Kulturë
Qazim Shehu: Qamil Alushi - Gjon Gjergj Kastrioti
E diele, 04.11.2018, 10:04 AM
Parathënie
Nga Qazim Shehu
Libri Gjon Gjergj Kastrioti, me autor Qamil Alushi, është i
pari libër i veçantë, që i jepet në dorë lexuesit dhe i shtohet fondit
të pasur të historiografisë shqiptare. Nuk ështe se historianët e
studiuesit shqiptarë, shkruan autori, e kanë lënë tërësisht jashtë
vëmendjes Gjon Kastriotin, por e kanë cikur shkarazi dhe
vetëm në raste kur është dashur të thurin ndonjë frazë për të, në
kontekstin historik të Skënderbeut.
Gjon Kastrioti është mënjanuar si figurë historike pothuajse
tërërsisht edhe nga programet shkollore të arsimit parauniversitar,
madje dhe në fakultetin përkatës universitar. Nga instuticionet
qendrore e lokale, në nderim të tij, nuk ka të emërtuar qoftë edhe
një shkollë, rrugë, lagje, apo të jetë kujtuar qoftë edhe njëherë
në ndonjë përvjetor. Këtë vit (2018) ka 580 vjetorin e ndarjes
nga jeta. Deri në këtë moment, për të s’ është thënë asnjë fjalë.
Arsyet e këtij qëndrimi, autori i zbulon jo tek pamjaftueshmëria
e burimeve dokumentare, për të cilat thuhet se janë të pakta; ai
vë në dukje, se burimet nuk janë dhe aq të pakta, sa kjo figurë
historike të lihet ne hije. Nëse nuk do të mungonte vullneti për
t’iu futur kërkimit të fondeve arkivore, sidomos atyre jashtë
vendit: shteteve të Adriatikut dhe turko-osmane, me siguri do
të ishin gjetur shumë më tepër dhe t’i jepej kështu lexuesit një
libër më i plotë nga ky, që pas shumë pengesash, që i janë krijuar
autorit, ai ia ka dalë t’i nxjerrë në dritë, por siç e thotë, duke ecur
me mendimin, se të tjerë pas tij, nuk do t’u shmangen kërkimeve
nëpër arkivat e mbyllura.
Gjon Kastrioti ka merituar një libër të përveçuar, ndaj autori,
tashmë ndihet më i qetë, se kjo u arrit, me gjithë këtë, vonesën,
duke përfshirë edhe veten, e quan të pajustifikueshme, ashtu
sikurse edhe heshtjen për t’a nderuar, që ende vazhdon të mbahet.
Lexuesi shqiptar, që do të njihet me këtë libër, do të vërë re:
E para, se Gjon Kastrioti, me vlerat që pasqyrohen për të, në
këtë trajtesë historike, do bëhet i njohur në mënyrë të merituar. E
2
dyta, lexuesi do të kuptojë, se është një periudhë më se 35-vjeçare
nga fillimet e shekullit të 15-të e mbushur me një veprimtari të
gjithanshme, aktive dhe intensive, të zhvilluar nga Gjon Kastrioti
në krye të një prej principatave më të rëndësishme në rrethanat
komplekse dhe tepër të vështira të përballjesh me presionin e
ashpër turko-osman për ta nënshtruar. Do të ishte e pafalshme
që t`i mohohej kjo periudhë historisë së popullit shqiptar. E
treta, lexuesi do të mësojë se Gjon Kastrioti është drejtuesi
dhe organizatori i kryengritjeve të armatosura të shqiptarëve
që shpërthyen në vitet 1430 e në vazhdim për liri dhe kundër
vendimeve represive të regjimit të timareve që synonin thellimin
e mëtejshëm të një shfrytëzimi të padurueshëm nga regjimi
shtetëror sulltanor, kryengritje të cilat u shoqëruan me gjakosje
dhe pasoja të tjera shkatërimtare. E katërta, është e padyshimtë,
se veç vlerës së një burimi njohës së dorës së parë për tablonë
dramatike të kësaj periudhe të historisë paraskënderbejane,
vlera e veçantë e këtij libri është se sjell të dhëna të besueshme të
mbështetura në dokumenta historike të kohës të Gjon Kastriotit
edhe për raportet mes tij e turqve-osmanë, për gjithë periudhën
kur Skënderbeu, i marrë peng, shërbente si gjeneral në ushtrinë e
sulltanit. E pesta, në këtë libër rrëzohen në mënyrë të argumentuar
e bindëse sajimet spekulative të ngritura në debatet shterpë të
sotme për përkatësine etnike e krahinore te Gjon Kastriotit, për
përkatësinë fetare, për vërtetësinë e emrit dhe kohën e ndarjes
së tij nga jeta. Autori hedh dritë edhe për jetën, fëmijërinë dhe
rininë e tij. Së fundi, ka bërë të pranishëm veprimtarinë aktive
politike, diplomatike, ushtarake, ekonomiko-tregëtare dhe
marrëdhëniet me jashtë të Gjon Kastriotit.
Autori arrin në përfundimin e drejtë se Gjon Kastrioti dhe
Skënderbeu janë dy figura historike të cilat nuk mund të merren
të shkëputura, jo në sensin gjenetik se këtë e ka mësuar e gjithë
bota, por edhe për faktin se veprimtaria e Gjon Kastriotit, në
krye të principatës dhe të lëvizjes masive popullore antiosmane
krijoi terenin e favorshëm për të gatuar dhe më fort ndjenjat e
thella patriotike e liridashëse, papërkulshmërinë e trimërinë
3
dhe gadishmërinë e tij e të popullit, të shprehur në qëndresën
antiosmane. Kjo traditë luftarake e lartësuar, do t`i përcillej
Skënderbeut si një burim i madh frymëzimi dhe do t`i shërbente
si një mbështetje e fuqishme masive e shqiptarëve të cilën e gjeti
që në ditën e parë pas kthimit nga Turqia më 1443 dhe e shprehu
me fjalët lapidare të thëna para tyre në Krujë: “Lirinë nuk e solla
unë, por e gjeta këtu. Sapo më shkeli këmba në këtë truall, m`u
derdhët me vrap të gjithë, më dolët përpara kush e kush më
parë... mbretërinë dhe këtë qytet nuk ua dhashë unë por ju ma
dorëzuat mua, armët nuk ua solla unë, por iu gjeta të armatosur,
lirinë e pashë se e keni kudo, në kraharor, në ballë, në shpatat dhe
në ushtat dhe si kujdestarë të pashoq, të lënë nga babai im, e vutë
përsëri në vend, me kujdes e besnikëri të pandryshuar, skeptrin
që ma ruajtët për këtë ditë dhe më bëtë përsëri... zot të mbretërisë
së të parëve të mi...”
E citon autori jo pa qëllim këtë fjalë, e cila ka brenda ndjesinë
e lartë shpirtërore të heroit, mendjen dhe zemrën e tij. Mund të
kuptohet qartë se ai derdh me këtë rast, tërë dashurinë, respektin
e nderimet e tij për ata njerëz të shumtë që e pritën me një gëzim aq
të madh shpirtëror, për kujdesin e treguar prej tyre për mbrojtjen
e mbretërisë të lënë nga i ati dhe, veçanërisht, për besimin dhe
sigurinë e plotë se me këtë gadishmëri dhe vendosmëri që gjeti tek
ata do të mund të realizonte veprën e ndritur të luftës çlirimtare.
Është kjo frymë e ky optimizëm i rrënjosur thellë që në periudhën
e Gjon Kastriotit, një ndër faktorët që i mundësoi Skënderbeut të
siguronte menjëherë fuqinë e nevojshme ushtarake me të cilën,
brenda një kohe relativisht të shkurtër çliroi nga pushtimi turkoosman
të gjitha trevat që kishin qenë nën pushtetin e t`atit dhe
të feudalëve të tjerë qe iu bashkuan Beslidhjes së Lezhës dhe të
mbrojë lirinë e tyre për një çerek shekulli.
Librin e këtij autori e përshkon një polemikë e hollë, herë-herë
e ashpër e me një forcë argumentuese që i rrëzon si era gjethet e
vyshkura në vjeshtë, sajimet spekulative të atyre studiuesve e të
quajtur analistë, të cilët me këndvështrimet e tyre të rëndomta,
kontraverse e herë-herë edhe qesharake, janë përpjekur të
4
rrëzojnë të vërtetën historike për Gjon Kastriotin dhe sidomos
për Skënderbeun.
Veçohet në libër si një tregues i veçantë i vlerësuar nga autori
fakti, që Gjon Kastrioti arriti të sigurojë mbështetje masive dhe
se kjo tregon që ai nuk ishte një feudal që qëndronte mbi masat,
që luftonte thjeshtë vetëm për interesat e veta, por një prijës
i cili gjithçka e bënte edhe për interesat e të gjithëve. Në këtë
sens, luftën për mbijetesë në rrethanat e vështira të vendosjes së
regjimit të egër të timarit, autori e paraqet me theks të veçantë
dhe e vlerëson si shkak e burim kryesor të një pakënaqësie e
zemërate të thellë të krijuar te të gjitha shtresat e popullsisë dhe
për rrjedhim, edhe si faktor të rezistencës së tyre të armatosur.
Roli i faktorit masiv ka marrë vlerësimin e duhur se po të
mos e kishte ndjerë Gjon Kastrioti këtë rol, ai nuk do të mund
të ndërmerrte e të drejtonte një lëvizje kryengritëse të ashpër
e të armatosur si ajo e viteve 1430 dhe, në vazhdimësi, kundër
një force siç ishte ajo turko-osmane. Ai e kuptoi aspiratën e
shqiptarëve për të jetuar të lirë ndaj edhe mori përsipër të vihet
në krye të kësaj kauze të madhe dhe tepër të vështirë.
Gjon Kastrioti, siç shprehet ky autor, e karakterizonte urtësia,
mençuria, drejtësia e shpirtmadhësia, në raportet me popullsinë,
ndaj ai shfaqet si një prijës i vërtetë e guximtar dhe për këtë fitoi
popullaritet dhe gëzonte nderime brenda e jashtë vendit. Nuk
është arritje e vogël, të arrije në ato kushte përplasjeje me turqit
një individualitet të tillë të spikatur.
Autori e adhuron këtë prijës feudal popullor, i cili nuk e vuri
veten në asnjë moment dhe për asgjë në rolin e një feudali tipik të
rëndomtë mesjetar, nga ato shtypës e shfrytëzues; e adhuron atë
për aftësinë dhe zotësinë e tij, që e shndërroi luftën e shqiptarëve
në vlerë masive, në shërbim e dobi të tyre; e adhuron atë se përmes
një realiteti historik dramatik, ku iu desh të bëjë shumë sakrifica,
e i qëndroi besnik idealit të lirisë, që jo vetëm u hoqi mundësinë
osmanëve për ti detyruar shqiptarët të hiqnin dorë nga identiteti
kombëtar, por ndikoi fuqishëm në ruajtjen e mbajtjen të freskët të
5
kësaj vetëdije, të cilën ia përcolli Skënderbeut si burim frymëzimi
për epopenë e tij dhe në rrjedhën e procesit të zhvillimit historik.
Çka i jep vlerë trajtesës është se në të janë shmangur ngarkesat
panegjerike, lavdëruese dhe ekzagjeruese të bëmave të Gjon
Kastriotit.
Autori e ka parë me vend që në këtë libër, të mos lërë jashtë
edhe sajimet spekulative të ngritura në debatet e pakuptimta
të hapura për Skënderbeun për çështje të caktuara, dhe, më së
shumti, i detyruar nga shpërfillja që historiani O. Schmitt, u ka
bërë kritikave që i janë adresuar për këndvështrimet absurde e
përçmuese që ka pasqyruar në librin “Për Skënderbeun” të botuar
në vitin 2008, të ripërsëritura me një theksim dhe më brutal në
ribotimin e vitit 2014.
Në pamundësi për t`i dhënë lexuesit një trajtesë të përveçuar
edhe njëherë, pas librit “Skënderbeu nga Marlin Barleti tek O.
Svhmitt” botuar në mars 2009, autori e quan veten të ngarkuar
shumë nëse nuk do të ndalej siç e thotë, për të shprehur mendimet
e tij për disa nga interpretuesit mjeranë të kohëve të sotme. Në
këtë pjesë të librit të tij zënë vend tri çështje të titulluara:
Skënderbeu në dritën e fakteve përballë fantazive të O.
Schmitt;
Këndvështrimi i Schmitt mbi luftërat e shqiptarëve dhe të
Skënderbeut për liri;
Kujtesa, Harresa, Rikujtimi…
Autori e sheh Skënderbeun gjithnjë në ngritje për lavdinë
si hero, për luftat e fitoret dhe aspak në rënie e me disfata të
njëpasnjëshme siç përpiqet të shtrembërojë O. Schmitt faktet e
padiskutueshme historike.
Është për të shënuar se Gjon Kastrioti u rrit si një figurë
historike me peshë. Ai frymëzon edhe sot, jo vetëm se ishte
babai i kryeheroit shqiptar, por se, edhe gjatë gjithë jetës së vet,
kurrë nuk e uli idealin e lirisë. Rrethanat historike të vështira e
vunë para provës nëse do të pranonte asimilimin si komb, apo të
luftonte kundër perandorisë më të fuqishme të kohës. Ai zgjodhi
të dytën dhe ky çast historik, i jep dimensionit të figurës së tij
6
një dritë të qëndrueshme që rrezaton fort. Në këtë zgjidhje ai
nuk e pati të lehtë, sepse iu deshën të dorëzojë djemtë peng, por
ai, si princ dhe udhëheqës luftarak, duhej të jepte shembullin
para shqiptarëve dhe e dha këtë shembull me një vetëmohim të
pashoq. Ky akt do të bëhej një burim frymëzimi, dhe shqiptarët do
ta pranonin si princ të tyre. Ai ishte feudal, princ i vetëdijësuar se
fati i kishte dhënë një rol të madh, mbrojtjen e trojeve shqiptare.
I pajisur me këtë cilësi tepër të virtytshme ai kurrë nuk e harroi
atë, dhe nga kjo shqiptarët u frymëzuan, dhe e ndoqën pas.
Këtë vit (2018) përkujtohet 550 vjetori i ndarjes nga jeta të
Kryeheroit kombëtar Gjergj Kastrioti, Skënderbeu. Veprimtaritë
në nderim të tij, sado të larmishme e të madhërishme të jenë, nuk
e arrijnë dot cakun e kësaj figure që mbetet e përmasave botërore
si kampion i lirisë, qytetërimit perëndimor dhe mbrojtës i vlerave
më të mira universale. Po në këtë vit, (2018) vjen i shënuar edhe
580 vjetori i ndarjes nga jeta si një koinçidencë shenjtërore të
Gjon Kastriotit, babait të Skënderbeut. Skënderbeu nuk mund
të kuptohet pa frymëzimin që i dha prindi i tij, pa atë lidhje
shpirtërore që pati me vatrën familjare dhe vendlindjen. Nuk
është nevoja të përsëriten shumë gjëra, por mjafton të kujtojmë
vargjet e Naimit të madh: “U ngrit fati i Shqipërisë/se i vdekuri
nga varri/mori udhën e Azisë/duke ikur si i marri/u shembëllye
me Gjonë/mori pamjen e tij/shtatnë, zënë dhe zakonë/dhe u nis
nga Turqia” Më poshtë Naimi vijon kur hija e Gjon Kastriotit i
drejtohet Skënderbeut: “Fle, i tha o jetëgjatë/nuk e di se ç`është
bërë/ç`e gjeti shtëpinë, t`ët atë/dhe Shqipërinë e tërë? A më
sheh ti mua plaknë/të isha si ti djalë/Muratit i pija gjaknë/sot
s`gënjehesha me fjalë…” Thelbi i këtyre vargjeve madhështore
nuk mund të kuptohet, veçse në atë dashuri të madhe që Gjon
Kastrioti kishte për djemtë të marrë peng nga sulltani turkoosman,
dhe në atë edukatë që u kishte dhënë për të mos e
harruar kurrë vatrën familjare. Skena shekspiriane e Naimit
është tronditëse, ngjethëse. Ajo thotë shumë gjëra, po një gjë e
shpjegon më mirë se kushdo; Gjon Kastrioti i dorëzoi djemtë por
7
dashurinë për ta nuk e ndau nga dashuria që ai ushqente për
Arbërinë.
Rrethanat historike kur jetoi e luftoi Gjoni, janë të ndryshme
nga ato të Skënderbeut. Ai nuk u ngjit në madhështinë e të birit
dhe të sukseseve të tij, por kjo nuk na bën të mos mësojmë se
lavdia e Skënderbeut i dedikohet në një pjesë të saj të mirë edhe
genit atëror, frymëzimit dhe dashurisë që ai përcolli tek i biri,
edhe pse e “dorëzoi” në moshën nëntë vjeç. Ndonëse, ai u detyrua
“të lëshojë”, ai mbeti kundërshtar i betuar i oborit mbretëror, sa
herë pas here, ndezi kryengritje të cilat, u bënë prelude të fitoreve
të djalit të tij të famshëm, Gjeniut të Lirisë, Skënderbeut.
Burimet arkivore, dëshmitë dhe thëniet e autorëve të
ndryshëm, i bëjnë vlerësim të veçantë kësaj figure, se asnjëherë
nuk e shoi zjarrin e zemërimit dhe të urrejtjes ndaj pushtuesit të
huaj, kurdoherë tregoi shkathtësi, manovrim, trimëri e guxim,
duke u bërë një shembull dhe politikan e luftëtar i zoti. Edhe pse
kishte një fuqi ushtarake të papërfillshme në raport me forcat
turke, ai nuk e uli tempin e kundërshtisë.
Studiuesi Qamil Alushi, at e bir i ka parë jo të shkëputur.
Duke trajtuar figurën e Gjon Kastriotit nënvizon, se përkujtimi
dhe përkimi i përvjetorit të njërit nuk duhet të mënjanojë
tjetrin, madje është një mrekulli që u jep këtyre përvjetorëve një
madhështi edhe më rrezatuese e ngacmuese shqiptarëve, që i
mbajnë këto prijës të rrënjosur fort në zemrat e tyre.
Duke lexuar librin e autorit, bindesh, përmes faktesh, për
aktivitetin e dendur të kësaj figure që u gdhend në rrethana të
pafavorshme historike dhe kurrë nuk u gërrye nga ndryshku i
kohës. Po kështu, duke pasur në dorë dy armë efikase të studimit
historik, metodologjinë dhe faktologjinë, si studiues i paanshëm
ai u çjerr maskën fantazistëve dhe trillantëve, deformuesve
dashakeqës që në emër të një modernitetit fals përpiqen të ulin
dy figura që bën epokë. Skënderbeu, nuk është një mit imagjinar
i sajuar, por një figurë e gdhendur në kujtesën e shkruar e të
pashkruar për veprën e tij. Vepra e tij me funksionin e madh
mesazhor e shëndrroi në një mit, njerëz të tillë ekzistojnë, i lind
8
natyra, i sjell fati, përputhshëm ata vijnë dhe marrin përmasën
e një simboli të patjetësueshëm që gjeneron dritë gjatë shekujve.
Në kohën e tij, po ashtu, Gjon Kastrioti ka qenë i vlerësuar
lart nga Republika e Venedikut, Raguza, mbreti i Hungarisë e i
Polonisë, nga princër e mbretër në mbarë Europën; dhe sot, autori
ngre zërin që të vlerësohet siç e meriton, të flitet më shumë për të
në tekste shkollore, dhe jo vetëm thjesht si prind i Skënderbeut,
që në rrugë, sheshe, institucione etj. të nderohet duke marrë
emrin e tij. Ky nderim për të, është nderim për historinë tonë,
për atë që në muzgun e mesjetës ndezi pishtarin e kryengritjeve
dhe nuk e lëshoi asnjëherë idealin e lirisë të binte në dobësinë
e mungesës së shpresës, edhe pse u ndesh me armiq të egër, të
shumë e të fortë.
Autori e ka ndërtuar librin edhe në trajtën e paralelizmit babë
e bir, edhe në shtratin e një polemike, duke dalë në mbrojtje të së
vërtetës, larg çdo euforie dhe ekzaltimi. Ai polemizon, sjell faktin,
krahason, dhe vendos përmes krahasimit dhe interpretimit,
duke u bërë bindës. Ai ka studiuar gjatë, burime të shumta, mbi
të gjitha, mban për udhërrëfyes tre gjigandët e historiografisë
shqiptare: Barleti, Frangu, Bardhi, po edhe historianë të tjerë, të
cilët i ka shfrytëzuar në dobi të referimit të pasur.
Si një studiues i panshëm dhe i përgatitur, ai ndërton një
sistem të tërë të krahasimit, selektimit dhe të përveçimit, duke e
sjellë në vend faktin, edhe pse ai ka pësuar të çarë nga dridhjet e
gënjeshtrës dhe të manipulimit.
Libri lexohet për rrjedhshmërinë dhe analizën e hollë, po
edhe për një strukturim të drejtë duke e shikuar figurën e Gjon
Kastriotit në kontekste kohore të gjëra dhe përmes një materiali
dokumentar të bollshëm, po edhe në aspektin filozofik, patriotik,
si një figurë që mbart vlera të mëdha edhe sot;po kështu, në
trajtimin e kësaj figure ndërfuten mjaft faqe nga trajtesa që i
bëhet figurës së madhe të Skënderbeut, sepse, këto dy figura nuk
mund të shihen të veçuara në sensin historik, ata e kanë pasuruar
historiografinë shqiptare me një aktivitet intensiv lufte për liri e
drejtësi që ngërthen një periudhë mëse gjysëm shekullore.
9
Ata historianë, studiues e analistë që do të lexojnë këtë libër,
si shtrembërues të fakteve historike, nuk ftohen të ndjehen të
turpëruar për pasaktësitë e tyre, të cilat po të vijnë nga mosnjohja
janë të falshme deri diku, po nëse janë të qëllimshme nuk falen
kurrë; kanë rastin të mësojnë të bëjnë vetëtërheqje për gabimet
dhe nxitimet e tyre, sepse ky autor i mëson se si në shkencën
historike duhet të zotërojë vetëm metoda dhe faktologjia.