Kerko: a
Shefqet Dibrani: Paradoksi dhe dogmat ideologjike
E diele, 22.09.2019, 11:18 AM
Letër ambasadorëve (10)
PARADOKSI
DHE DOGMAT IDEOLOGJIKE
Problemet
e brendshme në Kosovës janë të zgjidhshme, vetëm se duhet vullneti i Amerikës
dhe aleatëve të saj nga vendet e BE-së!
Shkruan:
Shefqet DIBRANI
PARADOKSI
IDEOLOGJIK
Të nderuar Ambasador dhe staf diplomatik, ka 20 vjet
Kosova është nën “VËZHGIM TË DREJTPËRDREJT NDËRKOMBËTAR”, por po ndodhin
paradokse të llojit të vet, ndërsa për gjendjen e përgjithshme të gjitha palët
vlerësojnë se nuk është e mirë. E formulova kështu për të qenë i pranueshëm nga
elita patriotike e cila bashkë me juve po e udhëheqin vendin drejt një kaosi të
përgjithshëm. Kosova për vite me radhë ishte nën protektoratin ndërkombëtar dhe
varej nga këshillat e juaja. Kurse Bashkësia Ndërkombëtare, për këto 20 vjet,
paska nxjerr këtë elitë të dobët udhëheqëse, d.m.th. se edukimi i dobët i kësaj
gjenerate iu vë edhe juve përpara përgjegjësisë, prandaj nuk ka vend për
entuziazëm dhe as për kritika të njëanshme të cilat janë bërë bajate, e aq më
pak kur thirrje të tilla i bëhen turmës për të seleksionuar këtë e atë partner
tuajin të gjertanishëm, i cili tashmë qenka kriminel, por drejtësia hesht
kundruall tyre.
Në vendin tim po aplikohen standarde të dyfishta që kanë
prodhuar paradoks ideologjik. Si duket e keqja përvetësohet kollaj, ndërsa
defektet riparohen ngadalë, andaj edhe rezultatet duhet të ndahen
proporcionalisht, megjithatë me një vullnet të përbashkët këto defekte mund të evitohen,
të riparohen e të tejkalohen me sukses. Këtu nuk kemi pse të dyshojmë, por
duhet vullneti juaj dhe i vendeve tuaja për të krijuar distancim nga
kriminelet, në mënyrë që populli ti njeh, e pastaj edhe të ndërmerren veprime
konkrete!
Niveli i tanishëm udhëheqës, ka bërë që askush të mos
jetë i kënaqur, veçmas gjenerata e re e cila është e zhgënjyer. Sipas disa
analizave, në Kosovë mbetet e kënaqura vetëm klientela dhe grupet e interesit
që janë bërë milioner, pa pasur fabrika dhe ndërmarrje profitabile. E kjo ka
ndodhur në një Kosovë të vogël dhe në një shtet të varfër, si pjesë e
kontinentit të vjetër i cili karshi shqiptarëve po prodhon paradokse të
njëpasnjëshme?!...
Ne jemi të sigurt se gjithë kjo katrahurë nuk ka mundur
me ndodhur pa e parë syri juaj. Jo pak klientela dhe grupet e interesit kanë
folur në emrin tuaj dhe të qeverive tuaja, duke mos përjashtuar as mundësinë e
një bashkëpunimi dhe të një përkrahje nga përfaqësues e misionar të
demokracisë, të cilët në vend të misionit diplomatik, paskan pasur interesin e
vet personal. Megjithatë po e ri përsërisim se gjendja në Kosovë nuk është aq
tragjike dhe nuk është aq kriminale sa po thuhet, përkatësisht sa po shkruan
shtypi në gjuhën shqipe i cili drejtohet nga një klientelë tjetër në shërbim të
klaneve politike. Ky shtyp dhe këto media më shumë po përçojnë imazhe negative
se sa kanë bërë përpjekje për të dal nga kjo amulli dhe nga kjo gjendje,
prandaj ndërhyrja juaj është domosdoshmëri dhe shpëtim për Kosovën.
Përderisa qeveritë e vendeve tuaja, nuk janë të gatshëm
për të themeluar një ekip që do të udhëhiqte Vetting ndaj strukturave politike,
e kemi të vështirë ta ndryshojmë gjendjen. Por kur të ndodhë një Vetting i
kësaj natyre, duhet fillimisht të nis brenda partive politike, për të parë se si
janë sistemuar, (jashtë rregullave dhe normave të partisë), klientela
dhe grupet e interesit të cilët tashmë kanë prekur kudo organizimin politik e
shtetëror, nga niveli më i ulët deri në atë qendror.
Pastaj një Vetting i tillë duhet bërë për kreun e partisë
për tu bindur se disa nga kryetarët janë të zgjedhur pa qenë anëtarë i partisë
të cilën e drejtojnë, që pastaj, për vite të tëra, në Kuvendet Zgjedhore, janë
rizgjedhur pa pasur kundërkandidat dhe pa lejuar të votohet në mënyrë të
fshehur. Të gjithë betohen në miqësinë e tyre të përhershme me SHBA-të dhe
BE-në, madje në profilet e tyre nëpër rrjetet sociale nxjerrin edhe fotografi
si dëshmi se me kënd takohen dhe kush i mbështet pikëpamjet e tyre kriminale.
Pra kryetarët e tillë, kryesisht janë zgjedhur në mënyrë antistatutare, por Ju
i keni pranuar, jeni takuar dhe madje disa (që cilësohen ndër më
kriminelet), i keni përkrahur!? Ata janë të kriminalizuar, ose vijnë si
mbetje e strukturave komuniste, ndërsa të gjithë e dimë se SHBA-të, më shumë se
një shekull udhëheqin luftë të gjithanshme antikomuniste.
Duke i llogaritur këto rrethana, ne mendojmë se nëse
dëshironi të prodhoni një gjeneratë të re, të pastër dhe jo të kriminalizuara,
fillimisht ai Vetting do të duhej të përqendrohej te kryesitë e partive të
cilat janë përgjegjëse për rrjetëzimin e klientelës së kriminalizuar, pastaj
nëse ky Vetting do të shtrihej në organet tjera të partisë siç janë “Këshilli
i Përgjithshëm”, “Këshilli Nacional”, e të ngjashme, ju do të
zbuloni se mbi 70% e tyre janë klientelë e grupeve kriminale që janë sistemuar
pa merita dhe në kundërshtim edhe me rregulloret e partive përkatëse. Pra pjesa
dërmuese e drejtuesve partiak, janë sistemuar pa iu nënshtruar formave të
brendshme zgjedhore, andaj vetvetiu shtrohet pyetja se çka mund të pritet nga
kjo gjeneratë, edhe nëse është nën moshën tridhjetëvjeçare, edhe nëse i ka të
rregullta të gjitha gradat akademike, kur të gjitha avancimet brenda partisë i
kanë të realizuara në kundërshtim me rregullat e brendshme dhe duke u bërë levë
e grupeve të interesit, duke u shtyrë me bërryla dhe duke i eliminuar elitën
intelektuale dhe veprimtarët e devotshëm partiak.
Një Vetting formal mund të bëhet edhe tashti me “Listat
Zgjedhore”, për të parë se çfarë ka ndodhur, jo vetëm tek një subjekt
politik, por pa përjashtim. Ata që do t’i zgjedh populli nga këto lista do të
prodhojnë përsëri kriza të tjera politike, sepse kriza morale tashmë në
shpirtin dhe vëmendjen e tyre ekziston. Kjo s’ka dyshim pasi me dhjetëra figura
publike dhe intelektual, vetëm një natë para se të mbylleshin ato lista, janë
futur si kuadër nëpër parti, janë sistemuar dhe kanë pranuar të jenë pjesë e
strukturës politike pa qenë kurrë anëtarë të asaj partie. Nga kjo që thamë, ku
ka krim më të madh se sa në emër të demokracisë lejohen këto manipulime dhe
pastaj Ju Ambasadorë të nderuar, i pritni në takime dhe shpresoni në një
udhëheqje të dinjitetshme nga njerëz të padinjitetshëm, gjeneratë kjo me moral
kaq të vrarë, që kanë pranuar me u sistemuar në njëzet emrat e parë nëpër
Listat Zgjedhore.
Të nderuar Ambasadorë, a lejohet nëpër vendet tuaja,
nëpër partitë e vendeve tuaja, dhe nëpër udhëheqjet partiake e shtetërore të
bëhen kaq abuzime me statutin dhe rregullat e brendshme partiake. Një gjë duhet
ta dini se “një hajn në Evropë ai është hajn edhe në Vatikan”,
përkthyer në shqip i bienë, se një politikan i avancuar brenda partisë duke i
shkelur të gjitha rregullat zgjedhore, këtë gjest do ta bart edhe në udhëheqje
shtetëror, prandaj ndalojuani turrin kësaj gjenerate e cila me perfiditet po e
shfrytëzon këtë tollovi për tu rreshtuar dhe për të përftuar, prandaj do të
ishte më mirë që hapin e parë ta bëni qysh tashti duke i verifikuar këto lista
për të parë se si i kanë rreshtuar grupet e interesit dhe një klientelë e
kriminalizuar. Kjo gjeneratë nuk i duhet Kosovës, aq më pak juve për të
ndërtuar partneritet dhe marrëdhënie të shëndosha.
A mund ta gjeni një shembull të vetëm
në Partitë Popullore dhe Demokratike në vendet e Bashkimit Evropian dhe kudo në
botën demokratike, ku ka ardhur në krye të partisë individi pa qenë kurrë
anëtarë i asaj partie, ndërsa kandidati a kandidatja
për kryeministër e lavdëron edhe kur e dinë se personi që lavdëron është me
damkën e një funksionari të lartë komunist. Pastaj i njëjti nuk ka lejuar, (në
të gjitha zgjedhjet e radhës), kundërkandidat dhe asnjëherë nuk ka lejuar
për t’iu nënshtruar votës së fshehtë. Nga kjo që thamë jam i sigurt se Ju nuk
do ta gjeni një rast të vetëm edhe në të gjitha vendet post komuniste që dikush
është zgjedhur në krye të një partie demokratike pa qenë anëtar i saj, aq më
tepër një funksionar komunist, me hipoteka nga e kaluara komuniste, i cili
tashmë për fatin e keq po mbështet nga përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe të
SHBA-ve. E kjo gjë nuk është aq e dhembshme, sa është trishtuese falsifikimi
dhe prezantimi i tyre si kuadër i ndershëm, i pranueshëm, me të cilët ju
mundeni për ti lëvizur proceset.
Të nderuar Ambasadorë, mos i përkëdhelni këta kandidat
dhe këto kandidatura sepse këtë nuk e lejoni të ndodhë në vendet tuaja, as në
partitë e vendeve tuaja, madje kjo nuk ka ndodhur askund në vendet post
komuniste, përveç në Kosovën tonë përplot paradokse, e cila kontrollohet nga
Bashkësia Ndërkombëtare, për tu shënuar edhe në Librin e Rekordeve Botërore
Guinness.
Një pyetje shumë e thjeshtë mund t’iu bëhet nëse mund të
pritet nga ky “Paradoks Demokratik”, që do të sjell rezultate pozitive
në Kosovën, në kohën kur dihet se kjo klientelë edhe shkollimin e ka bërë me
dallavere, edhe avancimin brenda partiak po ashtu e kanë bërë me dallavere,
prandaj pritshmëria duket e zbehtë, pasi as në udhëheqjen e shtetit nuk do të
sjellin rregullsi. Pra problemi është i thjesht, i dukshëm, por s’ka mekanizëm
për ta zbatuar, pasi nuk ka as kush urdhëron për të vepruar. Të gjitha
problemet e brendshme në Kosovë janë kollaj të zgjidhshme, vetëm duhet vullneti
i administratës Amerikane dhe ajo e Bashkimit Evropian për të vepruar. Një
preventivë qysh tash kishit mundur me zbatuar, kurse fill pas zgjedhjeve me
shkuar me fazën e dytë, dhe hiq më larg, nga janari i vitit tjetër me fazën e
tretë, për ta çelur syri pranverës Kosovën me shpresa të mëdha se në këtë vend
po rikthehet demokracia, dhe kjo po ndodhë, përsëri falë Amerikës dhe vendeve
të Bashkimit Evropian.
Të nderuar Ambasador dhe staf diplomatik, edhe kandidatët
për kryeministër nuk i keni të pastër, përjashtohen ata që nuk kanë udhëhequr
vet ose partia e tyre, të tjerët janë klientelë e rafinuar e provuar dhe me
përplot hipoteka, prandaj sa për ta ricikluar problemin nuk ka pasur nevojë për
të organizuar zgjedhje të cilat nga buxheti i Kosovës nxjerrin shpenzime
milionëshe, përmes të cilëve prodhojnë dëshpërime të reja dhe të pafalshme.
IDEOLOGJIA STALINISTE DHE PARADOKSI I
SHQIPTARËVE
Se gjatë gjithë historisë, shqiptarët i kanë përcjell
paradokse të mëdha kjo s’ka dyshim. Lufta e Dytë Botërore përfundoi me fitoren
e Aleancës Komuniste nga e cila më së shumti ka pësuar Gjermania. Ajo u nda në
dy zona të interesi. Lindje dhe Perëndim. Gjermania më shumë se gjysmë shekulli
barti dhembjet e ndëshkimit stalinist, por shqiptarët që jetuan në Gjermani pse
krijuan Frontin e Kuq Stalinist dhe vepruan atje mbi konceptet e Organizatave
Marksiste – Leniniste që iu prinin ish epror të shërbimit sekret Jugosllav. Por
ishte fati tragjik i Gjermanisë, pse vazhdimisht kemi shpresuar se Gjermani e
kupton më kollaj hallin e Kosovës dhe përgjithësisht të shqiptarëve nën
sundimin e diktaturave komuniste.
Nuk mund të mohohet dhe as nuk duhet të anashkalohet pa u
studiuar mirë si paska ndodhur që pikërisht në Gjermani të veprojnë “Fronti i
Kuq Popullor”, një organizatë ekstreme staliniste, të atij Josef Stalinit që ia
pa sherrin i gjithë kampi socialist, po më së shumti vet Gjermania, si dhe
“Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës”, e cila është udhëhequr nga një
epror i lartë i sigurimit të atëhershëm jugosllav. Cili ka qenë raporti i tyre
me strukturat politike e shtetërore në Gjermani dhe si ka mundësi edhe sot e
kësaj dite, bashke me sivëllezërit e tyre komunist nga LKK e LKJ, të jenë kaq
aktiv në jetën publike e mediatike në Kosovë, në kohën kur paskan qenë figurat
më të përfolura për krim dhe vrasje me motive politike.
Në anën tjetër Zvicra, lejonte veprimtarinë e Organizatës
Marksiste Leniniste të LPRK-së, kurse për vete qysh në vitin 1940, me ligj e ka
ndaluar veprimtarinë e Partisë Komuniste e themeluar qysh në vitin 1921. Partia
Komuniste e Zvicrës u bashkua në vitin 1943 me Federatën Socialiste të Zvicrës
në Partinë e Punës (PdA). Presidenti i saj i parë ishte Franz Welti. Themelimi
i saj dukej se ishte opozitë e Partisë Social Demokratike (PS). Ndoshta kjo
nostalgji vinte për vet faktin se Vladimir Iliq Lenin, kishte qëndruar si
azilant në Zvicër. Ndoshta janë këto nostalgji edhe te organizata e majtë
shqiptare LPRK-ja e cila emitonte doktrina të tilla. Në Zvicër, emancipimi
politik ka një traditë, e cila dëshmohet qysh nga vitet 1919 dhe 1920, kur
Partia Social Demokratike do të refuzojë të bashkohej me Kominternin, dhe
kështu provokoi ndarjen e pjesëve të partisë nën Franz Weltin. Në Kongresin e
Bashkimit të së Majtës Socialiste, më 5 dhe 6 mars 1921, që është mbajtur në
Cyrih, u bashkua grupi i Weltit me "Komunistët e Vjetër", një parti e
parë komuniste e themeluar nga Jakob Herzog, qysh në vitin 1918 dhe u vendosën
themelet e KPS. Veprimtarinë e Partisë Komuniste të Zvicrës, për vete shteti
Helvetik e ndaloi me ligj, ndërsa shqiptarët etnik e mbajtën frymën komuniste,
marksiste leniniste dhe staliniste, në shenjë falënderimi për Evropën që i
mbante në gjirin e saj. Ndoshta do të duhej të përjashtoheshin anëtarësia, se
kryesia e LPK-së, krerët e “Frontit të Kuq Popullor” dhe ata të “Organizatës
Marksiste Leniniste”, ishin të specializuar për këto doktrina që mbështeteshin
kryesisht nga Shqipëria komuniste e diktatorit Enver Hoxha. Çuditërisht, pas
vdekjes së Josef Stalinit, Enver Hoxha, do ta ashpërsojë luftën e klasave,
kurse qytetit në Kuçovë do t’ia vë emrin Stalin, e pastaj do të nis një
propagandë e ashpër kundër të gjitha vendeve të Paktit të Varshaves duke i
akuzuar për revizionizëm, atëherë kur BRSS dhe vendet e Paktit të Varshaves
bërë distancim nga diktatura e Stalinit duke i dënuar të gjitha krimet e bëra
nga ai sistem.
Pas rënies së diktaturës komunist nëpër këto vende, duke
përfshirë edhe Bashkimin Sovjetik, kanë bërë distancim nga ai sistem, janë
dënuar ato krime, përveç Shqipëria që nuk ka bërë asnjë distancim, si dhe në
Kosovë që kurrë nuk u bë një Vetting (distancim), nga nomenklatura e Lidhjes
Komuniste të Kosovës e as kundër doktrinave Marksiste-Leniniste, por çuditërisht
atyre veprimeve kreu komunist i LDK-së nuk ua heq asnjë prese, ndërsa profesor
të tjerë universitar, madje edhe studiues nga shkencat humane, e konsiderojnë
të majtën marksiste-leniniste dhe Frontin e Kuq Stalinist si organizata
patriotike, ndërsa dikush tjetër e cilëson si “romantizëm patriotik”.
PARADOKSI SI BESIM APO SI IDEOLOGJI FETARE
Në vendet e varfra me popullsi myslimane, kryesisht kemi
parti komuniste, edhe pse Kurani dhe doktrina komuniste e përjashtojnë
mundësinë e njëra tjetrës. Pra Kurani nuk lejon një myslimani të jetë komunist,
sikurse edhe komunizmi nuk lejon që ata të jenë fetar myslimanë. Ky është një
paradoks i cili qartë dominon edhe në vendet shqiptare, me theks të veçantë
edhe në Kosovë ku e vëzhgon Bashkësia Ndërkombëtare. Studiues të kësaj teorie
mendojnë se Komunizmi është një ideologji përmes së cilës mendohej të arrihej
ateizmi. Në anën tjetër “Vehabizmi” është një ideologji përmes së cilës
mendohet të arrihet e kundërta, prandaj edhe në hapësirën shqiptare, veçmas në Kosovë
ka thirrje të shumta për ta ndjekur versionin Vehabi të Islamit Sunit, dhe kjo
tendencë ka për qëllim të mos jetë falënderuese për ndihmën e Amerikës dhe të
Bashkimit Evropian që i kanë dhënë vendit tonë.
Ideologjia fetare “Vehabizëm” po përdor fenë si një mjet
për qëllime politike, prandaj mendohet se Komunizmi dhe Vehabizmi edhe pse kanë
dallime ideologjike, kanë ngjashmëri në mënyrën e veprimit midis dy koncepteve
diametralisht të kundërta. Por deri sa mendohet se komunizmi është tejkaluar,
në vendin tonë ka lëshuar rrënjë Vehabizmi ideologjik, pak i njohur më parë,
por kohëve të fundit dita – ditës po bëhet më agresiv, qoftë me pamjet e
jashtme, (mjekra, pantallonat dhe mbulesat e grave deri në mbulesën e
tërësishme me burka), e qoftë me ulërima nëpër ndeja e gazmende fetare.
Tashmë besohet se dalldisja e Vehabistëve po manifestohet si nacionalizëm
ideologjik po ngjallë një lloj urrejtje e cila manifestohet jo falënderuese për
miqtë dhe aleatët tanë. Çuditërisht shumë lider komunist, intelektual marksist
– leninist e kanë gjetur vetveten pikërisht tek doktrina e predikimit Vehabist,
e kjo gjë duket sikur këto dy ideologji në kohë krizash të kenë aleanca të
fshehura, ose të gjithë individët e deridjeshëm që ishin komunist, në masë të
madhe janë konvertuar në ritin Vehabist, prandaj janë të tillë, atëherë shumë
të egër tashmë egersisht të ashpër.
Një pjesë e tyre bëjnë propagandë për ndarje regjionale,
krahinore po më shumë kjo po vërehet në planin gjuhësorë ku të gjitha
kategoritë e shoqërisë, duke i përfshirë mediat, intelektualët dhe shkrimtarët
kanë ra pre e ideologjisë Vehabizmit, pasi të gjithë duket se po bëjnë gara për
ta shëmtuar sa më shumë realitetin jetësor dhe në planin foljor edhe gjuhën
shqipe. Tashmë shkrimtarë të caktuar janë bërë daulle e predikimit fetar, dhe
kjo vërehet kur secilit mendim të tyre i japin ngjyrime fetare duke e shqiptuar
dhe duke e shkruar një të folme arkaike që është pjesë e dialektit të
gegërishtes. Çuditërisht edhe pas përfundimit të luftës, edhe pse Rusia është treguar
mjaftë agresive dhe nuk e pranon Kosovën si shtet, e majta ideologjike ende
mendon se Bashkimi Kombëtar, arrihet vetëm përmes ideologjisë staliniste.
Sa i përket rrezikut nga grupet radikale me indikacione
fetare, kam shkruar herë pas here duke filluar qysh në vitin 1993, por askush
nuk e mori parasysh. Tashmë me Islamin Politik nuk ka problem vetëm vendi im,
por me vërshimin e Islamit të pakontrolluar, tash ka telashe e gjithë Evropa
dhe më tej. Paradoksi i gjithë këtij mishmashi është se shqiptarët e kanë
përqafuar një të keqe më kollaj se sa të gjitha udhëzimet dhe këshillimet që i
kanë sjell në vendin tonë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e
Bashkimit Evropian.
Në anën tjetër në disa vende të Bashkimit Evropian, me
ligj është e ndaluar Burka, kudo në vendet publike, kurse mbulesa e kokës,
sipas ritit islam, nëpër mjaftë institucione publike e shtetërore, ndërsa në
Kosovë po ndodh e kundërta, madje me përpjekje të vazhdueshme për t’i sistemuar
në parlament dhe pse jo nesër të kërkohet që Ministre e Punëve të Jashtme të
Kosovës të zgjidhet një grua e mbuluar me shami. Përveç standardeve të dyfishta
që po aplikohen në Kosovë, paradoks i llojit të vet është kur vende me ekonomi
gjigante nuk riatdhesojnë fëmijë të lindur në zonat e luftës, e as nuk
riatdhesojnë gra me burka, në Kosovë, tashmë janë rikthyer pa llogaritur në
pasojat e mundshme.
PARADOKSI SI IDEOLOGJI DEMOKRATIKE
Paradoks shumë i madh
është e dhëna kur EPP dhe CDU, përkrahin publikisht LDK-në, madje pa e bërë
asnjë Vetting formal mbi personalitetet e zgjedhura në LDK, dhe pa e vëzhguar
fare procesin zgjedhor. Krejt ajo që ka ndodhur është një falsifikim i
realitetit të cilin ua paskan prezantuar strukturat e një komunisti burokrat.
Tashmë duhet të pranohet se procesi zgjedhor brenda LDK-së, ia imponojë Kosovës
një garniturë të re udhëheqëse tejet e pa dinjitetshme të cilën e kontrollon
një teknokrat komunist që ka ardhur me mision në krye të partisë, madje pa qenë
më parë anëtarë i saj.
Le të flasin zyrtarët
politik nga EPP dhe CDU, çfarë iu paskan thënë partneret e tyre në Kosovë, dhe
pastaj le të tregojnë se ku e kemi edhe një rast të tillë në vendin e tyre. Si
ka mundësi EPP dhe CDU të pranojnë për të përkrahur një individ i cili në të
gjitha rizgjedhjet nuk ka pranuar me iu nënshtruar votës së fshehur, dhe as nuk
ka lejuar kundërkandidat! I thuhet edhe kësaj demokraci?!
Tashmë jemi të sigurt
se mbi 70% e Këshillit të Përgjithshëm dhe të Kryesisë së LDK-së, janë avancuar
nëpër poste udhëheqëse duke shkelur etikën e rregullores së brendshme, kanë
shkelur statusin e partisë dhe janë katapultuar me emërime e jo përmes
konkurrencës duke nisur nga kandidatja për kryeministre e gjerë tek i fundit.
Procesi i brendshëm zgjedhor në LDK ka shkuar në kundërshtim me parimet
themelore të demokracisë që aplikohet në vendet e BE-së, në vendet ku ka ndikim
EPP-ja dhe në Gjermanin, andaj i lusim zyrtaret perëndimor, pasi nuk kanë pasur
vullnet me i vëzhguar zgjedhjet e brendshme partiake, të mos përkrahen
struktura të cilat do t’i zhgënjejnë edhe zyrtaret e EPP-së, bile në një të
afërme jo aq të largët.
Ky veprim i nxituar
dhe kjo përkrahje blanko do të jetë dëshpëruese. Këtë përvojë Evropa e ka
përjetuar me Studentin e Universitetit në Calmare të Francës, prandaj
përfaqësuesit e vendeve mike nga BE dhe SHBA-ja , është mirë me hequr dorë nga
metodat që nuk kanë dhënë rezultate pozitive, sepse e gjithë kjo garniturë
politike, në të gjitha partitë politike, (duke mos përjashtuar as LDK-në),
kanë sistemuar grupe klienteliste antidemokratike, kriminale dhe aspak
profesionale brenda udhëheqjes së tyre dhe i kanë futur edhe nëpër Listat
Zgjedhore.
Diplomatët e
akredituar në Kosovë, dhe përfaqësuesit e BE dhe të SHBA-së, pasi nuk kanë bërë
vëzhgimin e zgjedhjeve partiake, pasi nuk kanë bërë as Vetting formal rreth
Listës së Kandidatëve nëpër parti politike, do të ishte mirë vetëm ta vëzhgojnë
këtë proces zgjedhor i cili nuk do të jap rezultate inkurajuese, por do të
ishte mirë qysh tash t’iu vihen standarde strukturës së ardhshme, të krijohet
një komision për verifikim, përkatësisht një Vetting, duke kushtëzuar me
ndershmërinë dhe pastërtinë e elitës, me mundësinë për të qëndruar deputet ose
person i zgjedhur në vendet udhëheqëse vetëm nëse janë të pastër.
E pasi të kryhet
procesi zgjedhor, janë edhe një milion mënyra, më pozitive për të shkuar drejt
qartësimit të problemeve, se sa me ia imponuar Kosovës një strukturë tjetër po
aq e klientelizuar, pasi pothuajse kudo shefat e tyre nëpër udhëheqje partish,
janë personat kundër të cilëve duhet të nisin proceset gjyqësor, e jo të
përkëdhelen gjoja për shkak të sëmundjes së liderit apo situatës në të cilën
gjendet Kosova. Pa një preventivë të duhur, do të kemi tërë një sistem me
damllanë e mentalitetit komunist, që si pikëpamje është një luftë
antidemokratike, anti-Bashkimi Evropian po më shumë një luftë e ashpër
antiamerikane.
Ndoshta do të ishte
me interes sikur të organizohej një dëgjim publik ose të bëhej një debat
televiziv. Kjo do të kishte sukses vetëm nëse paraprakisht do të izolohej edhe
klientela e analistëve të cilët po tallen me SHBA-të dhe po tallen edhe me
Kosovën. Kjo klientelë analistësh, ka më shumë se 40 vjet që janë prezent në
media dhe kudo në vendet publike, gjë që bashkë me kriminelët do të ishte mirë
me i izoluar duke i futur në karantinë të gjithë së bashku!
Vijon...
St. Gallen, 15 shtator 2019.
*Sh. Dibrani, është
autor i 25 librave të cilët kryesisht i trajtojnë zhvillimet politike në
Kosovë. Ai prej më shumë se tre dekadash jeton dhe vepron në Zvicër.
Temat tjera mund ti lexoni në lidhjet e më poshtme:
Pjesët tjera mund ti lexoni në profilin e autorit në FB, duke shfrytëzuar
lidhjet:
10/ Letër ambasadorëve / PARADOKSI DHE DOGMAT
IDEOLOGJIKE
9/ Letër ambasadorëve / DEMOKRACIA ËSHTË ABUZIM
I STATISTIKAVE
8/ Letër ambasadorëve / PËRKTHIMI I FOTOGRAFISË
7/ Letër ambasadorëve / SHKATËRRIMI I HISTORISË SË NJË POPULLI ËSHTË
DEGRADIM I VLERAVE DHE DEMOKRACISË
https://www.facebook.com/notes/shefqet-dibrani/let%C3%ABr-ambasador%C3%ABve-7-shkat%C3%ABrrimi-i-historis%C3%AB-s%C3%AB-nj%C3%AB-populli-%C3%ABsht%C3%AB-degradim-i-vle/10157726698052386/
6/ Letër ambasadorëve /
VETTING PËR KOSOVËN
https://www.facebook.com/notes/shefqet-dibrani/let%C3%ABr-ambasador%C3%ABve-6-vetting-p%C3%ABr-kosov%C3%ABn/10157715083312386/
5/ Letër ambasadorëve / FYTYRA E BRUKSELIT SHIHET NË
MERDARE
4/ Letër ambasadorëve / NEVOJA PËR VEPRIME PRAGMATIKE
3/ Letër ambasadorëve / STANDARDET E DYFISHTA https://www.facebook.com/notes/shefqet-dibrani/let%C3%ABr-ambasador%C3%ABve-3-standardet-e-dyfishta/10157698892392386/
2/ Letër ambasadorëve / MOS BËNI GABIM
1/ Letër ambasadorëve / REFUZIMI SHPËRFILLËS