E hene, 11.11.2024, 10:04 AM (GMT)

Mendime

Eshref Ymeri: Kastriot Myftaraj mbron të vërtetën

E marte, 16.05.2017, 07:59 PM


Kastriot Myftaraj

mbron vetëm të vërtetën

Nga Prof.dr. Eshref Ymeri

Pasi gazetari dhe analisti Kastriot Myftaraj botoi më 07 maj një artikull, në të cilin kishte në qendër të vëmendjes ambasadoren e Bashkimit Evropian në Tiranë, zonjën Romana Vlahutin, në mjetet e informimit masiv, përgjithësisht, nuk u vu re ndonjë reagim i menjëhershëm, paçka se në këndvështrimin e autorit, qëllimi kryesor i saj është përgatitja e truallit për krijimin e një tjetër federate në siujdhesën tonë, veçse me një tjetër emërtim - “Jugosllavia e Re”. Por fill pas botimit më 10 maj të letrës së shkrimtarit Ismail Kadare, drejtuar zonjës Vlahutin, në mjetet e informimit masiv filloi një reagim i rrufeshëm, si me komandë, kundër zotërisë Kastriot Myftaraj.

E para e të parave, shumica dërrmuese, me ndonjë përjashtim të rrallë, nuk u ndal në arrestimin e paligjshëm të Kastriotit nga ana e policisë, pa lëshimin paraprakisht të një fletarresti nga ana e prokurorisë. Po kështu, në stadiumin e Shkodrës, policia, në një mënyrë krejt arbitrare, arrestoi një sportdashës, i cili kishte shpalosur në shkallët e stadiumit një pankartë, ku shkruhej “Berisha zemra jonë”. Arrestime të tilla, të paligjshme, duke anashkaluar kompetencat e prokurorisë, dëshmojnë se në Shqipëri është instaluar një shtet policor, i cili po ecën në gjurmët e Putinit.

Moderatorët dhe analistët, në shumicën e tyre dërrmuese, nuk u morën dhe vazhdojnë të mos merren me thelbin e shqetësimit që ngre Kastriot Myftaraj në artikullin e vet: përpjekjet e heshtura të zonjës Vlahutin për krijimin në Ballkanin Perëndimor të një tjetër monstre jo vetëm për popullin shqiptar të Kosovës, por edhe për mbarë kombin shqiptar - të “Jugosllavisë së Re”. Madje në internet disa komentues kanë deklaruar se termi “Jugosllavi e Re” na qenka thjesht një shpikje e Kastriotit.

Për dijeninë e atyre lexuesve të nderuar me vetëdije të lartë kombëtare, në ndëgjegjen e të cilëve nuk është shuar kurrë ëndrra për ribashkimin e trojeve tona etnike, më duhet të bëj një sqarim, duke u kthyer disa vite prapa.

Ideja për krijimin e të ashtuquajturës “Jugosllavi e Re”, ka vite që është hedhur në qarkullim. Kundër kësaj ideje pati reaguar menjëherë intelektuali i mirënjohur nacionalist, Prof.dr. Mehdi Hyseni, i cili, më 21 shtator 2013, pati botuar në internet një artikull të posaçëm. Në atë artikull, ai citonte një deklaratë befasuese që ministri i mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Agim Çeku,  e kishte bërë në një intervistë për gazetën serbe të Beogradit “Nedeljnik”, më datën 18 prill 2013.

Ja çfarë kishte deklaruar ministri Çeku:

“Podržavam ideju nove Jugoslavije”(E mbështes idenë e Jugosllavisë së Re”).

Pra, ideja e krijimit të “Jugosllavisë së Re” ka pasë  qarkulluar në fshehtësi në Boegrad, nën frymëzimin e Moskës dhe të Athinës. Kjo ide erdhi e u formësua pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, e cila shënoi hapin e parë drejt ribashkimit shkallë-shkallë të trojeve etnike shqiptare, në zbatim të platformës që shtroi Ismail Qemali me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë për të katër vilajetet tona.

Dështimi shembullor që pësoi politika e jashtme ruse për sabotimin e pavarësisë së Kosovës, e detyroi Moskën që, në bashkëpunim të ngushtë me Beogradin dhe me Athinën, të lëvizë të tjerë gurë të nëndheshëm, në mënyrë që imazhi i pavarësisë së Kosovës të vinte duke u zbehur me kalimin e viteve. Prandaj, në prapaskenë, u hartua projekti për krijimin e “Jugosllavisë së Re”, që, në kushte të reja, pasi ka kaluar më shumë se një shekull e gjysmë, s’është gjë tjetër, veçse, vënie në jetë e programit “Naçertanie” të Ilia Garashaninit (1812-1874) të vitit 1844, kur ai ishte ministër i jashtëm i Serbisë dhe më pas kryeministër dhe ministër i jashtëm për shumë vite me radhë, projekt ky, sipas të cilit duhej të krijohej Serbia e Madhe.

Por, për t’i hedhur hi syve opinionit publik ndërkombëtar, trekëndëshi Moskë-Athinë-Beograd, me qëllim që ta nxirrte të larë Serbinë nga ky pazar i fshehtë, vendosi të futë në lojë mikroshtetin që quhet Mali i Zi, i cili shtroi propozimin që, në kuadër të zhvillimit të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, të organizohej një takim i ministrave të jashtëm të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor - Serbisë, Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës - për të diskutuar idenë e krijimit të një bashkimi (unioni) të ri, të quajtur “Jugosllavia e Re”.

Propozimi i Malit të Zi për krijimin e një strukture të re federative me emrin “Jugosllavi e Re”, të kujton fjalën e urtë të gjuhës shqipe: çohu, o i vdekur, të hashë mish të pjekur.

Me sa duket, pas fjalimit të Kryeministrit Berisha më 25 nëntor 2012 në Shkup, në kuadrin e festimeve të 100-vjetorit të pavarësisë, i cili deklaroi se “bashkimi kombëtar mbetet një ëndërr për të gjithë shqiptarët”, trekëndëshi Moskë-Athinë-Beograd vendosi të ndërmarrë aksione konkrete, duke i kërkuar Malit të Zi t’i zbulojë letrat e bixhozit politik në tryezën e pazarllëqeve evropiane, të cilave kombi shqiptar ua ka parë sherrin që prej Kongresit të Berlinit e deri në ditët tona.

Përveç kësaj, tendencat nacionaliste që u vunë re me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë, me pikësynim ribashkimin perspektiv të trojeve tona etnike në një shtet të vetëm kombëtar, krijuan shqetësime edhe në radhët e Bashkimit Evropian, i cili, duke mbrojtur tradicionalisht interesat e grekosllavizmit, nuk dëshiron t’i zhbëjë vendimet e gjyshërve të vet për copëtimin e trojeve tona etnike.

Prandaj nisma e Malit të Zi, e nxitur nga trekëndëshi ortodoks sllavogrek, është ndërmarrë edhe me miratimin e heshtur të Brukselit, i cili, me krijimin e “Jugosllavisë së Re”, kërkon të rikthejë vitin 1919, kur Evropa Perëndimore krijoi mbretërinë serbo-kroato-sllovene.

Gjykuar nga ky këndvështrim, duhet pranuar me zë të lartë se pozicionimi i hapur i gazetarit dhe i analistit Kastriot Myftaraj kundër misionit të zonjës Vlahutin për krijimin “urtë e butë” të një “Jugosllavie të Re”, duhet përshëndetur dhe përkrahur fuqimisht, sepse një federatë e tillë është varrmihëse për kombin shqiptar.

Normalisht, kundër idesë së krijimit të “Jugosllavisë së Re”, duhej të reagonte menjëherë Tirana zyrtare dhe Prishtina zyrtare. Prishtina zyrtare, përmes deklaratës së ministrit të mbrojtjes Agim Çeku që u përmend më lart, zbulonte qëndrimin e qeverisë Thaçi, e cila e kishte për zemër idenë për krijimin e “Jugosllavisë së Re”, duke nëpërkëmbur interesat e popullit shqiptar të Kosovës. Nga Tirana nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar kundër një ideje të tillë, e cila është në dëm të interesave jetike të mbarë kombit shqiptar. Por gazetari dhe analisti Kastriot Myftaraj ia heq petët lakrorit politik të Tiranës zyrtare me deklaratën e mëposhtme:

“Për shkak se Rama ka një rol të madh në “integrimin” e Shqipërisë në Jugosllavinë e Re, Romana nuk flet kurrë për shndërrimin e Shqipërisë në një plantancion gjigand droge, nga ku droga përmbyt Bashkimin Europian. Rama ka liçencën e drogës, si shpërblim për pjesëmarrjen në realizimin e projektit të Jugosllavisë së Re”.

Në këto kushte, kur gazetari dhe analisti Kastriot Myftaraj ngre zërin në mbrojtje të dinjitetit tonë kombëtar, ai duhet përgëzuar dhe jo të shndërrohet në objekt sulmesh të stuhishme në mjetet e informimit masiv. Me pozicionimin e tij publik kundër zonjës Vlahutin për misionin e saj të heshtur në shërbim të projektit të krijimit të “Jugosllavisë së Re” dhe me përfshirjen e kryeministrit Rama në jetësimin e projektit në fjalë, zotëria Kastriot Myftaraj, tërthorazi, e bën lexuesin të bjerë në përsiatje dhe të zbulojë disa objektiva antishqiptare që maskohen në idenë për krijimin e “Jugosllavisë së Re”. Sepse me vënien në jetë të kësaj ideje, do të kemi këto pasoja:

Së pari, nuk do të lejohet kurrë ribashkimi perspektiv i trojeve tona etnike që vazhdon të mbetet një ëndërr shekullore e mbarë popullit shqiptar, ribashkim që duhet të realizohet para pranimit në strukturat e Bashkimit Evropian.

Së dyti, Kosova dhe Shqipëria do të vazhdojnë të mbeten duke u zvarritur, pa arritur të ngrihen kurrë më këmbë për të ndërtuar shtetin e së drejtës, një demokraci të konsoliduar, për të mëkëmbur ekonominë dhe për të ngritur standardin e jetesës në nivelin e vendeve perëndimore. Kësisoj këto dy shtete shqiptare do të vazhdojnë të mbeten të vdekura dhe të pakallura dhe të qeverisen nga një klasë oligarkësh politikë pa dinjitet kombëtar, e cila e konsideron popullin shqiptar si “delet në vathë”, duke i bërë shërbimin më të madh grekosllavizmit, i cili nuk e ka dashur dhe nuk e do kurrë krijimin e një shteti të fuqishëm shqiptar që të ketë në administrim krejt trojet tona etnike.

Së treti, Bashkimi Evropian e mban të konservuar përjetësisht copëtimin e trojeve tona etnike për interesat e grekosllavizmit dhe e ngushëllon kombin shqiptar me përfshirjen e tij në “Jugosllavinë e Re”.

Së katërti, Bashkimi Evropian, me realizimin në praktikë të idesë për krijimin e “Jugosllavisë së Re”, e ndien veten të qetë, se do të pranojë në radhët e veta një federatë, banorët e së cilës, në shumicë, janë të besimit të krishterë. Pra, nuk pranon në radhët e veta një shtet, ku  shumica janë të besimit mysliman, si puna e Shqipërisë dhe e Kosovës. Sepse arsyeja kryesore se pse Bashkimi Evropian nuk e pranoi dikur në radhët e veta Turqinë, është feja myslimane. Kjo ishte arsyeja kryesore, sepse po të ishte kriter kryesor i pranimit shkalla e zhvillimit ekonomik, niveli i jetesës, këto Turqia i ka më të larta sesa disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian.

Pra, me jetësimin e idesë për krijimin e “Jugosllavisë së Re”, Bashkimi Evropian pozicionoihet përfundimisht kundër Ribashkimit tonë Kombëtar dhe materializon në praktikë përsëri simpatinë dhe përkrahjen e vet të gjithanshme për grekosllavizmin. Se po të mendohej për një çast, sikur simpatia dhe përkrahja e Bashkimit Evropian do të ishte sadopak edhe në anën e kombit shqiptar, atëherë ai do të duhej ta vinte me shpatulla pas murit Athinën, e cila vazhdon të mbajë në fuqi ligjin e luftës me Shqipërinë që prej vitit 1940, si edhe Beogradin, për ta detyruar që ta flakte nga preambula e kushtetutës serbe fjalinë, në të cilën thuhet se “Kosova është pjesë e Serbisë”.

Në mbyllje dëshiroj të theksoj se të gjithë ata që e sulmojnë gazetarin dhe analistin Kastriot Myftaraj, janë radhitur përkrah idesë për krijimin e “Jugosllavisë së Re”. Kësisoj ata kanë marrë anën e zonjës Vlahutin, e cila, duke punuar në heshtje për jetësimin në një mënyrë të kadifenjtë të projektit për “Jugosllavinë e Re”, është rreshtuar pranë kryeministrit Rama dhe hesht për shndërrimin e vendit tonë në një hapësirë gjigante për kultivimin e drogës.

Kjo është edhe arsyeja që analistët “e gjithditur”, në shumicën e tyre dërrmuese, në sulmet e tyre kundër gazetarit dhe analistit Kastriot Myftaraj, e kanë kapur problemin nga degët dhe jo nga rrënjët: ndalen dhe diskutojnë gjatë për një fjalë me ngarkesë stilistikore sharëse dhe nuk thellohen në thelbin e problemeve që ai ngre, të cilat kanë një rëndësi të jashtëzakonshme kombëtare. Por të vjen keq kur në mbrojtje të zonjës Vlahutin, del edhe shkrimtari Ismail Kadare, i cili, në letrën publike që i drejtonte asaj më 10 maj, e kishte ulur shumë poshtë stekën e autoritetit të vet, a thua se nuk e paska informacionin e duhur që kjo ambasadore e Bashkimit Evropian në Tiranë, për shumicën dërrmuese të opinionit publik shqiptar, është shndërruar në simbol të së keqes. Me mbrojtjen që i bën ambasadores Vlahutin, Kadarea dëshmon se është për jetësimin e idesë së “Jugosllavisë së Re”, se është në mbrojtje të majtizmit shqiptar, i cili gjatë këtyre katër viteve në pushtet, e ka shndërruar vendin tonë në një plantacion të madh droge. Kadarea është plotësisht në dijeni të alarmit që ka ngritur gjiganti amerikan “Forbes”, njëra nga revistat amerikane ekonomiko-financiare më me autoritet në botë, media francezeReporterre.net”, me reportazhin e titulluar: “Europa ka një prodhues të madh të kanabisit: Shqipërinë”, mjetet italiane dhe gjermane të informimit masiv etj, por ai, çuditërisht, ka heshtur. Edhe pas zgjedhjeve vendore të 08 majit 2011, Kadarea u rreshtua në anën e majtizmit shqiptar, përkkrah Edi Ramës, duke iu drejtuar Lulëzim Bashës me një letër publike për dorëheqje nga kandidatura për kryetar Bashkie në Tiranë. Është e drejta e zotit Kadare të përkrahë majtizmin shqiptar, por ama ai duhet të përkrahë atë majtizëm që është për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, për ngritjen e nivelit të jetesës së mbarë popullit shqiptar nëpërmjet ndërtimit të shtetit ligjor që sjell si pasojë mbarësie jetësimin e një demokracie funksionale. Ndërsa majtizmi shqiptar, me në krye zotin Edi Rama, gjatë këtyre katër vjetëve në pushtet, ka qeverisur aq keq, saqë, për arsye të varfërisë së skajshme ekonomike, vëndin e kanë braktisur gati 300 mijë njerëz. Për dijeninë e zotit Kadare, Zoti Edi Rama, gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2013, përmes strukturave të tij partiake, shpërndau në mbarë vendin një fletëpalosje, me disa premtime, që ua hodhi poshtë derës qytetarëve shqiptarë. Kryepremtimi i tij në atë fletëpalosje ishte: do ta ulim TVSH-në e energjisë elektrike nga 20% në 6%. Këtë premtim nuk e mbajti. Madje kilovatin e enrgjisë elektrike e shtrenjtoi nga 7,5 lekë në 9,5 lekë. Po ashtu, nuk e mbajti asnjërin nga premtimet e tjera që radhiste më poshtë në atë fletëpalosje.

Përfundimisht, gazetari dhe analisti Kastriot Myftaraj, në artikullin e vet, së pari, ka mbrojtur vetëm të vërtetën: është pozicionuar kundër jetësimit të idesë fsheharake për krijimin e “Jugosllavisë së Re”, të cilën popujt sllavë të katër republikave të ish-Jugosllavisë, po të dëshirojnë, le ta rikrijojnë, kurse shqiptarët, në mbarë trojet e veta etnike, s’i lidh asgjë me atë monstër. Së dyti, ai ka mbrojtur një të vërtetë të pamohueshme: rreshtimin e zonjës Vlahutin në krah të kryeministrit Rama, i cili e ka shndërruar vendin tonë në Kolumbi të Evropës. Pikërisht për mbrojtjen e këtyre dy të vërtetave, gazetari dhe analisti Kastriot Myftaraj duhet mbrojtur dhe përkrahur pa asnjë rezervë nga të gjithë ata shqiptarë që e kanë të shenjtë dinjitetin tonë kombëtar.

Los Anxhelos, Kaliforni

13 maj 2017



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora