Kulturë
Viron Kona: Cikël me epigrame
E enjte, 13.07.2017, 08:00 PM
Cikël me epigrame1)
nga Viron Kona
1). Epigram: Vjershë e shkurtër, zakonisht satirike, që përmban një mendim të mprehtë e thumbues.
Vargjet pa mendim
Vargjet pa mendim:
si trenat,
që bosh venë e vinë...
Politikanët
“Të dënuar”,
si 50 vajzat e Danaut 2),
që, prej mijëra vjetësh,
vozën me ujë nuk po e mbushin dot...
2). 50 Vajzat e Danaut. Vajza të mbretit të Egjiptit, Danaut. Me urdhër të babai ato vranë 50 burrat e tyre. Për këtë u dënuan të rinin në Hadë, duke mbushur me ujë gjithë kohën një vozë me fund të shpuar, që s`mbushej kurrë.
Fytyra e ligësisë
Kur u largua nga kjo botë la trashëgim,
një sënduk të madh me ar e argjend.
Që ata pas tij t`mos ia harronin zakonin,
brenda sëndukut fshehu dhe një nepërkë.
Sundimtari
Fshati e njohu si hajdut pulash,
bankat si vjedhës eurosh e dollarë,
politika e “vlerësoi” si kameleon e ngjalë,
populli e mallkoi si sundimtarë gjakatar.
Spiunët
Si qentë,
nga larg të përgjojnë,
heshtazi të ndjekin pas,
presin çastin dhe kafshojnë.