Mendime
Azgan Haklaj: Pse tmerrohet Rama
E merkure, 07.02.2018, 08:15 PM
OPOZITA NË KËMBË PËR TË MBROJTUR DEMOKRACINË, NDERIN DHE DINJITETIN E ATDHEUT
Pse tmerrohet Rama dhe Rilindja nga kauza e Opozitës për Qeverinë anti-mafia
Nga Azgan Haklaj
Protesta e datës 27 Janarit është një rast sui generis në krejt historinë e tranzicionit shqiptar.
Jo vetëm për faktin se është më e madhja pas rrëzimit të regjimit komunist, por në radhë të parë nga simbolika që transmetoi tek qytetarët shqiptarë, faktori ndërkombëtar dhe aleatët strategjikë të vendit tonë.
Jehona ndërkombëtare dhe komentet në mediat prestigjoze, janë fitorja e parë e madhe e qytetarëve shqiptarë të marrë peng nga Edi Rama dhe e opozitës si zëdhënëse dhe udhëheqëse e betejës kundër regjmit despotik, tribal e anti-demokratik të Edi Ramës.
Beteja e opozitës kundër një regjimi e tejkalon modelin klasik të të bërit politikë në një shoqëri normale ku parlamenti dhe institucionet e tjera të Shtetit të së drejtës ,kanë si busull orientuese Kushtetutën dhe Ligjin, parimin e ndarjes së pushteteve dhe respektimin e lirisë dhe të drejtave të njeriut .
Arsyet se përse Edi Rma dhe banda e Rilindjes arriti të instalohet si regjim janë të shumta dhe kërkojnë një analizë të gjërë dhe të hollësishme, natyrisht të pamundur për ta trajtuar në një shkrim të vetëm.
Opozita dhe kryetari i saj Z. Basha, në 5 vjet të betejës politike janë përballur me një kurajo të pa shembullt, sy për sy e dhemb për dhëmb me pushtetin e mafias politke, bandave e trafiqëve të instaluara pas zgjedhjeve të vitit 2013. Ajo çka opozita ka denoncuar në sytë e shqiptarëve e të faktorit ndërkombëtar është katërcipërisht as më shumë e as më pak veçse fytyra e vërtetë e një qeverie monstër e cila në aleancë me krimin ka rrënuar institucionet, demokracinë parlamentare, funksionimin e Shtetit të së Drejtës, ekonominë dhe sipërmarrjen e lirë.
Qeveria Rama ja ka dalë me sukses ta shndërrojë Shqipërinë në Kolumbi të Europës, të bllokojë prespektivën e integrimit të saj në BE.
Qeveria Rama 2 e dalë nga trustet e drogës, trafiqeve e parave të pista nuk mundi për asnjë ditë të vetme të legjitimojë fitoren e blerë të 25 qeshorit. Referendumi popullor i datës 27 janar e rrëzoi pushtetin e Rilindjes. Sovrani popull foli. Ky gjykatës i pa kontestueshëm e dha verdiktin, pikërisht në vitin e Gjergj Kastriotit (Skënderbeut). Zgjedhjet e 25 qershorit ranë.
Opozitarizmi shqiptar u kthye në mazhorancë morale. Në këto 5 muaj skandalet e qeverisë Rama të gatuara që në mandatin e parë, janë spektakolare dhe mëse të mjaftueshme jo vetëm për ta rrëzuar nga pushteti por dhe për ta dëbuar njëherë e përgjithmonë nga parlamenti dhe për ta çuar përpara drejtësisë.
Me skandalin Tahiri e mbrojtien e tij, Rama u vetë identifikua si kapo i krimit e tutor i Tahirit, Habilajve, Nezar Seitit, Beqajve e bandave te tjera kriminale që e sponsorizuan për të blerë votat e 25 qeshorit.
Marrëveshja e fshehtë me grekët. Shitja e një kauze mbarë shqiptare, siç është çështja Çame për të cilën Parlamenti i Shqipërisë ka hartuar një rezolutë të aprovuar nga të gjitha palët. Shitja e detit, duke shkelur vendimin e Gjykatës Kushtetuse. Bonusi që ai u jep qarqeve ultra-nacionaliste greke me varrezat e ushtarëve të tyre. Plani për të kthyer marrëveshjen e detit në koncesion politik në favor të përkrahjes së regjimit të tij, përbën një akt të pashembullt të tradhëtisë kombëtare, për të cilën ai duhet të përgjigjet një ditë.
Në politikën e brendshme, Rama mund ta lërë trashëgim hashashin, kokainën, heroinën, shkatërrimin e institucioneve, kapjen e shtetit nga pushteti, falimentimin e mijëra bizneseve, dëbimin e investitorëve të huaj, grabitjen e pasurisë kombëtare, taksimin e lartë të shërbimeve publike, konccesioneve që iu dhuroi kumbarëve të tij të krimit. Në politikën e jashtme ai ka guxuar të lërë në hije edhe diktatorë të urryer e të perënduar si: Somoza i Nigaragos, Gedafi i Libisë apo Bashar Alasadi i Sirisë. E theksova këtë fakt sepse asnjëri prej këtyre monstrave nuk ka arritur të shkojë deri aty sa t`i japë mend amerikanëve e të etiketojë zotin D. Trump si e keqe e njerëzimit sikurse është shprehur Kryeministri Shqiptar Rama.
Fitorja spektakolare e presidentit Trump. Mrekullia ekonomike që ai realizoi për vetëm një vit të qeverisjes së tij. Kthimi i Amerikës në lidership botëror dhe mbrojta e interesave Amerikane kudo në botë i treguan mbarë njerëzimit se ajo qeë e dallon këtë komb të madh të lirisë nga të tjerët është pikërisht fakti se qytetarët e këtij vendi zgjedhin kurdoherë alternativën më të mirë për të qeverisur.
Megallomania e Ramës i ka bërë Shqipërisë, diplomacisë dhe imazhit të saj dëme të pa llogaritshme, duke shkatërruar boshtin e politikës së jashme prej gati 3 dekadash .
Lideri Basha e etiketoi Z.Rama si një despot lindor. Nuk besoj se ka kostum që i shkon më mirë i cili në sinkron të plotë me Putinin dhe Erdoganin, votoi në OKB kundër SHBA- së ,aleatit të madh strategjik për shqiptarët, kombit të cilit i detyrohemi përjetësisht, jo vetëm për çlirimin e Kosovës por edhe për veton e presidentit Willson ,i cili në Konferencën e Paqes së Parisit të vitit 1919 e shpëtoi Shqipërinë nga kthetrat grabitqare të fqinjëve të saj shovinistë.
Në turrneun e saj të lamtumirës Znj. H. Klinton, tha në foltoren e Parlamentit Shqiptar: “Amerika ka qenë me ju njëqind vitet e shkuara. Ajo do të jetë me ju dhe njëmijë vitet e arrdhshme”.
Pabesia e Ramës ndaj SHBA-ve, e shqiptarëve si populli më pro-Amerikan në planet. Kërcënimi i lidershipit politik të BE-së, se ai ka alternativa të tjera veç BE-së , Rusinë dhe Kinën, dikur aleatë të Hoxhës, tregojnë qartësisht se ai e konsideron Shqipërinw si Sulltanat të tij , dhe qytetarët e saj si dele, që mund t`i çojë për t`i kullotur në stepat Siberiane, apo në Rrafshnaltën Tiberiane.
A mund të qeverisë një kryeministër armik dhe persekutor i popullit të tij, i cili mori vendimin për t`ua hequr dëmshpërblimin të përndjekurve politikë që u përsekutuan nga baballarët e tij ?
A mund të qeverisë një kryeministër aventurier dhe i pabesë ndaj aleatëve strategjikë të Shqipërisë ? Mendja e tij haluçinante e tutorët e tij thonë po. Ansambli i khmerëve të kuq, Ruçi, Xhafa, etj nën maskën e Rilindjes thonë po. Qindra mijëra qytetarë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, i thanë me datë 27 janar: Jo.
Sovrani u shpreh me qartësi dhe vendosmëri, se me kapon e krimit të organizuar, qoftë ky dhe kryeministër kanë hesape për të larë. Në vazhdën e strategjisë së tij djallëzore për të demonizuar opozitën dhe për të provokuar trazira të paralajmëruara më parë ,Rama dhe segmente kriminale të shtetit tonë , panë të tmerruar se si u dogj skenari i tyre .
Asnjë incident nuk ndodhi. Lumenjtë e protestuesve që kishin ardhur nga të katër anët e Shqipërisë , i dëshmuan Ramës se qytetaria , e paqia janë binomi e ADN–ja e shqiptarëve dhe epoka e 21 janarit, kur i sulej selisë së qeverisë me kriminelë e banditë, makina tritoli, molotoveve e gurë ka perënduar njëhere e përgjithmonë .
Në rradhë të parë se ka filluar data e skadencës , për qeverinë e tij dhe së shpejti ai dhe timonierët e tjerë të Rilindjes do ta shohin veten shumica para drejtësisë dhe të tjerë në koshin e plerave të historisë .
Së dyti Rama pa me dëshpërim të shkërmoqeshin të gjitha akuzat dhe shpifjet ndaj Opozitës . Ai doli para opnionit një mashtrues ordiner e lakuriq, ashtu sikurse ishte shfaqur dikur në plazhet e bukura të Francës dhe Spanjës.
Tani fjalët ShQUP , Opozitë pa alternativë , kazan mediatik duhet ti mbllaçitë mbrapsht, si kafshët ripërtypëse. Opozitta dhe populli janë në këmbë. Demonstrimi madhështor i 27 janarit është vetëm starti i marshimit triumfal të Shqipëtarëve të udhëhequr nga Opozita e Bashkuar me korifeun Lulzim Basha, për të marrë në dorë fatin e vet e për t’iu rikthyer qytetarëve pushtetin e vjedhur brutalisht nga Edi Rama, me zgjedhjet e manipuluara të 25 qeshorit.
Rezistenca e Ramës për të mos dhënë dorëheqien, apo klithmat e seimenëve të tij gazetarë e analistë, se qeveria Rama është mandatuar për të qeverisur për 4 vjet, vetëm do të përshpejtojë fundin e tij të turpshëm .
Shqipëtarët e kanë treguar mëse një herë gjatë historisë së tyre se s’ka zot që i mban, nëse dikush iu cënon lirinë , nderin, dinjitetin, atdheun. Zgjedhjet e 25 qershorit e qeveria e dalë prej tyre kanë rënë. Opozita Shqiptare po lufton me mjete demokratike kundër një regjimi kriminal. Në mos mjaftofshin protestat, atëherë opozita është e detyruar t’i bindet vendimit të Sovranit, sepse ai e ka jo vetëm të drejtën morale e hynore, por edhe mjetet për të shpordhur uzurpatorët dhe sunduesit, të cilët janë siç thotë populli: “pa dinë e imanë”.