E diele, 10.11.2024, 10:44 PM (GMT)

Shtesë » Shoqëria

Ajshe Leka: Bukuria vjen nga mënyra e të ushqyerit

E diele, 18.02.2018, 01:53 PM


Jo vetëm shëndeti, por edhe bukuria vjen nga mënyra e të ushqyerit

Nëse nuk i ndryshojmë zakonet tona për një jetë më të shëndetshme dhe nëse nuk jetojmë në harmoni me natyrën, atëherë ne mund ta shtrembërojmë ekzistencën tonë.

NGA AJSHE LEKA

Shëndeti është gjendja e natyrshme e trupit nëpërmjet të cilit mundësohet ekzistenca e jetës vitale. Ushqimi i shëndetshëm dhe i balancuar mund të na bëjë fizikisht më të bukur, duke rritur qëndrueshmërinë dhe shkëlqimin e lëkurës së fytyrës dhe indeve në përgjithësi.

Ekspertët kanë zbuluar se mënyra më e mirë për t`u dukur bukur është përfshirja e ushqimeve të caktuara në dietën tuaj. Ta shohim këtë me shembuj konkretë:

Lëkura: Përpos që ju zbukuron pamjen tuaj, ajo ju mbron nga bakteret, papastërtitë, rrezet ultra vjollcë të diellit dhe përmban mbaresa nervore që ju sinjalizojnë nëse diçka është e nxehtë ose e ftohtë, e butë ose e fortë. Lëkura, gjithashtu, luan një rol të rëndësishëm në rregullimin e lëngjeve dhe temperaturës së trupit. Përdorimi i bollshëm i frutave dhe perimeve në të ushqyer e pasuron trupin me vitamina A dhe C.

Burime të vitaminës A janë: vaji i peshkut, mëlçia, karota, perimet e gjelbra dhe të verdha me gjethe, vezët, qumështi dhe produktet e qumështit, gjalpi, frutat e verdha.

Vitamina C gjendet te disa lloje të frutave dhe perimeve, por më së shumti te speci, limoni, portokalli, mandarina, dredhëzat, perimet e gjelbra me gjethe, domatet, lulelakra, lakra jeshile, brokulli, spinaqi, majdanozi, patatja. Kaça është një nga burimet më të mira natyrore të vitaminës C.

Flokët dhe thonjtë: Flokët dhe thonjtë janë pasqyrë e shëndetit të mirë. Dieta e parregullt çon në thonjtë e brishtë dhe me pika të bardha. Ndonjëherë infeksionet e lëkurës dhe zbokthi shkaktohen nga dieta jo e drejtë. Për më tepër, një dietë e dobët dhe me mangësi ushqyese, mund të shpie në probleme të flokëve, të tilla si thatësi, brishtësi, zbokth dhe në fund humbje e flokëve. Për të pasur dhe ruajtur flokë të trashë dhe të shëndetshëm, është mirë të ndiqni një dietë të balancuar dhe të shëndetshme, që përfshin shumë vitamina dhe minerale të njohura për shëndetin e flokëve, të cilat gjenden kryesisht në fruta dhe perime. Mineralet e hekurit dhe silikonit ndikojnë në qëndrueshmërinë e thonjve.

Ushqimet të cilat përmbajnë hekur: mëlçia, veshkat, zemra, frutat e thata, mishi i kuq, vezët, midhjet, perimet e gjelbra, fasulet, lakra, spinaqi, thjerrëzat, rrepkat, kajsia, pjeshkat, kumbullat lëngu i boronicës dhe aronisë, perimet me gjethe jeshile, pluhuri kakao dhe çokollata e errët, bollguri, drithërat, embrioni i grurit, fasulet, mishi i qengjit dhe i viçit, arrat, kungulli.

Ushqimet të cilat përmbajnë silikon: vera e kuqe, birra, rrushi i thatë, drithërat, oriz ngjyrë kafe, fasule dhe ujë mineral, elbi, tërshëra, arrat , fruta të thata, banane, spinaqi, ushqim deti.

Shëndeti i mirë i syrit: Fillon me ushqimin që zgjidhni në menynë tuaj. Ushqimet e pasura me acide yndyrore omega-3, zinku dhe vitamina E mund të ndihmojnë në parandalimin e problemeve të shikimit të lidhura me moshën. Për t'i marrë ato, plotësoni menynë tuaj me perime jeshile, si spinaqi, salmon, tuna dhe peshq të tjerë, vezë, arra, fasule, portokall dhe fruta të tjera, oriz dhe mish derri.

Një dietë e balancuar, gjithashtu ju ndihmon të qëndroni në një peshë të shëndetshme. Kjo ulë shanset e obezitetit dhe sëmundjeve të lidhura si diabeti i tipit 2, i cili është shkaku kryesor i verbërisë te të rriturit.

Disa nga mangësitë e vitaminave mund të vërehen në sy (A dhe B2): humbja e mprehjes pamore në dritë të reduktuar, qepalla e thatë dhe rënia e tyre.

Buzëqeshja: është shenjë e një diete të shëndetshme. Kjo është një pjesë e rëndësishme e bukurisë trupore. Por një buzëqeshje nuk mund të jetë tërheqëse nëse nuk zbulon dhëmbë të shëndetshëm.

Tre faktorë ndikojnë në shëndetin dhe bukurinë e dhëmbëve: kontrolli i rregullt te dentisti, higjiena dhe ushqimi i duhur.

Ushqimet e pasura me kalcium janë thelbësore për të pasur dhëmbë të shëndetshëm. Ëmbëlsirat, pijet me shumë sheqer, janë armiqtë më të mëdhenj të dhëmbëve, sepse ato inkurajojnë krijimin e kariesit.

Ushqimet që përmbajnë kalcium janë: qumështi dhe prodhimet e qumështit, të gjitha llojet e djathit, vezët, soja, mishi, peshku, bishtajat, perimet e gjelbra, kikirikët, bajamet, lajthitë, farat luledielli, arrat, fara e susamit, portokalli, kajsia, kumbulla, bajamet.

Pesha normale: është e nevojshme për bukurinë e trupit dhe një shenjë e ushqyerjes së duhur dhe shëndet të mirë. Në mënyrë që të ruhet pesha normale, duhet të përdoren ushqimet me origjinë bimore: fruta, perime, drithëra. Përdorimi i tepruar i yndyrës, është një nga shkaqet e obezitetit.

Nga këta shembuj mund të shohim pse duhet të praktikojmë një ndryshim në dietën dhe stilin e jetës. Nëse nuk i ndryshojmë zakonet tona për një jetë më të shëndetshme dhe nëse nuk jetojmë në harmoni me natyrën, atëherë ne mund ta shtrembërojmë ekzistencën tonë. Prandaj, është koha e fundit për ndryshime në të ushqyer, duke praktikuar një dietë të shëndetshme natyrore, për të siguruar në këtë mënyrë një të ardhme më të mirë. Nuk duhet të harrojmë: Ushqimi i shëndetshëm dhe i balancuar, është trajtimi më i mirë për bukuri trupore. 

(Autorja është konsulente për nutricion/dietologji: fb.com/nutricistedietologe)



(Vota: 24 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora