Mendime
Puntorie Ziba: Natës së varrit do t'i rrëfehem
E marte, 13.06.2017, 05:12 PM
Puntorie Muça-Ziba
NATËS SË VARRIT DO T'I RRËFEHEM
( Ulni zërin t’mos dëgjoj bota si u ngujuan dy palë krushq
që vetes udhën ia zunë.)
U fut tenjë e zezë në mukozën e syve
brenga brodhi brezave
qysh nga guvat e shekujve.
Natës së varrit do t’ia rrëfej
se me finjë loti u la grania.
Nga hiri i të vdekurve erdhën këta vaki
ç’mu futën sonte në këtë varg
vajtojcat që përcollën krushqit,
nusen nazetore plot uzdajë
që çapëlonte sytë drejt rrobave të dhëndrit
dhëndëruar fushëtirave
dhe i stepej sfinksit
për spektaklin e të mëkatnuarëve n’udhë.
Gjëmat e moteve
shijen e athme të gjakut morën
dhe inati ngulte këmbë.
Plepat rënduar dhembje nuk bënin hije
hëna vetull përgjakur s’bëri dritë
kur huqemëdhenjtë mbanin frerë.
Natës së varrit do t’ia rrëfej
se me finjë loti u la grania.
Haj medet njëqind krushq në atë anë
dhe njëqind tersndjellë n’këtanë
drodhën udhën e gurtë buzë ujit
tue kërkuar kallëza n'dimër.
Hingëlluan kuajt u turfullua nahia,
vallë u vra një kalë race
nga nusja shaluar,
apo kallej Shqipëria.
U shkep një klithmë tej oqeanesh
potkonjtë mbathur ranë në udhëkryq
ditën diellnxirë.
Eh, rrëfenja e shekullit
shtrirë linjës së trishtë
frikoi foshnjet n’rrugë të embrionit.
E vërteta për mitin ndjellakeq
futet në kthinën time
kur shfletoj fotografinë vjetëruar.
Ç’më fanitet procesioni mes një udhe
ku puqeshin dy palë krushq thikarë
me ca gjembaç të shushatur
dhe toka jonë mbetej e gjymtë,
arratisej gjelbërimi
stërkala gjaku
pëlyrnin të bardhën dashni prej kashte,
nanurisnin çatitë
shkëputej nga një copë det
dhe vinte vdekja gëlltiste malet
ata çaheshin dysh e rënkonin.
Nga kumtet ogurzeza
zorrët turfullojnë:
siç duhej mbetur
nuk mbetëm,
siç duhej dukur
nuk dukemi.
...dhe kënga e gjelave mbeti dergjë
derisa varrosej viseve të egra.
Kurmi mu ngjeth
në sumbulla loti u mbyt,
unë s’mbeta shurdhe
s’i duroja as ngushëllimtarët
që molë mu bënë.
lakmova rracën e hazdisur
ah, patën male boll
dete e fusha gjelbroshe boll,
qëkur ndezën flakën fatale.
Keq më vjen
e dhembja bëhet lot
e loti mbyt syrin tim.
Një njollë n’pergamen mbetur
për krushqit e ngrirë tej rruge.
Ulni zërin bota t’mos dëgjoj
si u ngujuan krushqit tonë
që vetes udhën ia zunë.
ATY U HODH NJË KAFKË
(Mbani mbi supe ata gjynahe
mbase, kushedi, ju duhen me muros vetveten.)
Me cigaren e dredhur
varur n'buzë
ca duar rrace
hodhën kafkën me tahmin
ngulën gozhdat thellë në asht
në një muranë të egërsuar
ku frika e vdekja mori udhë
kapur për mëngën
e legjendës teletisur xhingla-xhingla
që përplaset si jehonë
n’faqen purpur të kafkës sime
deri në lotin e syrit t’dalë plage.
Gjinjtë myshk mbuluar
squllur mes gurësh
dhe pandehma e figurës platitur
pret e përcjell beronja
kataraktë shqyer në embrion
që ia krisin vajit
nën hijen e syve të hirtë
ah,brenda kepave kërcu.
Kur u fug një kafkë faqe ngrënë,
fitoi sedra apo flijimi
sedra apo flijimi,
sedra apo të qenët i tëri njeri,
atje ku vunë peng një palë gji
një tufë floku
një palë mollëza djegur
dy sy rraskapitur.
Rozafë, e gjetshin nga mos e pandehshin,
aty mes shkrepash
ku u bënë palë, gji e sy!
Ata duar rrace
me cigaren dredhur
varur n'buzë,
le t’i mbajnë mbi supe gjynahet
mbase, kushedi, ju duhen me muros vetveten.
PËSHTIROSJE
(Çfarë sysh nëne kishte komunizmi që polli sadistin )
Një mijë vite më fanitesh në udhëkryqe tingujsh
ti mostër e njohur për braci,
tellall i kuq
që përpëlit duart të mbushësh thasët
me fonemat e mia natyrore dhe brilante.
Si nuk të ngecën n? grykë
gjithë ato eshtra zogëzash njome
që dhelnin gërsheta me vargje
kur ti i përpije si kuçedër.
Ua rrope lëkurën të gjorave
ua nxive diellin në pikë vape,
ua lidhe krah e duar gardheve të dendura
derisa ua lyrose imazhin.
(Çfarë sysh nëne kishte komunizmi që polli sadistin!)
…dhe akoma pi raki nga kazani i kuq
e nuk ia zuri at fyt,
për meze shijon lakër thartore
stërpikur me pikla uthulle të kuqe
me kripë e biber të kuq,
kuq si gjaku i zogëzave
që pësonin pa të drejtë të keqen e madhe.
... dhe mostra me drapër e çekiç në ballin e rrudhosur
i shkëputur nga ata që thithin ajër,
futet në ekstazë
dëgjon çuçuritjet e zogëzave syrgjynosur
vargshkretuara
që neveriten sapo iu ndërmendet dashuria e kuqe.