Editorial » Mehmetaj
Gani Mehmetaj: Kontributi historik i diasporës shqiptare
E enjte, 17.08.2017, 03:30 PM
Kontributi historik i diasporës shqiptare
Diaspora shqiptare punonin, angazhoheshin dhe kontribuonin, ishin shtylla e kombit.
(Kujtime 28)
Nga Gani Mehmetaj
Diaspora shqiptare është pika më e ndritshme e organizimit, solidaritetit, përkushtimit e patriotizmit shqiptar në Perëndim. Emigrantët tanë të rinj e të vjetër, refugjatët që ikën nga vendlindja, duke kaptuar lumenj e dete, meqë nuk e përballuan dhunën serbe, hallexhinjtë e ata që s’kishin me se të jetonin në katundet e qytetet nga erdhën, u mobilizuan për të kontribuar për çështjen shqiptare si rrallë ndonjë diasporë kombëtare. Vetëm hebrenjtë, irlandezët e kroatët janë shembull i ngjashëm me bashkëkombësit tanë të Shkupit e të Prishtinës, të Strugës e të Pejës. Ata ishin një. Ndihmonin si për Universitetin e Prishtinës, ashtu edhe për Universitetin e Tetovës.
Trajnimet e grupit të Salih Çekajt e Adem Jasharit
Shqiptarët e diasporës solidaritetin e nisën me ndihmat pas rënies së komunizmit në Shqipëri, ku dhanë kontribute të çmuar për këndellje, e vazhduan me kontributet për trajnimet e formacioneve të armatosura të Kosovës në kazermat e Shqipërisë, nga dolën grupet e armatosura të udhëhequra nga Salih Çekaj e Adem Jashari. Me kontributin e shqiptarëve të diasporës u bënë mobilizimet e para për rezistencë të armatosur. Të gjitha ndihmat e organizimet ushtarake u bënë me fillimin e veprimtarisë së LDK-së e më vonë edhe të PPD-së në diasporë.
Thirrja bashkëkombësve iu bë të financonin institucionet e reja, të mbahej fryma kombëtare e të mos gjunjëzoheshin para armikut. Me ndihmën materiale të Degës së LDK-së në Zvicër u financuan grupet që trajnoheshin në kazermat shqiptare. Adem Jashari e Salih Çekaj ishin ndër prijësit e parë të këtyre grupeve të rezistencës.
Ndihmat më të mëdha u dhanë për të papunët, sepse atëbotë Serbia dëboi nga puna mbi 120 mijë punëtorë shqiptarë. U ndihmua arsimi fillor, i mesëm e universitar, shëndetësia e rastet sociale, institucionet e sigurisë e të mbrojtjes.
LDK-ja shtriu rrjetin e vet me degët e nëndegët, me aktivet e klubet në tërë Evropën Perëndimore, SHBA e Australi. Sipas modelit të Kosovës, vepronte me shumë intensitet në të gjitha shtetet ku pati shqiptarë. Komuniteti më i madh i shqiptarëve shtrihej në Zvicër, Gjermani, Belgjikë, Francë, Britani të Madhe, SHBA, Austri, Itali e shtetet skandinave. Asnjëherë më parë nuk pati energji e gatishmëri të ndihmohej popullata shqiptare në Kosovë e në Maqedoni sesa pas formimit të subjekteve politike në diasporë.
Diaspora shqiptare ishte në ballë të zhvillimeve dinamike, në krye të proceseve, e gatshme të sakrifikonte çdo gjë për të ndihmuar vëllezërit e motrat, bashkëkombësit që ishin në nevojë. Diaspora shqiptare e mbajti barrën e financimit më shumë se një dhjetëvjetësh.
Nga Cyrihu, Shtutgardi e Brukseli vazhdonte rrugëtimi diplomatik i Rugovës për të sensibilizuar çështjen e Kosovës. Takohej me kreu e diasporës, bisedonte me emigrantët shqiptarë, duke vazhduar takimet me faktorë ndërkombëtarë.
Diaspora shqiptare i financoi njerëzit në paqe e në luftë
"Rilindja" Gazeta që e udhëhiqja u bë zëdhënëse e kësaj diaspore energjike, nxori në pah solidaritetin e bashkëkombësve tanë, prezantoi veprimtarinë e tyre, ndonjëherë i orientonte, ku kishte më shumë nevojë për ndihma. Emocionoheshe kur i shihje burrat e gratë sesi vepronin e ndihmonin, shpeshherë duke e lënë keq familjen e tyre të ngushtë.
Diaspora shqiptare ishte solidare, aktive, dinamike e plot ethe veprimi. Ndër kryetarët me aktivë të degëve, atëbotë njiheshin: Hafiz Gagica, Hajdar Sadrija, Ismail Bytyçi, Gani Azemi, Hysen Gërvalla, Hysen Shehu, Remzi Reka, Shaip Latifi etj. Ndërkaq, veprimtari më i eksponuar, me shpirtin luftarak e shkrimet mobilizuese qe Shefqet Dibrani. Ai u jepte zjarrmi veprimeve, por njëkohësisht u rrinte gati hileve e ndërskamsave.
Të gjithë ata në përgjithësi, por secili për shtetin, ku jetonin e vepronin, apo grup shtetet u prinë ngjarjeve politike, sensibilizuan opinionin ndërkombëtar, veçanërisht opinionin e qarqet politike të vendit të tyre të dytë me demonstrime masive, me letra e peticione, me takime me politikanë me ndikim. Kush nuk e kujton Hajdar Sadrinë, i cili krahas veprimtarisë politike, ndihmoi shumë në përgatitjen e shtojcës javore, të martave, në gjuhën gjermane, që botohej në kuadër të gazetës”Rilindja”. Kush nuk e kujton Hafiz Gagicën, kryetarin e Degës së LDK-së në Gjermani e kryetarin e Këshillit Koordinues të LDK-së për Evropën Perëndimore e SHBA-në me të cilin komunikonim në ditët më të vështira, ndërsa ishim mbushur frymë e të emocionuar me lajmet e frikshme që vinin nga Kosova; kush nuk e kujton Ismail Bytyçin, shefin e LDK-së për Beneluks, që e gjeje në gjithë Evropën ku mbaheshin takime e tubime, apo mikun tim të studimeve, Gani Azemin, dinamik, Hysen Shehun e prajshëm e punëtor, Hysen Gërvallën mençurak, Shaip Latifin e një armatë të tërë të veprimtarëve që u angazhuan me tërë potencialin e tyre intelektual e kombëtar. Kush nuk i kujton angazhimet e debatet publike të Donika Gërvallës, atëherë vajzës së re të mprehtë në mediat gjermane, kur polemizonte me serbë që gëzonin emër në qarqet gjermane. Ajo shquhej për oratori, diapazon intelektual e përgjigje të mprehta.
Natyrisht në komunitetin e madh të shqiptareve vepronte grupi pak më i vjetër, ai i Lëvizjes marksiste-leniniste. Ata vepronin të ndarë. Marksizëm-leninizmi ra në gjithë Evropën Lindore, ra për faqe të zezë edhe në Shqipëri, ndërsa ata përpëliteshin në mes të kërkesave të reja e strukturave të vjetra të Shërbimit të fshehtë Shqiptar. Rrinin anash këtij solidariteti, duke e shikuar çdo gjë me dyshimin e tyre proverbial.
Por goditje mori struktura organizative e diasporës me fillimin e konflikteve në mes të Qeverisë në ekzil dhe Prishtinës, kryeqytetit të shqiptarëve. Meqë pjesa më e madhe e kontributeve mblidhej në diasporë, nisi lufta për fonde. Qeveria e kishte fondin të cilin e shpalli që në fillim, e botoja në gazetë, sepse u dedikohej në pjesë arsimit, ndihmave sociale e shëndetësore, sepse ato ndihma i jepnin kryekëput vetëm simpatizantët e LDK-së. Të tjerët nuk jepnin para për fonde të tilla as për solidaritet, e kishin fondin e vet. Degët e LDK-së kishin fondet e veta.
Mosmarrëveshjet e para të LDK-së në mes të Prishtinës e Qeverisë në ekzil ndikuan në acarimet në mes të veprimtarëve të LDK-së. Çorientimi u bë më i ndjeshëm kur nisën të qarkullonin emisarët e të dyja palëve. Të dyja palët shpresonin se do të përfitonin, ndërsa në pjesën më të madhe synonin të përfitonin individualisht, prandaj ishin aktivë, shpesh kategorikë për shpërbërjen e grupeve që nuk pranonin urdhrat e tyre.
Me gazetë, me njerëzit e zakonshëm që takoja dendur nëpër kafene, sidomos nëpër kafenetë e banhofit të Cyrihut, po edhe në takimet me veprimtarë të LDK-së, përpiqesha t’i bind se nuk duhej t’u jepnin zjarrmi mosdurimeve Presidencë-Qeveri, secili ta ndjekë punën e vet e të kontribuojë aq sa ka mundësi. Mirëpo, deklaratat e kohëpaskohshme e nxisnin përflakjen.
Ministria e Informatave, e cila qëndronte në mes të marksistëve, titistëve e Qeverisë, nga i merrte mjetet, bënte intriga të vazhdueshme. Bëri dëme të pariparueshme me programin televiziv në Televizionin Shqiptar dhe me fondet e Qeverisë. Asnjëherë nuk e kam kuptuar pse nuk e shkarkuan Xh. Shatrin, një marksist të vjetër, që ia dridhte gjithandej, por e mbajtën deri në fund. Ai manipulonte me shuma të mëdha, të cilat i merrte pa asnjë procedurë paraprake, i përdorte kryekëput kundër LDK-së, përderisa nga anëtarët e LDK-së i vilte. Me armët e LDK-së e luftonte tinëzisht LDK-në. Njerëzit në diasporë patën vërejtje të vazhdueshme kundër tij e kundër atyre që s’bënin asgjë, pos që e dëmtonin çështjen kombëtare.
Megjithatë diaspora shqiptare e mbajti veten me dinjitetin, duke financuar bashkëkombësit në Kosovë e në Maqedoni në kohë “paqeje” e në kohë lufte. Të gjitha armatimet e luftëtarëve u blenë me paratë e shqiptarëve të diasporës, të gjitha ofensivat u financuan nga këto fonde, pati shumë burra që e dhanë jetën për atdhe.
Diaspora shqiptare do të qëndronte e tillë, e fortë, solidare e gatshme të kontribuonte për atdheun, sikur të mos ndodhte një paradoks i dhimbshëm- me çlirimin e Kosovës ia kthyen shpinën diasporës. Së pari ishin veprimtarët e LDK-së në Prishtinë ata që i çorientuan njerëzit e LDK-së në diasporë, ndërsa kjo parti e pati strukturën më të fuqishme e më të madhen. Së dyti, vështirë të kuptohej pse disa qarqe këmbëngulnin ta shuanin veprimtarinë e diasporës, kur energjia e kapitali i tyre do të na ndihmonte shumë.
Shuarjen e LDK-së në diasporë e ndihmuan edhe partitë e tjera, të cilat u bënin presion strukturave në Kosovë që të shuheshin degët e nëndegët e LDK-së në Evropën Perëndimore e në SHBA, kinse nuk na duheshin gjë, ndërkaq, në fakt, donin ta bënin këtë gjë, sepse partitë e tyre patën struktura të papërfillshme organizative në Perëndim. Të gjithë ata që i patën para luftës, erdhën në Kosovë, morën pushtetin apo rrëmbyen pasurinë kombëtare, kështu që më nuk u kthyen mbrapsht.