Mendime
Driton Gashi: Kosova dhe duhani
E enjte, 01.09.2016, 07:14 PM
"Cigare, cigare, cigare..."
Kosova dhe duhani
Nga Driton Gashi
Kosova do hyn me duhan në Europë. Ata qeveritarë që nuk e respektojnë ligjin do marrin disa pako me vehte nga Prishtina dhe do ju hedhin nga larg secilit deputet të Parlametit Europian nga një cigare, si dikur nëpër oda e dasma kosovare...
"Cigare, cigare, cigare"... me shitësit mobilë të duhanit konfrontohesh akoma pa arritur mirë në Kosovë, që në dalje të aeroportit rrethohesh nga ta dhe disa prej tyre janë aq të bezdisshëm, sa të ndjekin pas deri te makina dhe të lusin të blesh ndonjë pako. Jo vetëm ky ves i keq i shitësve, që nuk të lenë rehat as në lokale në qytet dhe ndoshta edhe mbajnë familjet e tyre me duhan, por edhe pirësit e shumtë, të tepërt të duhanit bien në sy menjëherë në Kosovë. Era e keqe dhe e padurueshme që kundërmon të ndjek kudo, shumë e vështirë e ke të gjesh ndonjë vend, ku nuk ndeshesh me këtë drogë "legale", e cila në Kosovë konsumohet me të madhe dhe pa kontroll.
Në këtë aspekt Kosova ndodhet akoma në vitet e gjashtëdhjeta apo shtatëdhjeta, shumë pak njerëz janë vetëdijësuar për dëmet shëndetësore dhe materiale që shkakton konsumimi i duhanit. Ose edhe ata të cilët janë vetëdijësuar, e kanë shumë të vështirë të mbrohen nga duhanxhinjtë egoistë dhe të paedukatë. Pa fije turpi e ndezin duhanin në lokale, ku është e ndaluar, dhe pa fije konsiderate ndaj atyre që nuk e pinë dhe nuk dëshirojnë të jenë pranë atyre që e pinë.
Disa herë kam qenë prezent në lokale të ndryshme ose në salla të mëdha, ku në orët më të hershme respektohej ligji dhe duhanxhinjtë dilnin jashtë. Rreth orës 22 ose 23 kamarierët sjellin pjata të vogla ose tablla të filxhanëve, të cilat pastaj shëndërrohen në shpuzore me erë shumë të keqe, sepse me këtë gjest ata u lejojnë klientëve t'a ndezin në lokal. Pa kurrfarë respekti e mirëkuptimi për ata që nuk e pinë, por edhe ndaj vehtes dhe ndaj ambientit në lokal. Para disa javëve isha dëshmitar i një ndodhie të tillë në një lokal të Prishtinës, ku duhani u ndez akoma pa përfunduar darka. Ishte e tmerrshme! Kisha përshtypjen që disa gra e burra më shumë kishin pritur t'a ndeznin duhanin se sa të hanin bukë. Gjest shumë i ulët.
Më duket se pirjen e duhanit disa njerëz po e konsiderojnë si modernizim, liri etj, etj. Në rregull. Në shtëpitë tuaja mos e fikni kurrë. Por jo në vende të mbyllura publike, aq më e keqe në prani të fëmijëve të vegjël dhe të pleqëve të sëmurë!
Disa raste janë bërë publike, kur edhe pjesëtarë të Qeverisë së Kosovës nuk e respektojnë ligjin ndaj mbrojtjes së duhanit. Nëse mundohesh të flasësh për këtë temë, shpeshherë konfrontohesh me "argumentin", se ne kemi punë më të mëdha se duhani. Por, nëse ne këtë ligj nuk mund t'a zbatojmë, atëherë çfarë pritet për detyra dhe sfida që vijnë në të ardhmen?
Kosova do hyn me duhan në Bashkimin Europian. Ata qeveritarë që nuk e respektojnë ligjin do marrin disa pako me vehte nga Prishtina dhe do ju hedhin nga larg secilit deputet të Parlametit Europian nga një cigare, si dikur nëpër oda e dasma kosovare...
E di se disa fushata janë nisur në Kosovë që nga paslufta, për të sensibilizuar njerëzit, sidomos për të parandaluar pirjen e duhanit te të rinjtë. Disa edhe e kanë lënë duhanin ose nuk e kanë pirë kurrë, në shumë shtëpi nuk pihet më brenda. Ky është një zhvillim pozitiv. Ndoshta është e domosdoshme një qasje më e ashpër ndaj atyre që nuk e respektojnë ligjin, gjobat duhet të jenë më larta dhe të zbatohen menjëherë. Poashtu pronarët e lokaleve duhet të gjobiten shumë më shumë. Vetëm në këtë mënyrë mund të luftohet kjo dukuri shumë e keqe.