E enjte, 01.05.2025, 01:35 PM (GMT+1)

Mendime

Sinan Sadiku: Të punësuarit t'i nënshtrohen 1 testi

E shtune, 28.01.2017, 11:15 AM


TË GJITHË TË PUNËSUARIT QË MARRIN PAGA NGA BUXHETI I SHTETIT DO TË DUHEJ T`I NËNSHTROHEN NJË TESTI

NGA SINAN SADIKU

Tani facebook-u na i ka qit në shesh, na i ka shpërfaq të mirat dhe të këqijat tona, na e ka mundësuar ta shpalosim vetveten ashtu si jemi, si njerëz, si intelektualë, si profesionistë. Me që shumica e shqiptarëve shkruajnë në facebook, shprehin mendime ose marrëzira, japin ide, urojnë fyejnë, mallkojnë, kërcënojnë, krekosen... thuajse e kanë të pamundur të mos e tregojnë fytyrën dhe personalitetin e vet të vërtetë. Veçmas dalin në sipërfaqe aftësia ose paaftësia intelektuale dhe profesionale e atij që shkruan. Kjo është një temë e gjerë, por duke i lexuar komentet, urimet, kopjimet... më ranë në sy, ma vranë syrin, shkrimet e disa punonjësve të arsimit: mësues, arsimtarë, profesorë. Disa shkrime të ca punonjësve arsimorë të gërditin me numrin e madh të gabimeve drejtshkrimore, të deformimit të fjalëve, fjalive... Ndërsa ata njerëz kanë diploma nga shkollimi i rregullt universitar, kanë certifikata e certifikata nga aftësimet profesionale. Shtrohet pyetja a duhet të dijë të shprehet me shkrim arsimtari ose profesori i fizikës, matematikës, kimisë... apo i lejohet të bëj gabime drejtshkrimore në çdo fjalë që e shkruan? Mund ta bëjmë edhe një pyetje tjetër, a duhet t`i dijë disa nga gjërat elementare, gjegjësisht t`i zgjidhë disa detyra të lehta nga matematika profesori i gjuhës, juristi, sociologu, psikologu... a duhet këta profesionist, këta intelektualë të dinë t`i zgjidhin disa detyra logjike nga fusha e matematikës? Unë mendoj që edhe profesori i matematikës, i fizikës, i kimisë, pastaj inxhinieri, juristi, ekonomisti, psikologu... gjithsesi duhet ta zotërojnë një minimum të shkathtësisë së shprehjes gjuhësore me gojë dhe me shkrim, siç do të duhej që edhe gjuhëtari, juristi, psikologu ta zotërojnë një minimum të dijes nga fusha e matematikës. Cili është ai minimum do të duhej ta përcaktonin ekipet e  ekspertëve.

Në Zvicër nxënësit që në klasën e gjashtë seleksionohen në ata që përgatiten për fakultet dhe të tjerët që shkojnë në shkolla profesionale apo në zanate. Kuadro për fakultet përgatit gjimnazi, ndërsa  aty mund të regjistrohen deri në 15% të nxënësve më të mirë. Lëndë kryesore në gjimnaz janë gjuha dhe matematika. Ai që shkon në gjimnaz e mëson matematikën që mësohet në shkollën mesme, e mëson gjuhën aq sa mësohet në shkollën e mesme, ose ngel, nuk e kryen dhe nuk mund të regjistrohet fare në fakultet. Nëse e kryen gjimnazin( ndërsa atje nuk mund ta kryej pa ditë, ose duke kopjuar...) nxënësi e ka marrë një kulturë të përgjithshme dhe nuk ngjan që profesori i matematikës të thotë unë e di shumë mirë, jam profesionist i matematikës , por më falni nuk jam gjuhëtar dhe mos m`i shikoni gabimet drejtshkrimore edhe nëse në një faqe tekst m`i gjeni 200! Aq më pak këtë mund ta thonë: juristët, sociologët... të cilët të vetmin mjet me të cilin e kryejnë punën  profesionale e kanë gjuhën.

Ne si shoqëri nuk kemi ndërtuar institucione çfarë i kanë shoqëritë e organizuara, nuk kemi krijuar institucione të mirëfillta shtetërore në asnjë fushë dhe jemi larg që ta bëjmë këtë. Andaj e kemi gjendjen e keqe në arsim, në shëndetësi, në drejtësi, në administratë publike... Jemi keq në çdo fushë, por problemet i aktualizojmë ose na aktualizohen herë në një fushë e herë në fushën tjetër. Për ta vërtetuar gjendjen, përgatitjen profesionale të të gjithë atyre që marrin paga nga buxheti do të duhej që të gjithë t`i nënshtrohen një testi i cili do të na tregonte ku jemi. Pra jam për atë që testit t`i nënshtrohen të gjithë, jo vetëm punonjësit arsimorë. Testi së pari do të duhej të na tregont,  për këta njerëz që marrin paga nga buxheti i shtetit, a e kanë kryer me meritë shkollën e mesme, a i dinë gjërat elementare nga matematika dhe gjuha, e pastaj të testohen secili në profesionin e vet. Mund të gënjesh sa të duash, mund të krekosesh, por nuk mund të jesh profesor i mirë i fizikës, matematikës... nëse nuk e ke aftësinë t`i formulosh siç duhet 4-5 fjali. Çfarë do testi objektiv do ta dëshmojë këtë.

Por a jemi ne të zotët që ta organizojmë një test të tillë? Përgjigja është jo, deri tani kemi dëshmuar se objektiviteti, parimësia janë vlera të huaja për ne.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx