E premte, 06.12.2024, 11:55 AM (GMT)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Ai ishte!

E enjte, 27.07.2017, 07:22 PM


Nga Fritz RADOVANI:

AI ISHTE!

 

(Grafikë nga FR)

AT PJETER MESHKALLA S.J.

(25 SHTATOR 1901 – 28 KORRIK 1988)

“Na nën dhé  e ju mbi dhé,  por na jemi ma të fortë se ju!” At P.Meshkalla S.J.

E njohta… Ai ishte!…

E pashë atë ditë tue predikue, me 29 prill 1967, ora 17.00.

Ai foli e na ndigjuem se shka do me thanë me kenë në Fé të Krishtit!

Ai ishte që tha: “Unë jam Katolik!”... E kapën, e lidhën... Ai ishte që shputë i ranë Fëtyrën me ia marrë...Në vargoj e lidhën pse në Kryqin besoi. Ai ishte...e pashë në mes tyne, në karvan të pafund... i lidhun përdore me Don Ndré Zadêjën, At Gjon Shllakun, At Giovani Faustin, At Daniel Dajanin, Don Alfons Trackin, Don Dedë Malaj, Imzot Gjinin e Bonattin, Etnit Mati Prennushi, Çiprian Nika, Bernardin Llupi, e të sa e sa Martirëve të rreshtit pafund... Përbindshit ma hovin s’ia pret asgja, veç vret, veç pret panumrim.

Edhe ndër muret e akullta të kështjellës së “lavdishme” të komunizmit të Burgut të Burrelit, do të shkruhej se, Ai ishte këtu!... Me ata hekura të ngjyeme në gjak do të shkruhej Epopeja e Atyne Martirëve të pafajshëm, që bashkë me Ata Atdhetarë, pranguen edhe të Madhin At Pjetër Meshkalla S.J., vetëm pse Ai ishte Meshtar i vendosun për Fé,  Atdhé e Përparim. Prej melodisë së lehtë të zanit të Tij, ruhen prap këta tinguj:

“Vëllazën me të gjithë, pa dallim Feje!”. Bashkë me né  kjo muzikë do të zbuste qinda e mija zemra djelmësh të rijë, që gjakun kishte fillue me ua turbullue dëshprimi. Asht Ati i Madh, Ati i të gjithëve, Muslimanë e të Krishtenë, me Fé e pa Fé, që hapte krahët e u thonte: “Ejani, ejani, djelmët e mij, durim, durim, të lutemi për ta dhe t’i falim!...”, e së bashku me të gjithë vazhdonte vuejtjen, dhunën, mjerimin e pakufi, gjithmonë si Feja e pat mësue, tue pritë delen e humbun... E kur tirani, me sy të ngërthyem si mordja, na dukej në atë skëterrë që me plot lakmi shihte Rininë Shqiptare, kah gjak në vetull vëllau vëllaut po i merrte, si t’ ishte i huej që Atdheun po i shklet; i Madhi Mëshkalla, veç brofte në kambë e zani si prej vorrit naltohej deri në qiell: “Na nën dhé e ju mbi dhé, por na jemi ma të fortë se ju!”.

Ushtria mbas Tij veç shkonte, ndër shtigje të tjera që frymën ta merrnin, por Trimi ka orën çuet!... Ai printe përpara! Kur bishat vërriten me djegë Ungjillin – vetëm një za u ndigjue: “Inkuizicion!...”, e Ati u tha: “Digjeni, digjeni, po deshët, se as ju nuk keni me ia dalë, ashtu si paraardhësit tuej, që tash 2000 vjet veç djegin Ungjijtë e Fenë e Krishtit nuk kanë muejtë me e zhdukë!”.

Mizorët tërbohen ma zi kur Burri dy pëllambë i shkurtë, u thotë:

“Unë në Zotin besoj, e do të fitoj, ju më dënoni sa të doni, se unë prap se prap do të dal; ju shoshojnë keni me hangër e aty asht fundi juej! Feja e Krishtit nuk mbaron kurrë!”.

Profet! Vërtetë, Ai nuk trembët prej territ, se e di se Zotin do të shohë njëditë... prap në hekura, prap në pranga, i lidhun mbas turmës: Ai ecën, nuk ndalet, nuk trembet, nuk përkulet,... mes turmës ecën, e në Veronikën nuk hasë, nuk ka kush Fëtyren t’ia fshijë....E prapseprap çdo çast Ajo Fëtyrë më dukej ma e pastër...ma e dlirtë se kurr! E,megjithatë, nuk mungoi edhe një grue... që dhimbjen e nanës harroi e zani i saj humbi në një gropë, si grueja që në dhé hyn pa Prift. Të gjithë si ishim mbërthyem dhambët e kapërdimë ato pak fjalë, që shumë vjetë i ruejtem të ndryme në zemër: “AI ISHTE  HERO !”.

Vetëm një Burrë, përkarrshi i thinjun, Gurakuqi Trimi, që edhe sot e shoh të zemruem me nofulla të shtërngueme, diçka përshpriti nën mustak e buzën zuni njak kah pa që zvarrë deshtën me e marrë e gjunjët me gjak me ia bâ, por Ai, si Lajmëtari drejt Qiejve, flutroi e në prehën të Zotit pushoi!...Ushtuen malët e u dridh toka. Kushtrim ndër Bjeshkët e Nêmuna lëshoi si shkrepë vetima: “O BURRA,....BRE,.. FITOVA !...”

Në xhips e futën për terr.... Golgotë përsëri....

Ai ishte që u tha: “Ju Kishat rrënojini, por toka nuk lot, ju prishni Kisha e Xhamija, turp! Në truell të Kastriotit çdo gja po shkatrroni, turp, për ju! Ai Krishtënimin Europës ia mbrojti!” Por Europa... s’kujtohet. S’kujtohet, se e di... se mbrohet:

ASHT PJETRI, Meshtari, Juzuiti i Madh, Stërnipi i Gjergjit, që Fenë mbron...Ajo nuk shqimet në SHQIPNI! Në Shqipni asht Pjetri që Krishtin nuk mohon, jo, kurrë, se asht Meshkalla i Madh që e mbron e vedin flijon, për Krishtin veç vdes e... s’e lëshon!

Kumbonaret heshtin... Dyert e mëdha mbyllën. Dritaret me gurë i gjuejnë. Ushtojnë kristalet që thehen, shalldanët që rrëzohen. Metalurgët shkrijnë kumbonë, se tingujt e tyne dëspotëve veshtë ua shurdhojnë e s’mund t’i dëgjojnë kah grizhën ftojnë. Mbas Atit  shkojnë ata. Ai ishte, që Kalvarin vazhdon... pa u ndalë...

Ai ishte i urtë, i përvujtë, i palodhun, i dashtun, i pakursyem, i patrembun, gjithmonë buzagaz...At Pjetri i zdathun, i çveshun, i etëshëm mes vëllazënve të uritun, veç lutej: “Fali, o Zot, se s’dinë se shka bajnë!”...

Djelmëve buzën e thame me ujë ua lagë...pikë-pikë... buzën e zhuritun ua zbutë... “Bariu i Mirë”, At Pjetri; uratën me ta e thotë e, kur nën Kryq  Ai rrëzohët, Ata me vrap e çojnë, e marrin, e Kryqin ia mbajnë... e ndihmojnë, se Ai ishte që u prinë...Ai ecte me ta n’errësinë, nuk ndahet, nuk ndalet, janë Bijt’ e Tij. Ai ishte Ati...që thërriste: “Ecni, ecni, Bijtë e mij, se Drita s’asht larg”. Ai vetë u prinë për mos me ra në greminë... Ajo nuk asht aq larg sa kujtojmë, forca, durim, ecni e të mos ndalojmë... Përpara!...Ecni....Përpara!

Larg shihet një Dritë!...

E Brezat e ardhëshëm një ditë...

Simbolit të Atdhëtarisë, Fesë, Burrnisë, Trimnisë e Fisnikisë Shqiptare...

...Nderës e Besës ndaj Atdheut e Flamurit që s’vdes...

Tèk I.N.R.I. me shkronjat e Fishtës daltojnë: “AT  PJETËR  MËSHKALLA  S.J.”

Melbourne Korrik 2017.



(Vota: 12 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora