Mendime » Xharra
Fahri Xharra: Mit`hat Frashëri dhe tre gjarpërinjtë
E diele, 04.02.2018, 11:48 AM
Mit`hat Frashëri dhe tre gjarpërinjtë që edhe sot na kafshojnë
E përgatiti Fahri Xharra
“Ku i ke historianët, shërbimtarët e historisë? Është lehtë të marrësh kartën, t’a palosësh, ta nxish me mellan, t’i vësh edhe një titull. Po ku i ke ata që do të shkrojnë lëndën? - kështu pyeste Mit`hat Frashëri aso kohe. Dhe sot ,me të vërtetë vlenë e njëjta pyetje ; Ku i kemi historianet ?
Tre gjarpërinjtë që udhëhoqën rebelimin e vitit 1914 , a mos janë edhe sot po ata gjarpinjë që nuk shohim qetësidhe shtetndërtim në tokat mbarëshqiptare ? Pyetja është e lehtë por përgjegja është shumë e vështirë sepse do mençuri, njohuri diplomatike dhe guxim, dhe mbi të gjithash atdhedashuri
Ata të Konferencës, në është se ranë lehtëzi në godi për kontrollin ndërkombëtar dhe oficerët e huaj të gjindarmërisë, hoqën mjaft vështirësi për të zgjedhur një Sovran: kandidatura e princ Wilhelm de Wied u pranua me gëzim prej shqiptarëve dhe Fuqitë e Mëdha dukeshin në aparencë të bashkëta në këtë zgjedhje, tërë duke pasur fshehtazi dhe nga një kandidat të dytë të tyre.
Një brengë e madhe nga ana tjetër, i kishte dalë Shqipërisë si një lungë e helmuar: në qoftë se rënia e Janinës kishte pasur për konseguencë përparimin e grekëve gjer në Llogora, Gurin e Ylynecit dhe Guri i Prerë, ajo e Shkodrës u vazhdua prej lirimit të një pjese të Shqipërisë nga ushtritë serbe dhe malazeze. Mjerisht gëzimi i lirimit do të shpërblehesh fort lidhur me personin e Esadit.
Ky njeri u bë foleja drejt së cilës rrodhën gjithë ç'mund të kishte të keqe në Shqipëri: tradhti, konservatorizëm, ambicion, lakmim, neqezëri, shpagë, frikë prej dritës dhe së mirës. Esadi, për të cilin flitesh se kishte bërë një marrëveshje me shtetet fqinjë sa pa rënë fare mirë Shkodra, u bë qendra e gjithë atyreve që ndiqnin një qëllim kundër Shqipërisë. Fuqia e tij i vinte aq prej shokëve të brendshëm, sa edhe prej relacioneve të jashtme: mbi intrigat që kishte lidhur me Serbinë dhe Malin e Zi, pa vonuar shumë u shtuan edhe marrëdhëniet me Greqinë.
Edhe kjo fuqi nefaste u instalua në Tiranë, duke krijuar një reaksion me emër "Qeveria e Shqipërisë së Mesme". Në këto kondita dhe si kishte vënë pak rregull në punët Komiteti i Kontrollit dhe oficerët holandezë të gjindarmërisë arriti në Durrës princ Widi me titullin mbret Wilhelm i parë. Ardhja e mbretit e normalizonte pak gjendjen e Shqipërisë, sadoqë shtatë marsi nuk e fiku esadizmin, edhe në ia pakësoi fuqinë e kryetarit të saj. Por ajo që duhesh rregulluar, vështirësia e madhe që duhesh prapsur, ishte lirimi i kufirit të Shqipërisë: Konferenca e Londrës kishte vendosur që kazaja e Korçës gjer te hunda e Stilos dhe nisia Sazan do t'i mbeten Shqipërisë; sa për vendin ndërmjet këtyre pikave ekstreme, do të caktohesh në vend, gjë që e bëri një komision mikst duke vajtur në ato krahina, duke konstatuar karakterin shqiptar të popullsisë dhe duke ngrehur vijën e kufisë në atë akt të emëruar Protokoll i Firences.
Të dy provincat e jugës gjendeshin në dorë të Greqisë. Serbia dhe Mali i Zi para qëndrimit energjik të Austrisë ishin shtrënguar të lirojnë vendet e njohura Shqipërisë. Për Greqinë s'dilte ndonjë pushtet të merrte një pozitë energjike. Situata politike inkurajoi Greqinë, pasi legalisht e kishte humbur të drejtën e okupimit të krahinave jugore, të përdorë një dredhi duke krijuar organizatën e fshehur që mori titullin Autonomi e Epirit, me ushtarë, oficerë, burra shteti, armë dhe municione të Greqisë zyrtare. Në qoftë se qeveria zyrtare e Athinës nuk merrte dhe s'guxonte të merrte një pozitë çiltazi në kundërshtim me vendimet e Konferencës së Londrës, krijesa e fshehtë e saj, Autonomia, pandehte se ishte e lirë të marrë masa kriminale.
Një buçitje e fanatizmës greke në verë të motit 1914 u shoqërua nga një furi destruktive, e nderë mbi gjithë katundet e të dy provincave prospere Korçë dhe Gjirokastër, ku plaçkitja dhe djegia e afër treqind katundeve të lulëzuara shkaktoi eksodin e më tepër se njëqind e ca mijë frymëve, prej të cilëve një shumicë do të gjente një vdekje mizerabël në malarje të Vlorës dhe një pjesë, jo më pak e amdhe, do të shtrëngohesh të kërkojë një strehë duke ikur në dhe të huaj. Në kohën që kjo tablo e zezë po vizatohesh në shekull të njëzet, një skenë jo më pak çuditërisht dramatike po zhvillohesh në Shqipëri të Mesme:
Esadizma mori trup dhe formë nën një trini apokaliptike: Esad Toptani, myftiu Musa Qazimi, Haxhi Qamili, tre krerë të një hidre që përfytyronin ambicionin, tradhtinë dhe lakmimin, fanatizmën e verbër dhe injorante nën maskën e fesë, marrëzinë brutale jo në figurë letrare po reale. Qamili, një katundar nga Sharra meqënëse kishte ndjenjur në hekura si i prishur mendsh. Edhe kështu në atë mot Shqipëria u bë dëshmonjëse e një sendi të paparë gjer atëhere: agjentët e Greqisë dhe të Patrikanës të lidhur ngushtë me "fetarin" Musa Qazim; njerëzit që pretendonin se luftonin për din dhe dovlet bashkëpunojnë me çetat destruktore greke; Esadi dhe partizanët e tij të "Sadai Mil-letit" bëhen vegla të shqehve dhe grekëve.
Por një pjesë e esadizmës, fytyrat më shtazore të saj, ato që inauguruan bolshevizmën në Shqipëri me djegie, plaçkitje dhe rrënime, tre vjet më parë se sa të buçasë bolshevizma në Rusi, partia e Haxhi Qamilit dhe e Musa Qazimit, ktheu armët edhe kundër kryetarit dhe inspironjësit të tyre dhe Esadi u bë aq i urrejtur sa edhe shteti, qeveria, rregulla, patriotizma; kaq është e vërtetë se, ay që lot me zjarrin shpesh digjet dhe vetë. Në këtë katastrofë, përpara sulmeve të jashtme dhe të brendshme, mbetur pa një mbështetje morale, përkundrazi e marrë nëdrmjet dy zjarreve të dy grupeve rivale të dy pushteteve të mëdha që buçitja e luftës europiane i kishte ngrehur çiltazi kundër njëra-tjetrës,
Shqipëria, shteti dhe qeveria, u ndodhën përpara një shkatërrimi fatal: duke kuptuar se sulmet nga çdo anë që vinin kishin për burim kryesor rivalitetet dhe intrigat e Fuqive të Mëdha, qeveria shqiptare u shtrëngua, duke mos gjetur udhë tjatër, të dorëzojë fuqinë te Komisioni Ndërkombiar i Kontrollit-emëruar prej pushteteve të mëdha- dhe mbreti të largohet nga Shqipëria. Eshtë e vërtetë se autoriteti efektiv i qeverisë kishte katër muaj që ishte pakësuar dhe kufizuar fort tepër; por mërgimi i saj solli një kaos të vërtetë, një anarki materiale dhe morale: prestigji dhe posibiliteti i punimit të Komisionit të Kontrollit gjendeshin të reduktuar në minimum, në një mënyrë që rebelët "ehli kijami" gjetën fare shesh të lirë në Tiranë, u ndenë në Elbasan dhe Berat; prefekturat e Gjinokastrës dhe Korçës i okupuan zyrtarisht grekët duke i dhanë fund komedisë epirote dhe Italia zbarkoi në Vlorë, duke mos vonuar edhe malazezët me serbët që të zbresin nga veriu. Barka e Shqipërisë kishte mbetur pa komandant, pa timon, pa rema, e lëkundur në një det të shfryrë, e rrahur prej tallazeve të pasionit. Në këto kondita çdo organizim, çdo politikë ishte e pamundur. Populli, rënë në mizerje dhe anarki, po priste ngjarjet në një mënyrë passive, pa zhvilluar dot asnjë vullnet"..
(Mit’hat Frashëri mirëpriti ardhjen e Princ Wied-it në Shqipëri dhe ndihmoi në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Në janar 1914, u përzgjodh nga KNK, së bashku me Mihal Turtullin e disa të tjerë të kontaktonin me Dervish Biçakçiun .Mit’hati ka qenë i papajtueshëm me Esad Toptanin dhe kundër veprimeve të tij antishqiptare. Pas largimit të Wied-it shkoi në Lozanë, ku qëndruan edhe Mehdi Frashëri, Pandeli Cale, Dr. Mihal Turtulli, Ahmet Resuli, Hivzi Korça, vëllezërit Gode. Në vitin 1916 vendoset në Bukuresht ku arrestohet nga policia dhe internohet në Moldavi. Deri në vitin 1918 jetoi në disa shtete të Ballkanit.
Gjatë një udhëtimi për në Nju Jork, SHBA, ai vdes si pasojë e një ataku kardiak. Vdiq beqar në moshën 69 vjeçare i detyruar të jetojë si renegat larg vendit të tij, Shqipërisë. Shpirti i këtij njeriu të ndritëm u shkëput ditën e hënë, dita 3, vjeshta e dytë ora 9.25 minuta në New Jork, hoteli Winthrop. Tek trupi i tij kanë bërë roje nderi Shefqet Isaraj, Muho Xhakja, Astrit Sako, Braho Husi, Sulo Male, Hysni Aliko, Hajredin Peshkëpia, Skënder Omari, Iliaz Guri, Luan Dosti. )
E përpunoi Fahri Xharra, Gjakovë