E enjte, 10.10.2024, 02:53 PM (GMT+1)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Fisi i Kuçit në tri kombe e në tri fe

E hene, 15.01.2018, 10:00 PM


Fisi i Kuçit u shprish në tri kombe e në tri fe

Nga Gani Mehmetaj

Kelmendasit, spartanët e shqiptarisë nga terrori turk u bën myslimanë, nga presioni boshnjakë e serbë nisën të shkombëtarizohen. Sot janë objekt i tregtisë politike në mes të Serbisë e Turqisë, por edhe të Turqisë e Malit të Zi. Kur provuan disa herë në dhjetëvjetëshin e fundit të qoheshin në kryengritje kundër diskriminimit serbë a malazezë, erdhën emisarët turq i mashtruan e pacifikuan, u ndërtuan edhe më shumë xhami e e medrese. Nga Dardania e Shqipëria nuk u erdhi asnjë ndihmë a mbështetje për kryengritje, megjithëse pati kërkesa të tilla. Popullata në shkombëtarizim e sipër janë bërë shembull i bashkëpunimit të shkëlqyeshëm Beograd-Ankara e Ankara-Podgoricë.

Me ndërtimin e internatit e medresesë në Ulqin për vajzat boshnjake, që po i sjellin nga vendbanimet e boshnjakizuara të Malit të Zi, turqit e arabët, të cytur nga malazezët përpiqen ta ndryshojnë strukturën e popullatës shqiptare. Ato vajza fatkeqësisht po i trajtojnë kafshërisht si pela ndërzimi, që duhet të përzihen me djem shqiptarë, me tha miku im ulqinak. Boshnjakët dhe shqiptarët e boshnjakizuar i kanë shndërruara në majmunë të eksperimenteve turko-serbe-malazeze. Shembujt e kundërt do të më mrekullonin.

Kështu, në mungesë identiteti, të ndërsyer nga turqit e arabët, me tumiren e Serbisë e Malit të Zi, shqiptarët e boshnjakizuar dhe boshnjakët sllavë i dërguan në luftën e Sirisë e të Irakut. Në vend ta mbronin territorin e tyre nga agresioni e terrori serbë, ata po i lënë kokat për tokën "e shenjtë" të Shamit, në vend të ringjalleshin, ata po zhytën edhe më frikshëm në errësirë. Të rekrutuarit i morën në qafë hoxhallarët boshnjakë, por edhe dhjetëra hoxhallarë nga Dardania që shkuan me mision djalli në Sanxhak, ndërsa shërbimi sekret serbë e malazezë nuk ua prishte.

Me krijimin e kufijve në mes të Dardanisë e Malit të Zi dhe Dardanisë e Serbisë, shkëputja shpirtërore e territoriale u bë më e theksuar, megjithëse vajtje-ardhjet nisën të vështirësohen qysh pas vitit 1981. Lidhjet e këtyre krahinave me Pejën dikur ishin të forta, dyndje të popullatës nga Malësia në Rrafsh pati shumë, pastaj lidhje tregtare, krushqie e farefisi. Dikur ishte një tërësi territoriale: Shqipëria. Gjysma e rugovasve atje e kanë farefisin, por më nuk e flasin të njëjtën gjuhë.

Peja ishte qendra shpirtërore e tyre pas Shkodrës. Pastaj në kohë gjenocidi ata erdhën në Rrafshin e Dukagjinit, por çuditërisht jo pak prej tyre flisnin serbisht apo boshnjakisht që është e njëjta gjuhë. U ofruan shtëpi e ngrohtësi, sepse ishin të gjakut tonë. Por prapë një pjesë e tyre vazhdojnë të flasin serbisht a boshnjakisht. Tito ua sajoi kombin myslimanë, pastaj hoqën dorë prej këtij kombi fetar dhe ua sajuan kombin boshnjakë (gjithnjë sipas modelit të Bosnjë-Hercegovinës) nga kelmendasit, kuçët, nikçët e lajçët e dikurshëm. Ndërkombëtarët në Dardani ua bënë minoritetin boshnjakë me deputetë në Kuvendin e Kosovës.

I kam dëgjuar edhe rrëfimet e babait tim, që me kushërinj e me mijëra vullnetarë nga Rrafshi i Dukagjinit e Rugova kanë luftuar në dimrin e egër të vitit 1943, kanë luftuar gjyshërit tanë edhe me 1878-81, 1912 etj. në këto krahina dikur puro shqiptare kundër serbëve e malazezëve që bënin krime të tmerrshme. Qindra dukagjinas e rugovas ranë në luftë, duke i mbrojtur territoret etnike. Qeveria e Mustafa Krujës me Xhafer Devën në krye të mijëra vullnetarëve luftuan trimërisht, ndërsa qeveritë "popullore e çlirimtare" të partizanëve më vonë i harruan fare, ose i dënonin më vdekje pse luftuan për Shqipërinë etnike.

Pavarësisht kësaj pasqyre të zymtë, mohimi i boshnjakizimit e kundërshtimi i asimilimit është më i hershëm, mirëpo e bëri publike hoxha i Pazarit të Ri (Tre Gurit), që doli më i ngritur se hoxhallarët shqipfolës me surrat aziatiku në Dardani. Ai në një postim me video u drejtohej besimtarëve: ne nuk jemi sllavë, nuk jemi serbë, nuk jemi as boshnjakë, ne jemi ilirë. Besimtarët e shihnin me sy të gapërruar. Hoxha fliste për qytetin e vjetër ilir në afërsi, që ishte i ndaluar ta vizitonin vendësit. E mbaj në mend kur nisen hulumtimet arkeologjike në këtë qytet antik nga arkeologët e Beogradit. Ata shpresonin se do ta gjenin qytetin e tyre të imagjinuar Ras. Mirëpo, kur u dolën artefaktet ilire me kështjella, shtëpi e kisha antike, e ndërprenë çdo komunikim me opinion, e lanë në harresë edhe qytetin. Hoxha reagoi ndaj propagandës serbe e malazeze që kanë ndikim të boshnjakët e shqiptarët e boshnjakizuar, kinse ata dikur ishin serbë ortodoks, por më vonë nga terrori turk u bënë myslimanë, pra sipas propagandës së tyre ata janë serbë myslimanë. Këtë gjë ma kanë thënë disa boshnjakë edhe në Prishtinë në kohën e sotme. Kur ua kundërshtoja tezën e çoroditur bëheshin nervozë, por nuk bëzanin.

Mirëpo brezi i ri boshnjakë a shqiptarë të sllavizuar që duan të shkëputën nga mallkimi i islamit, bëjnë zhurmë sikur ata ishin serbë para se të bëheshin myslimanë, prandaj duana t'u kthehen "rrënjëve". Sipas të njëjtit model këtë gjë e thonë edhe boshnjakët në kufi me Kroacinë, ata thonës sikur ishin katolikë sllavë, para se të bëheshin myslimanë boshnjak. Ky rrezik i deklarimit serbë u kanosët edhe shqiptarëve të boshnjakizuar. E kam dëgjuar nga goja e një pinjolli të familjes Çollaku, se kushërinjtë e tyre në Beograd janë deklaruar serbë me ndajshtesën Çollakoviq. Në Dardani ndjehen shqiptarë,por edhe boshnjakë pro malazezë, megjithëse nga terrori sllavë erdhën të ne, në Mal të Zi e Bosnjë -Hercegovinë janë boshnjakë militantë, ndërsa në Serbi serbë.

Disa pinjollë boshnjakë të fisit shqiptarë katolik Kuçi nga Mali i Zi, e gënjenin vetën kinse të parët e tyre ishin sllavë ortodoks. Kur ua thash në Guci dy burrave që thoshin se ishin boshnjakë se fisi i tyre Kuçi nga thanë se i kishin rrënjët, dikur kishin qenë puro shqiptarë katolik, ata nuk kundërshtuan por heshtën dhe u thartuan. Propaganda islamike ua kishte përdjallëzuar aq shumë fenë katolike e Vatikanin sa më me dëshirë donin të deklaroheshin se ishin më rrënjë serbe ortodokse se sa shqiptare katolike.

"Fisi i Kuçit, jeta dhe zakonet e shqiptarëve" është libri i Mark Milanit, njërit ndër bastardet më mizor malazezë që i luftoi deri në shfarosje kuçianët. Thasët me sy që ua nxirrnin cubat e tij shqiptarëve të Kuçit, burrave, grave e fëmijëve dhe qerret me koka të prera, ishin masa e vlerësimit të trimërive të tyre. Milani me malazezët e tjerë për këto mizori ishte i nxitur dhe i financuar nga Rusia, ndërsa rusët me malësorët mizorë malazezë donin ta sajonin një shtet satelitë në brigjet e Adriatikut. Dhe e sajuan, por duke shfarosur shqiptarë.

Fati i fisit të Kuçi është fati më tragjike i shqiptarëve. Dikur malësorë të lirë sikurse mirditorët, luftuan qindra vjet kundër turqve, luftuan edhe më egërsisht kundër malazezëve, që udhëhiqeshin nga oficerë të shkolluar rusë. Fisi i Kuçit shpesh luftoi në dy fronte kundër turqve dhe kundër malazezëve. Lufta gati i shfarosi. Ata që mbetën u shpërngulën në Dardani, Kroaci, u asimiluan në Mal të Zi e Serbi. Fare pak mbetën në fenë burimore, edhe më pak e ruajtën gjuhën. Pjesëtarët e këtij fisi luftarak shqiptarë u shprishën në tri kombe dhe në tri fe pas luftës malazeze-shqiptare, veçmas para dhe pas Kongresit të Berlinit. Në Mal të Zi ata që shpëtuan kokën nga gjenocidi u asimiluan në malazezë ortodoks, ndërsa ishin shqiptarë katolikë. Kështu, ndryshuan komb e fe nga dhuna shfarosëse malazeze. Në Kroaci, ku ikën, që atëbotë ishte pjesë e Austro-Hungarinë, u bënë kroatë, ndërsa fenë e të parëve e ruajtën. Në Dardani Perandoria turke i detyroi të bëheshin myslimanë, por gjuhën dhe kombin i mbajtën, sepse komb tjetër pos shqiptarëve në Dardani nuk kishte.

Kam takuar pinjoj të këtij fisi në Mal të Zi edhe me 2010 që tregonin se si gjyshërit e tyre flisnin shqip, tregonin me mall, pavarësisht që ata flisnin sllavisht se gjaku ujë nuk bëhet. Në Kroaci, Mal të Zi e Serbi kam takuar artistë të suksesshëm filmi e letërsie me prejardhje kuçiane, por të shkëputur përgjithmonë nga trungu shqiptarë. Vetëm kur deheshin nëpër ndejat e kineastëve pas mesit të natës në festivalet e Pulës, Zagrebit, Beogradit e Budvës dhe, veçmas kur merrnin vesh se jam shqiptar, nisnin e rrëfenin më pikëllim të pafundme tragjedinë e tyre dhe fatkeqësinë e gjuhës e të kombit që e braktisën.



(Vota: 3 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora