E marte, 03.12.2024, 01:28 AM (GMT)

Kulturë

Kristaq Turtulli: Për shkak të mërisë

E diele, 16.07.2017, 07:00 AM


KRISTAQ TURTULLI

 

PËR SHKAK TË MËRISË...

 

fragment poeme

 

Për shkak të mërisë

Ndaj varfërisë.

Dëgjoi zërin e verbër që i pëshpëriste:

E dëgjove?

Hamalli e bëri ylberin benevrekë.

Mijëra dëshira janë ndehur në re.

Përbuzjen e ndjen në damarë e në faqe.

Përse e ruan virgjërinë budallaqe.

Më lavdëron ndershmërinë njerëzore,

Kur ajo mund të zhgërryhet nëpër orizore?!

Predikuesit e mirësisë dremisin te hyrja e një ure.

Merre siç të vjen budallaqen jetë...

 

Nuk dëgjoi kur iu lut i ati të qëndronte.

Bijë, pa bukë nuk jemi, dy pensione i kemi.

dhe godiste bastunin në dysheme.

E ëma lidhte dhe zgjidhte shaminë.

Dhe shtrydhte mbi filxhan hajmalinë.

Koha ndryshoi mantelin e ftohtë.

Hodhi piper të zi

mbi zemrën e ngrirë.

Ajo me vrundull bërrylin ktheu

Iku.

Në sy kish reshje shiu.

Harroi të mblidhte në shami bekimin e nënës,

Si thërrimet e bukës.

Të mbushte xhepat me frymën e ngrohtë të shtëpisë.

Të merrte me vete disa ndërresa të vajzërisë

Fotografinë e vogël me gërsheta të fëmijërisë,

Dhe arushin e bardhë...

 

Kanati i derës u përplas me zhurmë.

Era e marrë ulërinte,

Flokët e verdha iu mbështjellën me shaminë e brymtë.

Koka prej mendimeve i rëndonte.

Nuk kish më përflakje të gjetheve...

Buzëmbrëmja dimërore

Gërmuqej teshtinte,

E lodhur u mbështet në patericat e drunjta të shpresës.

Thërrmoi sekonda dhe minuta.

Plaka fqinjë shkuli faqet e rrudhura

Dhe me zhurmë shkundi teshat e vjetra.

Era e paduruar cimbiste rrugicat e ngushta.

Për shkak të mërisë

Ndaj varfërisë

Nga sytë këmbët,

Iku,

Shtëpia kërciste, ish vjetërsirë.

Mbështjellë me mugëtirë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora