyshes, që e donte më shumë se nënën e tij. Për të ai
ndjente dashuri dhe dhemshuri, por shqetësimi se do të mbetej i pashkollë e
revoltonte, prandaj i thirri ashpër gjyshes zemërplasur. Ajo nuk u zemërua, po
ngriti sytë nga qielli duke psherëtirë: “Ndihmoje o Zot dritën e syve tanë
mos mbetet pa shkollë!”
Dhe, sikur Zoti ta kishte dëgjuar
lutjen e saj, në verë-vjeshtë të vitit 1921 u hap e para shkollë fillore në
Shënvasi, ku u regjistrua dhe Dinua. Pasi përfundoi tre vitet e kësaj shkolle,
për shkollimin e mëtejshëm, u interesua dajua i tij, Qirjako Vjero, te miku i
familjes Jaho Kalasa, i cili jetonte në Delvinë. Ky arriti të siguronte nga
qeveria e Tiranës një bursë për djalin jetim për të vijuar mësimet në shkollën
greke të Voshtinës, një fshat i vogël në Greqi pranë kufirit. Aty Dinon
10-vjeçar e shpuri dajua i tij, i cili merrej me tregëti kuajsh midis dy
vendeve dhe e njihte drejtorin e asaj shkolle. Ky i premtoi se do të kujdesej
për mbarëvajtjen e djaloshit. I caktuan Dinos një program të veçantë për të
mësuar brenda një kohe të shkurtër gjuhën greke që të ecte paralel me nxënësit
e tjerë. Me aftësitë e tij mundi ta kapte programin mësimor njësoj me nxënësit
e klasës së vet. I shkathët nga natyra dhe i papërtuar, ai i përballoi me
sukses si mësimet në gjuhë të huaj dhe regjimin e ashpër të jetës konviktore.
Ngrisheshin çdo ditë në orën 5 të mëngjesit për të rendur e bërë gjimnastikë
edhe kur binte shi ose dëborë. Në Voshtinë bënte shumë ftohtë. Në janar rrugët
bllokoheshin nga bora dhe hapeshin nga mesi i marsit.
Rezultatet e mira në mësime dhe qëndrimi
i tij korrekt ngjallën respekt e simpati te bashkënxënësit dhe mësuesit, me
përjashtim të mësueses që jepte muzikë dhe punë dore. Një ditë kur të gjithë
nxënësit këndonin, ajo pa që Dinua nuk këndonte dhe e pyeti: “Po ti pse s'
këndon”? Dinua iu përgjigj se nuk kishte veshë për muzikë prandaj nuk dinte
të këndonte. Ajo nguli këmbë dhe i kërkoi të këndonte çfarëdo kënge që të dinte.
Dhe Dinua filloi të këndonte Hymnin e Flamurit. Mësuesja mbeti e kënaqur
dhe donte t'i thoshte se si ke mësuar këtë këngë shqipe mëso dhe këngë greke.
Mirëpo, një bashkënxënës që ishte nga Gjinokastra i tha mësueses se ajo këngë
ishte hymni i Shqipërisë. Atëhere mësuesja i dha Dinos një pëllëmbë të fortë në
faqe. Me një lëvizje rrufe ai e goditi mësuesen me shqelm në bark. Ajo u
befasua, por nuk reagoi më tej me goditje. E dënoi që të mos delte për të
luajtur në oborrin e shkollës gjatë pushimit të madh. Kur nxënësit dolën, Dinua
pas disa minutave e vërtiti në pozicion horizontal paisjen e sobës tek qyngji
dhe pengoi daljen e tymit. Klasa u mbush me tym. Nxënësi i parë që erdhi nga
pushimi lajmëroi të njëjtën mësuese, por kjo nuk erdhi vetë, njoftoi drejtorin
e shkollës. Kur ky hyri brenda në klasë, dalloi Dinon që po fërkonte sytë e
përlotur dhe në vend që ta dënonte, ia plasi të qeshurit, duke thënë: “Ah, ti kokë himarioti!” Drejtori nuk deshi ta dënonte nipin e mikut të tij,
hapi dritaret dhe u largua.
Pasi e mbaroi këtë shkollë, Dinua u
kthye në shtëpi i kënaqur se përveç programit mësimor kishte mësuar dhe gjuhën
greke. Kryetari i Bashkisë së Delvinës, Asim Kalasa, djali i Jaho Kalasës mik i
familjes, e ndihmoi Dinon që të shkonte për të vijuar studimet në Vlorë te Shkolla
Tregtare, një shkollë ekonomike italiane. Gjatë studimeve në këtë shkollë
në vitet 1927-1931 djaloshi u kualifikua si llogaritar-kontabël dhe zotëroi
shumë mirë italishten. Me njëherë sa mbaroi këtë shkollë, e emëruan sekretar në
Bashkinë e Delvinës, ku punoi deri më 6 prill 1939. Pushtimi fashist i
Shqipërisë solli dhe pushimin e Dinos nga puna.
Dino Martikon pushtimi fashist e
gjeti të mirëformuar si karakter njerëzor dhe atdhetar. Atdhetarizmi atij i
ishte mëkuar që me qumshtin e nënës, kurse edukata qytetare i ishte formuar
gjatë jetës në familjen e ndershme. Kjo edukatë i ishte forcuar më tej dhe
gjatë viteve të shkollimit te shkolla italiane, ku pedagogët që i jepnin mësim
ishin intelektualë të spikatur me kulturë të gjerë dhe moral të qytetarit
perëndimor.
Nuk më interesojnë
pasojat, më intereson varrimi i kufomës
Në vitin 1937 plasi kryengritja e
Delvinës kundër Mbretit Ahmet Zogu i I. Këtë revoltë e organizuan vëllezërit
Et'hem dhe Ismet Toto me simpatizantët e tyre antizogistë. Mirëpo forcat
mbretërore e shtypën kryengritjen dhe shkaktuan shumë viktima, u arrestuan dhe
400 pjesëmarrës. Midis viktimave të asaj kryengritjeje ishte dhe toger Xhevdet
Gjoleka, nipi i të paharrueshmit Zenel Gjioleka. Xhevdetin e vrau në gjumë një
mik i tij, i paguar prej Ahmet Zogut. Mbreti dha urdhër që kufoma e këtij
togeri të mos varrosej, po të lihej te sheshi i Çerçizit në Gjinokastër derisa
të qelbej.
Dinua 23 vjeçar, sapo mori vesh këtë
lajm, duke e ditur se tre djemtë e Xhevdetit ishin të vegjël dhe nuk do t'i
dëgjonte kush po të kërkonin kufomën, shkoi shpejt nga Delvina në Gjinokastër,
ku takoi prefektin. E sqaroi se i vrari ishte nip i zëmadhit Zenel Gjoleka dhe dhëndër
i Jaho Kalasës, të cilit Dinua i detyrohej për shkollimin te Shkolla Tregëtare,
pastaj i kërkoi lejën për ta marrë dhe varrosur kufomën. Prefekti, si nëpunës i
mbretit nuk guxoi dhe iu përgjigj: “Djalosh, mos e fut veten në armiqësi me Nalt Madhninë! Do
të kesh pasoja të rënda”. Dinua pa i bërë syri
tër, me pamje të qetë, ia ktheu: “Nuk më interesojnë pasojat, më intereson
varrimi i kufomës. Ju nuk keni ligj që të shkelni zakonin popullor për varrimin
e një kufome”. Prefekti u ndje ngushtë, por e dha urdhërin për ta dorëzuar
trupin e të vrarit, të cilin Dinua u kujdes dhe e varrosi te varrezat e
Gjinokastrës.
Kur e dëgjova prej Robertit këtë
ngjarje, më bëri përshtypje sjellja e këtij prefekti, i cili guxoi dhe e theu
urdhërin e Mbretit nën presionin e një qytetari këmbëngulës që i tha se nuk
duhej të shkelte zakonet popullore përderisa ai nuk kishte një ligj të shkruar.
Kurse gjatë viteve të diktaturës komuniste, asnjë nga kuadrot e lartë të
partisë e të pushtetit, bashkë me ata të sigurimit, nuk guxoi të thyente
urdhërat e Enver Hoxhës për burgime, internime e pushkatime njerëzish, edhe pse
këto urdhëra shpesh herë nuk mbështeteshin në asnjë vendim gjyqi ose ligj të
shkruar.
Për fatin tonë të keq gjatë viteve
të tranzicionit, kur janë në pushtet pasardhës të klanit Hoxha, po ndodhin
krime të një lloji tjetër. Tani ka ligje të shkruar për dënimin e të gjitha
keqbërjeve, por ato shkelen prej gjyqtarëve e zyrtarëve të korruptuar.
Mos u besoni spiunëve,
ata janë njerëz të poshtër që shiten për pare
Mbas 7 prillit 1939 deri në tetor
1940, edhe Delvina jetoi nën pushtimin italian, i cili u ndërpre pas dështimit
të Italisë Fashiste në Luftën Italo-Greke. Ky qytet, si shumë qytete e fshatra
të Shqipërisë së jugut u çlirua prej ushtrise pushtuese italiane, por ky çlirim
nuk ishte çlirim i vërtetë. Ushtria greke që dëboi ushtrinë italiane, shumë
shpejt filloi të sillej si ushtri pushtuese duke shpallur herë hapur e herë nën
zë se tokat e çliruara prej pushtuesit italian ishin toka greke dhe i përkisnin
Greqisë.
Dinua nuk donte tu besonte syve kur
po dëgjonte disa shqiptarë, të krishterë dhe myslimanë, që po bërtisnin te
sheshi i Delvinës: “Zito Elladha”! (Rroftë Greqia). Po përsëriteshin
skenat qesharake që ishin organizuar në prill 1939 në Durrës, Tiranë, Vlorë e
Sarandë, ku disa shqiptarë të paguar bërtisnin në ditët e para të pushtimit
italian: “Viva Italia, Viva Duce!” (Rroftë Italia, Rroftë Duçja). Ndonëse
Delvina ishte e mbushur me ushtarë grekë, Dinua filloi të shante brohoritësit
majtas e djathtas dhe tregëtarët që po ndërronin tabelat e dyqaneve të shkruara
shqip me tabela të shkruara greqisht. Nuk kaloi as gjysëm ore nga bërtitjet e
tij, kur u dha aty një patrullë me tre ushtarë grekë, nga ata të shërbimit të
Sigurimit grek (Asfalias). Pranë Dinos ndodhej një shqiptar mysliman, i njohur
i tij. Komandanti i patrullës pyeti: “ Si ju quajnë”?
“Mua më quajnë Apostol”, u përgjigj me ngut shqiptari mysliman që ishte pranë
Dinos. Dinua nënqeshi. Komandanti iu drejtua Dinos: “Po ty, si të quajnë?
“Dino, Dino Martiko”, u përgjigj ai. Por grekët përdornin e përdorin vetëm
formën e plotë Kostandin dhe komandanti mendoi se ai ishte ndonje shqiptar i
ardhur nga Çamëria ku e kishte dëgjuar këtë emër dhe urdhëroi pa e zgjatur: “Të
urdhërojmë të vish me ne në komandë!” U bëri shënjë me dorë ushtarëve ta
fusnin Dinon në mes dhe ta shoqëronin deri te zyrat e komandës.
Ushtaraku i lartë para të cilit e
shpunë Dinon kishte një pamje të egër, të cilën ia theksonin sytë e tij të
futur në dy zgavrat e mëdha. Ky ishte famëkeqi Major Petropulos, shefi i
Sigurimit të Ushtrisë Greke për zonat Përmet-Gjinokastër-Sarandë. Disa javë më
vonë, po ky major për të ngjallur tmerr në popull, e tërhoqi zvarrë të lidhur
me litar pas triçiklit të tij derisa dha shpirt, një himariot që akuzohej se
ishte agjent i italianëve. Midis
majorit dhe Dinos filloi biseda: “Çam je ti”?
“Jo, jam shqiptar
ortodoks”.
“Ku ka shqiptarë
ortodoksë, more maskara! Ortodokët janë grekë, shqiptarët janë turq. E di ti që
unë të var te rrapi i Delvinës”?
“Nuk ka nder më të madh
për mua se të më varësh te rrapi i Delvinës!” Iu përgjigj Dinua dhe vijoi: “Po më parë duhet të
dish se gjithë spiunët e Ahmet Zogut u bënë spiunë të italianëve dhe sot erdhën
e u bënë spiunët tuaj.’’
Majori u ngrit në këmbë. Ngriti një
kamzhik të shkurtër për të goditur të arrestuarin në fytyrë, por Dinua me duart
e tij të forta ia mbërtheu dorën që mbante kamzhikun dhe po e mbante të
bllokuar. Në këtë moment u hap dera dhe hyri një prift delvinjot që e njihte
Dinon, i cili menjëherë iu drejtua ushtarakut:
“Qirio Petropulos ju gaboni. Ky
djalosh nuk duhet arrestuar, ai ka bërë propagandë në favor të Greqisë përpara
se të vinit ju në Delvinë”.
Ishte e vërtetë. Dinua, sapo plasi
lufta Italo-Greke, filloi të dëgjonte lajmet që përhapte radio Athina dhe i
riprodhonte fjalët që thuheshin prej saj, se ushtria greke do ta çlironte
Shqipërinë nga fashizmi italian derisa ta hidhte në Adriatik. Nga mungesa e përvojës
politike dhe duke pasur parasysh faktin se babai i tij si shumë shqiptarë të
tjerë para tij kishin luftuar për lirinë e popullit grek, Dinua mendonte se popujt
fqinj i gjenden njëri tjetrit në kohë nevoje. Por kur pa e dëgjoi sesi
silleshin e se çfarë thoshin ushtarët grekë pasi erdhën në Delvinë e Sarandë, u
kthjellua dhe kundërshtoi hapur propagandën shoviniste dhe thirrjet e
spiunëve...
Në saje të ndërhyrjes së priftit,
majori Petropulos e la të lirë të arrestuarin. Dinua kishte hallën e tij të
martuar në familjen Bamiha në Delvinë. Ajo ishte grua dinamike, sa dëgjoi se
nipi i saj qe arrestuar, shkoi te prifti dhe e nxiti që të ndërhynte te
komandant Petropulos. Mirëpo edhe pasi shpëtoi nga dënimi, Dinua nuk pushoi së
foluri kundër sjelljes shoviniste të ushtrisë greke. Ndërkohë Petropullos ishte
larguar me një pjesë të ushtrisë drejt bregdetit të Himarës. Dinon e arrestuan
përsëri dhe në burg u bënë gjithsej gjashtë vetë, pesë myslimanë dhe vetëm ai i
krishter. Midis të burgosurve ishte dhe çami Asim Zejno, një i njohur i tij me
të cilin do të miqësohej edhe më tepër në Vlorë, ku, si do të shohim më tej, do
të pinin shpesh herë kafe bashkë.
Halla e tij, e cila e kishte dërguar
priftin herën e parë, tani kishte bërë përpjekje të tjera për ta nxjerrë nipin
e saj nga burgu, dhe ia arriti. Në fund të javës së parë të izolimit, shefi i
burgut, një oficer grek, i shkoi te qelia dhe duke hapur derën thiri: “Dino Martiko dil, je i lirë”! Oficeri u çudit, sepse Dinua në vend që të delte sa më
parë, u përgjigj: “Nuk pranoj të dal nga burgu”.
Pas disa minutash erdhi një tjetër
oficer dhe pyeti: “Si është puna? Dinua përsëriti: “Nuk
pranoj të dal nga burgu”. Oficeri i kërkoi sqarime, dhe Dinua vijoi: “Përse i mbani të burgosur këta njerëz të ndershëm që i
njeh e gjithë Delvina, kurse njerëzit më të ndyrë, spiunët, i mbani si miq në
gjirin tuaj. Deri dje ata i shërbenin Zogut, më pas italianëve dhe tani ju
shërbejnë juve. Pa liruar këta të pafajshëm, unë nuk dal”.
Oficeri u largua, por kur erdhi
ditën tjetër kishte me vete vendimin për lirimin e katër të burgosurve. Mbajtën
vetëm dy, që i konsideruan shkelës të ligjit. Edhe Asim Zejnua u lirua.
Ushtria greke pas disa muajsh u
tërhoq nga territoret shqiptare, sepse në luftë kundër saj hyri ushtria
gjermane, aleatja e Italisë Fashiste. Me rikthimin e ushtrisë italiane në
Sarandë u rihap dega e Bankës së Napolit, ku Dinua u ripunësua si llogaritar
kontabël. Në vitin 1942 djaloshi Martiko u martua me zonjushen Sofia Gribizi, që
kishte mbaruar gjimnazin femëror të Korfuzit, qyteti ku ajo kishte lindur e qe
rritur. Babai i saj, Vangjel Gribizi, një minoritar grek nga Poliçani i
Gjinokastrës, pasi kishte punuar disa vjet në Amerikë si kurbetli, ishte kthyer
dhe qe instaluar në Korfuz, ku së bashku me një grek vendës hapi kafenenë Mavros
Gatos, që u bë shumë e njohur.
Që përpara se të ndodhte pushtimi
italian, gjatë jetës si konviktor te Shkolla Tregëtare, Dinua kishte rënë në
kontakt me idetë komuniste, që përhapnin Anastas Lulua dhe Sadik Premtja. Si i
ri që kishte rezerva ndaj regjimit monarkist, i pushtuar dhe nga formula e
idealistëve të kohës: “Të ndërtojmë një botë më të mirë”, Dinua e
simpatizoi lëvizjen komuniste, si një lëvizje që mund të sillte krijimin e një
sistemi shoqëror më të mirë. Faktikisht ai dinte pak për komunizmin si
ideologji, por asgjë si praktikë qeverisjeje. Kishte lexuar italisht “Manifestin
Komunist” të Karl Marksit dhe disa pjesë të veprës “Kapitali”.
Kështu, kur filloi lëvizja antifashiste, ai ishte një simpatizant i krahut të
majtë të kësaj lëvizjeje. Madje në vitin 1942 ai u bë dhe anëtar i Partisë
Komuniste Shqiptare. Karabinieria italiane e kërkonte për ta arrestuar dhe e
arrestoi dy herë. Mirëpo e lëshoi shpejt, sepse në hetuesi ai i kundërshtoi me
vendosmëri akuzat që i bëheshin prej informatorëve të Shërbimit Informativ
Ushtarak Italian, SIM-t dhe nuk dekonspiroi asnjë nga shokët.
Aktivitetet e para të komunistëve të
Bregdetit dhe të Kurveleshit filluan me përpjekjet për pajtimin e gjaqeve dhe
shuarjen e armiqësive midis fshatrave. Dinua kryesonte pothuaj të gjitha
mbledhjet në bashkëveprim me komunistët e Kuçit, personalisht me Jaho Gjolikun,
që ishte mik familjar i Martikove. Në marrëveshje edhe me Hysni Kapon, Dinon e
emëruan kryetar të Frontit Antifashist Na-Çl të Bregut të Sipërm, që
përmblidhte fshatrat: Nivicë-Bubar, Shënvasi, Lukovë, Sasaj, Piqerras e Borsh.
Në një nga këto takime në Kuç, ai shfaqi dëshirën për tu inkuadruar në një çetë
partizane. Hysni Kapua dhe Jaho Goliku, të cilët ia njihnin Dinos aftësistë si
orator dhe emrin e mirë që kishte në popull, ngulën këmbë që ai të kryesonte
propagandën në Bregun e Sipërm. Hysniu e mbylli bisedën: “Dino, po të vish
në mal, na shton vetëm një partizan, kurse po të punosh në terren, do na shtosh
shumë partizanë.”
Dhe vërtet numëri i partizanëve
bregdetas u rrit ndjeshëm. Për nga influenca në popull, fshatrat e Bregut, nga
Palasa deri në Nivicë-Bubar ndaheshin në atë kohë midis Dino Martikos për
Bregun e Sipërm dhe Zaho Kokës për Bregun e Poshtëm.
Përplasje me kuadrot
komunistë gjatë Luftës Antifashiste
Enver Hoxha, udhëheqësi i PKSH-së, i detyruar prej
Miladin Popoviçit, e hodhi poshtë Marrëveshjen e Mukjes dhe më 10 shtator 1943
me anë të shkresës sekrete të firmosur me pseudonimin Shpati, e
shpalli Ballin Kombëtar “organizatë tradhëtare dhe bashkëpunëtore të
pushtuesit”, ndonëse forcat e kësaj organizate deri atë shtator kishin
luftuar në bashkëveprim me forcat partizane. Gjithashtu në po atë shkresë ai i
urdhëroi organizatat bazë të partisë që të detyronin formacionet e ushtrisë
partizane të mos kryenin më asnjë aksion të përbashkët me forcat e Ballit
Kombëtar, por t'i luftonin këto pa kompromis si armike. Mbas këtyre vendimeve
ai filloi t'u kërkonte forcave partizane të kryenin aksione të armatosura
kundër pushtuesve të rinj gjermanë që po zëvendësonin ushtrinë italiane.
Këto nisma synonin: Së pari t'i mënjanonin forcat e
armatosura të Ballit Kombëtar si bashkëluftëtare për liri;
Së dyti forcat e Ballit duhej ose të inkuadroheshin me
forcat partizane, ose të shkonin në shtëpi, ose të kalonin në aleancë me forcat
e pushtuesit të ri.
Dhe kështu ndodhi, disa ballistë kaluan në anën e forcave
partizane, disa shkuan nëpër shtëpitë e tyre, kurse shumë të tjerë filluan të
bashkëpunonin me pushtuesin e ri, pa pasur ndonjë urdhër nga komandanti i tyre
Mit'hat Frashëri. Pra propaganda e PKSH-së ia arriti qëllimit, namin e keq që
përhapi për rivalin e saj si organizatë tradhëtare e bëri realitet, sepse shumë
forca të Ballit Kombëtar u detyruan të ktheheshin në forca tradhëtare. Si
rrjedhojë aleatët e mëdhenj panë se forcat partizane mbetën si forca e vetme
ushtarake që luftonte kundër pushtuesve gjermanë.
Kurse përsa u përket organizimit të aksioneve goditëse
kundër forcave gjermane, udhëheqja e PKSH-së mendonte se këto aksione do të
pasoheshin nga kundërveprimi hakmarrës i gjermanëve, të cilët do të vrisnin
partizanë po dhe njerëz të pafajshëm, do të digjnin shtëpi dhe fshatra të tërë.
Kështu, të rinjtë e këtyre fshatrave, të mbetur pa shtëpi, do të shkonin në mal
të bashkoheshin me partizanët. Pra prish shtëpi të bësh kasolle.
Në fund të shtatorit 1943 komandanti Jaho Gjoliku, miku i
familjes Martiko, mori kontakt me Dinon dhe pa e zgjatur hyri në temë:
“Partia dhe Komanda të vlerësojnë shumë për partizanët
që i ke dërguar deri sot në male. Po Partia ka nevojë për më shumë partizanë,
prandaj kërkohet prej teje të mbledhësh forcat territoriale dhe me to të bëhet
një aksion kundër forcave gjermane. Mund ta bëni diku midis Nivicës dhe
Shënvasisë. Ky aksion do të ngrerë prestigjin e zonës por edhe tëndin. Nga
kundërveprimi që do të kryejnë gjermanët, populli do të revoltohet dhe do të
mbushë malet me luftëtarë”.
Dinua e pa në sy dhe iu përgjigjej prerë: “Jooo! Në
asnjë mënyrë nuk pranoj të zbatohet ky urdhër!”
“Është urdhër nga lart dhe ti e di që nuk mund të
kundërshtohet.” Ia ktheu Jahua, i habitur nga reagimi i Dinos dhe shtoi:“E
përse e shikon të pazbatueshëm këtë urdhër?”
“Aksioni, filloi
të sqarohej Dinua, do të sjellë hakmarrjen e gjermanëve. Do të vriten njerëz
të pafajshëm, do të digjen shtëpi, plaça dhe të lashtat. Fshatarët në vend të
afrohen me Partinë dhe Lëvizjen do të largohen. U thuaj shokëve të komandës se
ky aksion do të ngjallë urrejtje dhe jo dashuri në popull. Unë nuk mund ta marr
përsipër zbatimin e këtij urdhëri. Shënvasia dhe Nivica janë fshatra të pasur.
Nuk janë si fshatrat e Labërisë, gurë e shkëmb. Aksioni do të ketë kosto të
lartë ekonomike, por edhe politike”.
Jahua, duke i hedhur krahun në qafë, shtoi:
“Ke të drejtë. Ma ktheve mendjen dhe mua. Do t'u them
shokëve në mal që të mos kryhet ky aksion”.
Mirëpo në qershor të vitit 1944, kur Dinua ndodhej në
Korfuz pranë gruas dhe vajzës së porsalindur, udhëheqja e partisë vendosi në
mungesë të tij, të organizohej një aksion kundër forcave gjermane që po
tërhiqeshin nga Greqia. Goditja u krye midis Shëvasisë dhe Nivicës dhe të dy
fshatrat u dogjën. Është një ngjarje që njihet me emrin Masakra e
Hondrovunit. Në kohën që gjermanët po kryenin pushaktimin e 52 burrave
niviciotë e shënvasiotë dhe po hipnin mbi makina për t'i internuar 90 të tjerë,
gratë dhe nënat e tyre vunë kujen për të qarë gjëmën që ndodhi, por jo për të
lëvduar aksionin partizan. Midis viktimave që u pushkatuan ishin dhe disa të
afërt të familjes Martiko dhe vetë dajua i Dinos. Kurse një muaj më parë
gjermanët kishin vrarë vëllanë e tij, Aristidhin bashkë me disa fshatarë të
tjerë që i kishin kapur rob në Sasaj. Prej këtij grupi mundi të shpëtonte vetëm
vëllai tjetër i Dinos, Ndrekua. Ky e nuahti se gjermanët nuk do t'i falnin, po
do t'i vrisnin si hakmarrje ndaj aksionit partizan, prandaj realizoi me
zgjuarësi arratisjen e tij.
Në Bregdet, një masakër si ajo e Hondrovunit u krye edhe
në Vuno. Fshati u dogj si pasojë e kundërveprimit të gjermanëve që u sulmuan
gjatë tërheqjes nga Greqia. Kurse në Dhërmi kryeplaku i mençur, së bashku me
disa fshatarë u doli përpara forcave gjermane dhe i priti me fjalët: “Mund
të kaloni të qetë, ne nuk kemi partizanë”. Dhe gjermanët kaluan pa
shkaktuar dëme në Dhërmi e Palasë.
Aksionet e tilla të forcave partizane me disa të shtëna
pushkësh sillnin vrasjen e disa ushtarëve gjermanë dhe djegien e fshatrave tona,
vrasjen e shumë njerëzve dhe partizanëve. Kjo lloj lufte nuk e shtyu frontin e
LNC as një metër. Ajo ishte thjesht taktikë luftarake që i shërbenin më shumë
Enver Hoxhës sesa vetë luftës. Ato i dhanë Enver Hoxhës kapital politik, sepse
me to ai fitoi besimin e emisarëve jugosllavë dhe të përfaqësuesve ushtarakë të
aleatëve të mëdhej, se ai ishte njeriu më besnik i tyre dhe më i përshtatshëm,
të cilit pas mbarimit të luftës i duhej besuar pushteti. Dhe kështu ndodhi.
Sot pas 75 vjet nga përfundimi i Luftës Antifashiste
është e nevojshme që t'i jepen kësaj lufte vlerat që ajo ka vërtet dhe të hiqet
dorë nga glorifikimi i saj me gënjeshtra e zbukurime. Në tekstet e Historisë së
Shqipërisë nuk ka arsye përse të vijojë fryrja e disa ngjarjeve të luftës për
të glorifikuar udhëheqësin e PKSH-së dhe komandantët ushtarakë. Shumë nga këto
gabime dhe krime u pranuan në nëntor 1944 në Pleniumin e Beratit dhe atyre
fjalimeve ia vlen t'u rikthehemi sot. Deri më sot nuk iu kërkua kurrë falje
popullit për urdhëra të gabuar, për shpalljen e Ballit Kombëtar “tradhëtar e
bashkëpunëtor i pushtuesit”, kur ai ende ishte aleat me forcat partizane
dhe ky akt i udhëheqësit të PKSH-së i detyroi shumë forca balliste të
bashkëpunonin vërtet me pushtuesin gjerman. Të tilla analiza dhe kërkesa, si
dhe kërkesa e të falurit për gabimet e krimet e kryera, nuk u bënë as gjatë 47
vjetëve kur sundoi partia shtet, dhe nuk po bëhen as gjatë këtyre 28 vjetëve,
kur shërbëtorët besnikë të klanit Hoxha, janë porositur ta shajnë sistemin
komunist, por nuk i bëjnë analiza kritike sundimit enverist dhe nuk kërkojnë të
falur për gabimet e krimet e atij komandanti.
Jam i bindur se nuk do të bëhen analiza shkencore dhe as
do t'i kërkohet të falur popullit për krimet e kohës së Luftës Antifashiste dhe
të kohës së diktaturës komuniste as në Konferencën Shkencore që do të
organizojë Akademia e Shkencave me rastin e 75-vjetorit të çlirimit të atdheut.
Klani Hoxha dhe shërbëtorët e tij ende duan vetëm lavde e dafina dhe jo analiza
shkencore dhe kritika të drejtpërdrejta.
Komunisti i ndershëm nuk i zbaton
verbërisht urdhërat
Partia Komuniste Shqiptare, si parti leniniste, u shqua
që në fillim për disiplinën e fortë midis anëtarëve të saj, Ky tipar e ndihmoi
udhëheqjen e saj që gjatë luftës së armatosur, formacionet e saj ushtarake të
ishin superiore në aksione lufte në krahasim me formacionet e Ballit Kombëtar
dhe të nacionalistëve. Në radhët e partizanëve dhe të agjitatorëve të partisë,
në saje të kësaj disipline, askush nuk guxonte të diskutonte urdhërat që jepte
udhëheqësi i PKSH-së, i cili në 10 korrik 1943, u zgjodh edhe Komandant Suprem
i Ushtrisë Na-Çl.
Urdhërat që merrte Dinua nga lart përpiqej t'i zbatonte
gjithmonë me zell, por ndërkohë synonte që të mos i shkelte bindjet e veta.
Sipas tij, populli shqiptar ishte një popull i vogël, prandaj midis tij nuk
duhej praktikuar vllavrasja, por vetëm bashkimi kombëtar kundër pushtuesit. Për
të realizuar këtë bashkim e unitet të popullit ai u kishte folur fshatarëve për
pajtimin e gjaqeve dhe shuarjen e armiqësive. Po për të krijuar këtë unitet
kombëtar ishte organizuar Konferenca e Pezës me 16 shtator 1942 dhe më 2-3
gusht 1943 u organizua dhe Mbledhja e Mukjes. Në këtë ecuri të ngjarjeve
uniteti kombëtar ishte kristalizuar në ndërgjegjen e Dinos si parim bazë për
mbarëvajtjen e Luftës Antifashiste. Deri në fund të gushtit 1943 ai i kishte
zbatuar me përpikmëri urdhërat që vinin nga lart sepse ato nuk binin ndesh me
parimin e unitetit kombëtar të popullit shqiptar. Mirëpo pas mesit të shtatorit
1943 forcat partizane të Bregut kishin kapur rob një ballist të ri në moshë.
Komandanti i forcave partizane, duke menduar se do ta kënaqte Dinon iu drejtua:
“Dino merrja shpirtin këtij maskarai, që ngriti dorë
kundër partisë”! Partizanët po prisnin me padurim që djaloshi të binte për
tokë i vdekur. Dinua iu afrua pa folur. Pamja e tij e rëndë, serioze, e trëmbi
ballistin, i cili i tha duke iu lutur:
“Nuk kam vrarë asnjë partizan. Kurrë nuk kam luftuar
kundër shqiptarëve. Falmani jetën, jemi
vëllezër”.
Dinua nuk e nxori revolen e tij. Një tjetër mund ta
kishte vrarë menjëherë për të fituar pikë, por ai tha qetë e me ton disi
urdhërues:
“Nuk të vras, me kusht që të mos ngresh më dorën
kundër partizanëve. Shko”!Djaloshi i ngazëllyer u përkul t'i puthte dorën,
por Dinua nuk e lejoi. Komandanti u befasua, por nuk e kundërshtoi Dinon. Më
vonë i tha se ishte penduar që nuk ia bëri atë “nder” një tjetri.
Dino Martikua mori në dorëzim
Sarandën pa gjakderdhje
Në datën 10 shtator të vitit 1943, kur u bë i njohur
kapitullimi i Italisë Fashiste, erdhi në Shënvasi Jaho Gjoliku me një batalion
partizan së bashku me komisarin Abdul Hakiu. Gjatë drekës ata organizuan planin
për të marrë në dorëzim armatimet e forcave italiane të Sarandës.
Projekt-plani i menduar nga lart ishte që Dino Martiko,
si njohës i mirë i italishtes dhe agjitator i guximshëm, të hynte në bisedime
me komandantin e garnizonit, kolonelin Elio Betini. Së bashku me Dinon u caktua
të ishte i pranishëm në takim edhe Abdul Hakiu. Për të garantuar suksesin e
dorëzimit, qyteti do të rrethohej nga batalioni partizan si dhe nga forcat
territoriale të fshatrave Nivicë, Shënvasi, Lukovë, Sasaj, Piqeras dhe Borsh.
Në se bisedimet shkonin keq, pjesëmarrësve në rrethim do t’iu duhej të përballonin
ushtrinë italiane të dislokuar në Sarandë, që ishte një regjiment me organikë
të plotë. Për arsye organizative forcat e Bregdetit nuk mundën të vinin në
ndihmë në atë ditë. Forcat partizane kaluan mbrëmjen në manastirin e Shën
Gjergjit në Nivicë Bubar. Letra u konceptua dhe u shkrua italisht prej Dinos
dhe iu drejtua kolonel Betinit në emër të komandës së batalionit partizan të
dorëzonte me çdo kusht të gjitha armatimet si dhe materialet e depove
ushtarake. Në të kundërt kundër tyre do të përdorej forca e armëve.
Të nesërmen, në orët e para të mëngjesit, komanda e
regjimentit italian të Sarandës njoftoi batalionin partizan se pranonte të
hynte në marrëveshje për bisedime. Ndërkohë forcat partizane u shpërndanë për
të rrethuar me kujdes qytetit. Në orën 9:00 të mëngjezit të datës 11 shtator
1943 filluan bisedimet me shtabin e regjimentit italian. Sipas vendimit të
marrë më parë në batalion, Dino Martikua i kërkoi komandantit të garnizonit të
dorëzonte të gjitha armatimet e pajisjet ushtarake, për ndryshe nuk do të
lejoheshin ushtarët italianë të imbarkoheshin në aniet për t'u kthyer në Itali.
Në fillim bisedimet nuk po jepnin rezultatin e duhur.
Shtabi i regjimentit italian kundërshtoi me forcë kërkesat. Dinua përballoi me
sukses kërcënimet dhe kundërshtimet e ushtarakëve italianë. Nguli këmbë në
kërkesat e palës shqiptare dhe theksoi se nga ndeshja me armë ushtria italiane
do të kishte dëme të panevojshëm.
Dinua priste duke ndënjur rëndë. Nuk tregonte shënja
ngutjeje për të marrë përgjigje të shpejtë. Priste pa këmbyer asnjë fjalë me
kolegun e vet. Atëhere Kolonel Belini, pasi u konsultua me kolegët e vet,
pranoi dorëzimin pa kushte, për të mos e dëmtuar më tej ushtrinë e vet.
Keqardhja e tij për marrjen e këtij vendimi ishte e thellë, gjë që e dëshmuan
lotët në sytë e tij.
Kështu u arrit dorëzimi paqësor i qytetit-port të
Sarandës dhe ushtria italiane pranoi të largohej duke lënë të gjitha armatimet
ushtarake, që ishin mjaft moderne në krahasim me armët e partizanëve. Brenda
disa orësh batalioni partizan hyri në qytet dhe pa humbur kohë filloi marrjen
në dorëzim të materialit ushtarak dhe depot. Në mbrëmje të asaj dite, kur
ushtria italiane filloi të imbarkohej në aniet, para hotel “Piro Pallas”
populli i Sarandës organizoi një miting të madh festiv. Manifestuan lirinë, e
cila pas një viti filloi të zëvëndosej nga një ankth shpirtëror që do të
vijonte të sundonte në mendjet e shumë ish-pjesëmarrësve të luftës dhe të
popullit për gati gjysmë shekulli...
Vlen të përmendim këtu, se ndërsa Dino Martikua e mposhti
komandën italiane të Sarandës dhe ia arriti fitores pa shkaktuar asnjë dëm,
Bedri Spahiu, komandanti i forcave partizane, i cili u ngarkua të drejtonte
bisedimet për dorëzimin e forcave italiane të Gjinokastrës, dështoi. Mirëpo
suksesi i Dino Martikos nuk u shkrua kurrë si duhej, për të u hesht. Si do ta
shohim më poshtë, ky komunist trim e i ndershëm u luftua sepse nuk pranoi, si
gjatë luftës dhe pas saj, të servilosej dhe të zbatonte qorrazi urdhërat që i
vinin nga lart.
Përplasje me kuadro të partisë e
sigurimit pas Luftës Antifashiste
Mbas përfundimit të Luftës Antifashiste, forcat partizane
që morën pushtetin, filluan të sillen sikur ishin “vetë Ali, vetë kadi”.
Dalëngadalë frika u bë natyrë e dytë për njerëzit në saje të pushkatimeve dhe arrestimeve
pa gjyq për persona që shpalleshin pa fakte “armiq të popullit”.
Propaganda e kohës së luftës për bollëk, mirëqenie, liri e demokraci, shumë
shpejt pas luftës filloi të zëvendësohej me fukarallëkun, kultivimin e frikës,
gënjeshtrës, servilizmit, etj.
Në dhjetor 1944 Dinon e emëruan sekretar të Komitetit
Ekzekutiv të Rrethit të Sarandës. Në organizatën bazë të partisë ku ai bënte
pjesë, përveç sekretarit të parë të rrethit dhe kryetarit të komitetit, bënte
pjesë edhe shefi i sigurimit të Sarandës. Një mbrëmje, porsa filloi mbledhja,
ky i fundit filloi të informonte anëtarët e celulës:
“Sot në drekë arrestuam dy djemtë e tregëtarit Mihal
Llambro, sepse donin të arratiseshin në Greqi. Kërkoj nga organizata që të
miratojë arrestimin e tyre. Le të venë edhe ata të bashkohen me babanë e tyre
te burgu i Kalasë së Gjinokastrës, ku ai do t'i presë me krahë hapur”.
Sekretari i parë i partisë, kryetari i komitetit
ekzekutiv dhe anëtarët e tjerë të organizatës kur kërkohej arrestimi i dikujt,
nuk kundërshtonin. Konformizmi nuk i lejonte që të delnin në mbrojtje të atyre
që shpalleshin “armiq të popullit”.
Dinua pyeti qetësish: “Sa vjeç janë djemtë e Mihal
Llambros”?
“Njëri njëzet e tjetri tetëmbëdhjetë, në mos e kam
gabim”, u përgjigj serbes shefi.
“Sa florinj kishin me vete”? Vijoi Dinua.
“Nuk u gjetëm florinj nëpër xhepa e as në çantën e
vogël që kishin me vete”.
“Ku i kapët”? Pyeti përsëri Dinua
“Në Limjon”, u përgjigj shefi.
Atëhere Dinua duke u kthyer nga anëtarët e tjerë të
celulës vijoi me zë më të fortë:
“Nuk kam dëgjuar deri sot të akuzohen njerëz për
arratisje në Limjon, që është periferi e Sarandës, vetëm dy kilometra larg dhe
nuk është kufi. Pastaj këta djem të pasur, po të ishin nisur për t'u arratisur
do të kishin marrë disa florinj me vete”.
Dhe duke u kthyer nga shefi i sigurimit, vijoi:
“Nga e dije ti se ata do të arratiseshin? Me të tilla
akuza të sajuara e keqdashëse ne si komunistë nuk do të sjellim kurrë drejtësinë
që i predikuam popullit gjatë luftës”.
“Unë zbatoj vijën e partis”, u përgjigj me
kapadaillëk shefi. “Dua që këta dy qelbësira t'i fus në burg. Në hetuesi ne
kemi metoda që i shtrëngojmë dhe ata pranojnë ato që u kërkojmë”.
U bë heshtje. Anëtarët e tjerë të celulës nuk i
kundërshtuan fjalët e Dinos dhe mbledhja u mbyll pa e aprovuar kërkesën e
shefit të sigurimit. Dy djemtë u liruan, po shefi i sigurimit e mbajti vëth në
vesh këtë dështim.
Diskutimet dhe ndërhyrjet kundërshtuese të Dinos
ngjallnin shqetësime dhe bezdi jo vetëm te shefi i sigurimit por edhe te
sekretari i parë i partisë së rrethit bashkë me kryetarin e komitetit
ekzekutiv. Këta e kishin frikë shefin e sigurimit...
Nuk pranoj të bëni arrestime në
Shënvasi dhe Nivicë
Përplasja më e madhe e Dinos në organizatën bazë të
partisë ku ai bënte pjesë, ndodhi kur erdhi urdhëri nga lart për të filluar
arrestimet me plan. Partia shtet, për të ngjallur frikë e terror në popull,
mobilizoi Sigurimin e Shtetit që edhe ky sektor, njësoj si sektori ekonomik e
ai bujqësor të punonte me plan, për realizimin e arrestimeve. Këto u organizuan
në bazë të një plani të paracaktuar në zyrat e degëve të punëve të brendshme në
bashkëveprim me komitetet e partisë së rretheve. Ky terror vijoi deri në fund të
vitit 1989, kur udhëheqja e PPSH-së u tremb nga vrasja e Nikolla Çausheskut.
Askush nuk guxonte të dilte kundër arrestimeve, qoftë dhe kur arrestoheshin
shokët, kolegët apo familjarët e tyre. Në ambjente shoqërore të gjithë mbyllnin
gojën. Natyrisht kishte mjaft shqiptaë që mendonin se kjo politikë ishte e
padrejtë dhe pakënaqësitë e tyre i shprehnin duke pëshpëritur në rrethe
familjare apo në shoqëri shumë të ngushtë. Kurse qëndrimi i idealistit Dino
ishte shumë kurajoz, ai nuk pëlqente pëshpërimat, por mendimin e hapur.
Shefi i mësipërm i sigurimit i kishte bërë gati listat
për të filluar arrestimet edhe në fshatrat e Bregut. Porsa dëgjoi të hapej në
mbledhjen e celulës kjo bisedë, Dinua ndjeu sikur dikush e goditi me çekan në
kokë. Iu duk mjaft e rëndë të bëheshin arrestime në masë në Shënvasi e Nivicë.
I revoltuar, iu drejtua shefit të sigurimit: “Të
gjithë e dimë se gjatë luftës midis fshatarëve të Nivicës e Shënvasisë nuk pati
asnjë bashkëpunëtor me armikun. Po ashtu edhe pas luftës ata nuk kanë shfaqur
armiqësi me partinë. Më e rëndësishmja për të ardhmen e popullit tonë është që
Partia të mos krijojë armiq dhe atje ku nuk ka. Për fat të keq na kanë mbetur
nga koha e Turqisë disa përçarje dhe armiqësi fetare e krahinore”.
Duke e ngritur zërin, vijoi: “Në Borshin tënd është e
vërtetë që ka pasur spiunë, të cilët bashkëpunuan me italianët e gjermanët.”
“Të gjithë borshiotët ish-ballistë i kam futur në burg
pa bërë asnjë dallim”, u përgjigj me mburrje shefi i degës.
Dinua e pa me neveri njeriun që mburrej se kishte
arrestuar e burgosur fshatarët e vet dhe i tha: “Në Nivicë e Shënvasi nuk ka
pasur asnjë spiun e asnjë ballist, prandaj sa të jem unë anëtar partie, nuk do
lejoj të arrestohet asnjë nga bashkëfshatarët e mi”.
“Ti nuk mund të dalësh mbi partinë”! Ia ktheu me
mburrje shefi.
Atëherë Dinua shpërtheu: “E kuptoj që gjithçka e bën
me zell të tepruar. Hiqesh më katolik se Papa. Do të mbulosh të kaluarën tënde,
kur ishe spiun i italianëve.”
Në sallë ra heshtje e thellë. Sekretari i parë i rrethit
dhe kryetari i komitetit ekzekutiv nuk e donin veten. Nuk dinin si të reagonin.
Zakonisht ata rezervoheshin të përplaseshin me Dinon. Ia njihnin ndershmërinë,
karakterin burrëror dhe kokfortësinë me të cilën ai mbronte mendimet e veta.
Kur e thoshte një mendim, ai nuk tërhiqej. Ata nuk donin që ai t'u përsëriste
atë thënien e tij: “Njeriu, sidomos komunisti, nuk duhet kurrë të fitojë
lumturinë e tij në dëm të të tjereve”.
Mbledhja e asaj nate u mbyll pa marrë vendim, por
mbledhja pasardhëse u organizua për të dënuar Dinon me largim nga partia. Dinua
nuk e përjetoi si dënim të rëndë, madje e ndjeu veten të lehtësuar. Shpesh herë
e kishte ndjerë veten jo mirë në atë ambjent me njerëz të paditur, servilë,
vegla qorre të diktaturës dhe spiunë. Ndjenja për të qenë i lirë, dëshira për
të mbetur i ndershëm, fisnik, ballëlart, heroik, ishte më e madhe nga dëshira
për karrierë. Motivacionin e dëbimit nga Partia: “Nuk ke urrejtje për klasat
e pasura”, nuk e kundërshtoi, ishte një ndjenjë e vërtetë e tij.
Shefit të Degës iu hap udha që të fillonte arrestimet e
para në masë në fshatrat e Bregut. Në Shënvasi u arrestuan nëntë fshatarë dhe
po aq në Nivicë. Lufta e klasave, në fakt ishte vijimi në kohë paqeje i
luftës vllavrasëse, që kishte filluar prej PKSH-së në kohën e luftës me
shpalljen e Ballit Kombëtar “organizatë tradhëtare” në një kohë që
forcat balliste luftonin në bashkëveprim me forcat partizane. Në kohën e luftës
kjo manovër u bë me qëllim që PKSH-ja në mbarim të luftës të mos kishte rivalë
për të marrë pushtetin politik dhe ekonomik si forcë e vetme. Pas luftës po kjo
parti zhvilloi politikën e luftës së klasave për ta mbajtur pushtetin që
mori përsëri si forcë e vetme. Kështu gjatë Luftës Antifashiste përçarjeve të
vjetra iu shtua dhe përçarja në komunistë, ballistë, nacionalistë, legalistë,
të cilët u shpallën forca të papajtueshme midis tyre. Kurse pas luftës kësaj
përçarjeje iu shtua dhe përçarja “familje me biografi të mirë” dhe “familje
me biografi të keqe”, që po ashtu u shpallën prej partisë shtet si dy kampe
të papajtueshmëm midis tyre.
Për fatin tonë të keq një variant i kësaj manovre u sajua
edhe pas ndërrimit të regjimit midis partive të shumta politike. Secila parti
politike e tranzicionit ushqente dhe ushqen tek anëtarët dhe simpatizantët e
vet urrejtje me anë sharjesh e shpifjesh kundër anëtarëve dhe simpatizantëve të
partive të tjera. Qëllimi ishte dhe është po ai: marrja dhe mbajtja e pushtetit
politik dhe ekonomik prej një partie, ose dhe me aleatin / aleatët e saj. Kjo
politikë zbulon faktin e hidhur se klasa jonë e sotme politike është pjellë dhe
shërbëtore e klanit Hoxha. Kështu përçarjeve të vjetra të popullit tonë këto
vite iu shtua dhe ndarja e përçarja sipas partive politike, në socialistë,
demokratë, republikanë, etj, forca të papajtueshme midis tyre, sikur nuk
janë bij e bija të këtij populli, i cili i zgjedh për të forcuar unitetin
kombëtar dhe për të përmirësuar jetesën.
Nuk marr në punë punonjës pa
përgatitje profesionale
Me krijimin e Bankës së Shtetit Shqiptar në vitin 1947,
Dinua u interesua të largohej nga Komiteti Ekzekutiv ku mbulonte dy-tre
seksione. Edhe pse gjithnjë qendra e qarkut, Gjinokastra, e lëvdonte për punën
e mirë, ai nuk donte të vijonte punën në atë kolektiv ku i delnin përpara
njerëz që ishin të zhvlerësuar në mendjen e tij. Vendi kishte etje për kuadro
në fushën ekonomike, sidomos bankat. Iu drejtua Ministrisë së Financave për t'u
transferuar me punë te Banka e Shtetit Sarandë. Kërkesa iu aprovua dhe shumë
shpejt e mori emërimin si drejtor i kësaj banke. Por edhe këtu puna nuk do t'i
shkonte vaj.
Një mëngjes sekretari i organizatës bazë të partisë së
bankës iu lut Dinos që të merrte në punë gruan e një instruktori partie që
ishte transferuar në Sarandë para disa javësh. I tha se për këtë kërkesë ishte
interesuar vetë Sekretari i Parë i Partisë së Rrethit. Dinua i tha se nuk do të
kishte kundërshtim, po të zotëronte një nivel të mjaftueshëm profesional.
“Pranoje sido që të jetë. S' bëhet shaka me Komitetin
e Partisë”. Tha sekretari i partisë, i cili punonte në bankë si arkëtar.
“Atëherë po ta jap ty si ndihmës-arkëtare”, ia
preu Dinua.
“Jo, jo, të lutem mos ma jep mua se nuk jam i sigurt
sa e aftë është. Po, vendose në një tjetër vend pune, mjafton të marrë një
rrogë. Shteti do ta paguajë”. Vijoi sekretari.
E thirrën zonjën dhe Dinua në prani të sekretarit i u lut
asaj të bënte disa veprime matematike me mbledhje, pjestim, shumëzim. I kërkoi
të shkruante disa fjali. Kur e mori fletën e letrës në dorë, kuptoi se ajo nuk
kishte njohuri elementare për të punuar si ndihmëse llogaritar, plus që kishte
një shkrim gati të palexueshëm. Ia zgjati letrën sekretarit për ta parë, pastaj
iu drejtua zonjës dhe i tha me mirësjellje se duhej të interesohej për t'u punësuar
në ndonjë vend tjetër.
Një orë më pas ra telefoni. Ishte sekretari i parë i
rrethit, që filloi të bërtiste:
“Po ti moreee, pse nuk e more në punë atë shoqen që ta
dërgova uuunë!
“Nuk ishte e aftë”, Iu përgjigj Dinua me qetësi.
“Po, nga do ti të t'i sjellim nëpunësit, nga Londra
apo Vashingtoni? Shtoi me hironi sekretari i partisë duke menduar se emrat
e kryeqyteteve të shteteve armike do ta trembnin të porsapërjashtuarin nga
partia.
Dinua u inatos dhe duke folur me zë të lartë: “Nga
p.... i sat ëme”, dhe e uli telefonin. Mbas pak një nëpunës e lajmëroi
drejtorin se sekretari i parë ishte duke ardhur për ta takuar. Dinua në
sirtarin e tavolinës së punës mbante revolverin. Hapi sirtarin dhe ia hoqi
siguresën armës duke menduar që po të vinte sekretari i parë me mendje të keqe
për ta fyer a qëlluar me armë, ai ta qëllonte i pari. Mirëpo sekretari, krejt
ndryshe, porsa hyri në zyrë, shpërtheu me të qeshur:
“Gjeta dhe unë o Dino kë të detyroja!...” dhe duke
hapur krahët iu afrua për ta përqafuar. Dinua mbylli sirtarin dhe pranoi ta
përqafonte.
Kështu filluan të vepronin në atë kohë kuadrot prepotentë
të partisë-shtet. Pa pasur asnjë fije respekti për njeriun, keqtrajtonin
kolegët vartës duke i fyer me fjalë të ulta. Kur nuk iu ecte, tërhiqeshin dhe
bënin sikur e pranonin humbjen duke qeshur, por prapa krahëve përpiqeshin të
merrnin hak si njerëz pa dinjitet që ishin.
Sigurimi ka respekt për ty, prandaj
do të të dërgojë jashtë shtetit
Karakteri burrëror i Dinos u shpalos përsëri me forcë të
madhe, kur pas disa vjetësh, iu propozua nga dy të dërguar të posaçëm të
Ministrisë së Punëve të Brendshme, për ta hedhur si agjent të shërbimit sekret
në Korfuz. Ata, në fillim i thanë se partia dhe sigurimi i shtetit kishin për
të respekt të veçantë për ato që kishte bërë gjatë luftës e pas saj. Më tej
hynë në temë dhe i thanë se meqenëse ai kishte vjehrrin, vjehrrën dhe vajzën në
Korfuz dhe njihte mirë greqishten, ishte shumë i përshtatshëm për ta hedhur si
agjent sekret në Greqi, ku mund të përdorte për bazë njerëzit e tij në Korfuz.
Do t'i jepej grada Major si oficer i sigurimit shqiptar. Më tej i sqaruan se
zbulimi grek nuk kishte pse të dyshonte për “arratisjen” e tij, sepse babai i
tij kishte luftuar për lirinë e Thesalisë, se ai ishte i përjashtuar nga
partia, pra kishte arsye të mendonin se ishte i pakënaqur ndaj partisë. Sa për
gruan e djalin, i thanë të mos kishte merak, sepse mbrenda një viti sigurimi
shqiptar do të organizmte dhe “arratisjen” e tyre dhe ai do të jetonte për
bukuri në Greqi. I sqaruan se puna e tij do të ishte e thjeshtë: do të shkonte
pas pune nëpër kafenetë e Korfuzit për të pirë ndonjë gotë raki ose kafe dhe do
të bënte miq e shokë sa më shumë shqiptarë dhe minoritarë grekë të arratisur.
Do të bisedonte me ta dhe herë pas here do të dërgonte informacione për
mendimet e tyre përmes kanaleve që do t'i tregoheshin.
Mirëpo Dinua parashikoi se informacionet e tij do të
merrnin në qafë familje të ndryshme në Shqipëri, do të burgoseshin e
internoheshin njerëz të pafajshëm. Dhe vendosi të mos e pranonte këtë lloj “vlerësimi”.
Për t'u justifikuar, u tha prerë: “Unë kam studjuar për ekonomist. Këtë
zanat që më propozoni nuk e njoh dhe nuk e bëj dot”.
Të dërguarit nga Tirana, nuk ngulën këmbë dhe i thanë se
mund të largohej. Mesa dukej mund të kishin dhe raste të tjerë.
Episodet trimërore nga jeta e Dino Martikos gjatë
sundimit të Mbretit Zog i I, gjatë pushtimit italo-greko-gjerman dhe gjatë
jetës nën diktaturën komuniste, ku zbulohet karakteri i tij i diamantë, janë të
shumtë. Për jetën e tij plot përplasje me të pamoralshmen, shkrimtari Petraq
Pali ka shkruar një roman të tërë, prandaj nuk po zgjatem më tej me episode të
tillë.
Burgimi i parë
Më 30 qershor 1954 në kafenenë e njohur “Kursal”
të kryeqytetit (sot nuk ekziston, por ka qenë tek një lulishte midis Muzeut
Kombëtar dhe Bankës së Shtetit) u krye arrestimi i parë i Dinos në prani të
shumë njerëzve. Ky vend u zgjodh sepse ishte vend publik, gjë që ndihmonte për
të ngjallur më shumë frikë në popull.
Thirrjes së sigurimsave: “Në emër të popullit je i
arrestuar”! Dinua u përgjigj me sarkazëm: “Ju lumtë, për nder! Sot
zbuluat Amerikën tek unë”. Agjentët nuk u përgjigjën, por sipas urdhërit i
hodhën prangat, ia shtrënguan fort duart me hallkat e çelikta dhe e hipën në
makinën Gaz 69. E shpunë në Vlorë te kryetari i Degës, Gjeneral Petrit
Hakani, një ish-bashkënxënës i Dinos në Shkolla Tregtare. Ky filloi ta shante
me një fjalor të ndyrë rrugësh.
“Nëse paske vendosur të përdorësh këtë fjalor të ndyrë
me mua, dije se me të njëjtën gjuhë do të përgjigjem edhe unë”. I a ktheu
Dinua flakë për flakë. Gjenerali vijoi më tej me të njëjtat fjalë të ndyra. I
arrestuari e ndërpreu me ton kërcënues: “Përdore
me gruan tende këtë fjalor rrugaçësh”!
Atëhere shef Petriti e ndjeu veten ngushtë nga reagimi i
ashpër i të arrestuarit në prani të vartësve. Ai e njihte mirë guximin e Dinos.
Iu kujtua sesi kur ishin nxënës tek oborri i shkollës, Petritin po e godiste me
shkelma një tragjasas trupmadh, nxënës mbetës dhe Dinua i doli në mbrojtje pa
marrë parasysh se mund të hante dhe ai shkelma të rënda. Shefi ndërroi
fjalorin, por tonin e lartë e ruajti:
“I ndaloni cigaret! I ndaloni çdo furnizim nga
familja! Futeni në dhé të gjallë! Të shohim burrërinë e madhe të këtij agjenti
grek”.
Kaluan pesë muaj dhe hetuesit nuk arritën të nxirrnin gjë
prej gjëje nga goja e Dinos. Një ditë ai i tha njërit prej tyre:
“Më arrestuan pushtuesit grekë e italianë, por pasi
nuk ua pranova akuzat më liruan pas një ose dy javësh. Kurse ju nuk po më
lironi as pas pesë muajsh. Unë nuk kam çfarë t'ju tregoj. Ato shpifje që
kërkoni të pranoj nuk do t'i pranoj edhe sikur ta sillni djalin tim 6-vjeçar e
ta varrni para syve të mi. Jam krejt i pafajshëm dhe nuk pranoj asnjë akuzë”!
I sollën si dëshmitar një ish-punonjës të tij të bankës,
i cili gjatë pushtimit fashist kishte veshur këmishën e zezë dhe e kishin emëruar
federal. Sapo ky nxori nga goja gënjeshtrën e parë, Dinua iu hodh dhe deshi ta
godiste me hekurat e prangave të tij, por nuk mundi se nërhynë policët.
Nënkryetari i Degës, Kolonel Nesti, që ishte caktuar kryetar i hetuesve,
ndërhyri:
“Çfarë njeriu ka qënë Sulejman Kapua gjatë Luftës?”
E kishte fjalën për vëllain e Hysni Kapos, i cili në fillim të luftës ishte i
lidhur me Ballin Kombëtar, dhe Hysniu kishte dhënë urdhër ta vrisnin, por
pastaj ai kishte kaluar nga ana e partizanëve.
“E njoh për njeri të ndershëm». Tha Dinua, i cili
e kishte njohur vërtet për njeri të mirë, prandaj nuk e shau.
“E shikon që gënjen»! I tha shefi.
Kur dikush e akuzonte Dinon se ‘gënjen' ai bëhej
shumë nervoz, por kësaj radhe u përmbajt dhe tha i qetë:
‘‘Po ta përsëris: unë e njoh për njeri të ndershëm”.
Hetuesi bërtiti: ‘‘Dhe unë po ta përsëris: e shikon që
gënjen”!
‘‘Atëhere, ngriti zërin Dinua, nëqoftëse do ta
dish, Sulejmani është njëqind herë më i ndershëm se ty, që të urdhërojnë
eprorët e tu të më imponosh gënjeshtra, dhe ti edhe pse e di shumë mirë që jam
i pafajshëm, vazhdon të më bësh presion.
Unë jam i pafajshëm dhe nuk pranoj
asnjë nga shpifjet tuaja edhe sikur të më kryqëzoni si Krishtin në kryq”.
Pas këtij takimi, te shtëpia e Dinos u shfaq një polic
dhe kërkoi që Sofia ta shoqëronte deri
te godina e degës së punëve të brendëshme. Kur arriti aty tre-katër hetues e
morën në pyetje. Në fillim u sollën mirë, por pastaj filluan nga kërcënimet. I
thanë se do ta burgosnin dhe se birin e saj të vetëm, Robertin, do ta fusnin në
jetimore. I theksuan se do të ishte më mirë për të, të tregonte gjithçka dinte
për aktivitetin agjenturor të Dinos. Po të sillej e bindur i premtuan se atë me
djalin do t'i linin të ktheheshin në Greqi. Sofia, edhe pse ndjeu panik për të
ardhmen e saj e të djalit, nuk u dorëzua. Kur mbeti vetëm në qeli, për tu ndier
më e sigurt, preku me dorë dy copat e brisqeve të rrojes që i kishte thyer më
dysh dhe i mbante fshehur në një xhep që kishte krijuar në këmishë me një herë
pas arrestimit të Dinos. Sa herë ndërronte veshjen, kujdesej të fshihte këto
copa brisqesh, me të cilat do të priste venat e gjakut po ta detyronin që të
dëmtonte jetën e burrit të saj apo të ndonjë të afërmi. Sa herë e morrën në pyetje
ajo mbajti të njëjtin qëndrim, duke përsëritur fjalët: “Nuk di gjë’’. E
liruan pas tri ditësh.
Sigurimsat vendosën të bënin me Dinon një presion tjetër.
Një paradite, me një xhips Gaz 69,
e morrën të arrestuarin dhe shkuan në një vend të shkretë në periferi të
Vlorës. Bënin sikur kishin urdhër për ta ekzekutuar pa gjyq. E ndalën makinën
në një vend dhe doli njëri nga oficerët, pa rreth e rrotull dhe kur u kthye,
tha: «Më mirë të kërkojmë një vend tjetër, ku të mos e gjejnë dot kufomën».
Shkuan më tej, doli përsëri po ai oficer dhe kur u kthye u ankua se rrëpira nuk
ishte shumë e thellë. Dinua e kuptoi se shefi i sigurimit donte të luante me
nervat e tij për ta detyruar t'u kërkonte që t'ia falnin jetën, pra të
dorëzohej. Ndalën për të tretën herë makinën dhe i thanë : « Dil»!
Dinua doli nga makina, mirëpo shefi i degës pa se fytyra
e tij ishte e qetë, pa asnjë shënjë frike. Atëhere dha urdhër të hipnin të
gjithë në makinë dhe kështu e kthyen të arrestuarin në qeli.
Gjyqi u organizua në Vlorë më 20 nentor 1954 nga Gjykata
Ushtarake Territoriale e atij rrethi. Dinua kishte marrë për avokatmbrojtës
juristin Shefqet Shkupi, një profesionist dhe njeri i përsosur. Kundër Dinos
dolën tre dëshmitarë, njerëz që ishin burgosur për vjedhje ordinere. Këta thanë
ato që u ishin porositur për ta rënduar akuzën. Kurse në favor të të akuzuarit
foli atë ditë Sulejman Kapua, i cili tha se kur Dinua u pushua si nëndrejtor i
bankës, për të bërë punën e tij u shtuan dhjetë nëpunës për të përballuar
volumin e punës së tij. Ky dëshmitar tregoi se Dinua ishte një organizator i
talentuar. Brenda tre muajve ai e kishte nxjerrë Bankën e Vlorës nga
prapambetja. Ministria e Financave e dërgonte për kontroll dhe për të dhënë
përvojë në shumë banka të Shqipërisë, etj.
Mirëpo prokurori, pa marrë parasysh mbrojtjen e avokatit
Shkupi dhe fjalët e mira të qytetarit Kapo, lexoi vendimin që e kishte shkruar
më parë, sipas të cilit Dino Martiko dënohej për spiunazh në favor të Greqisë
dhe për agjitacion e propagandë me 7 vjet heqje lirie.
Roberti duke treguar ato që kishte dëgjuar më vonë prej
babait, më tha se mjek i degës së punëve të brendëshme të Vlorës kishte qenë
doktor Irfan Pustina, një njeri i ndershëm. Ky pasi kishte marrë vesh qëndrimin
burrëror të Dinos në hetuesi dhe në gjyq, pa e njohur fare të dënuarin, kërkoi
që të mos e transferonin në ndonjë burg të largët, por ta mbanin aty në burgun
e Vlorës, pra pranë familjes, sepse gjatë muajve të hetuesisë jeta në qelinë e
vogël me lagështirë i kishte shkaktuar pleumoni dhe rrezikohej për të kaluar në
tuberkuloz.
Ndërkohë Sofia dhe Roberti banonin në një dhomë fare të
vogël në lagjen Muradie në Vlorë. Mospranimi nga ana e Dinos për të firmosur
akuzat false ndikuan që gruan dhe djalin të mos i internonin. Robertin në muajt
e verës e merrte në fshat gjyshja dhe xhaxha Ndrekua. Mbas tre vjetësh Dinua u
lirua nga burgu në prill të vitit 1957. Roberti tetë vjeçar priste lirimin e
babait të tij së bashku me Pëllumb Llupën, një djalosh i edukuar, i cili ishte
liruar disa muaj më parë nga burgu i Vlorës, ku ishte miqësuar me Dinon. Në
anën tjetër të Robertit rrinte nënë Sofia dhe gjyshja me rrobat e saj të zeza.
Askush nuk pyeste për të ftohtin dhe shiun. Pas takimit të përmallshëm grupi u
nis për në shtëpi duke ecur nëpër llucë e baltë që nga ullishtet, ku qe burgu,
deri te apartamenti. Prapa tyre vinte një hamal me thesin plot libra të Dinos,
të cilin komanda e burgut nuk kishte lejuar t'u falej të burgosurve.
Dinua, i veshur me rrobat e reja që i kishte sjellë
Sofia, ecte me hapa të lehtë dhe krenar. Në ndërgjegjen e tij nuk rëndonte
asnjë mëkat.
Pas disa ditësh shkoi për të kërkuar punë në komitetin
ekzekutiv. I thanë se mund ta emëronin me punë llogaritar në Selenicë, por
Dinua nuk pranoi. I shkroi një letër Hysni Kapos dhe përgjigja ishte të
shikohej kërkesa në Vlorë. E thirrën dhe në komitetin e partisë, por dhe atje
propozimi mbeti po ai: llogaritar në Selenicë. Ish-i burgosuri mbeti përherë
nën vëzhgimin e palodhur të spiunëve të gjeneral Hakanit.
Në fakt të dënuarve politikë vuajtjet e burgut dhe bisedat
me klerikë dhe intelektualë të formuar në Perëndim, u kthehej në shkollë
edukimi kundër sistemit diktatorial. Nga bisedat me të dënuarit e tjerë Dinua
mësoi shumë raste krimesh që ishin kryer nëpër Shqipëri prej punonjësve të
sigurimit, të partisë e të pushtetit. Aty ai mësoi se midis popullit shqiptar
kishte shumë trima si ai, që i kishin dalë dhe i delnin kundër së keqes. Në
biseda me Robertin dhe gruan e tij ai përmendëte të jashtzakonshmin Padër Pjetër
Mërshkalla, filozof e shkuar filozofit; Izet Kallaratin dhe dy trima të pashkollë
Andrea Qirjakon e Teli Konomin, që i quante burra të vërtetë, si burrat e
vjetër. Fliste me respekt dhe për Dilaver Rrapo Premtin, i cili ishte në moshë
fare të re, por u kishte rezistuar torturave në hetuesi si të ishte burrë i
pjekur dhe trim i madh.
Sofisë iu dha punë në fillim llogaritare në Ndërmarrjen
Bashkimi e më vonë te ferma e ullishteve. Kurse Dinos iu dha punë vetëm
pas pesë vjetësh në vitin 1962 llogaritar te Kolektivi i Tregtisë Private. Pas
katër vjetësh, më 1966, kur doli ligji për mbylljen e punëve dhe dyqaneve
private, atë e emëruan ekonomist te Ndërmarrja Industriale Shtetërore e
Prodhimeve. Këtu ai punoi derisa doli në pension më 1978. Gjatë këtyre 21
viteve të punës pas burgimit të parë, respekti për të u rrit midis njerëzve të
Vlorës me të cilët e lidhi puna. Tashmë ai krahas korrektësisë e qëndrimit
burrëror, me të cilat dallohej dhe më parë, kishte bërë të vetat dhe një
sjellje e të folur më të butë e më të ëmbël.
Në vitin 1966 Roberti mbaroi gjimnazin «Halim Xhelo» me
nota të shkëlqyera, por nuk iu dha e drejta e studimit për në Universitet.
Kështu ai u shtrëngua të futej në punë si xhenerik kamjonash të rëndë në Parkun
e Mallrave të Vlorës. Paskëtaj shkoi e kreu shërbimin ushtarak në një repart në
Tiranë gjatë viteve 1969-1971. Një vit më vonë lufta e klasave sikur ra në
fashë dhe me ndërhyrjen e disa miqve të Dinos, Robertit iu dha e drejta e
studimit për ingjinieri. Më 1977 ai u diplomua ingjinier teknolog, por në vend
që ta emëronin në Vlorë e emëruan te Stacioni i Makinave Bujqësore të Burrelit.
Vajtën dëm njohuritë e fituara me sakrifica gjatë katër viteve në degën e
teknologjisë mekanike. Pas dhjetë vjetësh Robertin e transferuan nga Burreli në
një uzinë mekanike te ferma e Akërnisë, 25 km larg Vlorës. Dinua, Sofia dhe
Roberti u bashkaun sërisht. U duk sikur edhe për familjen Martiko fatkeqësitë
politike morën fund. Në prill të vitit 1978 Roberti u fejua me zonjushen Donika
Jorgji, mjeke e porsadiplomuar.
Arrestimi dhe burgimi i dyte,
shuarja e Dinos
Pas fejesës së djalit, Dinua ndjehej shumë i kënaqur dhe
shpesh midis miqve thoshte atë shprehjen e gjyshit të tij Mitro: “Sikur të
vdes tani, do të isha njeriu më i lumtur në botë.” Mirëpo fejesa e
Robertit, për sigurimin ishte një ngjarje që duhej goditur. Vjehrri i tij,
pensionisti Vllasi Jorgji, si komunist i vjetër që ishte, nuk duhej të bënte
krushqi me armikun e klasës. Vllasi ishte i zgjuar e guximtar, i ngjante mjaft
Dinos në karakter. Si i thonë fjalës: Ngjan krushqia pa bëhet. Ai nuk i
ndërhyri vajzës dhe fejesa u krye për bukuri.
Më 1 qershor 1979 në Kongresin e Frontit Demokratik
diktatori Hoxha shpalli dhe një herë me forcë: “Luftë armikut të brendshëm”!
Për nënkryetarin e degës së Vlorës, famëkeqin Muhamet Hila një vlonjat i ulët,
këto fjalë kishin kuptimin që të dënoheshin për herë të dytë ish-të burgosurit
e dikurshëm. Dinua ishte njeri i pjacës, banor i vjetër i Vlorës që prej vitit
1948 i cili me gjithë dënimin e parë gëzonte respekt. Ai kurrë nuk ishte
interesuar se kush u bë kryetar dege, shef policie, prokuror, etj dhe nuk e
kërkoi kurrë miqësinë e tyre. Ndjente neveri dhe ndaj pensionistëve servilë dhe
spiunë, gjë që kuptohej nga qëndrimi i tij larg tyre. Kjo sjellje e Dinos e
kishte zemëruar prej kohe shefin Muhamet Hila. Kafja që pinte pensionisti Dino
te hotel turizmi i Vlorës, për nënkryetarin e degës ishte kapardisje e
karshillëk i padurueshëm. Për guximin e këtij ish-të burgosuri tregoheshin dhe
historira nga koha e luftës dhe pas saj...
Shef Hila kishte kohë që po punonte për arrestimin e
Dinos, por deshte ndonjë shkak. Dhe ja fjala e udhëheqësit të partisë ishte
rast shumë i mirë. Pas dy ditësh më 3 Qershor 1979 ai arriti të realizonte
arrestimin e dytë të Dinos pensionist 65 vjeçar. Krushku, Vllasi, për t'u
treguar Sofisë e Robertit se nuk ndryshonte mendim për fejesën, u tha: “Unë
nuk do të veja në Degë të merrja leje apo të pyesja se me cilin të fejoja
vajzën time”.
Sigurimi e dinte se Dinua nuk do të ishte një i arrestuar
i lehtë, që mund të nënështrohej kollaj, prandaj dy muaj para arrestimit të tij
i hodhi prangat një ish-të burgosuri, i cili pasi kishte kryer 20 vjet burg, po
vijonte të vuante internimin në një fshat të Vlorës. Gjatë arrestimit dhe
hetuesisë së parë ai nuk ishte thyer. Mirëpo tani pas arrestimit të dytë gjatë
torturave në hetuesi nuk rezistoi dot. I kërkuan të akuzonte Dinon se të dhënat
e fermës ku ai punonte dërgoheshin prej Dinos në Greqi, dhe ai pranoi. Krahas
këtij i nxorën Dinos në gjyq edhe tre dëshmitarë të tjerë. Midis tyre ai njohu
vetëm një ish-avokat nga Himara.
Gjyqi u zhvillua në Vlorë me dyer të mbyllura në datën 4
shkurt 1980. U lejuan të mernin pjesë shumë pak veta, kuptohet sigurimsa dhe
komunistë. Sofia dhe Roberti u lanë të rrinin në korridor ku do të kalonte i
akuzuari para se të hynte në sallën e gjyqit.
“Kishim disa orë që po prisnim në korridorin e ftohtë
akull. Kur ja u shfaq grupi me gjykatësit, dëshmitarët, policët, babain dhe
prokurorin. Nëna ma tregoi në një farë distance, por unë mezi e njoha. Ishte
dobësuar shumë”, tregon Roberti dhe vijon: “Nuk e kuptoja ku i qëndronte
shpirti. Por si unë dhe nëna nuk donin që ai të kuptonte habinë tonë për pamjen
e tij, prandaj mbërthyem në fytyrat tona nga një si buzëqeshje për t'i treguar
se ne ishim mirë dhe të mos kishte merak për ne”.
Në fund të procesit gjyqtari Reshat Polovina vendosi që
Dinua të dënohej me 23 vjet heqje lirie për tradhëti ndaj atdheut dhe
agjitacion e propagandë edhe pse mungonin faktet dhe se i akuzuari nuk kishte
pranuar asgjë gjatë procesit në hetuesi. Roberti, pas vitit 1992, kur i pa
dokumentet e mbushura me akuza false të të dy gjyqeve, vuri re se ato ishin të
pafirmosura prej të dënuarit. Dënimi i Dinos me 23 vjet burg pa pasur asnjë
fakt real, tregonte se sigurimi kishte vendosur ta eliminonte përgjithmonë.
Karakterit të diamantë të tij hetuesit nuk mundën t'ia ndërronin formën, as ta
thërmonin për ta përdorur si donin, prandaj e flakën në burg të përjetshëm, ku
e keqtrajtuan dhe ia morrën jetën para kohe. Kështu sigurimi dhe partia e
varfëroi Shqipërinë nga trimat, për ta mbajtur të trembur e të nënshtruar
popullin e vet...
Mosthyerja e Dinos gjatë hetuesisë së dytë duhet
vlerësuar më shumë se mosthyerja e tij gjatë hetuesisë së parë, sepse e dyta
zgjati jo pesë muaj e gjysëm, por nëntë muaj kur ai ishte 65 vjeçar dhe jo 40
vjeçar. Kësaj radhe u përdorën kundër tij dhe ilaçe për ta bërë të ndjehej pa
fuqi, që të dorëzohej. Mirëpo ato ia dobësonin forcën fizike, por jo forcën
morale. Ai mbeti shembull i njeriut që nuk u thye deri në fund...
Donika, nusja e Robertit, gjatë kohës së hetuesisë nëndë
mujore të Dinos, me gjithë presionet e mëdha që i bëheshin, me gjithë stresin e
fortë psikologjik që përjetonte, nuk u nda nga i fejuari i saj. Një javë pas
dënimit të Dinos ata të dy u martuan. Autoritet e Vlorës e “mbajtën fjalën”
që i thanë Donikës dhe babait të saj se, nëse ajo martohej me djalin e armikut
të klasës, do ta largonin nga Vlora, ku punonte si mjeke. Vërtet, pas
martesës, Donikën e hoqën nga Ambulanca e Qytetit dhe e dërguan të punonte në
Qendrën Shëndetësore të Akërnisë, ku punonte dhe Roberti. Mirëpo dashuria midis
dy të rinjve ishte e shëndetshme. Donika dhe Roberti me vullnetin e tyre
përballuan vështirësitë e punës larg qytetit. Shumë shpejt iu shtuan familjes
së re Martiko dy djem të shëndetshëm, për rritjen e të cilëve kujdesej nënë
Sofia. Mundimi për rritjen e fëmijëve i jepte asaj gëzim duke ia ulur stresin
dhe mërzitjen. Njësoj si gjatë burgimit të parë ajo u kujdes me një përkujshtim
të rrallë për bashkëshortin e burgosur. Me gjithë moshën e madhe ajo përshkonte
distancën e gjatë vajtje-ardhje në këmbë nga shtëpia te burgu e anasjelltas për
ta vizituar të shoqin dhe për t'i shpënë ushqime dy-tre herë në muaj.
Skenën e takimit të fundit me babain e tij, shkrimtari
Robert Martiko ma ka përshkruar me këto
fjalë: “Ishin ditët e fundit të jetës së tim eti. Fizikisht e shihja se
ishte duke u shuar, por vështrimi i tij ishte i qetë dhe mjaft i përqendruar.
Polici që ishte i pranishëm, nuk ja ndante sytë. Ishte çudi e madhe për mua
fytyra me pamjen e qetë e të përqendruar. Më dukej sikur për Dino
Martikon në ato çaste nuk ekzistonin hekurat, policët, diktatura, tonelatat e
betonit të burgut. Ndonëse fizikisht i robëruar dhe një hap nga vdekja, dalloja
në sytë e tij një lloj lirie shpirtërore që janë në gjendje ta shfaqin vetëm
shpirtrat e jashtëzakonshëm. Nga leximet e mëvonshme mësova se të tillë liri
shpirtërore kishin përjetuar në burg dhe At Pjetër Meshkalla me disa
intelektualë klasi”.
Dinua u shua brenda spitalit burg të Tiranës më 1985, në
moshën 71 vjeçare. E kishin sjellë nga kampi i punës i fshatit Zejmen të Lezhës
në një gjendje shëndetësore të rënduar. Ai kishte pësuar infarktin e parë pas
dërgimit te burgu i Ballshit, dy tre muaj pasi kaloi hetuesinë e rëndë e
torturuese në Vlorë. Mbrëmjen që e kishin shpënë nga Zejmeni në spitalin burg
të Tiranës për të u kujdes mjekja Meri Gjinushi, bija e mjekut Lefter Kriqi, e
cila e mori vullnetarisht shërbimin e rojës atë natë. Por me gjithë kujdesin e
saj Ai u shua afër agimit.
Dy zakone humanë të cilët pupolli ynë i respektonte prej
shekujsh, ishin dhënia e ndihmës ndaj njeriut që binte në vështirësi dhe
pjesëmarrja në ceremoninë e varrimit të një të njohuri të vdekur. Mirëpo, si më
ka treguar Roberti, komshinjtë dhe të njohurit e familjes Martiko në Vlorën e
kohës së diktaturës, u rrinin larg, silleshin me të gjithë familjarët e të
burgosurve për agjitacion e propagandë, sikur u kishte rënë 'kolera'.
Për turpin e partisë dhe të sigurimit që ushtronin terror ndaj popullit, edhe
zakoni i përcjelljes së të vdekurit me biografi të keqe tek vorrezat,
kryhej me pjesëmarrjen e vetëm familjarëve, sepse të njohurit kishin frikë
mos u prishej biografia.
Varrimi i ish-të dënuarve politikë, madje dhe i
kryeministrit të vrarë Mehmet Shehu, ishte kryer pak vjet më parë me
pjesëmarrjen në procesin e varrimit vetëm të disa familjarëve të tij. Por ndaj Martikove
sigurimi u tregua dhe më kriminal. Nuk i njoftoi për vdekjen e Dinos dhe nuk ua
dha kufomën për t'ia bërë nderet e fundit. Trupin e këtij të vdekuri e varrosën
disa punonjës të sigurimit. Djali i tij, Roberti, mbas një vit kërkimesh mezi e
gjeti vendvarrimin e të atit.
Dino Martiko vdiq 71-vjeçar i tretur nga keqtrajtimet dhe
nuk u kujtua e nuk u vlerësua kurrë gjatë regjimit komunist për të cilin dha
ndihmesën e vet gjatë luftës dhe pas saj. Madje dhe qeveritë demokratike mezi e
vlerësuan 20 vjet me vonesë, më 2011 me çertifikatën Qytetar nderi i Komunës së Lukovës
e pas saj më 2012 me medaljen Martir i Demokracisë, firmosur prej
Presidentit Bamir Topi.
Sofia, grua dhe nënë trime e
durueshme deri në legjendë
Të shumta dhe të mëdha i pati vuajtjet dhe qëndresën
burrërore Dino Martikua, por po aq të shumta dhe të mëdha i pati vuajtjet dhe
po ashtu e pati qëndresën e saj dhe burrnesha Sofie Gribizi Martiko,
bashkëshortja e tij. Gjatë jetës së saj në Shqipëri, që nga dita që u martua
dhe la prindërit në Korfuz më 1942 dhe derisa u rikthye pranë prindërve dhe
vajzës së sëmurë më 1989, Sofia përjetoi vetëm disa ditë të gëzuara dhe mijëra
ditë të hidhura, të mbushura me vuajtje, fukarallëk e tronditje shpirtërore.
Në vitin 1944 Sofia lindi fëmijën e parë vajzë, Merin, e
cila për fat të keq pa mbushur dy vjet, u sëmur nga polimeliti. Ishte viti 1946,
kur në Sarandë kishte mungesë ilaçesh dhe shërbim mjekësor të dobët. Dinua iu
lut disa shokëve me detyra të larta në Tiranë për t'i dhënë lejë që ta shpinte
vajzën bashkë me nënën e saj në Korfuz për ta kuruar. Shpenzimet do t'i hiqte
gjyshi i vajzës dhe nëna do të kthehej shpejt. Kaluan gjashtë muaj pa marrë asnjë përgjigje
pozitive. Një ditë problemi i lejës për të shpënë vajzën në Korfuz u zgjidh nga
kryetari i ri i degës së Sarandës, ish-shoku i luftës Nuri Luçi. Nuriu ishte i
ri në moshë dhe njeri dinamik. Kur mori vesh se sëmundja e vajzës ishte e pashërueshme
në Shqipëri, i tha Dinos : “Pse nga ata të Tiranës pret ti të mbarosh punë?
Thuaji gruas sot pasdite sa të perëndojë dielli të jetë gati së bashku me
vajzën për të shkuar në Korfuz”.
Dhe kështu në perëndim të diellit u realizua nisja e
anies dhe kur mbërriti në afërsi të Korfuzit anieja lëshoi disa herë sinjale
dritash dhe një anie e vogël peshkimi me dy peshkatarë grekë erdhi pranë anies
shqiptare. Sofia dhe vajza u hodhën me kujdes tek anieja e peshkimit dhe vijuan
lundrimin për Korfuz, kurse Dinua me Nuriun dhe motoristin u kthyen në Sarandë.
(Vlen të shtojmë se sigurimsi Nuri Luçi, pas disa vjetesh u transformua në një
oficer plotësisht i nënshtruar ndaj urdhërave të partisë dhe shefave të tij dhe
kreu shumë krime si shef dege në rrethe të ndryshme.)
Sofia me vajzën në darkë vonë arriti te shtëpia e
prindërve të saj. Mirëpo të nesërmen, ende pa gdhirë mirë, e arrestoi policia
greke. Ishte koha kur marrëdhëniet midis Greqisë dhe Shqipërisë ishin të acaruara.
Pyetjes se kush e solli në Greqi, Sofia u përgjigj thjesht se nuk i njihte
personat. Ajo sqaroi se bijë e kujt ishte dhe se kishte ardhur për të shëruar
vajzën. Pas tri ditëve i ati arriti të siguronte lirimin e saj. Kur Sofia mësoi
se shërimi i vajzës ishte i vështirë dhe do të zgjaste shumë kohë, kërkoi të
kthehej në Sarandë pranë burrit. Vajzën nuk e pa më derisa iu lejua riatdhesimi
në vitin 1989, kur ajo shkoi bashkë me familjen e Robertit.
Pati vite të tëra, si në vitet 1954-1957 dhe 1979-1985
gjatë burgimit të parë e të dytë të Dinos, kur Sofia ndërpreu dhe
korresondencën me babanë, nënën dhe vajzën e vet të sëmurë për të mos i dhënë
shkak sigurimit shqiptar që të jepte dënime të tjerë. Gjatë atyre viteve asaj
nuk i erdhi as ndonjë ndihmë financiare a pako me veshje nga Greqia. Për të
mbijetuar me djalin e vogël dhe për të sigurar ushqimet që duhej t'i shpinte
Dinos gjatë burgimit të parë ajo i siguronte të ardhurat nga një profesion që
filloi ta krijonte vetë. Për herë të parë në Vlorë ajo filloi të qepte çorape
grash dhe t'i meremetonte syçkat që shthurreshin, me anën e një makine të vogël
primitive qepëse, që e kishte prurë në pajë.
Kuptohet se durimi dhe këmbëngulja e saj për të
përballuar këtë jetë të tensionuar në Vlorë kanë qenë të jashtzakonshëm. Në atë
qytet ajo nuk kishte askënd nga fisi i vet, madje asnjë mikeshë të besuar për
t'i qarë hallet. Ndonjë nga ish-shoqet e punës i propozonte që të ndahej nga
Dinua për të siguruar të ardhmen e djalit e të vetes. Por në mendjen e saj një
zgjidhje e tillë ishte e papranueshme, neveritëse. Këtë zgjidhje ajo nuk e
mendoi as më 1946 kur u ndodh në Korfuz me vajzën pranë prindërve.
Që në kohët e lashta vajzat e trevave greke dhe
iliro-shqiptare, kishin marrë një edukatë sipas së cilës u ishte ngulitur kodi
moral se ato lindnin e rriteshin në shtëpinë e prindërve, por ato u pëkisnin
përjetësisht shtëpive të burrave ku i shpinte fati. Ky lloj kodi moral ishte i
ngulitur dhe në koshiencën e Sofisë, prandaj ajo nuk mund ta braktiste shtëpinë
e burrit, fatin e saj, edhe pse bashkimi i saj me Dinon ishte bërë me shkuesi
dhe jo me dashuri. Dashuria midis tyre lindi më vonë kur ata e njohën njëri
tjetrin në momente të këndshme dhe në momente të vështira.
Gëzim të madh përjetoi vjehrra Sofi kur pa se dhe nusja e
djalit ndoqi po këtë rrugë zgjidhjeje pa e detyruar kush, madje në një kohë kur
nuk kishte ende fëmijë. Pikërisht ky veprim i nuses bëri që dashuria e Sofisë
për të të forcohej aq sa mjaft nëna biologjike nuk i donin vajzat që kishin
pjellë vetë.
E tillë ishte Sofia, grua pa fjalë, që nuk u ankua kurrë
për vështirësitë dhe fatkeqësitë që i ranë mbi kokë, por i kapërceu me durim e
këmbëngulje falë karakterit të saj të ngjashëm me karakterin e burrneshave të
maleve shqiptare. Dhe Zoti ia shpërbleu qëndresën me kthimin në Korfuz së
bashku me familjen e përtërirë të Robertit.
Sofia Gribizi Martiko u nda nga jeta e gëzuar tre vjet
pasi jetoi në Korfuz pranë prindërve dhe pa djalin, nusen dhe dy nipërit të
përshtatur në jetën e re...
Në botën e lirë ka mundësi të shumta
Muri i Berlinit ende nuk kishte rënë, por pasardhësi i
diktatorit Hoxha, Ramiz Alia, për të treguar se ishte tolerant dhe se po ecte
drejt liberalizimit, filloi të bënte disa lëshime duke dhënë viza për
riatdhesim të mjaft kryefamiljarëve që kishin kombësi dhe shtetësi të huaj.
Ishte një pasdite e bukur korriku e vitit 1989, kur
familja Martiko me Sofinë, Robertin, Donikën dhe dy djemtë e tyre po lundronin
drejt Korfuzit. Endrra e lirisë, që u ishte dukur e parealizueshme, po realizohej.
Po i afroheshin Korfuzit me pasaporta e viza të rregullta të akorduara nga
Ministria e Punëve të Brendëshme të Shqipërisë dhe nga Ambasada Greke në
Tiranë. Kaq i madh kishte qenë terrori që kishte ushtruar shteti i diktaturës
komuniste mbi këtë “familje me biografi të keqe” sa që Roberti ka
shkruar në kujtimet e tij se nuk i besohej që do të arrinin te bregu korfiot.
Derisa anieja, ku kishte hipur familja e tij, nuk kishte hyrë ende në ujrat
greke, mendja e tij ishte e pushtuar nga ankthi. I dukej sikur nga minuta në
minutë do të mbrrinte urdhëri nga Tirana për të anuluar vendimin e largimit të
tyre.
Kur hyri anieja në ujrat greke, nënë Sofia bëri kryqin
dhe tha nën zë: “Të faleminderit o Zot”! Kur zbritën në tokë u
bëri përshtypje pastërtia në veshjet dhe fytyrat e njerëzve, rrugët pa plehra,
madje dhe qielli iu duk më i kaltër. Turistët e huaj dhe vendasit dalloheshin
vetëm nga gjuhët e ndryshme që flisnin. Takimi i Sofisë me vajzën dhe me
prindërit te salloni i shtëpisë së bukur në breg të detit, ishte një skenë
prekëse që do të mallëngjente çdo pjesëmarrës. Lufta e Ftohtë i kishte ndarë
për 43 vjet nënën Sofi nga vajza Meri e sëmurë dhe bijën Sofi nga prindërit e
saj. Pas dy ditësh erdhi për të takuar Sofinë motra e saj profesoreshë në degën
anatomi-patologji në Universitetin e Athinës...
Roberti dhe Donika ishin 41 dhe 35 vjeçarë, jo aq të rinj
sa të përshtateshin rrufeshëm me jetën e re, por nuk ishin as të moshuar sa të
mos përshtateshin me punët e rëndomta si u ndodh emigrantëve mbi 50 vjeçarë të
cilët, kur nuk e dijnë gjuhën e vendit ku emigrojnë, mbeten për gjithnjë të
punësuar në punë të rëndomta pastrimi e shërbimi. Për mësimin e greqishtes, Roberti
i është mirënjohës babait, i cili me durim i dha mësimet e para. Më tej puna
eci lehtë përmes bisedave familjare midis të treve, dëgjimit të radios dhe
shikimit të kanaleve të Televizionit Grek.
Populli grek i Korfuzit i mirëpriti të riardhurit, jo
vetëm martikot që kishin lidhje të vjetra, por dhe shumicën e emigrantëve që
shkuan atje pas vitit 1991. Në gjithë Greqinë populli vendës u dha veshje,
ushqime, punë, strehim, madje atyre që merreshin me pastrim shtëpish u dhanë në
duar edhe çelsat e shtëpive. Midis emigrantëve ata që kishin qënë anëtarë të
PPSH-së, ose që i kishin shërbyer si informatorë sigurimi, rrinin kokulur e më
njanë, punonin pa rënë në sy dhe nuk donin të shoqëroheshin me shqiptarë e as
me grekë. Donin vetëm punë jo shoqëri, ose përpiqeshin të gjenin njëri tjetrin.
Kishin frikë se mos i njihnin dhe mos i spiunonin te policia greke. Disa kishin
vrarje ndërgjegjeje. Kurse Roberti e kishte ndërgjegjen të qetë dhe shoqërohej
me këdo që e lidhte puna dhe që i pëlqente. Ashtu si i ati edhe ai nuk kishte
pranuar të përfitonte të mira në kurriz të të tjerëve. I kishte kundërshtuar dhe
nuk u ishte dorëzuar kërkesave dhe presioneve të shefit të sigurimit të
repartit ku kreu shërbimin ushtarak për t'u rekrutuar si informator i
sigurimit. E falenderonte Zotin që i kishte dhënë forcë për ta kundërshtuar
shefin e sigurimit edhe pse ai e kërcënonte për të ardhmen e tij...
Kur e pyeta sesi arriti të punësohej, Roberti më sqaroi
se Donika filloi punë e para në një qendër shëndetësore në qytetin e Korfuzit
dhe nuk e nxiste atë që të fillonte çfarëdo pune. Qëndroi ca kohë pa punë dhe
kur kishte përvetësuar përdorimin e kompjuterit guxoi ta provonte veten për
krijimin e një pune private. Greqia si vend i Bashkimit Europian e stimulonte
dhe e stimulon inisiativën private. Për të arritur sukses mjaftonë gjuha,
njohjet profesionale, guximi dhe ca para.
“Fillova të krijoja me një komjuter të madh tabela
reklamash. Programin e krijimit e studiova në një libër voluminoz në anglisht”,
sqaron Roberti dhe vijon: “Brenda pak vitesh munda të hapja edhe magazinën
time, të cilën tani vonë e ka zgjeruar djali im i vogël, Ahilea, i cili ka
mbaruar studimet e larta për ingjinieri elektrike në univeritetin e qytetit
Patra. Kurse djali i madh, Kosta, ka kryer shkëlqyeshëm studimet në Itali për
mjekësi me specialitet kirurg i shtyllës kurrizore. Roberti e kapi si duhet
biznesin e tij, mbasi Korfuzi duke qenë qytet turistik i klasit të parë, kishte
dhe ka shumë nevojë për reklama, tabela dyqanesh e zyrash, shpesh herë dhe në
gjuhë të huaja.
Vuajtjet dhe
fatkeqësitë e ndihmojnë njeriun të thellojë njohjen e botës reale. Dëbimi nga
jeta normale, pra emërimi me punë larg shtëpisë dhe në punë jashtë profilit që
kishte marrë në shkollë, ishin për Robertin një lloj izolimi, një lloj
fshikullimi, që i dha mësime të ashper, por përmës kësaj me fshikullima, me
mungesa të medha, ai mësoi shumë gjëra që nuk ua dha jeta shokëve të tij që e
kaluan jetën me përkëdhelitë e partisë e të shtetit diktatorial.
Pikërisht jeta me vuajtje shpesh herë i ngacmon njerëzit
e përvojtur që të synojnë për tu bërë shkrimtarë e poetë, për t'ua zbuluar
njerëzve ndjenjat e botën e tyre të brendëshme. Edhe Roberti mbas të njëzetave
filloi të lakmonte krijimtarinë letrare, por nuk po guxonte të shkruante sepse
e dinte se për shkak të biografisë së keqe krijimet nuk do t'i botoheshin. Një
ditë e pyeti Dinon, se çfarë mendimi kishte për shkrimtarët e poetët dhe a do
të ishte mirë që djali i tij të merrej me krijimtari letrare.
“Shiko Lasgushin, si e theu penën dhe merret me
përkthime nga letërsia e huaj, sa për të jetuar. Mos u merr me sporkerira!’’
(gjëra të ndyra). Kështu iu përgjigj Dinuo, për t'i treguar se nuk ia
vlente të shkruante vepra të realizmit socialist që e lustronin jetën në
përputhje me politikën e partisë. Kështu Roberti nuk iu fut krijimtarisë
letrare në rini, sepse krijimtaria që do të synonte të krijonte do ta shpinte
shpejt a vonë në burg, ose internim dhe familja do të përvëlohej për djalin e
saj të vetëm.
Pas vitit 1992, kur u kthye një herë në Shqipëri Roberti
ndjeu dëshpërim, pa një shoqëri të lirë por në anarki, ku kishte manifestime
bajraktarizmi në nivelet e larta të shtetit. Pasi kishte jetuar dhe shijuar
demokracinë në Greqi, demokracia shqiptare i dukej shumë e dobët dhe me shkelje
të shumta, prandaj e kundërshtoi propozimin e një shokut të tij që e këshilloi
ta vinte emrin në listën e kandidatëve për deputet i Partisë Demokratike.
Qyteti dhe ishulli i Korfuzit si vend shumë piktoresk dhe
që gjatë muajve të dimrit nuk kishte shumë punë, e shtyu Robertin të mendonte
se erdhi koha të rikthehej tek ëndrra e vjetër për të krijuar letërsi
artistike. Deri sot ai ka shkruar gjashtë romane, por thotë se nuk është i
kënaqur prej tyre. Ai mendon se iu fut krijimtarisë pak me vonesë, dhe në një
kohë kur i mungonte formimi i duhur filozofik e letrar. Në veprat e tij ai gjen
shpesh përdorim të fjalës pa saktësi maksimale, gjë që e pengon prirjen
natyrore, talentin e tij të arrijë atje ku ai pati synuar. Po ashtu ai mendon
se duke qenë se ishte formuar në shkollën shqiptare të kohës së diktaturës i
kishte munguar formimi i duhur në fushën e filozofisë, sepse pa këtë bagazh ai
kishte dhënë aty këtu interpretime naïve për dukuritë e jetës shoqërore. Jo
rastësisht, thotë ai, krijuesit e mëdhenj të artit si Mikelanxhelo, Da Vinçi
dhe personalitete të tjerë të Europës Perendimore morrën gjatë jetës mësime në
fushën e filozofisë. Ai sugjeron që të gjithë shqiptarët që duan të merren me
krijimtari letrare është e novojshme të njohin para se t'i futen kësaj rruge të
përvetësojnë mendimin e kualifikuar perëndimor, sepse në Shqipërinë komuniste
si dhe sot mendimi perëndimor, që bëri Karl Marksin filozof, nuk mësohej e nuk
mësohet nëpër shkolla.
Përsëri sipas Robertit, një nga të metat e arsimit dhe
mendimit të kualifikuar intelektual në Shqipëri është se nuk tregohet kujdes
për modelet më të larta morale shqiptare, apo ‘‘Mbinjeriun’’, sipas
termit të Frederik Niçes. Ai thekson se bota Perëndimore nuk u zhvillua me
modelin e mesatares, as më atë të më së mirës, por me idenë e ‘‘Më të
Lartës’’. Në këtë pikë Roberti krahas admirimit të mendimit të kualifikuar
teorik tregohet edhe praktik. Vë në dukje se njerëzit që mund të vlejnë si
modele superiore janë ata që, me ndershmërinë e shpirtit, i rezistuan pa u
thyer komunizmit në bankën e provave reale të hetuesive të sigurimit, në kohën
e tre milion duartrokitësve të frikësuar. Heronjtë e jetës që mund të
frymëzojnë shoqërinë janë pikërisht Mbinjerëzit. Ky model i lartë shpirtëror në mënyrë të
paevitueshme përmban në vetvete ndjenjën e kujdesit ndaj të tjerëve. Dhe
pikërisht te kujdesi ndaj të tjerëve ai sheh pikën e fillimit ku mund të
ndryshojë shoqëria. Evropianët, sidomos veriorët, nuk mund të përfytyrohen pa
ndjenjën e ‘‘Kuptimit të Tjetrit, të së Huajës, të së Ndryshmes’’. Ky bazament, pra «kuptimi i tjetrit, i së
huajës, i së ndryshmes» nuk erdhi te mendimi shoqëror shqiptar, si i erdhi
mendimit europian gjatë Rilindjes. Rilindja shqiptare ishte me mungesa nga kjo
pikëpamje, sepse ajo u zhvillua vetëm si lëvizje për çlirimin kombëtar nga
zgjedha e rëndë obskurantiste turke dhe si lëvizje për bashkim kombëtar mbi
dallimet fetare dhe krahinore.
Atëhere i sugjerova Robertit se për të krijuar një roman
të ri me modelin e mbinjeriut, ai e ka materialin të gatshëm pikërisht te
prototipat e babait dhe nënës së tij, të atij vetë e të Donikës, mjafton që ta
ritregojë artistikisht jetën e tyre. Por ai tha se kjo do të tingëllonte si
mburrje. Në romanin e fundit që ky krijues ka në dorë, përveç modelit të
mbinjeriut trajton edhe temën se përse disa shoqëri kanë shkuar përpara dhe të
tjerat kanë mbetur pas, ndonëse stadi fillestar i tyre ka qenë i njëjtë, dalja
nga shpellat.
Romani i ardhshëm i Robert Martikos do të jetë një
thirrje për vetë qeveritë, klasën tonë politike, arsimin e kualifikuar,
intelektualët me mendje të hapur. Sipas këtij shkrimtari, për të krijuar një
brez të ri të denjë për të marrë në dorë fatet e vendit tonë duhet trajtuar «modeli
shpirtëror i më të lartës», dukuri që duhet të shërbejë si pikënisja e
proceseve shoqërore politike e morale.
Kam bindjen se jeta e Dinos, Sofisë dhe pjesëtarëve të
tjerë të kësaj familjeje do të frymëzojë shpejt a vonë shkrimtarë dhe artistë
për të realizuar vepra të shquara arti. Po ashtu dhe bashkëpunëtorët e
“Fjalorit Enciklopedik Shqiptar” është e nevojshme që ta pasurojnë ribotimin e
këtij fjalori me artikuj (zëra) përkatës për të tillë njerëz dhe ta pastrojnë
këtë vepër të rëndësishme nga artikujt ku jepet jeta e bëmat e disa servilëve
të partisë dhe diktaturës, politika e të cilëve dështoi me turp.
Dino Martiko, Sofia dhe vajza Meri, 1946