Kerko: a
Vahit Nasufi: Intervistë Ekskluzive me këngëtarin Bexhet Jagodini
E premte, 08.11.2019, 10:21 PM
INTERVISTË ME KËNGËTARIN BEXHET JAGODINI
EKSKLUZIVE NGA VAHIT
NASUFI
Në jug - perëndim të Republikës së Maqedonisë Veriore
shtrihet Kërçova, e pozicionuar në një vend të rrafshët, e rrethuar nga malet
të veshur me pyje dhe fshatrat piktoresk, që i japin një pamje gjeografike të
mrekullueshme. E qeshur dhe plot jetë, monumentet arkeologjike, atraksionet e
ndryshëm, kalaja e qytetit me një pamje magjepse, që ia shton bukurinë qytetit,
ajri i pastër, uji i ftohtë, gjelbrimi, dhe një mori epitetesh, janë vlerat e
këtij qyteti. Kërçova e sotme,(Uskana e lashtë), ka mbushur edhe shumë
faqe të historisë, ajo ndër vite, është e njohur për trimërinë, mikpritjen dhe
bujarinë e saj, por, që nuk mund të shërohet kursesi nga plaga e rëndë e
kurbetit e trashëguar brez pas brezi!
Kjo trevë është edhe vatër e artit dhe kulturës, Është
e pamundur të vizitosh Kërçovën, dhe të mos dëgjosh këngën e saj të bukur
polifonike vendase, tingujt e instrumenteve muzikorë, zërin e bukur të
këngëtarëve dhe këngëtareve, që rrëmbejnë zemrat për t`i dëgjuar!
Shumë zemra artdashëse ka rrëmbyer edhe zëri i bukur
melankolik i kolosit të mirënjohur të këngës burimore Bexhet Jagodini, i cili
na priti ashtu siç dijnë të presin shqiptarët bujarë, me fjalë të mira dhe të
ëmbla. Në ambientet fantastike të shtëpisë së tij, në një dhomë e stërmbushur
me vegla të ndryshme muzikore, zhvilluam një intervistë rreth jetës së tij
private dhe artistike.
VAHIT NASUFI: Z. Jagodini,
faleminderit shumë që pranuat të jeni bashkëbiseduesi ynë, dhe për mikpritjen e
ngrohtë, kërkojmë falje nëse u kemi penguar, por, me që jeni një këngëtar i
jashtëzakonshëm, qëllimi ynë është që adhuruesit tuaj, por, edhe lexuesit e gazetës
elektronike Zemra Shqiptare, të dijnë diç më shumë për jetën tuaj private dhe në
cilësinë e këngëtarit.
BEXHET JAGODINI: Faleminderit edhe prej jush z. Vahit, më vjen shumë mirë që mundoheni të
bëni më të mirën për melosin tonë burimorë. Ndihem i priviligjuar pasi
intervistohem nga Zemra Shqiptare, në faqet e së cilës vazhdimisht lexoj
artikuj të mrekullueshëm, ua them sinqerisht se më nderoni me këtë intervistë
dhe nuk më pengoni aspak, andaj mos ngushtoheni!
VN: Para se të fillojmë
intervistën, për lexuesit tanë, por, jo vetëm, do të donim shkurtimisht të na
thoni diçka rreth identitetit tuaj.
BJ: Unë kam lindur në vitin 1964, në fshatin Sërbicë
të Kërçovës, ku kam kaluar një fëmijërijë shumë të lumtur. Në fshatin tim të
lindjes, fillova dhe mbarova shkollën fillore, dhe pastaj vazhdova shkollën e
mesme në Kërçovë, dhe më pas studimet në Prishtinë. Aktualisht bashk me familjarët
e mi, jam duke menaxhuar një sipërmarrje repromaterialesh këtu në Kërçovë, por,
që nuk i kam lënë anësh aktivitetet artistike dhe ato shkencore. Jetoj bashkë
me bashkëshorten time Lulen, me fëmijët Nolën dhe Lonin.
VN: Pasi keni kryer studimet, atëherë
kush është profesioni juaj?
BJ: Jam këngëtar që kur mbaj mend, pasi linda më
priste kënga e cila më ka përcjellë vazhdimisht, dhe më përcjellë edhe sot e
kësaj dite. Ky profesion tashmë është pjesë e jetës sime, të cilin kisha shumë
dëshirë edhe ta studioj. Pasi kreva shkollën e mesme në Kërçovë, konkurova në
akademinë e arteve në Universitetin e Prishtinës, por, dëshirën time e mundi
pamundësia, prandaj dhe u regjistrova në Fakultetin e Shkencave Matematiko -
Natyrore, dega Gjeografi. Pasi diplomova, pata një ofertë të punoj si asistent
në drejtimin e planifikimit hapsinor dhe urbanizëm, por, malli për familjen dhe
vendlindjen, nuk më lejoi që të pranoj këtë ofertë. Unë u këtheva në vendlindje
dhe u punësova në shkollën e fshatit këtu në Sërbicë. Pas tre vitesh u punësova
si profesor i gjeografisë në shkollën e mesme të qytetit, ku punova rreth 20
vite pa ndërprerje. Që të dy këto profesione janë shumë të dashur për mua, që e
plotësojnë dhe ndihmojnë njëri tjetrin, që për mua është një kënaqësi e madhe
shpirtërore.
VN: Kur i ndërmorët hapat e parë
të karrierës suaj?
BJ: Aty rreth moshës 5 - 6 vjeçare, kujtoj fillet e
para të këngës, kur nëna ime më mësonte këngën „Kapërceva rrejmën dola në
livadh“, dhe këngën „Nato fusha nato male“... ndërsa babai më mësonte ajete të
shkurtër kuranore. Me që pëlqenin zërin tim, disa nga burrat e fshatit, si
Nazif Ballazhi, Shukri Neziri dhe disa të tjerë, më merrnin në krah që t`ua
këndoj një këngë. Këtë e thotë edhe Zeqir Jagodini në librin e tij „Sërbica
ndër Shekuj“.
Që nga mosha tetëvjeçare kam marrë pjesë nëpër oda, në
mesin e burrave nëpër konaqet e atëhershëm, duke kënduar këngë nga treva ime,
që i kam në fonotekën time, me që isha shumë i ri, pas çdo kënge më
duartrokitnin dhe më bënin komplimente të shumta, të cilët akoma më shumë,
shtonin vullnetin tim për të kënduar!
VN: Keni kënduar nëpër shumë
dasma, manifestime dhe ahengje të ndryshëm, që pa dyshim është lodhje e tepërt,
keni menduar ndonjëherë që këngës t`i thoni lamtumirë!?
BJ:Jo, jo, kurrë, as që më ka shkuar mendja ndonjëherë
t`i them një shoku kaq të ngushtë lamtumirë, që më ka shoqëruar dhe më shoqëron
akoma, një shoku që është mishëruar dhe që është në gjenin tim. Unë nuk e kam
ndërmend të ndalem, pasi kam akoma energji dhe elan. Kam edhe shumë këngë të
reja që presin dritën e plasimit për dashamirët dhe adhuruesit e mi. Me plot
përgjegjësi e them se ia kam borxh popullit të gjakut tim, që këto këngë të
bukura dhe joshëse, të dëgjohen në mbarë trojet shqiptare.
VN: Kuptohet se numri i saktë i
tyre nuk dihet, por, përafërsisht, mund të na thoni sa këngë i dini përmendësh?
BJ:(Oo hoo), Është një numër i konsiderueshëm i
tyre, pasi unë jam munduar që çdo vit në kontinuitet të mësoj këngët e sidomos
hitet nga të gjitha hapsirat mbarëkombëtare, midis tyre dhe shumë toskërishte,
prandaj dhe nuk mund të them ndonjë
cifër, pasi janë vërtetë shumë, por, më duhet ta them se dhe disa këngë i kam
harruar!
VN: Lexuesit e rregullt të Zemrës
Shqiptare, kanë hasur në disa artikuj të shkëlqyeshëm, autor i të cilëve jeni ju,
nga kjo na lind ideja se edhe shumë tekste të këngëve
i keni shkruar vetë, është e vërtetë kjo?
BJ: Keni shumë të drejtë kur edhe e bëni këtë pyetje.
Deri tani janë rreth 20 artikuj studioz shkencor, por, edhe kulturor të botuar
në shumë media. Unë angazhohem edhe në mbledhjen e folklorit, sidomos të
këngëve burimore kërçovare. Për një kohë të shkurtër mendoj të përfundoj edhe
projektin; „KËNGA BURIMORE KËRçOVARE - SHTYLLA E KULTURËS MBARËKOMBËTARE
SHQIPTARE“, ku të interesuarit do të njihen rënjësisht me karakteristikat e
burimit kërçovar. Një numër i konsiderueshëm i këngëve burimore janë të
kultivuara nga unë, të cilat janë me një apo dy strofë, dhe janë të pa
rrymuara. Unë mundohem që t`ua jap kuptimin e plotë të motivit, që tekstualisht
të duken kompakte, dhe vijën muzikore, refrenet, por, gjithmonë në frymën e
motivit të tekstit.
VN: Përveç Kërçovës, në cilat treva keni qenë më
shumë të kërkuar?
BJ: Nuk do të kisha dashtë të jap emra, por, ua them
sinqerisht se na kanë kërkuar në çdo qytet të Maqedonisë Veriore, ku banojnë
shqiptarët, dhe më gjërë, por, ne kryesisht u përqëndruam këtu në Kërçovë, pasi
kërçovarët nuk na linin shumë hapsirë për t`i kaluar kufinjtë e saj, gjë që
është për t`u respektuar. Nuk kanë munguar ftesat edhe nga diaspora, si nga
Turqia, Gjermania, Zvicra, Austria, herë pas here edhe nga Shtetet e Bashkuara
të Amerikës.
VN: Lirisht mund të themi se ju
këngës i keni kushtuar gati një jetë të tërë, duke e
kultivuar maksimalisht, por, çka u dha kënga juve?
BJ: Kënga mua më shpërbleu me çmimet më
grandioze, duke rritur autoritetin tim, ajo më bëri që unë të njihem në të
gjitha trojet etnike shqiptare, të marr pjesë në një numër të konsiderueshëm
ahengjesh, në disa shtëpi radio - televizive, si dhe në mediat elektronike, nga
ku mund të dëgjohen këngët e mia të cilat këndohen nga shumë këngëtarë dhe
këngëtare. Kënga më ka ndihmuar që unë të zgjëroj dukshëm rrethin shoqëror, ku
jam njohur me shumë artistë të mëdhenj, ajo, më ka sjellë edhe përfitime
materiale!
VN: Ju keni kënduar solo edhe në
duet, me cilët këngëtarë apo këngëtare keni bashkëkënduar më shumë?
BJ: Në tërë këtë karrierë jetësore, ne kemi pasë një
lidhje kohezive me shumë këngëtarë nga trevat tjera shqiptare, si Demir
Krasniqi, Elita 5, Shkurte Fejza dhe ca të tjerë. Kurse këtu në vendlindjen
time më së shumti me këngëtarët e gjeneratave më të vjetra, si Ferat Kaleshi -
Lati, Nuhi Kasa, Ramazan Kadriu, Shukri Neziri, këngëtari që në kontinuitet më
mbështet Vebi Aziri, Vëllezërit Dervish dhe Aziz Dervishi, Hatixhe Dikena, Lindita
Purellku, Ramazan Jusufi, Sefer Ballazhi, Abdulla Reçku - Duli, Artan Jusufi,
Hasan Limani, Musa Izeri, etj. Ky bashkëveprim vazhdon edhe sot e kësaj dite.
Si bashkëpunëtor i imi mbetet kënga burimore kërçovare me këngëtarët e
pavdekshëm të këtyre trojeve, që paraqet një resurs unikat në trojet shqiptare.
VN: Përmendët këngën burimore
kërçovare, për lexuesit tanë, mund të na thoni dy - tri fjalë rreth saj?
BJ: Kënga burimore kërçovare, është një libër arkivor
më vete, pasi aty gjen një histori të tërë të kërçovarëve, ngjarjet e ndryshme,
vuajtjet, masakrat, sunduesit, veprimtaritë etj. Unë këtij resursi të pasur
kombëtarë të popullit, ia dhash jehonën që të kalojë kufinjtë administrativ -
gjeografik kërçovar, dhe të merr piedestalet e majave të trojeve etnike
mbarëkombëtare shqiptare, pasi deri atëherë ishte pak e njohur në hapsirat
tjera shqiptare, dhe ate vetëm nga Trio Zajazi, më vonë pasojnë vëllezërit
Dervish dhe Aziz Dervishi, dhe të tjerë. Ne gjithmonë e kemi kënduar dhe e
këndojmë këtë margaritar, me që e kemi të lindur, kurse në dasma shkojmë me një
çmim modest, pasi kënga jonë nuk mund të paguhet, ajo është e shtrenjë dhe e
shenjtë, pra, ajo nuk ka çmim!
VN: Melosin burimorë kërçovar, e
pasuron edhe kënga polifonike kërçovare, të cilën ju e këndoni me shumë pasion,
por...?
BJ: Unë i këndoj të gjitha këngët në përgjithësi, por,
te kënga burimore kërçovare, unë gjejë veten time, të cilat edhe më motivojnë
për interpretim, por, edhe për të bërë kultivimin e tyre, apo inspirimet për
krijime të reja. Unë me ato u linda dhe u rrita, ato jetojnë në shpirtin tim,
ne jemi të pa ndarë. Këngët tona janë përplot motive, ngjarje, me një fjalë
janë histori më vete, dhe janë më të bukura ndër më të bukurat!
VN: Z. Jagodini ju keni inçizuar
shumë albume, që secili prej tyre ka pasë edhe hitet e veta, cilat këngë nga
repertori juaj u shëndrruan në hite?
BJ: Kam inçizuar 8 albume, brënda tyre janë këngë të
kultivuara me tekste, vija muzikore dhe interpretim i të gjitha vokaleve, pasi
e kam edhe të drejtën e autorsisë, kuptohet, por, jo dhe ato që janë të
kompletuara me tekst dhe vijë mozikore, dhe që janë kënduar brez pas brezi. Unë
nuk rri duarkryq, pasi ky thesar i begatshëm i këtyre trojeve, duhet patjetër
të jetë në krijimtarinë time. Aktualisht jam duke pregaditur këngë për disa
atdhetarë kërçovarë, sepse kjo do të plotësojë këtë melos, dhe jam i bindur se
do të pëlqehet nga dëgjuesit.
Sa u takonë hiteve të mia, janë kryesisht këngë që
këndohen në të gjitha trevat
shqipfolëse, si; „Molla mollalije“, „I hypa pampourrit“, „Hajde djali rej“,
„Udhës së shullonit“, „Vashë moj vashë“, „Oj xollufe boj“, „Xhebadon shpërthy“,
„Djali i megdonit“, „Oj lulje lulzoume“,
„Mejrem“, e tj. Ky i fundit ishte album rekordesh, kërkohej aq shumë sa
që produksionit iu desht të bëjë rishumzimin e audio kasetës, për të plotësuar
dëshirat dhe kërkesat e dëgjuesve! Për këngën e fundit, t`ju them të drejtën
edhe ngacmohemi nga disa adhurues për orkestracionin e saj, por, unë mbaj
përgjegjësinë e këndimit vokal, e cila nuk përmban asnjë element të huaj.
VN: Nëpër intervista të ndryshme,
disa këngëtarë nuk e fshehin se gjatë këndimit kanë ngatrruar tekstin e këngës,
juve z. Jagodini, u ka ndodhë ndonjëherë kjo?
BJ: (Qesh) Po, po, më ka ndodhë dhe ate disa herë,
sidomos kur isha tepër i angazhuar me ahengje të ndryshëm, mirëpo kënga ka
rregullat e veta, ka fillimin dhe mbarimin, shpeshëherë ndodhte që edhe
prezentuesi na shoqëronte në këngë, dhe ishte
e pashmangshme të mos ngatrrohet teksti në gjitha ato këngë që i këndonim!
VN: Viteve të fundit duket qartë,
se kënga shqipe vjenë duke u modernizuar, dhe kjo na
bënë përshtypje se këngët folklorike dëgjohen dhe kultivohen më pak se
ç`meritojnë ato, cili është mendimi juaj?
BJ: Unë mendoj se kjo është një problematikë për
folkorin shqiptar. Më duket se folklorin e ka kapur një epidemi, që e orienton
drejt një zhdukje. Ne duhet ta mbrojmë këtë me çdo kusht, të jemi një gardë e
fortë dhe e patundshme, dhe me krijimin apo kultivimin e këngëve të mirëfillta
burimore – shqiptare, t`i bëjmë ballë imponimit të elementeve të huaja. Pra,
kjo duhet të jetë arma më e fuqishme, që tregon se me këngët e bukura shqipe,
ahengu apo manifestimi kulturorë do të jenë më të hijshëm. Mendoj se në këtë
mënyrë do t`i mbrojmë këto vlera, dhe ua bëjmë me dije gjeneratave të reja, se
sa këngë të bukura ka populli ynë, që nuk i ka askush në botë. Kjo është pasuri
kombëtare, që na karakterizon neve të gjithëve, prandaj duhet t`i dalim zot,
dhe të mundohemi me mish e me shpirtë ta mbrojmë nga çdo ndikim i huaj, po edhe
nga bastardimet brënda saj.
VN: Disa nga kolegët tuaj bëjnë
edhe humor të shkëlqyeshëm, duke treguar ngjarje komike, ose duke emituar dikë
prej kolegëve, ju keni prirje ta bëni këtë?
BJ: (Qesh) Me qëllim të disponimit të ambientit ku
ndodhemi, mundohemi që diskutimet tona të përcillen edhe me një dozë shakaje,
por, realisht jo, se për të bërë humor, apo për të emituar dikë nuk është aspak
e lehtë, thënë thjeshtë, edhe për këtë duhet të jeshë i lindur.
VN: Z. Jagodini, këtu rreth nesh
shohim shumë vegla muzikore të ndryshme, tani lind pyetja, se a dini të luani
me ndonjë nga këto, nëse po, me cilat?
BJ: Po, luaj në disa vegla muzikore, por, vetëm për
dëshirën time, jo dhe për dëgjuesit, më mirë luj me çifteli, sharki dhe
violinë. Me violinë kam përcjellë këngët 8 - 9 vite me rradhë, më vonë këtë e
kam bërë edhe me çiftelinë dhe me sharkinë. Nëse keni durim të më dëgjoni do
t`ju tregoj një rast interesant, kur desha të mësoj çiftelinë, iu luta xhaxhait
tim Hajradin Jagodinit, që një cërpkë nga kopshti ta shëndrrojë në çifteli, ai
e preu cërpkën për gjysëm, i vëndoi një dërrasë të hollë, dhe dy tela, por, ajo
nuk tingëllonte ashtu siç mendova unë. Më vonë babai, më bleu një harmonikë dhe
një violinë, dhe unë bashkë me Sami Elezin (tani i ndjerë), dhe me Lulzim
Adilin, që të dy ishin mjeshtër të harmonikës, bashkëvepruam një kohë të gjatë.
Pas tre vitesh formuam një grup muzikor, antar të cilit ishin: Zenel Ballazhi,
Lulzim Adili, Feto Dehari, Qemal Imeri dhe solistja Hatixhe Dikena, dhe në moshën
14 vjeçare, ishim musafirë të drejt për drejtë te Radio Kërçova e atëhershme!
Në vitin 1980, ne dhe disa antarë të tjerë formuam SHKA „Zëri i Rinisë“, në
fshatin Sërbicë.
VN: Z. jagodini, keni një zë
shumë të bukur, që kënaq shpirtin e çdokujt sa herë që e
dëgjon, e keni trashëgim familjarë apo dhuratë nga Zoti?
BJ: Më duket se këto të dyja shkojnë sëbashku, edhe
zëri i bukur, edhe trashëgimia janë dhuratë nga Zoti. Te unë kënga dhe talenti
janë trashëguar brez pas brezi. Dajtë e mi kanë kënduar dhe ekzekutuar shumë
bukur me kavalla. Vlen të ceket se edhe dajtë e nënës sime kanë qenë
instrumentalistë të jashtëzakonshëm si për çifteli ashtu dhe për disa
instrumentë popullorë, që ishin ndër të parët në mbarë trevën kërçovare.
VN: Ju familjarisht jeni trashëguar,
por, a ka gjasa dhe shpresa që Bexhet Jagodini edhe në cilësinë e këngëtarit të
trashëgohet?
BJ: Kam bindjen se po, pasi djali im Arioni, është
student në vitin e fundit në Akademinë e Arteve në Universitetin e Tetovës, i
cili angazhohet me një intensitet të lartë për njohjen instrumentale, prandaj
shpresoj dhe besoj për një trashëgim gjenetik, por, përsëri do të tregojë koha.
VN: Jemi të bindur se një
këngëtar i kësaj kategorie që i takoni ju, nuk ka ngelur pa marrë mirënjohje,
shpërblime apo ndonjë çmim!?
BJ: Unë si këngëtar kam marrë disa çmime dhe
mirënjohje. Një nderë i madh që unë e quaj si super çmim, është pjesëmarrja ime
në emisionin; „Në pesë shtete shtatë miljon“, që transmetohej në TVSH, në të
cilin unë isha përfaqësues nga Maqedonia Veriore. Në festivalin „Këngë Jeho“,
Strugë 1993, sëbashku me vëllezërit Dervish dhe Aziz Dervishi, morëm vendin e
parë me interpretimin e këngës burimore kërçovare. Kam marrë edhe ca çmime
tjerë si; Këngëtari grada „A - Artist“, „Gjurmues dhe interpretues më i mirë i
këngës kërçovare“, „Kultivues i këngës kërçovare“, etj. Nuk mundem të mos e
them edhe çmimin e popullit, pasi këngët e mia interpretohen në çdo aheng dhe
në radio - televizione të ndryshme, që për mua është një kënaqësi e veçantë.
VN: Cilat këngë në përgjithsi më
së shumti u flejnë në shpirt?
BJ: T`ua them të drejtën të gjitha këngët më pëlqejnë,
nga të gjitha zhanret, por këngët e shpirtit tim, janë këngët burimore
kërçovare, ato janë shoqëruesit e mi të jetës, dhe që nuk ndahemi kurrë!
VN: Pa dyshim se janë shumë, por,
na thuaj disa emra të këngëtarëve dhe këngëtareve, që pas tyre kanë lënë gjurmë
të pa shlyeshme?
BJ: (Për disa sekonda mbet pa fjalë) Këngëtarë
të tillë janë shumë, si Ferat Kaleshi - Lati, Qamili i Vogël, Sefaj Xhetës,
Riza Bllaca, Rexhep Zajazi, duetet legjendarë Sali dhe Feriz Krasniqi, Hashim
Shala dhe Tahir Drenica, Vaçe Zela,
Shyqëri Alushi, Nexhmije Pagarusha, Demir Krasniqi, Shkurte Fejza, Motrat
Mustafa, dhe shumë të tjerë, me që kam shumë respekt për të gjithë këngëtarët,
kërkoj ndjesë nga ata që nuk i përmenda, pasi janë me të vërtetë shumë!
VN: Shumë këngëtarë të mëdhenj,
japin sygjerime për këngëtarët e rinj, ju keni
mdonjë këshillë për ardhmërinë
artistike?
BJ: Ne jemi popullii më i pasur me heterogjeni
kulturore, sidomos të këngëve të larmishme nga të githa trevat etnike
shqiptare. Prej nesh vjelin dhe kopjojnë të huajt dhe i aneksojnë ato, madje
edhe u dalin zot, pasi ata e duan të veten dhe duan ta zbukurojnë akoma më
shumë. Pse ne duhet vullnetarisht të fusim elemnte të huaja, pse duhet ta
bastardojmë këtë hijeshi, pse, pse... ?! Pse edhe ne mos e ruajmë këtë pasuri
të artë dhe të shenjtë, pse edhe ne mos ua imponojmë brezave që na trashëgojnë?
Këtë thesar, ne duhet ta ruajmë si sytë e ballit, sepse kjo na bënë krenarë të
gjithëve. „E jotja është e jotja“.
VN: Për një pjesë të popullatës,
element i rëndësishëm është edhe sporti, sidomos ai më i popullarizuari, ju z.
Jagodini jeni adhurues i tij, nëse po, kush është skuadra juaj e preferuar?
BJ: Po, jam adhurues edhe i sportit, por, jo sa i
këngës. Skuadrat e mia të preferuara janë seleksionet shtetërore të Shqipërisë
dhe Kosovës, pasojnë Dordmundi dhe Barcelona.
VN: Cili është ushqimi, dhe cila
është pija juaj e preferuar?
BJ: Jam pasionues i prodhimeve të detit, sidomos
peshkut, kurse prej pijeve më pëlqen mohito, por, edhe kafja, e cila është pija
ime e përditshme.
VN: Si e kaloni kohën e lirë?
BJ: Duke kënduar dhe krijuar deri atëherë kur
familjarët e ngrejnë zërin, pastaj duke mbledhur dhe gjurmuar mbi autoktoninë
tonë të moçme, por, kjo nuk donë të thotë se shokët i kam lënë anësh, me të
cilët dal shpesh dhe ulemi për të pirë diçka, duke diskutuar tema të ndryshme.
VN: Për një këngëtar siç jeni ju,
pyetjet nuk kanë të sosur, para se ta përfundojmë këtë intervistë, keni diçka
të shtoni?
BJ: Do të doja të shtoj vetëm diçka që më duhet ta
them patjetër, që është një kompliment për ju, z. Vahit, pasi në faqet e Zemrës
Shqiptare, prej jush përveç tjerash kam lexuar edhe ca artikuj shumë të bukur për këngën më të bukur në
botë, si dhe për shumë këngëtarë që nuk do të lindin më kurrë! Unë u përgëzoj
për punën që e bëni me një përkushtim të jashtëzakonshëm. U jam mirënjohës që
vlersoni veprat e mia dhe çmoni kontributin tim. Ndërgjegjja nuk më lejon ta
përmbyllë këtë intervistë pa i përshëndetë stafin e Zemrës Shqiptare, të gjithë
bashkëpuntorët dhe lexuesit e saj, adhuruesit e mi, si dhe të gjithë shqiptarët
anë e kand botës. Për mua ishte një kënaqësi e veçantë!
VN: Shumë faleminderit për fjalët
e mira, kënaqësi ishte edhe për ne, pasi kaluam çaste të këndshme, por, ne nuk
do të ndalemi këtu, vazhdimisht do të mundohemi që kontributin dhe veprat e
artistëve, mos t`i mbulojë pluhuri i harresës, por, t`ua përcjellim gjeneratave
që vijnë pas.
VN: Z. Jagodini, edhe një pyetje
të cilën jo pa qëllim e lam për në fund, si mendoni ju, a ka mundësi të kapësh
peshk e të mos lagesh!?
BJ: (I shkoi buza në gaz) E kuptova shumë mirë,
dhe unë do t`ua plotësoj dëshirën me gjithë qejf. Për ju do t`këndoj tri këngë,
dy nga repertori im, kurse një këngë nga këngëtari juaj i preferuar.
VN: (Pasi i
këndoj këngët) Të lumtë z. Jagodini, me të vërtetë paskeni edhe shumë
energji, këtë e dëshmuat me vepër. Edhe një herë shumë faleminderit për këto
këngë të bukura dhe nostalgjike, të cilat na krijuan emocione, si dhe për
nderin dhe mikpritjen bujare.
BJ: Me nder qofshi gjitmonë.
Kërçovë, nëntor 2019