E merkure, 11.09.2024, 10:52 AM (GMT+1)

Mendime

Xhavit Kryeziu: Shkolla e Roganës dhe rrita e saj

E marte, 30.05.2017, 07:44 PM


Nxënësit e klasës së tetë të Roganës, në vitin 1960.

SHKOLLA E ROGANËS DHE RRITA E SAJ

Me rastin e 72 vjetorit të themelimit të kësaj shkolle dhe ditës së shkollës që mban emrin e heroit të Kosovës – Metush Krasniqi. Ajo ka shënuar rritje të vazhdueshme, që nga viti 1945, kur mësimi filloi të mbahet me një dhomë mësimi e deri  në këtë vit shkollor, ku vijojnë më se 300 nxënës.

NGA XHAVIT KRYEZIU

Fshati Roganë (ish Rogaçica) shtrihet afër 13 km nga qendra komunale e Kamenicës,  në anën juglindore, në një sipërfaqe prej 1.155 ha, 58 ari  e 42 metra katrore , në një lartësi mbidetare afër 460 metra. Rogana është fshat i lashtë që përmendet  që nga viti 1455 kur kishte 3 shtëpi. Tani, sipas regjistrimit të vitit 2011, ka 2651 banorë dhe 547 shtëpie edhe pse ky regjistrim i popullatës sonë u përcoll me një varg  dobësish dhe është më i dobëti që nga  Lufta e Dytë Botërore, ai mbetet regjistrim zyrtar.

Që nga viti 1912  Rogana ishte qendër komunale, në të cilën rendiseshin edhe fshatrat përreth, e deri më 31.12. 1959 kur shuhet dhe selia e komunës kalon në Kamenicë.

Në Roganë më herët ka punuar shkolla fetare, ndërsa nga viti 1912 fillon punën shkolla laike, por mësimi  mbahej në gjuhën serbe për  nxënësit shqiptarë, të cilët  ishin të obliguar që një vit shkollor të vijonin vetëm e vetëm për ta mësuar gjuhën serbe e pastaj të regjistroheshin në klasën e parë.

Mësimi në gjuhën shqipe  në këtë shkollë nisi të mbahet në vitin shkollor 1945/46 dhe është rast specifik se aty filluan të mësojnë përnjëherë, jo vetëm nxënësit në klasën e parë, por edhe në vitin e dytë, tretë dhe katërt. Mësues i  parë ishte Xhevat Alia nga Gjilani. Në klasën e parë regjistroheshin fëmijët e moshës 7-14 vjeçare që nuk dinin shkrim-lexim, ndërsa në klasë e II, III dhe IV  ata që kishin vijuar nëpër shkolla të tjera dhe kishin përvetësuar shkrim-leximin dhe njohuritë themelore. Ato njohuri e shkathtësi i dëshmonin para mësuesit e pastaj vendosej se në cilën klasë do të regjistroheshin.

Në vitin shkollor 1950/51 në Roganë fillon punë  Gjimnazi i Ulët ose Progjimnazi, në të cilin vijonin mësimet edhe nxënësi e fshatrave të tjera që rendisin kah Rogana e që kishin mbaruar klasën e katërt fillore dhe mësimi zgjaste 3 vjet. Ky ishte Progjimnazi i dytë me mësim në gjuhën shqipe në komunën e Kamenicë, pas atij në Hogosht që kishte filluar një vit shkollor më herët. Në vitin 1953 pasojnë ndryshime dhe Progjimnazi bëhet me kohëzgjatje katër vjet e nxënësit në fund duhet të shkruanin dhe mbronin para komisionit  punimin e diplomës.

  vitin shkollor 1954/55 shkolla fillore 4 klasëshe edhe,  ato 4 vite të progjimnazit, transformohen në shkollë fillore të obligueshme tetëvjeçare  sipas ndryshimeve ligjore që u bënë asokohe. Në vitin shkollor 1955/56 drejtor i shkollës së Roganës  emërohet  Metush Krasniqi , tash hero i Kosovës. Rrita e kësaj shkolle tani është se asaj i përkasin edhe shkollat e rrethinës: Hodanoc, Muçivërc, Dajkoc, Kranidell, Karaçeva e  Epërme dhe Karaçeva e Ulët, ndërsa nxënësit e këtyre shkollave të rrethinës vijojnë mësimet në Roganë nga klasa e pestë deri në të tetën. Në vitet  e  `90 të shekullit XX ato sërish do të ndahen  nga shkolla amë e Roganës.

Rreshti në këmbë nga e majta janë: Sylejman Basha, Refik Thaçi, Sevdai Thaçi, Fetah Leci , Xhavit Kryeziu, Isah Rrudhani, Zeqir Fazliu, Rexhep Morina; ulur nga e majta: Hasan Morina, Ibrahim Thaçi, Esat Basha, Ismete Kallaba, Zejnullah Qehaja – drejtor, Muharrem Kallaba – kujdestar i klasës dhe zëvendësdrejtor, Hajrie Geci, Ilaz Spahiu, Xhevat Dërmaku, Xhevat Hashani; shtrirë: Sabri Kastrati e Mehmet Fazliu.

Që nga viti 1982 në kuadrin e kësaj shkolle shënohet edhe një hap përpara se  nisin të punojnë edhe klasat parafillore ku përfshihen fëmijët e moshës parashkollore. Duhet të theksohet edhe fakti se në kuadrin e kësaj shkolle  funksionon edhe paralelja e fëmijëve me  nevoja të veçanta.

Rrita e shkollës së Roganës  vazhdon  edhe ne vitin shkollor 1978/79,  me hapjen e vitit të parë dhe të dytë të shkollës së mesme, të mësimit të orientuar, si paralele të ndara fiziket të Gjimnazit “Ismail Qemali” të Kamenicës. Nxënësit pas përfundimit të fazës së parë të mësimit të orientuar, vitin e tretë dhe të katërt e vazhdonin nëpër qendra të tjera shkollore. Në këtë vit shkollor në Roganë u hapën katër paralele, me 77 nxënës. Këto paralele funksionuan deri në vitin shkollor  1988/89 dhe në këtë vit ndërpritet puna e tyre. Kjo ndërprerje e mësimit të kësaj faze nuk  u prit mirë as nga nxënësit, as nga   mësimdhënësit, as nga prindërit.

Pas ankesave e kërkesave të shumta të të gjitha subjekteve shoqërore të roganasve, në vitin shkollor 1990/91, Pleqësia Krahinore e Arsimit lejon rihapjen e paraleleve të ndara fizike të Gjimnazit “Ismail Qemali” të Kamenicës që të punojnë në Roganë  që nga viti i parë e deri në të katërtin e ky  ishte një gëzim i  madh për të gjithë.  E në vitin shkollor 1993/94, dy paralele të maturantëve të gjimnazit  festuan mbrëmjen e maturës në Roganë. E kjo është kulmi i rritës dhe i gëzimit  të kësaj shkolle për të gjithë adhuruesit e arsimit, dijes e dritës.

Në vitin shkollor 2002/2003, sipas reformave të reja shkollore, shkolla fillore tetëvjeçare bëhet shkollë fillore nëntëvjeçare, sipas skemës së re 5+4+3 (4). Kështu në këtë vit shkollor, në shkollën e Roganës mbaruan mësimet,  gjenerata e parë e shkollimit nëntëvjeçar katër paralele, me 109 nxënës.

Sot krenohemi me rritën, të arriturat e sukseset e kësaj shkolle, prej të cilës kanë dalë kuadra të shumta e të profileve të ndryshme që dhanë kontributin e tyre në fusha të ndryshme që i kontribuuan: lirisë, shkencës, ekonomisë, arsimit, shëndetësisë, artit, sportit, kulturës (vetëm nga Rogana janë më se 15 persona që kanë publikuar një e më shumë libra) e tjera.

Drejtori i ShFMU “ Metush Krasniqi”, Bajram Kallaba, pohon se të gjithë, 303 nxënës dhe 44 punëtorë të kësaj shkolle janë të angazhuar për arritjen e rezultateve sa më të mira në procesin e mësimdhënies e mësim-nxënies e sidomos nga ky vit shkollor që janë krijuar kushte më të volitshme për punë,  pasi që mësimi tash zhvillohet vetëm me një turn. Kjo shkollë deri në vitin e kaluar shkollor ishte e stërngarkuar pasi duhet të punohej në tri turne.

Në vitin 2016, në hapësirën oborrit të  kësaj  shkolle, u ndërtua edhe një objekt i ri shkollor- Shkolla e Mesme e Lartë Profesionale. Aty kaluan që të mbajnë mësim 11 paralele të gjimnazit dhe 16 paralele të shkollës së mesme teknike. Shkolla u pranua   dhe u regjistrua  si e pavarur, MIKSE, dhe u pagëzua  me emrin  e veteranit të arsimit  e  sakrifikuesit të madh për liri e bashkim kombëtar-“Sejdi Kryeziu”.

Drejtoresha e kësaj shkolle, Fahrije Kryeziu, pohon se të gjithë: 454 nxënës dhe 51 punëtorë të kësaj shkolle ndihen shumë mirë në objektin e ri shkollor dhe kanë një vullnet të madh për arritjen e rezultateve  optimale në të gjitha profesionet ekzistuese të kësaj shkolle.

Në të njëjtin kompleks të shkollave tani janë dy shkolla dhe mbajnë emrat shumë domethënës: Metush Krasniqi e Sejdi Kryeziu, që të dy mes veti ishin miq, bashkëpunëtorë, të burgosur politik, veteranë të arsimit, u angazhuan për bashkim kombëtar e vizionarë që sakrifikuan për vendin dhe të ardhmen.

Rrita e shkollës së Roganës që nga themelimi i saj, kur mbajta e mësimit nisi në një dhomë mësimi e deri më sot, kur procesi  edukativo-arsimor zhvillohet nëpër 22 paralele, është rruga e vështirë e dijes dhe e krenarisë nëpër të cilën ka kaluar në këtë periodë kohore të gjatë më se 7 decenie.

Edhe në këtë përvjetor të shkollës  dëshirojmë që ta vazhdojë rruga e rritës, zhvillimit e arritjes së rezultateve optimale në procesin e mësimdhënies e mësim-nxënies.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora