Mendime
Fran Gjoka: Mbresa gjysëm shekullore
E marte, 06.06.2017, 06:20 PM
MBRESA TË PA HARRUARA GJYSËM SHEKULLORE
NGA TAKIMI I MATURËS SË VITEVE 1966 – 1967, NË GJIMNAZIN “ HYDAJET LEZHA”
NGA FRAN GJOKA
Ishin vitet e stuhishme 1966 – 1967, kur një grup të rinjsh prej 36 vetash mbaruan maturën shtetërore pranë gjimnazit “Hydajet Lezha”. Kanë kaluar plot 50 vjet, kur këta djem dhe vajza u ndanë nga bankat e shkollës, për t’u takuar pas gjysëm shekulli, të plakur, flokëbardhë, të lodhur nga jeta, gjyshër të nderuar. Qe kohë e vështirë, kur këta të rinj dhe të reja mbaruan këtë shkollë me mjaft emër dhe jehonë në të gjithë vendin. Ishte koha kur shteti i diktaturës komuniste kishte ndezur një luftë të ashpër kundër zakoneve prapanike dhe të ashtuquajturave mbeturina fetare. Ata ishin besimtarë të devotshëm, prandaj në shumë raste qëndronim indiferentë ndaj thirrjeve të tilla me rrezik shoqëror, duke qëndruar indiferentë, por shpesh edhe kjo indiferencë i penalizonte. Kalonin shumë mirë, mësonin mjaft, këtë e quanin domosdoshmëri për të ecur në jetë, prandaj shumica prej nxënësve të klasës aplikuan dhe fituan të drejtën për të vazhduar shkollat e larta. U bënë kuadro, disa të tjerë intelektualë të shquar që i shërbyen atdheut kudo dhe në situata të vështira.
U mblodhën këto ditë, nxënësit e dikurshëm, plejada më e vështirë e maturës së atyre viteve. Jo të gjithë, pasi disa shokë mungonin, sepse kështu e paska jeta, lind, jeton, shkollohesh, jep kontributin tënd të pamohueshëm dhe vjen një ditë që nuk jeton më. I kërkuan, po nuk i gjetën. Ata ishin larguar përgjithnjë nga kjo jetë, duke lënë mes tyre mjaft kujtime të bukura. Kështu ishin larguar pa bujë shokët e tyre të dashur Gjergj Marku, Gavrosh Mlloja, Mark Gjoni, Sadik Isufi, Gjon Figuri, Gjovalin Gegaj, Luigj Shyti, Mark Pali dhe Prengë Boci, intelektualë dhe njerëz të përkushtuar në sherbim të shoqërisë. Ishin mbledhur aty, në oborrin e dikurshëm të shkollës, ku shpesh dilnin të lodhur dhe të stresuar nga ora e mësimit dhe bënin shaka, ngacmonin njëri-tjetrin sa për të marrë pak energji pozitive dhe për të filluar betejën e re në procesin mësimor. Mbështetur tek një pemë, aty mes shokësh të dikurshëm, kishin humbur në mendime, jo vetëm për shokët që u mungonin, por edhe për këta njerëz fisnikë flokëbardhë që kanë punuar me vite të tëra me përkushtim në sherbim të atdheut dhe të shoqërisë. Kujtojnë atë atmosferën e zjarrtë që i përfshinte aso kohe, ndërsa tani këta njërëz të mirë dhe me vlera duken të transformuar, të heshtur, të urtë, të menduar. Biseduan gjatë atë ditë, pasi kishin shumë gjëra që duheshin kujtuar. Biseduan për të dashurit e tyre, të paharruarit profesorët e njohur të kësaj shkolle, pasi ky institucion e ka pasur traditë të kishte mësues dhe profesorë të njohur, intelektualë që kanë lënë gjurmë në historinë e arsimit shqiptar. Kujtimet vinin vetvetiu, pasi disa nga mësuesit e tyre të dikurshëm i paten takuar dhe respektuar edhe në vitet e mëvonshme. Si mund të harrohej Mësuesi i Popullit Mark Vuji, drejtori i parë i këtij institucioni, Bukurie Kovaçi “Mesuese e Merituar”, që vinte nga Kruja, të mirënjohurit Nush Radovani, Col Dizdari, Uran Asllani, kandidat i shkencave, mësuesi i tyre kujdestar, që në të vërtetë ishte një prind i dytë për ata, Valdete Lekaj, Ahmet Balliu, doktor i shkencave, që dhe disertacionin e kishte mbrojtur me studimin për florën dhe faunën e rrethit të Lezhës. Kujtohej puna e tyre e palodhur dhe plot përkushtim, përpjekjet e tyre për të përgatitur breza intelektualësh të devotshëm në sherbim të atdheut. Kujtime të bukura, mbresa të paharrueshme. Tani ishin të gjithë bashkë, si dikur, para 50- vjetësh, por të ndryshuar, të transformuar, por me forca të reja dhe me shpresa për të ardhmen.
Hynë në ambientet e shkollës, ashtu të heshtur, por krenarë, pasi ishin maturantët e 50 viteve më parë që kishin dhënë kontributin e tyre intelektual në ndryshimet politike dhe ekonomike që kishte pësuar ky vend. Ashtu, së bashku, hynë në klasën ku kishin mbaruar maturën në vitet e largëta 1967. Secili prej tyre identifikon vendin dhe bankën ku ka qëndruar vite me radhë. Vendosin nga një tufë me lule në vendin ku kanë qëndruar shokët e tyre të dashur, që nuk jetojnë më. Kujtojnë me hidhërim dhe nostalgji shakatë e tyre, lojrat, bisedat, shikimet, buzëqeshjet, madje ashtu në heshtje i tradhëton edhe ndonjë pikë loti.
- Është krejt e natyrshme, - na thotë “Mesuesi i Merituar” Gjelosh Toma, - ku kanë kujtime të bukura. Pavarësisht se ata nuk jetojnë më, janë këtu mes nesh dhe do të jenë përgjithmonë. Ishin figura të njohura të elitës intelektuale shqiptare, prandaj emri dhe vepra e tyre do të kujtohet ndër mote. Në këtë takim mbreslënës kishin ardhur thuajse të gjithë shokët dhe shoqet e klasës. Janë të emocionuar, të përmalluar dhe të entuziazmuar. Takohen pas shumë vitesh kështu së bashku, por tani pa zile, pa rresht, pa emocione vlerësimesh apo provimesh. Janë mes tyre Balkize Reçi, Dava Doçi, Rejana Lapardhaja, File Gjoni–Doku, Lidia Gurashi, Luçie Zeka e ndonjë tjetër që i respektonin gjithnjë. Kujtojne ketu mes tyre profesorin e nderuar Agim Malaj, i cili e nisi rrugën e dijes nga kjo shkollë dhe tani është një figurë e shquar e arsimit pedagogjik shqiptar, e këtu takoj edhe “Mësuesin e Merituar” Gjelosh Toma, i cili falë punës së tij plot pasion u bë një shembull frymëzues për gjithë forcat pedagogjike të rrethit të Lezhës dhe më gjerë. Ja dhe poeti dhe diplomati i njohur Rudolf Marku, i cili e nisi rrugën e gjatë të krijimtarisë letrare pikërisht në bankat e kësaj shkolle. Këtu ai shkroi poezitë e para për jetën e vështirë, për punën, për dashurinë, për atdheun.
Shpesh poeti i ardhshëm i lexonte krijimet e tij në ambiente të ndryshme dhe ata, shokët dhe shoqet e tij, mrekulloheshin me ato perla të poezisë së tij. E kishin menduar se Dolfi do të bëhej i njohur, e këtë ia thonin shpesh. Ja, tani ai vjen këtu bashkë në këtë takim të bukur me një barrë thinja, por edhe disa libra të botuar dhe një pervojë të gjatë si diplomat i spikatur. Më tej është ai, i mirënjohuri, ish futbollisti i skuadrës së Besëlidhjes së Lezhës, legjendari Nikolin Lorenci. Nikolini mësonte, por pasion pati futbollin, atë lojë tradicionale që aso kohe e ndiqnin i madh dhe i vogël. Lorenci ishte idhulli i tyre. Kontributi që ka dhënë Nikolini për skuadrën e tij të zemrës, është i paharrueshëm. Edhe sot kujtohet me nostalgji jo vetëm si futbollist, por edhe si mësues i edukimit fizik në shumë shkolla të qytetit të Lezhës. Aty është edhe inxhinieri elektrik Esat Rama, si gjithnjë i shkathët, energjik dhe kuvendar. Bisedon e bisedon Esati dhe nuk lodhet së kujtuari ato vite të bukura, kur ne ishim të rinj. - Këtu në këtë bankë kam qëndruar dhe mësuar për vite me radhë,- thotë Esati. Këtu kam provuar emocione të papërshkrueshme pozitive dhe negative, emocione të rinjsh, emocione shkollore. Pjetër Gjuraj më thërret të afrohem pranë tij. Seç po bisedonte me Zef Shtjefnin dhe unë afrohem ta dëgjoj ushtarakun e devotshëm, autor i disa librave poetikë. - Detyra jote, Fran është që këto përshtypje të bukura dhe të pashlyeshme mes shokëve dhe shoqeve të dikurshëm, t’i hedhësh në letër. Janë emocione, kujtime që do të jetojnë gjatë, miku im. I premtova në heshtje dhe u largova i menduar dhe njëherit i emocionuar. I hodha një vështrim klasës së dikurshme, i shoh të gjithë shokët dhe shoqet të ulur si dikur në bankat e tyre. Më dukej se mësuesi i tyre kujdestar, i paharruari Uran Asllani po bënte apelin dhe thërriste emrat e përditshëm që shpesh tingëllonin në veshët e tyre si një simfoni e paharruar: Angjelin Smaka, Balkize Reçi, Esat Rama, File Gjoni, Dava Doçi, Gjok Lesi, Luçie Zeka, Mark Marku, Dedë Nishi, Gani Hasi, Zef Shtjefni, Kolë Preka, Dedë Frroku etj. Të gjithë të gatshëm për të nisur orën e përditëshme të mësimit, plot pasion dhe dëshirë për të mësuar. Sot janë të gjithë bashkë, ashtu si dikur para një gjysëm shekulli. Kanë kontribuar me përkushtim në fusha të ndryshme të dijes, edukimit dhe prodhimit. Tani duhet t’i kujtojnë ato vite të vështira, por të bukura dhe të japin pa u kursyer përvojën e tyre për brezat e ardhshëm. Janë ende të rinj, prandaj po largohen të përmalluar për t’u takuar përsëri. Ndoshta…