Kerko: a
Enver Bytyçi: Kushtetuta e Kaçanikut - vlerë e civilizimit euro-atlantik të Kosovës!
E enjte, 12.09.2019, 07:16 PM
Kushtetuta e Kaçanikut - vlerë e civilizimit euro-atlantik të Kosovës!
Nga
Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi
Sot
29 vite më parë në Kaçanik u mblodh në ilegalitet Kuvendi i Kosovës dhe miratoi
Kushtetutën e Repiblikës. Ky akt i frymëzuar dhe udhëhequr nga lideri historik,
Dr. Ibrahim Rugova, përbën një ngjarje kulmore në përpjekjet dhe shprehjen e
vullnetit politik të shqiptarëve dhe qytetarëve të tjerë të Kosovës për
pavarësinë e vendit dhe shtetësinë e tij.
Kushtetuta
e 7 shtatorit 1990 e Kaçanikut ishte produkt i Deklaratës së Pavarësisë së
Kosovës të 2 korrikut 1990, deklaratë e cila u shpall nga 114 deputetë të
Krahinës Autonome Socialiste të Kosovës pas dhunimit të kësaj autonomie më 23
mars 1989 nga ana e regjimit serb të Milosheviçit. Kjo Kushtetutë vuri themelet
e shtetësisë së Kosovës dhe përbën një ngjarje madhore në historinë e saj.
Pavarësia e Kosovës u shpall de juro më 2 korrik 1990 dhe u jetësua më 7
shtator 1990.
Edhe
pse shteti i ri i Kosovës u krijua në fakt në vitin 1990, për shkak të
pushtimit dhe sundimit të Serbisë në këtë vend, ai nuk mundi të implementohet.
Por Kushtetuta e Kaçanikut do të mbetet në historinë e luftës së shqiptarëve
për shtetformim si një akt i parevokueshëm, si një ngjarje shumë madhore, do të
jetë simboli i rezistencës së shqiptarëve për liri, demokraci e shteformim. Ata
që formuluan Kushtetutën e Kaçanikut ishin dhe do të mbeten korifejtë e shtetit
modern e demokratik të Kosovës.
Kushtetuta
e 7 shtatorit 1990 ishte kushtetuta e parë e bazuar në parimet e demokracisë
dhe të lirisë në Europën Lindore ish-komuniste. Ishte kushtetuta e parë, me të
cilën shqiptarët dëshmuan se i përmbahen me rigorozitet vlerave euro-atlantike
të Perendimit. Çdo nen i asaj kushtetute shpreh tolerancë dhe respekt për të
drejtën e çdo qytetari të vendit për ushtrimin e lirisë së besimit, të
mendimit, të organizimit, të vetëqeverisjes, si dhe të lirisë së iniciativës së
lirë.
Pas
7 shtatorit janë hartuar disa kushtetuta demokratike në Kosovë e në të gjithë
rajonin. Por asnjë prej tyre, madje as Kushtetuta e Ahtisaarit e 15 prillit
2009 e Kosovës, nuk është aq e hapur, aq konstruktive, aq demokratike, aq e
kompletuar me të gjithë elementët e lirisë perendimore euro-atlantike, sa
Kushtetuta e 7 shtatorit e vitit 1990 e miratuar nga Kuvendi I Kosovës në
Kaçanik.
Me
këtë rast shqiptarët duhet edhe njëherë t'i falenderohen vizionit properendimor
dhe atdhetar të liderit dhe personalitetit politik më të spikatur të të gjitha
kohërave, Doktor Ibrahim Rugovës. Vetëm një mendje e ndritur dhe e hapur si
mendja e Rugovës mund të frymëzonte një akt të tillë të jashtëzakonshëm! Duhen
nderuar për jetë mendjet e ndritura të juristëve profesorë dhe akademikë të
kohës, të cilët e hartuan tekstin e asaj kushtetute, që në shekuj do t'u bëjë
nder shqiptarëve, sepse do të shërbejë si dokument i qytetërimit dhe
civilizimit perendimor në Kosovë!
Dhe
së fundmi, mësimi që del nga ajo kushtetutë ka të bëjë me luftën për ta arritur
dhe njëherë atë nivel civilizimi euro-atlantik si para 29 vitesh, atë formë dhe
model bashkimi vlerash dhe forcash si atëherë, atë kapacitet dijesh dhe kulture
politike, si në kohën e të madhit Ibrahim Rugova!