Kerko: Resmi Osmani
Resmi Osmani: Vendlindja e munguar
E enjte, 23.05.2019, 07:28 PM
VENDLINDJA
E MUNGUAR
Skicë
meditative
Nga
Resmi Osmani
Sa
herë kam ditlindjen, por jo vetëm,kujtohem edhe për vendlindjen. Është një
dukuri natyrore.Nënat diku na lindin. Ajo është vendlindja jonë, që na shkruhet
në dokumentat e identitetit dhe që ne e përmendim sa jemi gjallë. Piskama ime e
parë që lajmëroi ardhjen time në jetë, u dëgjua në pesë maj të njëmijë e nëndëqind e dyzetës në
një shtëpi të gurtë dykatëshe të ngritur
në kodër, të lagjes Dobrat të fshatit Mazrek në Çamëri. Atje hodha hapat e
parë, shqiptova nënë dhe babë, u bëra kater vjeç.Ç’farë mbaj mend? Shtëpinë e
madhe që zbardhte nga gëlqëeja, Avllinë e gurtë, rreth së cilës gumzhinin
kosheret e bletëve,ullinjtë, fiqtë , dardhat, bajamet dhe shegët në yrtin
jashtë avllisë dhe më tej kodrat e lagjeve të tjera që rrethonin fushën e
Mazrekut ku kishim arat….. U shperngulëm me dhunë.Babain e vranë zervistët një
ditë terrori dhe maskrash të përgjakshme në Filat, para syve tanë.Ishte
tridhjet e dy vjeç. Atë ditë vranë e masakruan shtatëdhjet e kater burra.I bënë
kurban për megalidenë. Nuk e dimë,nëse i varrosën apo i lanë pre për egërsirat.
Vendlindja mbeti e braktisur përtej kufirit.
Kur
hym në Shqipëri, pas shumë bredhjesh, përfunduam në një fshat të myzeqesë së
Fierit, që quhej Havaleas. Aty kalova vitet e fëmijërisë dhe fillimit të
pragrinisë. Me shumë halle pa gëzime. I kujtoj ato vende, ashtu si I
përfytyroja atëhere me fantazinë fëminore: retë në qiellin vjeshtor si ca kuaj
ajrorë të azdisur, shiun si lotët e zemërimit qiellor, kodrën si një mal të
lartë, fushën si një hapësirë të pafund gjer në bregdet, arat me grurë dhe
luledielli me kaptinëzat e arta, shkollën e vogël në një kodër, mes pyllit dhe
varreve në dhomat e kishës, tingëllimin bubullues te kambanave dhe nderimin
deri në adhurim për mësuesit, bashkënxënësit, shokët dhe shoqet. Por(ah kjo por)
ne nuk ndjeheshim mirë. Vendësit ne na quanin ardhacakë, muhaxhirë came.Paçka
se të njëjtit komb për ta ishim njëfarsoj të huaj, disi të ndryshëm prej tyre,
nga tjetër vend, me tjetër dialekt me ca të tjera zakone. Që s’bënin krushqi e
miqësi me ne, as na merrnin as na jepnin vajzat. E ndjeja, ai fshat s’ishte
vendlindja ime.Thjesht,ishte një vend ku na kishte hedhur për të jetuar furtuna
e jetës.
Fier,1952-1958.
U shperngulem nga fshati. Qyteti në fushë, lumi Gjanicës në mes, ndertesa të
ulta, veç dy ndërtesa të larta, djathtas lartohej kambanarja e kishës së Shengjergjit, në të majtë fabrika e miellit e
Nebi Gjatës. Afër qëndrës në të djathtë të rrugës së Semanit, tregu I
çertexhinjve(çikrrimtarëve dhe bakallëve.)
Për mua që vija nga fshati, qyteti ishte botë e re, me plot të
panjohura, që nisa ti zbuloja ditë pas dite.Sido i veshur varfërisht dhe i
kequshqyer, s’ju ndava shkollës. Mësoja me zell.Mësuesit ishin të kënaqur. Dy
ishin zbulimet e para: biblioteka dhe Shtëpia e Pionierit, të vendosura në dy
ngrehina të bukura. U antarësova. Nisa të lexoj si i babëzitur, ç’të më binte
në dorë.Librat më fusnin në një tjetër botë, ndryshe nga ajo që jetoja, më
nxisnin fantazinë dhe përfytyrimin,ta shihja me tjetër sy jetën. Një shok që
zura ato kohë, e kishte patur të atin librashitës dhe kishte në shtëpi një
bibliotekë të tërë. Atij i mora Kontin e Montekristos,Urën e Psherëtimave dhe
sa e sa libra te tjera, që për kohën ishin të ndaluara.Në Shtëpinë e Pionierit
u regjistrova në rrethin e letërsisë.Vitet iknin, rritesha, hyra në moshën e
rinisë, rrethi i shokëvë u zgjerua, shëtisnim neteve me hënë, fantazonim dhe
ëndërronim, na u zgjua dëshira për të zënë shoqe dhe në zemër regëtiu ajo
ndjenja e vagullt molisëse që I paraprin dashurisë……. Shumë kujtime, e si mund
të harrohen ngjarjet, shoqëria, ëndërrat dëshirat, përsiatjet, fantazitë,
përfytyrimet e së ardhmes e asaj që ishte mosha e rinisë që e përjetova në
qytetin e Fierit? E doja, por e ndjeja,
e përjetoja, ai ishte qyteti i vendbanimit, por jo i vendlindjes, rrënjët e
familjes dhe fisit tim ishin gjetk. Për
vendësit ne ishim të ardhur nga Çamëria, disi ndryshe prej tyre, të ardhur nga
një vend i panjohur për ta. Sidoqoftë, atje është një fragment i jetës sime, i
viteve të rinisë së hershme.
Vitet
1958-1963. Studimet në Institutin e Lartë Shtetëror të Bujqësisë.
Pas
diplomimit, mora emërimin në Berat. Berati mu shfaq si qytet i ëndërrt,
Mangalemi me shtëpitë njëmbinjë, Gorica, ura e gurtë me harqe, Gorica matanë
lumit, kalaja, qyteti me bukuri të
veçantë. Punova në Fidanishten e Ullirit
në Otllakë, rreth katër kilometra nga qyteti. Ishte një qytezë e vogël,
me familje të ardhura nga Skrapari dhe malësitë e Beratit. Bëheshin rreth 120
puntorë. Me ‘ta punova një dekadë. U lidha ngusht, më donin dhe i desha, i
mësova dhe më mësuan.Më kujtojnë dhe I kujtoj sot e kësaj dite. Fidanat e
prodhuar të ullirit i kapërcejnë dy milion. Me ‘ta janë gjelbëruar kodrat e
Beratit, Fierit, Lushnjes e deri në sarandë e shkodër. Me fidanat e
drufrutoreve u mbollën pemëtore e plantacione. Ata janë edhe pjesë e punës,
dijes dhe aplikimeve tekniko-shkencore të mijat. Sa herë më vjen rasti dhe i
shoh ,nuk mund të mos më kujtohen vitet e asaj pune të frytshme, që transformoj
pamjen e kodrave dhe krijoi një peisazh të ri. Aty u rrita profesionalisht,
nisa kërkimet dhe studimet shkencore,
aplikimin e teknikave të reja bashkëkohore. E desha dhe përmallohem për
Beratin. Aty krijova familje, më lindën dy djemtë e mi, ai është vendlindja e
tyre, por….Jo e imja.
Tirana
dhe e gjithë Shqipëria.Më 1976 u transferova në Tiranë. Ka 43 vite që jetoj në
kryeqytet, e ndjej veten kryeqytetas, pjesë të tij, por jo “Tirons”.Për hir të
detyrave që kam ushtruar, i kam rënë vendit kryq e tërthor,gjurmët e mia kanë
mbetur nga Vermoshi në Konispol, nga perëndimi në lindje, kam bërë miq e shokë,
por qoftë edhe si me shaka nuk rrinin pa më thënë: ah ti çam… Dhe unë e ndjeja
që më mungonte vendlindja. Për arsye pune e shërbimi, që në vitet 80-të e më
pas, pashë disa kryeqytete, qytete dhe krahina në hapsirën europiane dhe
afrikane: Paris, Romë, Madrid, Budapest, Bruksel, Ameterdam, Stamboll,
Beograd,Sofje, Algjer, Tunis, Vjenë, Frankfurt. Më pëlqyen, admirova bukuritë e
tyre. Por sa kalonte java, më ngrihej mendja për Shqipërinë. Pa dashur të hiqem
si ndonjë patriot i madh, asnjëherë nuk më shkoi ndërmend të qëndroja
përgjithmonë në ndonjerin prej tyre. I bëja vetes dhe bashkëshokëve pyetjen:
kur do të arrijmë edhe ne ta bëjmë Shqipërinë tonë si gjithë Europa? Në kthim,
kur nga dritaret e avionit shihja fushën e ultesirës sonë bregdetare, më kapnin
emocionet dhe kur prekja pistën e Rinasit, ku më prisnin ime shoqe dhe fëmijët,
ndjehesha i ngazëllyer. Më mungonte
vendlindja, por jo Atdheu, Shqipëria, që sido që është, është dashuria ime.
Nuk
jam nga të vetmit që u mungon vendlindja. Ajo u mungon edhe afro një million
bashkatdhetarëve që kanë mërguar nëpër botë,por ndryshe nga mua, kur
përmallohen ata vijnë dhe çmallen.
Vendlindja
ime e munguar.Ti je në lagjen Dobrat të Mazrekut në Çamëri. Unë nuk mund të vij
në ty edhe pas hapjes së kufijve dhe lëvizjes së lirë.E kam të shkruar në
pasaportë: vendlindja Çamëri. Qeveria greke, nuk e njeh këtë emërvend! Kanë
ardhur nipërit e mi. Shtëpia rrënuar e vidhisur, ka mbetur vetëm qemeri i
gurtë. Të shumtat e pemëve të thara dhe yrti i mbushur me driza e ferra.Më kanë
sjellë prej andej një gur nga muret e rrënuar. Ai gur, për mua, është më I
shtrenjtë se një diamant. Vendlindje e mbetur shkretë.Edhe ashtu siç je: një
mall e brengë e pafashitur.
Tiranë, maj 2019