Kulturë
Viron Kona: Lopa e paturp
E diele, 02.12.2018, 01:21 PM
Viron Kona
Lopa e paturp
-rrëfenjë-
Udhëtonin tre liderë botërorë,
Rusvelti, Çërçilli dhe Stalini,
po shkonin në një konferencë,
hallet e rruzullit të zgjidhnin.
Befas një lopë u doli përpara,
sa gjatë-gjerë u shtri në xhade,
shoferi i binte pareshtur borisë,
por lopa e kishte marrë me nge`.
Shtruar për “shtatë palë qejfe”,
mbllaçitej e shihte pafajshëm:
-Pse këta liderë e shqetësonin,
xhadenë e kishin t`përbashkët?!
-Nuk largohet jo, -psherëtiu shoferi,
duke u ndjerë i pafuqishëm e fajtor,
mbante përgjegjësi në orar t`i çonte,
të tre liderët më t`fuqishëm botërorë.
-Po provoj unë, tha Çërçilli dhe doli,
iu afrua lopës qetësisht e buzagaz :
-Zonjë, ju lutem, na e hapni rrugën,
ngutemi e s`presim dot asnjë çast!”
-Muuuu, - pëlliti lopa me zhurmë,
s`dua të lëviz, mos më shqetësoni,
kam ngrënë shumë, jam e lodhur,
po përtyp ushqimin,s`më shikoni?
-Shkoj unë, - tha butësisht Rusvelti,
-respekt dhe ngrohtësi do ajo e gjorë,
le të sillemi me takt, si xhentëlmenë,
meriton dhe ajo të drejta n`këtë botë.
-Zonjë,ju lutemi,veç një çast lëvizni,
keni nderin edhe për ne të mendoni,
sapo të kalojmë ju kthehuni përsëri,
qetësohuni,flini,bëni qejf sa të doni!
-Muuuuu! - iu kthye lopa e nervozuar,
qenkeni t`çuditshëm,n`qejfin tim jam,
shihet qartë se para jush kam ardhur,
apo doni t`ju mësoj të drejtat që kam!?
-Ç`lopë e paturp!-tha nëpër dhëmbë Stalini,
dhe pa e zgjatur doli vrullshëm nga vetura,
i vajti pranë lopës, në vesh diç i pëshpëriti,
ajo shpejt e gjithë frikë u largua nga rruga!
-E dhunove ! - e qortuan Rusvelti e Çërçilli,
Stalinin,që llullën mbante qetësisht në gojë.
-Jo,veçse i thashë, që nëse s`na hapte rrugë,
urgjent n`kooperativën bujqësore do ta çojë!