Kerko: a
Shefqet Dibrani: Përkthimi i fotografisë
E enjte, 05.09.2019, 08:57 PM
Letër ambasadorëve (8)
PËRKTHIMI I FOTOGRAFISË
Problemet e brendshme në Kosovës janë të
zgjidhshme, vetëm se duhet vullneti i Amerikës dhe aleatëve të saj nga vendet e
BE-së!...
Shkruan: Shefqet
DIBRANI
Marrë nga interneti!
Të nderuar
Ambasadorë dhe përfaqësues të Misioneve Ndërkombëtare në Kosovë, Kosova ka një elitë intelektuale që është rritur
dhe emancipuar nën frikën e përgjimit të “Partisë Shtet”. Elitë që ka
përjetuar traumat e shantazhit komunist, dhunën komuniste, përçmimin dhe
degradimin moral, atëherë nga eprorë të sigurimit shtetëror, tash elita
intelektuale e Kosovës, po përjeton izolim, linçim dhe degradim nga bijtë e vet
plëngprishës të cilët kanë arritur tua mbyllin gojën gati të gjithëve. Për më
keq elita intelektuale është duke përjetuar edhe nënçmimin, përbuzjen dhe
shpërfilljen e Ambasadorëve dhe të përfaqësuesve të Misioneve Ndërkombëtare në
Kosovë. Për shkak të asaj kohe që kishin përjetuar tmerr, të paktën në këto
vitet e pasluftës elita intelektuale në Kosovë, është dashur të ketë një
tretman ma të mirë dhe të vlerësohej ashtu si e meriton.
Pavarësisht
rrethanave historike që kaloi vendi ynë, pavarësisht izolimit, injorimit dhe
shantazhit që kishin, në çdo periudhë historike, Kosova kishte një elitë
kryengritëse e cila është vënë në ballë të proceseve dhe ndryshimeve, të paktën
ka pas përpjekje të tilla për t’iu prirë proceseve, ashtu siç kemi edhe tashti
disa përpjekje për të reformuar institucionin përkatës, por edhe atëherë janë
penguar nga dikush, sikurse tashti që po pengohen nga rrjetëzimi i klaneve dhe
grupeve të interesit, të cilat kanë arritur të mbajnë popullin nën zapt, për të
mos shkuar e për të mos i dëgjuar intelektualët, prandaj këto nisma nuk kanë
dhënë rezultatet e dëshiruara, për vet faktin se nuk janë përkrahur sa duhet
nga turma popullore. Çuditërisht pjesë e turmës dhe e masave u bë edhe
Bashkësia Ndërkombëtare, edhe Ambasadorët e vendeve mike të akredituar në
Kosovë, por edhe përfaqësues të tjerë nëpër Misione Ndërkombëtare në Kosovë,
d.m.th. nuk ishin në funksion të momentit, prandaj nuk janë përkrahur intelektualët
të cilët deshën të bëjnë reforma dhe ndryshime.
Mospërkrahje e
intelektualëve nuk mund të kategorizohet si vullnet qytetar, në kohën kur kemi
një vetëdije të ulët qytetare dhe një rrjetëzim të fuqishëm. Kjo shtresë
gjithmonë është më e lehtë për tu nënshtruar nga pushtetarët, kurse koha e
internetit dhe e rrjeteve sociale ka qit në pah edhe militantë dhe përkrahës
voluntar të këtyre rrjetëzimeve kriminale, që pa fije pengese po i kryejnë detyrat
për grupet e interesit, të cilat si duket janë pozicionuar nëpër udhëheqje
politike a shtetërore. Kjo kategori e vullnetarëve, e cila kryesisht është pa
pagesë, edhe pse janë kategori me ngritje të ulët qytetare, edhe pse kanë pak
arsimim, janë në gjendje të ta bëjnë gjyqin mediatik në një afat rekord. Në
anën tjetër me sa kemi njohuri askush nuk është përballur përpara drejtësisë
për fjalën e pamatur publike, dhe nuk dimi nëse organet e sigurisë dhe të
drejtësisë kanë bërë përpjekje për ta ndal e ndëshkuar këtë avaz.
Në këtë vazhdë të
diskriminimeve mediatike kategorizohen fyerjet, shpifjet dhe akuzat e rënda, që
bëhen në adresë të intelektualëve, për ti detyruar ata që të heqin dorë nga
përpjekja për të bërë reforma dhe për ta ndryshuar gjendjen. Për fat të keq,
kjo kategori e intelektualëve u detyrua të hesht edhe për mungesë vullneti që
patën Ambasadorët dhe Misionet Ndërkombëtare në Kosovë për ti përkrahur e për
ti mbështetur, e pse jo edhe për ti ruajtur. Thjesht intelektualët po heshtin
nga pamundësia e tyre për të vepruar, për tu përballur me secilin që shpif e
gënjen nëpër rrjetet sociale, dhe duke mos parë dritë diku në tunel, dhe duke
mos shpresuar se do të mbështetën e do të përkrahen nga Ambasadorët e vendeve
që kanë investuar shumë në Kosovë, Elita Intelektuale e Kosovës po detyrohet të
heshtë.
Pavarësisht se çfarë
thotë teoria mbi fjalën e lirë publike, ne mendojmë se nuk ka fjalë të lirë
publike kur cenohet personaliteti i intelektualit dhe kur cenohet siguria
shtetërore. Vetëm atëherë kur mediat luajnë rolin e prokurorëve dhe hetuesve,
pa drojtje ndërhyjnë në çështjet e drejtësisë, prandaj shpifin kundër miqve,
kundër aleatëve dhe Misioneve Ndërkombëtare në Kosovë, ku pa fije frike ua
nxijnë jetën me gënjeshtra të pa kripta etj.
“Fjalë e lirë”, nuk mund të konsiderohet shpifja dhe rrena,
veçmas atëherë kur lëndohet personaliteti i figurave publike. Vetëm tek ne në
Kosovë mund të ndodhë, kur një injorant të përrallisë, kurse “mediat e lira”,
ta bëjnë gropën pa u frikësuar se duhet të japin llogari për veprimin dhe
fjalët jo të sakta.
Të nderuar
Ambasadorë, intelektualët shqiptarë po shantazhohen për çdo ditë, nga bandat e
kriminalizuara që janë kapërthurur nëpër parti politike e në institucione
shtetërore. Ata tashmë janë drejtues dhe përfaqësues të cilët për çdo ditë
përqafohen dhe fotografohen me juve dhe me përfaqësues të Misioneve
Ndërkombëtare në Kosovë. E çuditërisht edhe përpara jush ata po deklarojnë se
edhe ata janë kundër korrupsionit, flasin kundër hajnisë e kundër nepotizmit,
në kohën kur vet vjedhin sa munden dhe nepotizmin e kanë zgjatur edhe për në
shekullin tjetër. Ata janë analfabet, prandaj bëjnë shumë gabime në të folur
dhe në të shkruar, por ata nuk ndalen së këshilluara, kurse elita intelektuale
duhet të zbres në nivelin e tyre përndryshe do të satanizohet. Sot flasin për
vlera, ata të cilat për vete nuk i kanë, flasin për arritje që nuk i kanë parë
kurrë, flasin për lirinë të cilën ua grabitën atyre që luftuan, flasin për
demokracinë teknokrat të LKJ-së, dhe çuditërisht atyre iu besohen reformat dhe
pritet shumë nga ta, madje vetëm ata po përgëzohen edhe nga Ambasadorët të
cilëve iu kanë prezantuar fotografi të falsifikuara, CV-të e përmirësuara.
Kështu zinxhiri i së
keqes po zgjatet e zgjatet deri në marrëzi, prandaj është krijuar kjo mjegull e
cila ka prodhuar këtë kaos të gjithmbarshëm, nga i cili shoqëria jonë sall
vetëm nuk mundet me dal kurrë, pasi rrjetëzimi i grupeve kriminale është më i
fuqishëm se sa elita intelektuale, andaj pengohen reformat e domosdoshme. Janë këto
arsye pse insistojmë se kjo krizë morale mund të tejkalohet vetëm nëse
Bashkësia Ndërkombëtare dhe vendet mike kanë vullnet dhe mirëkuptim për t’i
ndihmuar intelektualët të cilët janë të gatshëm për tu angazhuar sa më shumë.
Kjo thirrje e
vazhdueshme bëhet si domosdoshmëri intelektuale, sepse grupet e interesit
s’kanë drojën e drejtësisë as të sigurimit të shtetit, veçmas ju duhet të
reagoni kur ato grupe vazhdimisht flasin e këlthasin për partneritetin e
përhershëm që kanë me Bashkimin Evropian dhe me Shtetet e Bashkuara të
Amerikës. Ata udhëtojnë të papenguar drejt këtyre vendeve, dhe për ta bindur
popullin se kanë mbështetjen tuaj lëshojnë deklarata e akuza kundër
intelektualëve në Kosovë. E kjo ka ndodhur edhe gjatë vizitës së tyre në
Bruksel, Berlin, Londër dhe SHBA. Sigurisht kjo bëhet vetëm sa për të krijuar
panik dhe pasiguri tek intelektualët. Në anën tjetër qëndron intelektuali dhe
qytetari i rëndom i cili është izoluar dhe injoruar përpara syve të
Ambasadorëve dhe përpara syve të Misioneve Ndërkombëtare që operojnë në Kosovë.
Deri më sot nuk kam
parë vullnet të grupeve kriminale për tu zmbrapsur, për tu tërhequr dhe për të
mos u përzierë edhe në zgjedhjet e radhës. Për paradoks të të gjithave, kemi
politikan të sëmurë dhe madje edhe të paralizuar, të cilët menduakan deri në
natën e varrit, të mos lëshojnë pe, nga frika e ndëshkimit që mund të bie mbi
ta. Ky mentalitet është dashur të çrrënjoset që moti, por nuk është vonë as
tani. Bashkësia Ndërkombëtare në Kosovë, Ambasadorët e akredituar në Kosovë,
është mirë nëpërmes trysnisë për ti detyruar grupet e interesit për të hequr
nga mendja se për të qenë i privilegjuar, fillimisht duhet me u veshur me
petkun politik ose me pushtetin shtetëror. Po ashtu duhet me u çrrënjosur ky
botëkuptim se për të jetuar i privilegjuar duhet me u rreshtuar në partitë
politike, d.m.th. në Kosovë ka nevojë për tua çrrënjosur bindjen se pa qenë në
hierarkinë politike nuk mundesh për ta rregulluar bazën ekonomike duhet me u
kapërthurur majave të politikës.
Kjo klientelë
menduaka se kështu vjen mbështetja ndërkombëtare, të cilës, dorën në zemër nuk
po iu mungon, pasi misione diplomatike e tjetër fare po shoqërohen e
fotografohen me ta, kurse në anën tjetër nuk janë duke treguar vullnet të
mjaftueshëm dhe as gatishmëri për tu reformuar e ndryshuar. Për fat të keq nuk
po ndodhë asnjë përkrahje për iniciativa të reja të cilave iu prijnë
intelektualët e devotshëm dhe ata që nuk janë të korruptuar, gjë që ka ndikuar
, për tu krijuar ky dëshpërim kaq i madh. Thjesht, Ambasadorët nuk u treguan të
guximshëm për të folur pa ekuivokë, për ta zgjatur gishtin drejt kriminelëve,
drejt atyre që e lypin ndëshkimin publik, kurse në anën tjetër bëjnë thirrje të
mos votohen kriminelet dhe partitë që kanë kriminel. Ky mentaliteti është një paradoks
i llojit të vet, i cili mund të kuptohet vetëm atëherë kur Ambasadorët dhe
Misionet Ndërkombëtare do të kuptojnë, se të gjitha qortimet e tyre në adresë
të klasës politike, do të amortizohen përmes një fotografie, qoftë ajo e rastit
e cila po përkthehet si votë mbështetëse e Ambasadorit, përkatësisht e shtetit
përkatës, d.m.th. deri aty ka shkuar mendja e politikanit dhe grupeve kriminale
për ta gënjyer popullin e vet, prandaj Ambasadorët dhe përfaqësuesit e
Misioneve Ndërkombëtare, do të ishte mirë për ta korrigjuar e përmirësuar
pozitën dhe qëndrimin e tyre karshi strukturës politike për të cilën flitet se
është e kriminalizuara. Diplomatët besoj se e kanë të qartë se nuk është kah
funksionon, d.m.th. diçka nuk është në rregull.
Është mirë t’iu thuhet
Ambasadorëve se kjo kastë politike, edhe nëse qortohet nga Ju, nuk e ka aq
dert, pasi atyre po ju mjaftuakan fotografimet dhe buzëqeshjet e juaja, qofshin
ato buzëqeshje të ftohta, sepse përmes përkthimit, ngrohtësinë demagogjike e
krijojnë mediat e kriminalizuara, të cilat ka 20 vjet po e mashtrojnë popullit
e vet, duke u bërë pasqyrë e rrejshme për realitetit që duken në Kosovë, qoftë
karshi ndërkombëtarëve dhe në anën tjetër rrejshëm informojnë për gjoja se e
paskan përkrahjet tuaj të gjitha ato grupe kriminale, kundër të cilave është
drejtuar gishti.
Se elita
intelektuale ka bërë përpjekje për reforma kemi mjaftë shembuj, por ata zëra
mbyten brenda subjekteve politike duke i penguar, linçuar dhe përjashtuar nga
partia. Pastaj strukturat e dyta dhe të treta të këtij rrjetëzimi e kanë vrarë
fjalën e lirë, e kanë penguar votën e fshehtë dhe nuk lejojnë nisma të reja
qofshin ato edhe për reforma apo nisma që i sjellin progres substancial vendit
tonë.
KATËR SHEMBUJ QË
PËRSONIFIKOJNË INTELEKTUALIT E PËRKUSHTUAR
1. REKTORI I
UNIVERSITETIT TË PRISHTINËS, PROF. DR. RAMDAN ZEJNULLAHU
Shembulli i
intelektualit kryengritës mund të merret prof. dr. Ramadan Zejnullahu, i cili
pat vullnet për ta reformuar Universitetin e Kosovës në Prishtinë. Ky
universitet edhe sot lëngon nga ndëshkimet që ia bëri Serbia para luftës,
ndërsa e majta ideologjike pas luftës e ka katandisur të tërin. Edhe pse prof.
dr. Ramadan Zejnullahu, pat përkrahje të madhe nga struktura intelektuale në
Universitetin e Prishtinës, përpjekjet e tij u penguan drejtpërdrejtë nga elita
politike mjaftë e kriminalizuara, e cila ishte e të gjitha partive pa
përjashtim. Edhe pse masa të gjera popullore dhe grupe studentësh ishin në
përkrahjen e rektorit, mungoi vullneti i Bashkësisë Ndërkombëtare, mungoi vullneti
i Ambasadorëve dhe i Misioneve të tjera Ndërkombëtare në Kosovë, për ti
përkrahur reformat në Universitet. Pa dyshim, Prof. dr. Ramadan Zejnullahu,
u pengua nga të gjitha grupimet politike. Pas dorëheqjes së tij nga posti i
rektorit, gjendja menjëherë u qetësua por niveli arsimor vazhdimisht po
kritikohet, pikërisht nga heshtakët ndërkombëtar të akredituar në Kosovë, ose
nga organizata që monitorojnë proceset arsimore nga vendet e tyre. Kjo praktikë
e standardeve të dyfishta duhet të eliminohet sa më shpejt, kurse populli i
Kosovës pret mbështetjen e Ambasadorëve në raste të tilla. Nuk mjaftojnë
deklaratat patetike pasi të mbyllen proceset, por në fillimet e tyre, atëherë
kur është koha. Thirrja e Ambasadorëve drejtuar popullit të Kosovës, që të mos
i votojnë kriminelet dhe as partitë që i kanë sistemuar kriminelët, pa e
themeluar Vettingun, bie në kundërshtime të mëdha me praktikat reale, pasi kjo
kastë e kriminalizuar, me kohë i ka eliminuar intelektualët. E ndonjë rast i
rrallë që mund t’iu ketë shpëtuar, siç ishte rasti me rektorin e universitetit,
atëherë futet në funksion dora e fort e shtetit e cila forcohet edhe më tepër
nga heshtja në kohë të duhur e Ambasadorëve dhe organizatave ndërkombëtare që
monitorojnë gjendjen në Kosovë, qoftë ai moniterim në aspektin politik apo
edukativo arsimor.
2. PROKURORI I PROKURORISË SË POSAÇME TË KOSOVËS ELEZ
BLAKAJ
Prokurori i
Prokurorisë së Posaçme të Kosovës, Elez Blakaj, më 20 gusht 2018, në profilin e
tij në Facebook, bëri publike shkaqet që quan deri te dorëheqja e tij, e cila
lidhej me guximin intelektual për të reaguar kundër keqpërdorimeve me listat e
veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Edhe mediat në Kosovë patën
shkruar se dorëheqja e tij lidhej me kërcënimet që i janë barë për punën e tij
profesionale. Deklarata kërcënuese kundër tij janë lëshuar edhe nga drejtues të
lart institucional dhe shtetëror. Ka pasur edhe reagime nga Ambasadorët,
megjithatë prokurori Elez Blakaj, u detyrua të emigroj jashtë atdheut. Kjo
është ajo e keqja e madhe. A kanë mjaftuar vetëm deklaratat e ambasadorëve në
mbrojtje morale të një prokurori, jeta e të cilit ishte rrezikuar para syve
tuaj nga banda kriminale për të cilat vazhdimisht flasin dhe kritikojnë
Ambasadorët të cilët praktikisht pak veprojnë. Në vend se këta Ambasador të
shkonin në dy – tre zyra përkatëse dhe të kërkonin përgjegjësi vetëm nga dy –
tre zyrtar në udhëheqje të shtetit, ata lëshojnë deklaratat patetike. Vetëm kaq
është dashur të shkojnë në tri zyre dhe të takojnë vetëm tre persona! Pse përkëdhelen
kriminelet, në vend se t’iu thoshin: “Nëse prokurorit Elez Blakaj i mungon
vetëm një qime floku ju do të merreni në përgjegjësi dhe kaq. Kështu është
dashur për ta mbrojtur jo aq një individ, sa për ta mbrojtur një profesionist
të guximshëm, një intelektual, po më shumë për ta mbrojtur një proces të tërë
dhe njëkohësit për t’i inkurajuar prokuroret tjerë për të guxuar, ashtu siç
pati guximin intelektual e profesional prokurori Elez Blakaj. Edhe sa do të
presim për tu sakrifikuar edhe një prokuror tjetër?!...
3. HISTORIANI JUSUF
BUXHOVI
Shkrimtari dhe
historiani Jusuf Buxhovi, në emisionin televiziv “Rubikon” të datës
11.07.2019, shfaqi mendime të guximshme, pasi e vërteta është guxim. Por
ndodhën reagime të ashpra, siç thuhet nga ata që patën mizën pas veshi.
Kryesisht reagimet ishin paragjykime të parafrazuara, kurse akuzat kundër Jusuf
Buxhovit, ishin të tepruara dhe kërcënuese. Një lukuni e tërë u qua peshë
kundër tij. Nëse profesionistët dhe prokurorët do të merreshin me deklaratat
publike të historianit që i tha në atë emision, nuk do të gjenin asgjë për tu
gjykuar si teprim a si e pavërtetë. Madje njëri nga zyrtarët më të lartë i cili
prej vitesh akuzohej se i printe një organizate mbi të cilën rëndojnë akuza për
vrasje të rënda me motive politike, gjatë vizitës së tij në SHBA u shpreh se, “personi
që ka deklaruar, është një fosil që s’i ndihmon qartësimit të së vërtetës për
vrasjet e pasluftës”, (KOHA DITORE, 16 korrik 2019).
Në atë emision,
historiani Jusuf Buxhovi, deklaroi se “Lufta ka pasur shumë gjëra të këqija,
pasi janë vrarë mbi 100 zyrtarë të LDK-së”. Kjo deklaratë e historianit, i
cili ishte njëri prej themeluesve të LDK-së, pat ngjallur reagime të shumta.
Kundër kësaj deklarate, kanë reaguar të gjithë krerët e partive të mëdha
politike, madje edhe zyrtar të caktuar shtetëror, për ta bërë groteskun edhe më
të shëmtuar, pikërisht përmes “Zërit të Amerikës”, nga Uashingtoni, një
përfaqësues i shtetit duke e quajtur fosil Jusuf Buxhovin, bëri përpjekje për
të krijuar një imazh të rrejshëm se ai e paska mbështetjen e SHBA-së.
Çuditërisht kundër atij kërcënimi shtetëror nuk reagoi as Ambasadori i SHBA-së
në Kosovë dhe askush nga Misionet Ndërkombëtare në Kosovë. Edhe ky rast u hesht
për t’iu lënë stuhisë e cila po eliminon elitën intelektuale dhe figurat e
njohura publike.
4. DEGËT E LDK-së NË
DIASPORË
Në kuadër të
zgjedhjeve të brendshme partiake, dy Degët e LDK në Diasporë, ajo në Zvicër dhe
Gjermani, më 10 maj 2015, mbajtën Kuvendin e VIII Zgjedhor, nga i cili dolën
kryetar Shefqet Dibrani, për Degën në Zvicër ndërsa Donikë Gërvalla për atë në
Gjermani. Edhe pse Kuvendet ishin të rregullta, madje ai në Zvicër u cilësua
ndër ma të mirët qysh prej themelimit, kryesia e LDK-së në Prishtinë dhe
kryetari i saj Isa Mustafa do t’i anulojnë këto zgjedhje. As ai por askush nga
kryesia nuk kanë pasur kuraje me u ulur dhe me i shqyrtuar ato parregullsi nëse
ka pas. Çuditërisht edhe kësaj mënyre Ambasadorët e vendeve aleate në Kosovë
dhe EPP-ja, (The European People’s Party), i bënë temena, i përulet dhe e
përkrahin. Duke ua pamundësuar dy intelektalëve për të vazhduar karrierën e
tyre në LDK, edhe pse i pari ishte njëri nga themeluesit kurse Donikë Gërvalla
qysh në fillimet e saj, u dëshmua se metodologjia e mentalitetit komunist është
bërë pjesë programore e zgjedhjeve nëpër partitë politike në Kosovë.
Deklaratat e shumta
publike, reagimet dhe komentet nuk bënë punë, pasi asnjë institucion përkatës i
Kosovës nuk është marrë me këtë çështje. Pra, as Prokurori i Shtetit dhe as
sektorët përkatës të drejtësisë, as Komisioni Qendror Zgjedhor i Republikës së
Kosovës, madje ne këtë çështje nuk janë përzier asnjë Organizatë Joqeveritare
që i monitorojnë proceset zgjedhore, madje as Këshilli për Mbrojtjen e të
Drejtave dhe Lirive të Njeriut dhe as Avokati i Popullit. Ndërsa një pjesë e
mediave shpejt u rrështua kah pushtetarët duke u solidarizuar me ta për krimin
që bënin mbi demokracinë e brisht kosovare dhe veçmas mbi dy intelektual që
jetonin në Evropë.
Për këto shkelje
klasike do të duhej të niseshin procedura penale, për tu ndëshkuar kriminelet
që bënin krim mbi procesin zgjedhor dhe demokracinë në përgjithsi. Madje nuk ka
reaguar askush nga ata Ambasadorë të cilët po thërrasin të mos votohen
kriminelet dhe as partitë politike që i kanë brenda, asnjë nga përfaqësuesit
diplomatik në Misionet Ndërkombëtare në Kosovë, sidomos ata që përcjellin
zhvillimin e demokracisë dhe proceset e brendshme zgjedhore.
Para syve të tyre po
instalohej një diktaturë të cilës i printe një teknokrat komunist i cili ka ardhur
me mision në krye të LDK-së, madje në mënyrë të pandergjegjshme dhe
antistautare. Por ankronike e këtyre standardeve do të mbetet se dy proceset
zgjedhore në Degët e LDK-së kanë ndodhur në dy vende me demokracinë më të
lartë, dhe me format më të avancuara në zgjedhjet e brendshme, por nuk patën
asnjë interesim për të ndihmuar intelektualët dhe për t’ia shpëtuar fytyrën
EPP, (The European People’s Party), e cila karshi Kosovës po ndjek një standard
të dyfisht, veçmas kur dihet se kësaj partie i prin një teknokrat komunist që
ka ardhur në krye të LDK-së pa qenë kurrë më parë anëtarë i kësaj partie.
PËRFUNDIM
Ne morëm vetëm këta
4 shembuj, pasi jemi të pafuqishëm për t’i përmendur 400 heroizmat tjerë në
nivele më të ulëta për të cilët nuk merakoset askush. Të gjitha këto shkelje
bëhen përpara syve të popullit dhe të intelektualëve, përpara syrit të miqve
tanë dhe përpara syve të Ambasadorëve të vendeve mike. Kosova tashmë është
shndërruar në një kazan në të cilin zihet gjithçka, por më së paku prodhohet demokracia
për të cilën flasin të gjithë, thërrasin të gjithë, kurse vetëm kriminelet po
krenohen duke na mbajtur leksione neve dhe përfaqësuesve diplomatik të
akredituar në Kosovë, të cilët janë lodhur duke dëgjuar proçka të tilla nga ata
të cilët janë fajtor për gjendjen e tanishme.
Janë këto arsye pse
ne kemi bërë thirrje të vazhdueshme për verifikimin e personalitetit të secilit
kandidat që hynë në zgjedhje dhe për ata që pretendojnë për të udhëhequr vendin
tonë. Në të kundërtën zhgënjimi i popullit është i madh pasi atë as nuk e pyet
por as nuk e dëgjon askush.
Nga kjo qasje vijmë
në përfundim se nuk duhet të fyhet intelektuali pse nuk iu prin reformave në
arsim, siç ishte rasti i prof. dr. Ramadan Zejnullahu, as nuk do të ketë më
prokuror që sakrifikon jetën e vet dhe të familjes siç bëri prokurori Elez
Blakaj. Tashmë Kosova nuk ka as historian dhe dijetar që do ta ketë guximin e
Jusuf Buxhovit për të folur qartë dhe drejtpërdrejt, dhe më nuk do të ketë as
veprimtar e intelektual brenda subjekteve politike që do ta kenë guximin e
Donikë Gërvallës dhe as të autorit të këtyre letrave për tu sakrifikuar, pasi
nuk u lejuan të bëjnë reforma edhe pse vepronin në vendet më demokratike të
Evropës, aty ku EPP, (The European People’s Party), ka rol specifik mbi demokracinë
Evropiane duke përjashtuar vetëm LDK-në e Kosovës që udhëhiqet nga një
teknokrat komunist i cili mision ka për ta shkatërruar LDK-në, Kosovën dhe tërë
planetin demokratik.
Iu bëjë thirrje
publike të gjithë Ambasadorëve dhe përfaqësuesve diplomatik në Misionet
Ndërkombëtare në Kosovë, për t’i marrë seriozisht këto vërejtje publike, nëse
ata dëshirojnë për ta ndryshuar shpejt e mirë gjendjen në Kosovë, në të
kundërtën pasojat do të jenë edhe më të mëdha!
Vijon...
St. Gallen, 3
shtator 2019.
*Sh.
Dibrani, është autor i 25 librave, në të cilët kryesisht trajtohen
zhvillimet politike në Kosovë. Autori që nga viti 1984 jeton dhe vepron në
Zvicër.