Kulturë
Vjollca Pasku: Fshehtësia e pas portës
E diele, 02.07.2017, 11:30 AM
Vjollca Tiku Pasku
FSHEHTËSIA PAS PORTËS
Në kopshtin e shtëpive të zotërinjve në Hanovër, hyj në një portë
të hekurt, të vjetër,sa vet ndërrimet e qiellit, prej afër katër shekujsh.
Tingujt e gjetheve, me dufe ajri kundërmuese, më ftojnë të më tregojnë
me pëshpërima, si ato u rritën me bëma dashurie, në fshehtësi premtuese...
Gjethet ruajnë puthjet e buzëve ndonëse pranverat peligrinojnë...
Fijet e holla nervore, mbajnë mistere, me përhumbje deri në ekstazë...
Ah...një kurorë gjethesh deformuar nga djallëzitë mashtruese,
disa të tjera, akoma sot ruajnë formën e zemrës së jeshiluar...
Një vetëtimë e gjelbër më tregon, dy skajet e fundit të kopshtit,
imazhin e një vajze, rritur nga drita e kaltër, që ecën mbi gjurmë lulesh,
imazhin e një djali që rrit kënga e zogjve, që fluturon mbi gjurmët e tyre,
ku koha ka vulosur përjetësinë e dashurisë, në ndriçime jeshile pas dyerve.
Ky kopësht ruan fytyrat e dashurisë së kaluar, sepse sot
askush nuk fsheh orët e bukura që i lartohen dritës, krejt zbuluar...