Mendime
Faton Mehmeti: Të gjithë politikanët janë të njejtë
E merkure, 07.06.2017, 08:00 PM
Të gjithë (politikanët) janë të njejtë
Nga Faton MEHMETI
Tanimë kandidatët për kryeministër të Kosovës kanë nisur gjuajtën e fjalëve ndaj njëri tjetrit. Fushata elektorale në vendin tonë po hy në rrjedhën e duhur sipas politikanëve dhe shumë qytetarëve militantë e kokëfortë, të cilët nuk ndryshojnë zgjedhjen e tyre në votimet e 11 qershorit për asnjë lloj shkaku ose arsyeje. Kjo mesa duket është një fushatë elektorale ndonëse jo shumë e qartë, por mund të cilësohet e fortë ndërmjet dy rivalëve të mëdhenj të politikës shqiptare të Kosovës, kryesisht mes PDK-AAK –NISMA në njërën anë si dhe LDK-AKR-ALTERNATIVA në anë tjetër, pa harruar as VETËVENDOSJE ! .Por ne qytetarët e këtij vendi kemi pothuajse një mangësi shumë të madhe në zgjedhjen e personave të cilët duam që të na qeverisin. Të përcaktosh denjësisht dhe në mënyrën e duhur personat që të qeverisin vendin ka ndikime pozitive si për vetë shtetin ashtu dhe për ne.
Si çdo fushatë tjetër çdo subjekt politik duhet të ketë programin e tij elektoral në të cilin shprehen ndryshimet që do sjellë kjo parti politike për vendin në çdo aspekt dhe mënyra e të vepruarit. Edhe pse këto programe mund të jenë dhe të njëjtë vit pas viti, askujt nuk i intereson t’i hedh një shikim, Mesa duket shumica e qytetarëve nuk janë të interesuar pas programeve politike sesa pas tifozllëkut të orientuar drejt tyre. Militantizmi dhe jo votuesit janë pjesë e fajit për gjendjen e mjerueshme në Kosovë që 18 vjet pas lufte.
Partitë politike i shohin shqiptarët turme që mund të llogariten si numra, që tashmë i’a kanë deleguar përjetësisht përfaqësimin e tyre disa liderëve-bajraktare të partive të tyre.
Mungesa e drejtësisë e shpalosur si pandëshkueshmëri kronike e korrupsionit dhe krimit në majat e shtetit, e ka degraduar gjendjen e Kosovës deri në atë pikë, sa tashmë edhe rotacionet politike nuk mund të sjellin asnjë përmirësim. Në fakt, rotacioni politik e ka humbur kuptimin. Madje, si për paradoks, mund ta përkeqësonte gjendjen edhe më shumë. Sepse alternativë të pushtetit të sotëm, forcë kryesore opozitare, janë ato që janë të reformuar as edhe një fije në udhëheqësinë e saj. Këta janë olitikanët që keq-qeverisën 18 vjet Kosovën, mbi të cilët rëndojnë skandale të pafundme dhe kanë mbetur të pa ndëshkuar nga drejtësia.Dhe janë pikërisht këta që sot vetë ekspozohen si alternative kryesore opozitare për pushtet. Por çdo të mund të fitonin shqiptarët dhe demokracia nëse rikthehen prap njerëzit e korruptuar? Dhe jo vetëm kaq, por edhe me epshe të pa fjetura autokratike? Po a ka më keq për demokracinë se të risjellësh në pushtet autokratë që edhe kanë vrarë, pra kanë derdhur gjak për t’u përjetësuar në pushtet? S’ka asnjë dyshim se pandëshkusheshmëria është një lajm i keq edhe për vendin. Sepse korrupsioni është një virus që kërcënon të gjitha qeveritë. Nuk do të qe kështu vetëm nëse qeveritarët do ishin ose engjëj ose shenjtorë.
Zgjedhje të zhvilluara mbi parimet e një mobilizimi lufte,me angazhim të pafundëm të gazetarëve dhe tjerëve për interesa të oligarkëve dëshmon papjekurinë qytetare dhe politike. Tashmë është koha të qeverisë populli duke eleminuar politikisht ata që e qeverisën Kosovë jo vetëm përgjatë mandatit të fundit, por qysh që nga pas lufta, meqë personazhet e jetës politike i kemi pothuajse të njëjtit. Megjithatë është problem shumë i madh se nuk ke kë të zgjedhësh , pasi e keqja ka kapluar të gjithë estambilishmenin politik të vendit.
Fushata zgjedhore shërben si hapësirë për të gënjyer , duke akuzuar njëri tjetrin deri edhe në shkelje të dinjitetit, pa treguar asnjëherë mënyren se si do zgjidhin hallet dhe problemet e qytetarëve. Pra nuk jepet asnjëherë zgjidhje, nuk tregohet si do të bëhet një gjë, dhe as se cfarë do të bejnë ndryshe. Fjalë të mëdha boshe pa asnjë përgjegjësi, me disa servile qe i ndjekin pas. Kohë maskarenjesh, popull i fjetur që i ka humbur rruga edhe në gjumë.