Kulturë
Meri Lalaj: Vrasja e Raqi Qirinxhit
E hene, 05.11.2018, 08:18 PM
Vrasja e Raqi Qirinxhit
(Sipas rrëfimit të Profesor Petro Lalajt)
Nga Meri Lalaj
Raqi Qirinxhi, profesori i matematikës dhe fizikës në Liceun Francez të Korçës, së bashku me nxënësit e klasës, braktisën mësimet dhe dolën malit për liri duke u bashkuar me çetat partizane. Raqi Qirinxhi ishte një atdhetar i vërtetë, idealist dhe komunist. Ai besonte se Shqipëria do të çlirohej nga pushtuesit e huaj dhe njerëzit do të jetonin të lumtur.
Para disa vitesh, Profesor Petro Lalaj, i cili në kohën e Luftës Nacionaçlirimtare ishte komisar i Brigadës së Katërt, më ka rrëfyer se Raqi Qirinxhi ishte komisar i çetës partizane “Riza Kodheli” i ngarkuar dhe me detyrën e intendentit të Shtabit Operativ të Qarkut të Korçës, kështu ai qe përgjegjës për ndihmat që vinin nga misionet britanike dhe nga populli, këto ndihma ruheshin nëpër disa magazina të mëdha në Korçë. Një ditë babai i Raqit, i dërgoi të birit një palë këpucë më qafa nga përbrenda të veshura me lesh për të mbajtur ngrohtë dhe me lëkurë që nuk i futej lagështia, por Raqi si i drejtë që ishte i hodhi këpucët e tij tek grumbulli i madh me këpucë duke thënë: “Le t’i marrë cilido partizan!...” Njëherë tjetër Petro Lalaj kishte vajtur në Spitalin Partizan tok me Raqi Qirinxhin për të parë gjendjen e partizanëve të plagosur, kur u ulën në tryezë për të ngrënë drekën, Raqi mori vetëm një pjatë me fasule ndërsa Petros ia mbushi me copa mishi (këtë e bënte për të treguar se hante si të gjithë partizanët e tjerë dhe kjo qe e vërtetë), por Petro Lalaj i tha “Kujton se unë mund të ha gjithë këtë mish ndërsa ti vetëm fasule?...”
Kur filloi Operacioni i Dimrit, sulmi i gjermanëve ndaj partizanëve u dha urdhri për tërheqje. Partizanët në njëshkolonë po i ngjiteshin malit, ndërkaq po binte errësira dhe nga lart ata panë se si gjermanët iu vunë zjarrin magazinave të tyre me furnizime. Gjatë ngjitjes (ishin 1200 apo 1300 partizanë), ata kontrollonin praninë e secilit duke përmendur emrin e shokut e duke u përgjigjur: “Këtu!” Petrua më rrëfeu se gjatë rrugëtimit e dëgjoi disa herë përgjigjen e Raqi Qirinxhit. Kur mbërritën afër Spitalit Partizan u shpërndanë nëpër baza. Pas mesnate u dëgjuan dy a tri krisma. Kur u mblodh çeta në mëngjes dhe u bë apeli, Raqi mungonte dhe nuk u gjet kurrë. Ai edhe sot e kësaj dite nuk e ka një varr. Për zhdukjen e Raqi Qirinxhit ka dëshmuar edhe infermierja partizane Afërdita Iftica. Sipas hamendësimeve Raqi Qirinxhin e vranë duke kujtuar se mbante me vete sterlinat angleze dhe për t’ia marrë ato.
Në librin e tij me kujtime britaniku David Smiley shkruan për Aliun, rojen e tij personale, i cili vrau Ramiz Aranitasin për t’i marrë 200 sterlina. Ndoshta kështu është vrarë pas shpine edhe Mustafa Gjinishi. Po kështu është vrarë edhe e bukura Ramize Gjebrea dhe kushedi sat ë tjerë…