Kulturë
Poezi nga Ibrahim Gani
E diele, 18.06.2017, 09:00 AM
Ibrahim Gani
Kantatë
I
Njerëz, jam Lab Kosovari,
Përkundur në dete zjarri.
Njoh më mirë zërin e plumbit
Se gugatjen e pëllumbit.
Mbi çdo gur e lule pragu
Mbolla plot zambakë gjaku.
S'më pret udhën asnjë shqotë,
Liria - gjak në aortë.
II
Jam në Jug dhe në Veri…
Shqipëria - Dritë në sy!
III
Unë jam Kosovari Lab,
Xhamadan ndezur bajrak.
Në Prevezë dhe Gjakovë
Zot njoh yjet ballëhorë.
Në Tetovë, Filat, Tivar
Lind, rritem e vdes shqiptar!
Në stoicizmin tim sublime
Puth agimin që po lind.
Pa kur bie prij me këngë
Në çdo pash të tokës meme.
IV
Jam në Jug dhe në Veri…
Shqipëria - Dritë në sy!
V
Unë jam Lab Kosovari
Derëhapur, shpirtbehari.
Unë jam Kosovari Lab
Me këmishë - Flamur mbi tank!
VI
Jam në Jug dhe në Veri…
Shqipëria - Dritë në sy!
Kush thotë?!
"Për Kosovën
Po shkrijmë gjithë Shqipërinë…"
Kush thotë?!
I kujt ky zë?!
Cili je ti?
Në troje heronjsh qysh ke mbirë?
Ç'fatzezë nënë të dha gji?
Kosovë,
Pa ty nëna Shqipëri
Pothuajse njëqind vjet,
Me një dorë,
Me një këmbë,
Me një vetull,
Me një sy…
Një shekull pa ty
Thith ajër me gjysmë mushkëri!
"Për Kosovën…"
Kush thotë?
Cili je ti?
Ç'nënë fatzezë të dha gji?
Zogu i mallit
Zogu i mallit u bënë vite
Që ngroh çerdhen në Prishtinë.
Aty qesh, rritesh e vritesh,
Vrundullon, bleron dafinë.
Atje plagë, duf e prush…
Mos harrove Labërinë,
Majë shpate, lugje, dushk,
Pllajat mbytur trëndelinë.
Gjolekën, Hodo Alinë,
Bilbilenjtë dhe Balilë
Prerë, grirë me tabore…
Zogu i mallit i harrove?
-Ç'flet kështu, o imi prag
Edhe kur isha atje
Ti e di isha gjysmak,
Gjysmë sot e gjysmë dje.
Jam përkulur në dy djepe,
Djepi im në mes i prerë:
-Njëra pjesë në Kurvelesh,
Pjesa tjetër në Preshevë.
Zogu i mallit në Prishtinë,
Përgjakesh, bleron dafinë!
Mos qaj!
Më kot s'i ndan sytë monitorit
E vetme bijë, o shpirti im.
(Atje vjen, shkon kresht' e Tomorit
E dallgët brigjesh Drini shtrin.)
Se trinitrinë edhe serum
Sot pulsin tim s'fashitin dot…
Drenica det e male shkund,
Pishtar Drenica, gjak e lot.
Një hiç kur hesht prej ishemisë
Zemra. Medet nuk bëhet fetë
Sot mes Drenicës së lirisë
Në dyluftim me bajonetë.
Ndaj hiç mos qaj nëse mbyll sytë
Nën monitor, te ky krevat,
Po qaj pse një copë Drenicë
Për mua nuk bëhet jatak.
Një gur i saj s'bëhet jastëk
I larë me gjak të mbështes kokën…
Mos qaj se zemra ime dhemb.
Po qaj se gjaku im s'ngroh tokën.
Të Isës. Gjolekës e Shotës.
TIRANË, REAMINACION 23.04.1998
E kënduar me çifteli brigjeve të Senës
Kaloj kantone e qytete,
Jo, jo kurrkush s'më vërshëllen,
Zhgënjimin mbart kudo me vete,
Dyshimi qënçe më mbërthen.
Në udhë kush s'më buzëqesh,
Asfalti prush më përvëlon.
Tufani si hajdut më zhvesh
Dhe korbi sytë e mi kërkon.
Eh, kujt t' i them një fjalë intime,
Në çdo hap vrer e pikëllim…
Gjakovë, gjëmëmadhja ime
Tek ti po nisem fluturim.
Kulla e Drenicës
Baladë
1
Ja, Kullë e Drenicës
Pashoqe në botë.
Orteku i Çikës,
Dafina mbi Holtë.
E derdhur prej stralli,
Në djepe ylberi
Mëkon Sef Kosharen,
Përkund Jakup Ferrin.
Përreth saj blerimi
Shpaloset harbuar.
Bedenash - Kushtrimi,
Det dallgëtërbuar.
Në gji t'saj Naimi
Shpesh i mbledh shqiptarët,
Me rreze qiriri
Vrik ndez llambadarët.
Atje Kastrioti
E Malo Qemali,
Isë gjibaroti
I thonë prerë krajlit:
-Mars e Afërditë
Mund të bëhen ashra,
Veç bijtë e Drenicës
S'i shkul dot nga vatra!
Një Drenicë në botë
Mbi dhe nuk ka tjetër.
I bën feta, copë
Carë të rinj, të vjetër.
Si borën në maj
I shkrin tanke, topa…
Dje, sot para saj
Mbytur turp Evropa.
2.
Moj, kullë lirie
Ç'bij që paske rritur!
Në udhë lavdie
Shtatore skalitur.
Lum kullë e Shqipërisë
Për vashën e pragut!
Në palc të stihisë
Çel si lule gjaku.
I kullës gur, prag
Bash balli mejdanit
I saj mal e shkarp
Varri i Car Dushanit.
I kullës çdo gur
Në trup mban një varrë
Nga plagët flamur
Beh qindra lastarë.
Lastari i blertë
Lind dhjetra Jasharë
Që digjen kometë
Për Ditën e Bardhë
Harbojnë lastarët
Shtigjeve t'Azemit…
Në kullë nëntë ballë
Betimi Prizrenit.
3.
Sa larg që të kam
Nuk ta puth dot ballin.
Det e oqean
S'më shuan dot mallin.
Oh, ky malli im
Me plot plagë, valë
Mbeti n'udhëtim,
U thinj buzëçarë.
4.
Eh, moj kullë e Shotës
Sa borxh që të kemi!
I fshihem Gjolekës
Dhe Asim Zenelit.
As Shaban Polluzhës
S'guxoj dot t'i flas…
Në çdo gur të Krujës
Rënkon një tallaz.
5.
Te kulla mëmëzonjë!
Kush bie pranë saj,
Çan qiejsh shqiponjë,
Trëndafil në maj.
1998
Një nënë labe qau Jusuf Gërvallën
-Çka që rreh dafina shkëmbin!?
Thonë u vra Jusuf Gërvalla.
Gjaku i tij zambak ndez vendin
Nga Prishtina te Tirana.
Natëzeza ç'lis që shembi
Udhëve të Jermanisë,
Synë e bukur, yll Prizreni
E shoi plumb i Serbisë.
Qau Kosova, Labëria:
-O mal, mes detit tërbuar,
Të mori dhëndër liria
Me krahë shqipe mbuluar.
O baltë e ftohtë jermani
Mos më tret shtatin e birit
Se një ditë dheu i vatanit
Do ta ngrohë me afsh të gjirit.
Gjiri yt Kosova jonë
Mejdan lufte, trimërie,
Jusuf Gërvalla shkabonjë,
Mal i mbështetur në yje.
Buka sfidon plumbin
Me bukë në dorë nënat e Prishtinës,
Me bukë në dorë nuset e Prishtinës,
Me bukë në dorë çikat e Prishtinës.
Ecin drejt Drenicës.
Shtangen e përulen male e ylberë,
Ndalon rrjedhën Drini, ngrin zogu në erë
Me shkulmet e gjakut mimoza pranverë
Zgjon Azem Galicën.
Një shirit i bardhë mes krimit, qëndresës,
Një lumë i bardhë ndan prill'n me helmetën,
Everest i bardhë mes vdekjes dhe jetës,
Ndan prangat, lirinë.
Në çdo hap nuhat një cerber i plakur,
Në çdo hap gulçon një blind i përgjakur,
Fushave Kosovës shqipja flatrahapur,
Shkund e dredh Serbinë.
Thika natën, ditën, gjakos e mbyt ëndrrën,
Mitralozi tankut mbi djepe vret nënën,
Gryk e Kaçanikut buçet, fton të rënët:
-Sot na grish Drenica!
Fushave Kosovës buka sfidon plumbin…
-Vëllezër e motra shpejt të zëmë gurin
Cep mëë cep Kosova shpalosi flamurin,
Prin Azem Galica!
Prin Adem Shqiponja!
Udha e Lirisë
Nis nga zemrat tona!
Plisi
Vjen një ditë e plisi i bardhë
Çan ortek, askush s'e ndal.
Shfryn tërmet me nëntë ballë,
Ndizet diell përmbi mal.
Vjen një ditë i bardhi plis
Derdhet-o me duf rrëmeti,
Tanke, topa i vithis…
Zoti, Krishti, Muhameti.
Mblidhen tok e ndukin thonjtë,
Çamçakëz mbllaçit Evropa
Kurva e pashoqe në botë,
Që na preu copa - copa.
Vjen një ditë e plisi horë
Ndizet meteor lirie.
Dallgë e Drinit perçeborë
Për të thur prelud lavdie.
Vjen një ditë e në llogore
Dallgëzon plisi flamur,
Mbytet dritë në shtatore,
Shqipërinë vesh plot nur.
Shkëputur nga libri: “Kulla e Drenicës” botuar 1999