Mendime
Adil Fetahu: Erdogani pasardhës i sulltan Fatihut?
E enjte, 02.11.2017, 10:24 AM
A ËSHTË (VËRTETË) ERDOGANI PASARDHËS I SULLTAN FATIH-ut ?
Nga Adil FETAHU
Këto ditë mediat serbe janë përplot me shkrime për kryetarin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, sidomos pas vizitës që Erdogani me një delegacion “kallabllak”, 8 ministra e 185 biznismenë, i bëri Serbisë, më 10 e 11 tetor, me ç’rast u nënshkruan një mori marrëveshje e kontrata bashkëpunimi midis Turqisë e Serbisë, në fusha të ndryshme të tregtisë, ekonomisë, ndërtimeve, etj. Erdogan e Vuçiq nënshkruan edhe një Deklaratë të Përbashkët për Themelimin e Këshillit të Lartë për Bashkëpunim midis Turqisë e Serbisë.
Gjatë qëndrimit në Serbi, Erdogani i përcjellur nga kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, vizitoi Novi Pazarin ku, i emocionuar nga pritja madhështore që iu bë nga populli i atjeshëm, deklaroi: “Ky është atdheu im; fati juaj është edhe fati ynë; dhembja juaj është edhe dhembja jonë”!
Para katër vjetësh (23 tetor 2013), gjatë vizitës së tij në Kosovë, në Prizren në praninë e dy kryeministrave shqiptarë ( Hashim Thaçi dhe Edi Rama), Erdogani pat thënë: “Turqia është Kosovë, Kosova është Turqi. Kemi histori të përbashkët të kulturës dhe civilizimit. Ne jemi aq të afërm, sa që autori i himnit të Turqisë është (shqiptari,a.f.) Mehmet Akif Ersoj, nga Peja”, th Erdogani. Atëherë pat reagua ashpër Qeveria e Serbisë, nepërmes nënkryetarit të vet Aleksandar Vuçiq, duke insistuar që Turqia t’i kërkoj falje Serbisë për fjalët e thëna në Prizren.
Ajo që këto ditë ka “ndezur” më së tepërmi mediat në Serbi e jashtë saj, është “Amaneti” që ia paska lënë ish-kryetari i Bosnje-Hercegovinës, Alija Izetbegoviq. Erdogani thotë se “një ditë para vdekjes e vizitova Alija Izetbegoviqin në spital (në Sarajevë,a.f.), dhe me atë rast më tha: Taib, ju jeni pasardhës i Sulltan Fatihut, kjo hapësirë është në amanetin tuaj, prandaj ruejeni”!
Punën e këtij “Amaneti” Erdogani e përmendi edhe në fjalimin që mbajti në Takimin e Këshillit Ndërkombëtar të Civilizimit, që u mbajt në Stamboll, më 21 tetor 2017. “E si ta lëmë tash Mostarin, si ta lëmë Drinën, si ta lëmë tash Xhaminë e Sulltani Fatihut, etj. Natyrisht se ne kurrë nuk do t’i lëmë. Të gjitha këto përmendore janë kurora të civilizimit tonë. Ai civilizim i ka ngritur atje, dhe janë shenjë e ekzistimit prej shekullit 15 e këndej”,- ka thënë Erdogan. Të pranishmëve në atë Takim, Erdogani u ka thënë se “Evropa ka vdekur në Bosnje, ndërsa është vorrosur në Siri.Trupat e vdekur të fëmijëve të pafajshëm në brigjet e deteve, janë përmendore të civilizimit perëndimor”, ka theksuar Erdogan.
“Ata që historinë nuk e kufizojnë vetëm me periudhën në të cilën kanë jetuar vet, ata që arrijnë të ndërtojnë ura midis të kaluarës dhe të ardhmës,- ata ndryshe e shikojnë të ardhmën e tyre. Edhe rahmetli Alija kështu e ka shikuar. Fakti që Bosnjën ia la amanet Turqisë, është manifestim i horizontit të tij civilizues”, ka thënë Erdogan.
Me rastin e 14-vjetorit të vdekjes së Alija Izetbegoviqit (19 tetor 2003), djali i tij Bakir Izetbegoviq, që është anëtar i Kryesisë së Bosnje-Hercegovinës, ishte në vizitë në Turqi dhe u takua me kryetarin Erdogan, me të cilin morën pjesë bashkë në promovimin e një serie televizive që është punuar në Ankara për Alija Izetbegoviqin. Mediat thonë se Erdogani e ka porositur Izetbegoviqin e ri, të zbutë retorikën dhe tensionet ndaj të ashtuquajturës Republika srpska, ndërsa Vuçiqi do të kërkojë po të njëjtën gjë nga Dodiku, në mënyrë që të stabilizohet situata në Ballkan. Natyrisht, ndaj “Amanetit” që ka lënë Alija Izebegoviq, ka vërejtje e tone të shumta disonante, si nga pala serbe ashtu edhe ajo boshnjake.
A është (vërtetë) Erdogani pasardhës i Sulltan Fatihut ? Kush ishte Sulltan Fatih?
Sulltan Mehmed II (1432-1481), ishte i biri i Sulltan Muratit II. U lind në Edrene, që asokohe ishte kryeqyteti i Perandorisë Osmane. I ati ishte tërhequr për të jetuar i qetë dhe ia la fronin q Sulltan Mehmedit II, qysh kur ky ishte 12 vjeç. Me që kërcënohej nga lufta me Janosh Huniadin, Sulltani i ri shkruan të jatit: “Nëse ti je Sulltan, eja dhe udhëhiqi ushtritë e tua në luftë; nëse unë jam Sulltan, të urdhëroj të vish të udhëheqësh ushtritë e mia”! Këjo fjali ka mbetur qysh atëherë në historinë e Perandorisë Osmane. Sulltan Murati II erdhi, udhëhoqi ushtrinë dhe fitoi luftën e Varnës (1444). Sulltan Mehmedi II, kur ishte vetëm 21 vjeç, me ushtrinë e tij e pushtoi Konstantinopojën, dhe kështu i dha fund Perandorisë Bizantine. Nga suksesi që arriti me pushtimin e Konstantinopojës, mori epietin “El Fatih”, që do të thotë – pushtues. Prandaj, në histori njihet si Sulltan Mehmeti – Pushtuesi, i cili sundoi Perandorinë Osmane plot 32 vjet. Pas pushtimit të Konstantinopojës, atë e bëri kryeqytet të Perandorisë së vet. Sulltan Mehmeti-Fatihu, në vitin 1463 pushtoi Sarajevën. Thuhet se gjatë rrethimit të Sarajevës, tri ditë para pushtimit i është lutur Zotit: “O Allah, nëse në këtë qytet do të dëgjohet ezani deri ditën e Gjykimit, më jep një shenj ta pushtoj këtë qytet”, pataj se atë natë ka parë në ëndër tre shokë të profetit Muhamed: Ebu Bekirin, Osmanin dhe Aliun. Ëndërren ia ka interpretuar personi i autorizuar, dhe Sulltan Fatihu e ka pushtuar Sarajevën. Ndërsa Krujën e ka pushtuar në vitin 1468, tek pas vdekjes së Skënderbeut.
Sulltan Fatih ka ndërtuar xhamia në shumë qytete në vendet e pushtuara, dhe ato mbajnë emrin e tij. Një ndër to është edhe Xhamia Fatih (Xhamia e Madhe) në qendër të Prishtinës, e ndërtuar në vitin 1461, me Shadervanin me 16 çesme, dhe Hamamin afër Xhamisë.
Se a është Erdogani pasardhës i Sulltan Fatihut, është më pak e rëndësishme, por se ky ka një koncept neo-osman të “pushtimit” ekonomik e të ndikimit politik në këto troje, kjo po shihet qartë. Ai që dominon me ekonomi, gjithësesi ka ndikim edhe në politikë. Dhe për sa kohë që Bashkimi Evropian e mbanë Kosovën të izoluar, dhe e trajton me “asteriks e status neutral”, apo zvarritë kandidimin e Shqipërisë për BE, për aq më tepër do të rritet ekspansioni turk në këto troje. Veçse ky pushtim ekonomik po bëhet me pëlqimin dhe levërdinë e dyanshme, sepse tash nuk është viti 1389!