Mendime
Skënder Kapiti: Majlinda Kelmendi krenaria jonë kombëtare
E merkure, 24.08.2016, 07:33 PM
Majlinda
Kelmendi krenaria jonë kombëtare
Tashmë Historia dhe Pavarësia e Kosovës janë shkruar edhe me Ar
Nga Skënder S. KAPITI
Triumfi i sportistes më të madhe shqiptare, e përfaqësueses së shtetit shqiptar të Kosovës, fitorja e medaljes së artë nga Majlinda Kelmendi në Lojrat Olimpike të “Rio 2016” me 7 Gusht 2016 shënon jo vetëm një ngjarje të madhe dhe sukses për sportisten e talentuar, kampionen legjendare M. Kelmendi si dhe per trajnerin e mjeshtrin e madh te sportit të xhudos Z. Driton Kuka, por shënon një ngjarje të jashtëzakonshme për lavdinë dhe krenarinë gjithkombëtare shqiptare së pari, dhe na bën që ne të gjithë shqiptarët të krenohemi por edhe t’i jemi mirënjohës përgjithmonë sportistes sonë për atë përfaqësim dinjitoz dhe për atë lartësim që ajo i bëri kombit tonë në Botën më të madhe, që është ajo Sportive e Lojrave Olimpike.
Kjo fitore e madhe e Majlindës kampione dhe e arkitektit te kesaj fitoreje, e mjeshtrit të xhudos, trajnerit Kuka, ashtu si dhe ato fitoret e tjera të më parshme të saj si kampione e Europës dhe e Botës, fitore të cilat na bëjnë të ndjehemi krenarë të gjithë ne, le të shërbejnë edhe si nxitje për të dy shtetet shqiptare që të tregojnë më shumë mirënjohje, përkujdesje e mbështetje për të gjithë ata individë të talentuar dhe patriotë : për heronjt e dëshmorët por edhe për sportistët, artistët, shkrimtarët, shkencëtarët etj.,që bëjnë dhe kontribuojnë kaq shumë si Majlinda për lavdinë e atdheut dhe të kombit, për dinjitetin, prestigjin dhe për krenarinë kombëtare, pasi nuk duhet që pushteti e politika të mjaftohen vetëm me deklarata mirënjohjeje dhe respekti siperfaqësor dhe emocional sa për momentin dhe për të kaluar radhën, sic bëjnë te ne politika dhe pushteti hipokrit e spekulativ me vlerat, meritat dhe me sakrificat e qytetarëve dhe të popullit të vet.
Majlinda hyri në historinë Botërore sportive sepse bëri historinë, dhe me medaljen e artë të fituar prej saj hyri në historinë e Botës më të Madhe, të asaj Sportive Olimpike edhe Shteti i Ri i Kosovës Shqiptare, Shtet i cili ka vetëm dy vite që është bërë antarë i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar , dhe ky fakt i këtij triumfi të sportistes sonë në Olimpiadë n e Rios 2016, kjo Medalje e Artë në Sportin e xhudos që e fitoi Majlinda në këtë Olimpiadë ku Kosova merr pjesë për herë të parë , ashtu si dhe ato të tjerat e mëparshme të fituara prej saj si Kampione e Europës dhe e Botës e nderojnë, e lartësojnë dhe ja rrisin prestigjin dhe autoritetin jo vetem Shtetit shqiptar të Kosovës por edhe mbarë kombit shqiptar.
Kjo është fitorja më e madhe në historinë sportive të Kosovës po edhe e Shqiperise dhe e mbare kombit tone, triumfit të së cilës i parapriu edhe fitorja tjetër e madhe e mëparshme nga po kjo sportiste dhe e po këtij trajneri te madh në Kampionatin Europian të xhudos që u zhvillua në Rusi, të fitores së medaljes së artë të Prillit të po këtij viti, në Rusinë e cila akoma nuk e ka njohur Pavarësinë e Kosovës, por që e detyruan atë që të respektojë simbolet dhe shtetin e Kosovës.
Dhe fitorja e Kosovës është fitore gjithshqiptare, pasi e gjithë bota e di se Kosova është shqiptare dhe Shqipëri, madje Kosova është djepi i shqiptarizmës, dhe këtë e dinë shumë mirë sidomos ata të cilët nuk e kanë njohur akoma Shtetin e Kosovës: e dinë Serbia, Rusia etj., dhe kjo është arësyeja edhe pse ata nuk e njohin akoma, por që Medaljet e Arta të Majlindës e detyruan si gardën ruse ashtu edhe atë të Brazilit, shtete këto që se kanë njohur akoma Pavarësinë e Kosovës, që ta njohin dhe ta respektojnë edhe ata Shtetin e Kosovës.
Për rëndësinë e pjesmarrjes dhe të fitores së medaljes së Artë nga xhudistja jonë M.Kelmendi tre muaj më parë në Rusi, e verteton dhe fakti pasi këtë pjesmarrje dhe fitore të saj e ka përmëndur dhe ambasadori amerikan Pressman në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Mos ta harrojmë edhe faktin e madh, të ndikimit që pati sportistja jonë e madhe, që pasi mori medaljen e artë të Kampionatit europian që u zhvillua në Rusi, e që bëri jehonë të jashzakonshme ndërkombëtare edhe atëhere, pasi menjëherë pas atij Triumfi të Madh të Majlinda Kelmendit dhe te trajnerit Driton Kuka u pranua edhe Kosova futbollistike edhe në UEFA, edhe në FIFA.
Pra, kjo sportiste, kjo heroinë e madhe shqiptare ka merita të jashtëzakonshme, madhështore e të pakrahasueshme për kontributin e saj ashtu si edhe trajneri D. Kuka, për promovimin e Shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Këtë fakt e ka shënuar tashmë historia, dhe që na takon ta shënojmë e ta përjetësojmë ne në kujtesën tonë kombëtare, dhe të krenohemi sot por edhe brezat e së ardhmes, por edhe që do të shërbejë gjithnjë si shëmbull frymëzimi për sportistët e tjerë dhe për tërë sportin shqiptar, edhe si shëmbull sakrifice, atdhedashurie dhe patriotizmi në shërbim të kombit.
Sukseset dhe arritjet e mëdha sportive si kjo më e madhja e Medaljes së Artë në Olimpiadën e “Rio 2016” ku simbolet e Kosovës i nderoi edhe Garda e Brazilit i cili akoma ashtu si edhe Rusia nuk e ka njohur Pavarësinë e Kosovës, pra u arrit që edhe dy ndër shtetet më të fuqishme të botës që nuk e kanë njohur akoma shtetin e Kosovës, pikërisht Rusia e para tre muajve dhe Brazili tani, detyrohen që aty, pra pikërisht në Rusi dhe në Brazil të respektohet e të njihet Historia dhe Shtetësia e Kosovës. Ky sukses sportiv historik në rang global i Majlindës dhe i Kosovës është komentuar nga të gjitha mediat më prestigjoze ndërkombëtare si edhe nga personalitete e diplomatë të vëndeve më të fuqishme demokratike të Botës dhe mike të Kosovës dhe te shqiptareve, si ambasadori amerikan në Kosovë Greg Delawie i cili edhe e ka festuar këtë sukses tonin duke shkruar fjalët: “Një moment historik për Kosovën dhe për këtë sportiste të jashtëzakonshme. Duke festuar së bashku me të gjithë këtu sonte”. Po kështu edhe ambasadori britanik në Kosovë O’Connell duke ju gëzuar edhe ai këtij suksesi shkruan në Facebook :“ U kry kampione”. Këto fitore të arritura nga kjo sportiste shqiptare heroinë dhe e këtij trajneri të madh janë shpresë, mesazh dhe frymëzim për brezat e ardhshëm të kombit tonë. Majlinda, sportistja kampione dhe Dritoni,trajneri kampion, meritojnw falenderimin, urimin dhe mirënjohjen më të thellë për këtë fitore, per kete lavdi e krenari të madhe që ata u dhane gjithë shqiptarëve, gjithë bashkëkombasve të tyre.
Tashmë, Historia e Kosovës dhe Pavarësia e saj janë shkruar edhe me Ar.
Skënder S.KAPITI, Autor i Librit “TRIUMFI I KOMBIT”