E shtune, 12.10.2024, 01:47 AM (GMT+1)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Turku me tre gishta

E enjte, 19.10.2017, 09:40 PM


Turku me tre gishta

Nga Gani MEHMETAJ

- Erdoganin ua morëm, ua endëm nëpër Serbi, i nxorëm myslimanët serbë në rrugë të çirreshin si për Gadafin. T'i shihje se si i brohorisnin myslimanët e shkretë si dikur Titos. Gati u shkri turku me bukuritë e atdheut tonë. "Allah, allah", klithte i mrekulluar "si e ke jaratis këtë shtet të paqes!" Edhe hanëmen e tij e gostitëm me byrekë shqiptari, hante dhe i fshinte buzët delikate nga lyra. Mori edhe ca llokume që t'i shpërndante rrugës. Por, na qiti në hall lukunia e biznesmenëve turq që i lanë në tryezë mishrat e sallatat serbe, i lanë edhe tespihet, dhe mësyn kah hanëmja e byreku i nxehtë, - nisi të më tallte miku im Dragani, derisa komentonte vizitën e presidentit turk në Beograd.

-He, harrova: Pa ia kërkuar fare, myslimanëve të Bosnjës e të Sanxhakut u tha ta ulin kokën.

-Hairin ia pafshi, na e hoqët qafe, se s'na shqitej, gati na mbyti me ryshfete e me xhami, - ia ndërpreva fjalën, ndërsa m’u kujtua vargu: "Mirë e pritën e gostitën". Kanë traditë serbët në pritjen e burrështetasve myslimanë, gjithë arabët në Beograd i patën. Nuk ishte vendi t'ia thosha se në Bosnjë gati i zhdukët myslimanët, i vratë mbi 100 mijë, kurse i pari i turqve u thotë serbëve se askush s'do të guxojë t'ua prekë kufijtë që i sajuan me gjenocid ndaj kombeve joserbe.

Sikur t'i lexonte mendimet e mia, ai më pa i skandalizuar. Shpresonte të shkrihesha gazit me përshkrimet e atmosferës së takimit. Zakonisht talljet e barsoletat i bënte me turq e myslimanë, ndërsa unë qeshja, sidomos kur më tregonte batuta për sheikët e gratë e tyre që i sillnin në Beograd, ndërsa merrnin pjesë gjysma e personelit të hotelit t'i mbarështonin e t'ua qetësonin gratë epshore. Por kësaj radhe më sëmbonte që tallej me turkun që ne e bëmë vëlla, mu si talleshin dikur serbët me Gadafin, kur erdhi në Beograd, ndërsa ne i pagëzonim fëmijët me emrin e tij. Atëbotë serbët ranë në hall pse e mori Gadafi gamilen nga Libia: për qumësht a për grua!

-Nuk e di a e ngushëlluat dot. Turku erdhi me buzë në vaj. Donte të nxirrte inatin me Gjermaninë që e përbuzi: "Kurrë në Evropë s'do të futesh", i tha Merkeli. Turku i inatosur edhe nga Trumpi u hodh në përqafim të Putinit, - nisa t'ia ktheja talljen me tallje. Duket sikur e zmbrapsa pak, sepse një kohë u mor me teken e rakisë, duke kërkuar t'ia mbushin sërish.

Mua më shumë me dhimbseshin shqiptarët, skllevër të shkretë, që e përjetuan rëndë vizitën e babait të tyre ilegjitim te shkau. Verë me gojë nuk bënin, përpiqeshin me arsyetime idiotësh ta nxirrnin nga bataku. "Ju e kritikonit, prandaj ai shkoi me zemër të thyer te shkau, që ta plotësonte dashurinë e mohuar", nisnin e vajtonin pse i la shqiptarët me buzë në vaj dhe iu hodh në përqafim serbëve. Të tjerët ia prisnin: "Serbët janë kopila (dinakë), gjithnjë e kanë mashtruar turkun".

Sa e mori teken që e rrëkëlleu, vazhdoi: - Gjatë drekës, kur ai hante me grushte e me gishta herë pilafin e nxehtë, herë kofshën e pulës, kryetari ynë i tha në mënyrë të prerë, se mos gaboni më dhe e llapni atë marrëzinë se Kosova është Turqi!

-Evet, evet, tabi, tabi (po, po, sigurisht, sigurisht) - ia përsëriste i pari i turqve me gojën plotë pilaf, - kurrë më nuk e bëj atë marrëzi. Nuk e dija se do të zemëroheshit. Desha t'ua bëja qejfin ca pleqve të rrjedhur në Prizren, që s'janë as turq, as sllavë, as shqiptarë, as torbesh, dreqi e merr vesh çka janë, por u përqurrën kur ishte Davutogllu atje, prandaj më shpëtoi ajo deklaratë fatkeqe. Nga sot do ta them me plot gojën se Kosova është Serbi. Ju e dini se të nesërmen e deklaratës sime fatkeqe e nisa Davutogllunë në Beograd që t'u kërkonte falje. Nëse u bëhet qejfi do ta them Turqia është Serbi, ndërsa nisi të ngrejë lart tre gishtat e palarë, pasi e çapëleu një kofsh pule. Aty e kapën fotografët, saqë njerëzit dyshuan se mos është kthyer në fenë e vjetër.

Derisa flisnim, afër meje rrinte si në ferra miku im Saqimi nga Dardania, që e donte aq shumë Erdoganin, e donte i shkreti dikur edhe Titon. Kur u rrënua Jugosllavia, nisi t'i kthehej Enverit të vdekur. Dashurinë për Jugosllavinë e zëvendësoi me dashurinë për Turqinë. Kjo dashuri e trefishtë nuk e pengonte që secilin shqiptar që e kritikonte Turqinë ta quante shka sllavo-grek. Prandaj, çdo fjali me talljen therëse të Draganit, dardani im e përjetonte rëndë, por nuk guxonte t'i kundërshtonte, i frikësohej për tmerr. Kur e tallja serbin më shihte me habi, vetëm sa s'më thoshte “hiqu tij”!

Miku im beogradas vazhdonte të më bombardonte: - Pranojeni se turqit më shumë na duan ne. E ke parë me sytë e tu që në pazare të Stambollit turqit të flasin serbisht si të ishin shtatë herë serbë të Shumadisë. Asnjëherë nuk të flasin shqip, madje të sheh me përbuzje po e përshëndete shqip.

Nuk mund ta kundërshtoja. Më kishte ndodhur dhjetëra herë. M’u kujtua edhe viti 1982 kur e nisëm një bisedë në autobusin nga Edreneja në Izmir me një turk. Meqë i thashë se isha nga Jugosllavia tërë kohën më foli me dashamirësi. Nga fundi kur i tregova që jam shqiptar u thartua sikur t'ia kisha sharë nënën. Iku pa më përshëndetur. M’u kujtuan edhe miqtë e mi që shkojnë në verime në Turqi. Nga aeroporti deri në hotel serbisht ua dëshirojnë mirëseardhjen, më tregonin ata.

E ndiqja bisedën e Draganit, me një buzëqeshje të lehtë, por e ndiqja me sy edhe reagimin e mikut tim, i dashuruar në Erdoganin. Më me dëshirë do ta ndiqja reagimin e akademikut tonë Qosja, i cili pati deklaruar se kush e shanë Turqinë, flet me gjuhën e Serbisë. Tash kur Serbia e lavdëron Turqinë, sigurisht do t'ia dredhë: kur doni ta lavdëroni Turqinë, flisni me gjuhën e Serbisë.

Sikur donte ta zemëronte dardanin tim, Dragani, vazhdonte me monologun për vizitën e turkut në Serbi.

- Çfarë bëjnë kështu?,- më pëshpëriti këshilltari ynë derisa shikonte se si hanin me gishta e me grushte.

- Ashtu hanë myslimanët, - i pëshpërita në vesh, - nuk u duhen lugë e pirunë, nuk u duhet as kompleti i pjatave. Ata e shtrojnë një beze përpara dhe hanë në tokë. Në një gotë pinë ujë të gjithë, gotën e endin nga fillimi në fund të tryezës. Gjysma e tanëve i lanë lugët e pirunët, e lanë drekën, nuk ishin mësuar kështu.

Se çka thoshte nipi i Qubriloviqit nuk më bënte përshtypje, mirëpo nisi të më mbërthente zemërimi kur m’u kujtua sa shumë hiqnin bashkëkombësit e mi në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc nga Serbia.

- Mos më përrallis për turkun. Po shqiptarëve të Kosovës Lindore pse u bëni zullum? Pse nuk ua hapët shkollat, edhe pse i premtuat të parit të Shqipërisë, e lejuat të takohej në Preshevë me shqiptarë, u tall ai dhe ju me emocionet e tyre, ndërsa prapa shpine ua nxorët gjuhën, - nisa ta sulmoja aty ku shpresoja se ai është më i dobët, sepse në takimet ndërkombëtare për minoritete ku shiheshim shpesh, miku im serb çirrej në kupë të qiellit për barazi.

M’u duk se e zura ngushtë. Por i biri i thiut shpejt e mori veten. - As i pari i Shqipërisë nuk këmbënguli në shkollat shqipe. E tha sa me e lagë gojën. Doganierët tanë librat shqip ua konfiskuan të nesërmen e premtimit. Zgjatoja nga Tirana për të drejtat e shqiptarëve foli si për të drejtat e minoritetit ujgur në Kinë. Por ne nuk morëm zotime t'i ndërtojmë shkollat shqipe, thamë do të shohim. Ndërkaq, turku nuk na kërkoi ta gënjejmë, nuk kërkoi asgjë për myslimanët e vet, sikurse i quante shqiptarët e Luginës. Na pyeti njerëzisht: a bën të ndërtojmë tri-katër xhami? Njëqind, i thamë po deshe. Na falënderoi me përkulje koke deri në tokë. Ai na e kërkoi t'ua ndërtonte edhe romëve në periferi të Beogradit një xhami. Turku i bëri myslimanë edhe romët e Rumanisë që i kthyen mbrapshtë nga Perëndimi zyrtarët evropianë. I mban me hurma e bakllava turku se s'i deshi Evropa, ashtu si i mban edhe ata dardanët tuaj që nuk e duan punën, por duan të jetojnë nga mëshira.

Më sëmboi në zemër që i fyente ndjenjat myslimane të dardanëve të mi. Dardanët krenarë ua shtrinin dorën shoqatave islamike për respekt ndaj fesë e jo pse donin të hanin qyl, as pse nuk ua donte shpirti punën.

- Më zuri ngushtë i biri i shkinës, - i thashë në vesh shokut tim. - ç'i hynte në punë atij a jetojnë dardanët nga turku mëshirëmadh a nga puna e tyre.

Ai sikur donte ta fashiste zemërimin tim qeshi kinse me dashamirësi: -Shqiptarët tuaj që para disa vjetësh e kërkonin Shqipërinë deri në Nish, tash janë zënë me ndërtimin e xhamive e mejtepeve turke në Preshevë, Bujanoc e në tërë shtetin tuaj të rrejshëm. E harruan Nishin e Toplicën, shkollat shqipe po ua mbyllin të zgjedhurit e tyre, besa s'kanë as nxënës. Mejteplitë e Preshevës e Gjilanit dolën disa herë në rrugë ta përkrahin Erdoganin, edhe prishtinalitë e hurmave e hapën gurmazin për të parin e Turqisë. Të ta them të vërtetën kanë nisur të thonë nëpër çajtore e xhami “ç'na duhet Skënderbeu”?

Më linte pa mend me dijen e tij për xhamitë, myslimanët, për romët e shqiptarët e romizuar.

Me të shkuar miku im serb, që nxitonte të takonte biznesmenët turq e t'i zhvaste, dardani im Saqipi, paksa i hutuar nga thumbat e serbit kopil më tha i shkarkuar frike. -Nuk desha t'ia thosha, se do ta zbuloja strategjinë islame, por i pari i turqve ka ardhur në Beograd t'i bëjë serbët myslimanë! Myslimanizmin do ta shtrijë deri në Londër. Do t'ia dëgjosh krismën. Pastaj s'do të kemi më asnjë arsye t'i urrejmë serbët, s'kemi as pse t'u kërkojmë llogari për të kaluarën. Myslimani myslimanit nuk i kërkon llogari. Do ta bëjë edhe Shqipërinë e madhe myslimane, Bosnjën do ta bëjë me ne, - më thoshte teorinë e konspiracionit të idiotëve që e ngushëllonin veten me marrëzira anadollake.

Qesha me lot. Nuk më shqitej gazi. Qesha aq shumë, saqë pata frikë se do të më zihej fryma e do të më lëshonte zemra nga qeshja e shfrenuar.

Saqimi, dardani im islamik me shihte gojë hapur, si t'i kishte rënë damllaja.



(Vota: 5 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora