Mendime
Adil Fetahu: Arsimi inatçor i minoritetit serb në Kosovë
E enjte, 05.09.2019, 09:33 PM
ARSIMI INATÇOR I MINORITETIT SERB NË KOSOVË
Nga Adil
FETAHU
-E drejta e arsimimit në gjuhën e minoriteteve, nuk iu jep atyre të drejtë ta injorojnë e kundërshtojnë
shtetin në të cilin jetojnë
-Institucionet arsimore serbe doemos duhet të integrohen në sistemin e
arsimit të Kosovës
E drejta e arsimimit të minoriteteve
E drejta për arsimim është një nga të drejtat themelore të njeriut, ngase
me arsimim njeriu aftësohet edhe për realizimin e të drejtave tjera ekonomike,
sociale, politike, kulturore, arritje shkencore e statusore, etj. Kjo e drejtë garantohet me kushtetuta dhe ligje të shteteve si dhe me shumë parime, norma e rekomandime të dokumenteve të së
drejtës ndërkombëtare.
Pothuajse nuk ka shtet në botë
krejtësisht etnikisht i pastër, njënacional, por brenda tyre kanë
minoritete, bashkësi e grupe të përkatësive të ndryshme, racore, etnike,
gjuhësore, fetare, kulturore etj.
Konsiderohet se në botë ka minoritete e grupe etnike 22 herë më shumë se
sa ka shtete anëtare të KB. Prandaj,
shumë parime, norma dhe rekomandime, kombëtare e
ndërkombëtare kanë të bëjnë me garantimin e të drejtës së arsimimit të minoriteteve, grupeve dhe bashkësive me
të vogla etnike. Në disa shtete kjo e
drejtë është e mohuar (psh.në Greqi,
Turqi, Francë), në disa të tjera është e kufizuar, në disa të tjera është më e
avancuar, përtej standardeve ndërkombëtare.
Në Republikën e Kosovës, si shtet i ri që gati për një dekadë ishte nën
administrimin e Kombeve të Bashkuara, të drejtat e minoriteteve janë përcaktuar
me standardet më të larta të drejtave që mund t’i ketë një minoritet a grup
etnik. Dhe ky përcaktim ka vazhduar dhe është avancuar edhe pas shpalljes së
pavarësisë dhe miratimit të Kushtetutës së Kosovës, e mbështetur kryesisht në
Propozimin Gjithpërfshirës së emisarit të KB, Marti Ahtisari (shkurt 2007).
Sot, e drejta e arsimimit të minoriteteve në Kosovës është e garantuar me Kushtetutë
dhe me ligje përkatëse, sipas një të ashtuquajturi “diskriminim pozitiv”, duke
caktuar kushte e favore më të përshtatshme për minoritetet se sa për popullsinë
shumicë (shqiptare), veçmas për minoritetin serb, çfarë nuk ka asnjë minoritet
në botë!
Sa i përket përdorimit të gjuhës, sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës (2008), gjuhë
zyrtare në Repblikën e Kosovës janë gjuha Shqipe dhe gjuha Serbe, edhepse
minoriteti serb në Kosovë nuk e arrinë 5% të popullsisë së Kosovës. Gjuha
Turke, Boshnjake dhe ajo Rome kanë statusin e gjuhës zyrtare në nivel komune
ose do të jenë në përdorim zyrtar në cilindo nivel në pajtim me ligjin
(Kushtetuta, neni 3 par. 1 dhe 2). Në nenin 57 par.1, është përcaktuar se “për banorët
që i përkasin një grupi të njëjtë kombëtar ose etnik, gjuhësor ose fetar,
tradicionalisht të pranishëm në territorin e Republikës së Kosovës
(komunitetet), gëzojnë të drejta të veçanta të përcaktuara me këtë Kushtetutë,
kahas të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të përcaktuara në kapitullin
II të kësaj Kushtetute”. Kur është fjala për të drejtat e arsimimit të
pjesëtarëve të minoriteteve dhe komuniteteve, Kushtetuta (neni 59 par. 2, 3, 4)
ka përcaktuar se ata “marrin arsimim publik në të gjitha nivelet, në njërën
nga gjuhët zyrtare të Kosovës, sipas zgjedhjes së tyre, në nivelin parafillor,
fillor dhe të mesëm, në gjuhën e tyre, deri në masën e përcaktuar me ligj, ku
pragu për themelimin e paraleleve a shkollave të veçanta për këtë qëllim do të
jetë më i ulët sesa ai që përcaktohet rëndom për institucionet arsimore. Ata
kanë të drejtë të themelojnë dhe të menaxhojnë institucione private të arsimit
dhe trajnimit, për të cilat mund të jepet ndihma financiae publike, në pajtim
me ligjin dhe me standardet ndërkombëtare”.
Por, qytetarët e një vendi, krahas të drejtave kanë edhe detyrime dhe
përgjegjësi ndaj shtetit. Një nga detyrimet kryesore është ai se duhet të sillen e veprojnë në pajtim me
ligjet e shtetit (neni 57 par.4 i Kushtetutës), ndërkaq minoritetit serb nuk ia
ndien për kushtetutën, ligjet as
institucionet e shtetit të Kosovës! Ata
vetëm Serbinë e njohin si shtet të tyre!
Përveç garancioneve me Kushtetutë, kushtet, mënyra, procedurat, rrjeti i
institucioneve, financimi i tyre dhe çështje tjera, janë përcaktuar edhe me një
numër të madh të ligjeve relevante dhe akteve nënligjore lidhur me arsimin,
ndër të cilat vlenë të përmendën:
Ligji për Arsimimin Parauniversitar,
Ligji për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave dhe Interesave të
Bashkësive dhe të Anëtarëve të tyre,
Ligji për Arsimin në Komunat e Kosovës,
Ligji për Përdorimin e Gjuhëve në Kosovë
Ligji për Arsimin Parashkollor në Kosovë,
Ligji për Vetëqeverisjen Lokale,
Ligji për Arsimimin e të Rriturve në Kosovë,
Ligji për Arsimimin dhe Ushtrimin Profesional.
Të drejtat për arsimim të minoriteteve dhe të grupeve etnike janë të garantuara edhe me parime dhe norma
të shumë konventave, marrëveshjeve dhe instrumenteve tjera ndërkombëtare, të
cilat në Kosovë janë të zbatueshme drejtëpërdrejtë dhe me përparësi kundrejt
Kushtetutës dhe ligjeve vendore (neni 22 i Kushtetutës së Reublikës së
Kosovës), edhepse Kosova nuk është palë nënshkruese të asnjë prej tyre!
Serbët me kryeneçësi mohojnë shtetin, sistemin dhe
institucionet e Kosovës
Përkundër të gjitha garancave kushtetuese e ligjore dhe kushteve e
përparësive që iu jepën serbëve për arsimim në
gjuhën dhe kulturën e tyre, në të gjitha nivelet, të manipuluar e
ndikuar nga politika nacionaliste-hegjemoniste
serbomadhe e Beogradit, ata nuk kanë pranuar sistemin as programin arsimor të Kosovës dhe tërë
kohën janë mbajtur në sistemin dhe programin e Serbisë. Kështu, në Kosovë
funksionojnë paralelisht dy sisteme arsimore. Sistemi arsimor i Kosovës, sipas
të cilit mësimi zhvillohet në gjuhë: Shqipe,
Turke, Boshnjake dhe Rome, varësisht nga përcaktimi i pjesëtarëve të
secilit nacionalitet. Ndërkaq, serbët mësojnë sipas sistemit dhe programit arsimor të Serbisë, ndërsa në shkollat e tyre mësimi zhvillohet (vetëm) në gjuhën serbe,
edhepse institucionet parauniversitare financohen edhe nga buxheti i Kosovës,
respektivisht përmes buxhetit të vetëqeverisjes lokale (komunave). Sistemet dhe
programet mësimore dallojnë prej njëri-tjetrit. Në sistemin arsimor të Kosovës
shkolla fillore zgjatë 9 vjet, e shkolla e mesme 3 vjet. Në sistemin e Serbisë
shkolla fillore zgjatë 8 vjet, ndërsa ajo e mesme 4 vjet. Programet arsimore
nga lëndët shoqërore janë krejtësisht të ndryshme. Sipas legjislacionit të
Serbisë tërë sistemi arsimor është i
centralizuar, në kompetencë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Zhvillimit
Teknologjik. Vetëm institucionet parashkollore janë në kompetencë të
vetëqeverisjes lokale (komunave). Ndërkaq, legjislacioni i Kosovës ka bërë
decentralizimin e sistemit arsimor, ashtu që edukimi parashkollor dhe arsimimi publik
në shkollat fillore dhe ato të mesme është në kompetencë ekskluzive të
komunave: themelimi dhe licencimi i shkollave, rekrutimi, pagat dhe aftësimi i
kuadrove dhe personelit administrativ.
Për shkak të bojkotimit dhe mosnjohjes së institucioneve të shtetit të
Kosovës, shkollat serbe nuk dërgojnë kurrëfar raporti as të dhëna Ministrisë së
Arsimit as Agjensionit të Statistikave të Kosovës. Nga ana tjetër, as në
web-faqet e Ministrisë së Arsimit as të Entit të Statistikave të Serbisë, nuk
jepen shënime për rrjetin e shkollave, numrin e nxënësve e studentëve në
shkollat dhe fakultetet serbe në Kosovë. Të dhëna për këto, në mënyrë indirekte
mund të gjendën në raporte e deklarata të udhëheqësve serbë nga mbledhje të
ndryshme, por sa janë ato të besueshme? Sipas deklaratës së ministrit të
Arsimit të Serbisë, Sharçeviq, nga mbledhja me drejtorët e shkollave të mesme
serbe të Kosovës, të mbajtur në Rahavec, në janar të vitit 2018, në Kosovë
funksionojnë 120 shkolla serbe, prej të cilave 33 janë shkolla të mesme, por
nuk ka dhënë kurrëfar shënimi statistikor për numrin e nxënësve në ato shkolla.
Ndërkaq, nga një studim i Institutit për Zhvillim Ekonomik Rajonal (InTER), të
cilin e ka financuar Ambasada e Zvicrës në Kosovë (2017), shihet se në vitin 2016 në katër komuna në
pjesën veriore të Kosovës, në sistemin arsimor të Serbisë kanë funksionuar 6
ente parashkollore, në të cilat kanë qenë 1783 fëmijë, me të cilët kanë punuar
175 edukatorë, dhe kishin 383 punonjës tjerë. Në 16 shkolla fillore, me 56
paralele, mësimet i kanë ndjekur 4101 nxënës, me të cilët kanë punuar 536
mësues-arsimtarë, që raporti mësues/arsimtar – nxënës, del të jet 1:7,7, apo
16,1 nxënës për një paralele. Në 10 shkolla të mesme, me 137 paralele, të
profileve të ndryshme, kishte 2174 nxënës, 454 arsimtarë, që mesatarisht del se
për një paralele kishte 15,9 nxënës, apo raporti arsimtar- nxënës 1:4,8. Në të
njëjtën kohë, në 10 fakultete dhe 3 shkolla të larta të Universitetit (serb) të
Mitrovicës, kishte 9761 studentë, 965 mësimdhënës dhe 1815 punonjës tjetër, që
në mesatare del raporti 1 mësimdhënës për 10,1 studentë.
Sipas të dhënave të mësipërme, del se numri i nxënësve në shkollat fillore
e të mesme, dhe numri i studentëve në fakultete e shkolla të larta, në raport
me numrin e paraleleve dhe me numrin e mësimdhënësve, është dukshëm nën
kriterin e caktuar me ligjet përkatëse të Kosovës dhe kjo paraqet barrë për
buxhetin e Kosovës, nga financohen shkollat krahas financimit që bënë edhe
Serbia për to. Ligjet e Kosovës për arsimin në komuna, respektivisht për
vetëqeverisjen lokale, duke paraparë lehtësira e favore për minoritetet, kanë përcaktuar raportin mësimdhënës – nxënës
1:14,2 për shkollat fillore dhe gjimnazet, ndërsa 1:11,5 për shkollat
profesionale. Për shkollat e popullsisë shumicë (shqiptare) ky raport ka prag
më të lartë (1:21,3; respektivisht 1:17,2). Por, siç sihet nga të dhënat e
mësipërme, në shkollat fillore dhe të mesme serbe në pjesën veriore të Kosovës,
ky prag është shkelur dukshëm nën nivelin ligjor (7,7 në shkollat fillore dhe 4,8
në shkollat e mesme). Në enklavat tjera serbe në Kosovë, kjo gjendje është
ndoshta edhe më e disfavorshme në raport me legjislacionin.
(Mos)njohja reciproke e diplomave
Të dy sistemet arsimore që funksionojnë në Kosovë, nuk kanë kurrëfar
marrëdhënie, kontakti as bashkëpunimi
reciprok. Përkundrazi, as nuk e njohin njëri tjetrin. Dhe kjo mosnjohje midis
sistemeve, ka bërë që as diplomat e lëshuara nga njëri sistem, nuk i njeh
sistemi tjetër, as sa i përket kualifikimit për punësim në sektorin publik, as
sa i përket regjistrimit dhe vazhdimit
të shkollimit në nivelet më të larta të arsimimit, apo për provime e
licencime të ndryshme profesionale e shtetërore. Në vitin 2008, 2011, 2013 e 2016 janë zhvilluar disa bisedime e nënshkruar disa marrëveshje të lidhura në Bruksel për
njohjen reciproke të diplomave, por në praktikë nuk kanë dhënë rezultate, për
shkak të obstruksioneve, kushteve, kompetencave, afateve, procedurave dhe
pengesave tjera që ka paraqitur qeveria e Serbisë, e cila nuk pranon kurrëfar shenje të shtetësisë së Kosovës. Por, deri sa
për studetët serbë të diplomuar në
Universitetin e Mitrovicës, është gjetur një zgjidhje e lehtë dhe e favorshme
për njohjen e diplomave të tyre, me ndërmjetësimin e një organizate
joqeveritare: Qendra Europiane për Pakicat (ECMI) që vepron në Kosovë, për
studentët shqiptarë të diplomuar në universitetet e Kosovës nuk është gjetur
zgjidhje e përshtatshme, ngase Serbia e komplikon me kushte, afate, kompetenca
dhe procedura të ndërlikuara. Kështu, me
ndërmjetësimin e ECMI-së, deri në janar të vitit 2019, nga 1628 kërkesa të
paraqitura, janë verifikuar e “nostrifikuar” 1547 diploma të Universitetit serb
të Mitrovicës, 38 janë refuzuar (7 kërkesa ishin jo të kompletuara), ndërsa 85
ishin në procedurë të shqyrtimit. Procesi i njohjës së diplomave praktikisht po
zhvillohet në mënyrë unilaterale (të njëanshme), vetëm nga pala kosovare e në
favor të serbëve, por jo edhe nga Serbia në favor të shqiptrëve. Sepse, me
ndërmjetësimin e ECMI-së, janë çertifikuar
vetëm 5 diploma të lëshuara nga universitetet shqiptare të Kosovës, ndërsa më heret, në vitin 2012, përmes Asociacionit Europian
të Universiteteve, janë verifikuar dhe
njohur 74 diploma, kryesisht të shqiptarëve të Luginës së Preshevës të cilët
kanë kryer shkollimin në Kosovë.
Kështu, pas përfundimit të luftës së armatosur dhe çlirimit të Kosovës,
prej vitit 1999, është duke u zhvlluar një luftë e ftohtë midis Kosovës e Serbisë, nepërmes sistemit të
arsimit, por jo vetëm përmes arsimit, veçse edhe përmes sistemteve dhe institucioneve tjera publike (shëndetësisë,
sigurimeve sociale, ndërmarrjeve publike, kulturës, gjyqësisë, vetëqeverisjes,
lokale, etj). Deri kur do të vazhdojë kjo luftë e ftohtë, apo të gjenerojë në
një formë tjetër, nuk mund ta dijë askush? Serbia është kërcënim permanent dhe
jo vetëm ndaj Kosovës!
Si e ka zgjidhur Kroacia arsimin e minoritetit serb
Si shtet hegjemonist e pushtues që ka qenë Serbia, përveçse brenda shtetit
të vet që ka 25 grupe minoritete dhe etni të ndryshme, në vendet të cilat i ka
pushtuar gjatë historisë, ka lënë, si vetë e qyqes, një minoritet destruktiv
serb. Sipas regjistrimit të popullsisë (2011), Republika e Kroacisë kishte
4.284.889 banorë, prej tyre 328.738 banorë u përkasin 22 minoriteteve dhe grupeve të ndryshme etnike,
ndër të cilët 17.513 ishin Shqiptarë. Me gjithë shpërnguljen e serbëve nga aksioni “Oluja” (Stuhia, 1995),
në Kroaci minoriteti serb është me numrin më të madh: 186.633 banorë, apo 4,36%
të numrin të përgjithshëm të popullsisë së Kroacisë. Do të thotë, në numra
absolut, serbë ka më shumë në Kroaci se në Kosovë. Megjithatë, serbët e
Kroacisë e kanë “ulur bishtin” e shtrirë qafen, dhe do të jenë të kënaqur me
realizimin e të drejtave më elementare të parapara me standardet ndërkombëtare
dhe me Kushtetutën e ligjet e shtetit ku jetojnë.
Edukimi dhe arsimimi i pakicave kombëtare (minoriteteve) në Kroaci
zhvillohet sipas programit dhe në kuadër të sistemit të arsimit të Kroacisë.
Nuk mund të bëhet fjalë për program e sistem të Serbisë as kurrëfar paralelizmi.
Kroacia si shtet anëtare e Bashkimit Europian e ka ratifikuar Kartën Europiane
për gjuhët rajonale dhe të pakicave, dhe iu përmbahet atyre standardeve. Pjesëtarët e minoriteteve kanë të drejtë të
shkollimit në gjuhën e tyre amtare, në të gjitha nivelet e arsimit, prej
nivelit parashkollor deri në atë universitar. Kushtet materiale dhe objektet
shkollore i siguron themeluesi (publik, ose privat). Mësimi dhe edukimi në institucionet parashkollore zhvillohet në
të dy gjuhët: në gjuhën e pakicës së caktuar, dhe së paku 10 orë në javë program i caktuar në
gjuhën kroate.
Në vitin shkollor 2016/2017, në të gjitha nivelet e arsimit në Kroaci
kishte 67 institucione arsimore me 3607 pjesëtarë të pakicës serbe që i ndjekin
mësimet në gjuhën dhe alfabetin e tyre, në të cilat punonin 679 mësues dhe arsimtarë. Në shkollat fillore
dhe ato të mesme zbatohen tri modele të arsimimit të pjesëtarëve të
minoriteteve (modelet: A, B, C). Sipas modelit A, në shkollat ose paralelet e minoriteteve,
tërë mësimi zhvillohet në gjuhën dhe alfabetin e tyre, me obligim të mësimit të
gjuhës kroate aq orë sa mësojnë gjuhën amtare.
Sipas modelit B, në shkolla kroate, ka paralele të veçanta ku mësimi
zhvillohet në dy gjuhë: grupi lëndëve shkencore-natyrore zhvillohet në gjuhën
kroate, ndërsa grupi i lëndëve shoqërore – në gjuhën e pakicës. Në modelin C,
krahas mësimit të rregullt që zhvillohet
në gjuhën kroate, mësohet për gjuhën dhe kulturën e pakicës, gjithsejt 2 – 5
orë mësimi në javë (gjuhë e letërsi të minoritetit të caktuar, gjeografi,
histori,muzikë, art figurativ). Për të gjithë nxënësit e pakicave, për të cilët
nuk mund të organizohet mësimi sipas modeleve A, B ose C, organizohen forma të
posaçme të mësimit: seminare, shkolla verore ose dimërore, mësimi konsultativ
me korespodencë, etj.
Përfundim
Përkundër bisedimeve të gjata (teknike) të zhvilluara midis Kosovës e
Serbisë, dhe marrëveshjeve të nënshkruara, më 2008, 2011, 2013 e 2016, me të
cilat parashihej integrimi i institucioneve publike të Serbisë të cilat
funksionojnë në Kosovë edhe pas çlirimit, deri më sot asgjë nuk është arritur
në integrimin e arsimit serb në sistemin arsimor të Kosovës. Përkundrazi,
ndarja dhe kundërshtimi i arsimit serb veçsa është thelluar e fuqizuar më
tepër, në të gjitha nivelet. Qeveritë e Kosovës, njëra pas tjetrës, secila më e
dobët se e para, nuk kanë arritur vet as me bashkësinë ndërkombëtare ta
integrojnë, edhe përkundër të gjitha kushteve dhe favoreve të ofruara, çfare
nuk i ka asnjë minoritet në botë! Derisa arsimi i shqiptarëve të Luginës së
Preshevës vuan të zitë e ullirit nga diskriminimi e presioni i pushtetit serb,
është absurd kur politikanët tanë përmendin fjalën reciprociet, e
s’bëjnë asgjë dhe nuk zbatohet për asgjë prej saj!
Serbët e Kosovës dhe Serbia zyrtare e “arsyetojnë” funksionimin e sistemit
të tyre arsimor në Kosovë me rolin që ka arsimi për mbetjen e qëndrueshme të
serbëve në Kosovë. Ata pretendojnë që pas themelimit të “Zajednicës”
(bashkësisë së komunave serbe), ajo do të merr kompetencat e Qeverisë së
Serbisë për të udhëhequr e menaxhuar funksionimin e institucioneve publike të
Serbisë në Kosovë, ndër të cilat, sipas tyre, sistemi i arsimit është më i
madhi dhe më i rëndësishmi. Se deri kur Kosova mund ta durojë këtë gjendje
absurde, mbetet të shihet?
Sipas standardeve ndërkombëtare për të drejtat e pakicave, ato kanë të
drejtë dhe duhet t’iu mundësohet të marrin pjesë në shqyrtimin dhe miratimin e
vendimeve të cilat kanë të bëjnë me të drejtat dhe interesat e tyre, por nuk
kanë të drejtë të bllokojnë institucionet demokratike në marrjen e vendimeve
dhe miratimin e ligjeve të shtetit, siç po vepron minoriteti serb, duke u
mbështetur në mundësinë që u jep Kushtetuta e Kosovës e bërë sipas Planit të
Ahtisarit e kundër parimit demokratik të legjitimitetit të shumicës.
Në Rekomandimet e Hagës për të drejtat e pakicave kombëtare për arsimim
në gjuhën e tyre, njëkohësisht rekomandohet edhe mësimi i gjuhës zyrtare,
të shumicës, për t’u integruar më lehtë në shoqërinë në të cilën jetojnë
(rek.1). Minoritetet kanë të drejtë të themelojnë dhe udhëheqin institucione të tyre private të
arsimit, në pajtim me legjislacionin e vendit (r.8). Gjuha zyrtare, e shumicës,
duhet të jetë lëndë e rregullt mësimi në shkollat e pakicave edhe për shumë
lëndë tjera mësimore (r.12; 13). Arsimi interkultural duhet të mundësojë
njohjen e historisë, kulturës dhe traditës reciproke. Sipas rekomandimeve të
përmendura, e drejta e pakicës për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit të vet,
është e barabartë me detyrimin dhe përgjegjësinë e saj për t’u integruar në bashkësinë
e gjërë të shtetit ku jeton. Shteti gjithmonë ka të drejtën e mbikqyrjes së
institucioneve arsimore, qofshin ato publike a private. Prandaj, sistemi
arsimor i minoritetit serb, doemos duhet të shkëputet nga sistemi arsimor i
Serbisë dhe të integrohet plotësisht në sistemin arsimor të Kosovës, duke
gëzuar të gjitha të drejtat dhe favoret që i ofron ky sistem.