E marte, 16.04.2024, 09:17 PM (GMT+1)

Speciale

Fatbardha Demi: Teofil Haxhimihali (1867-1934)

E diele, 14.02.2016, 01:55 PM


JAM DHE DO TË MBETEM  PËRJETËSISHT SHQIPTAR

Teofil Haxhimihali (1867-1934) - Piktori i panjohur i historisë së shqipetarëve

Nga Fatbardha Demi

Sot vlerësohet si piktori më i famshëm i artit popullor i Greqisë dhe një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të rymës moderne të pikturës hellene të fillim shekullit 20. Veprat e tij janë paraqitur në Galeritë e të gjitha qyteteve europiane dhe janë blerë me çmime shumë të larta, në Londër dhe Nju Jork nga koleksionistët privatë.

Emri i tij familjar është Theophilos Kefalas (1863/70-1934) lindur në Varia afër qytetit Mitelen, në ishullin e Lesbos. Ishte më i madhi nga tetë fëmijët e familjes së tij. Njerëzit e kanë njohur me emrin Theofil Haxhimihali, mbiemër i nënës së tij Penelopë, bij e piktorit të njohur të ikonave Kostantin Haxhimihali (Costandinos Hatzimihalis). Që në moshë të njomë çfaqi dëshirën për pikturën dhe pas disa vitesh e la shkollën, për të jetuar në fillim pranë gjyshit dhe më vonë si ndihmës i dajës, i cili punonte si ndërtues dhe piktor në zbukurimin e shtëpive. Tradita e pikturimit mbi copë dhe dru, me të cilën u njoh në punishten e gjyshit dhe përvoja në pikturën murale, prodhimin e ngjyrave dhe përdorimin e tyre në materiale të ndryshme pranë dajës Gjergj Zografi (George Zographos), ishin shkolla e vetme e Teofilit të ri.  Zograf, në shqip emërtohesh puna e një piktori dhe shpesh  mbetej si mbiemër i tij në vëndin ku jetonte dhe punonte. 

Jeta pranë familjës së nënës dhe në vëndlindjen e tij, ishullin Lesbo, ishin vendimtare në formimin e karakterit të tij, si njeri dhe piktor. Sipas shkrimeve të Plinit të Vjetër dhe Strabonit, emri më i lashtë i ishullit ka qënë Pellazgji, emërtuar nga banorët e tij, fiset eole. Herodoti pohon se eolët ishin Pellazgë.(Hérodote, Histoires, 7.95) Lesbo ishte edhe vëndlindja e shumë poetëve të famshëm si Leschès de Pyrrha (VIIIë -VIIpK) , poeteshës Safo ( Sapho, v.-640/-v.-600 pK), poetit e muzikantit Arion de Méthymne (VII pK), Terpandre (Térpandros,VII pK), poetit më të madh lirik, Anacréon (Anakréôn,550 - 464pK).(1) Në këtë ishull , që nga lashtësia e deri në kohën e Teofilit të ri, kanë banuar përherë fise të pëllazgo-arbërve të vjetër dhe më vonë ata të rinj, të ardhur nga trevat kontinentale. I frymëzuar nga mitet dhe objektet e shumta arkeologjike, me të cilat bashkjëtonin banorët e ishullit, në pikturat e Teofilit zënë vënd të rëndësishëm figurat mitologjike dhe pothuajse të gjithë heronjt e shquar të lashtësisë .

Perëndesha Athina dhe Artemisi ( rreth vitit 1927/1934) ; Akili ; Aleksandri i Madh, Muzeu Historik Kombëtar, Athinë.

Theofili ndjente një dëshirë të madhe të udhëtonte, të njihej me njerëz të rinj dhe sidomos  me qytete të famshme të së shkuarës. Në moshën 18 vjeçare vendoset në qytetin e Smirnës në Turqi (Izmiri i sotëm).  Përreth këtij  qyteti bregdetar ndodheshin qytetet e lashta si Efesi,  Laodicea, Filadelfia, Sardi, Thyatira e Pergamo.

Të dhëna për jetën e tij janë shumë të pakta dhe asgje nuk dihet me siguri. Më tepër për Teofilin-njeri , « flasin » pikturat e tij, se sa ndonjë autor, artikull i kohës apo i ditëve të sotme. Kështu nga periudha e rinisë, kemi firmën e tij tek autoportreti me shënimin « Kafaz i Konsullatës, Smirna ». Kjo dëshmon se një nga punët e tij ka qënë si « kafaz » (siç flitej në gjuhën shqipe për rojet) pranë konsullatës së shtetit të ri hellen në Smirna. Gjithashtu shkruhet se edhe kur ka kryer punë të tjera, asnjëherë nuk e braktiste pikturën.  Në Ballkan, shqipetarët mbaheshin si rojet më besnike, që e ruanin të zotin duke mos kursyer edhe jetën. Flitet edhe sot, se në Rumaninë e shekullit 19-20, bankierët dhe tregëtarët preferonin të kishin shqipëtarët si « kafaz ». Le  të kujtojmë rojen besnik të Lord Bajronit, i cili e çoi trupin e tij (në kushtet e atëhershme) deri në Angli, duke plotësuar amanetin e zotit të tij. Kjo detyrë vlerësohej prej tyrë si një çështje nderi dhe e shënjtë dhe nuk shikohej thjesht si një burim fitimi. Teofili më vonë tregonte me krenari se si kishte vrarë një turk, për të mbrojtur konsullin nga një tentativë vrasjeje.

Një fakt tjetër na dëshmon shqetësimin e piktorit për luftën çlirimtare kundër turqve. Në 1897 midis Mbretërisë hellene (Greqi) dhe Perandorisë otomane shpërtheu një konflikt ushtarak i njohur si « lufta e 30 ditëve ». Shkak u bë problemi i Kretës. Banorët e mbetur nën sundimin e sulltan Abdulhamid II, krahas kryengritjeve të armatosura, kishin dërguar Mbretërisë hellene dhe  Fuqive të Mëdha, memorandumin e përfaqësive të të gjitha provincave (3.02.1895) ku kërkonin vetqeverisjen dhe mbrojtjen e tyre. (2) Në atë kohë në shtetin e ri të Helladës, mbretëronte me dorë të hekurt mbreti danez, Giorgio I (1845- 1913), i cili udhëhoqi politikën e tij sipas projektit të “Megáli Idéa” (1844) të mbretit Otton I  (1815-1867). Duke përfituar nga vendimet e Kongresit të Berlinit (1878) Giorgio I, kishte pushtuar krahinën e Thesalisë dhe më 1881 edhe Epirin e jugut. Rasti i Kretës ishte një arësye e mjaftueshme për zgjerimin me toka të reja, dhe për këtë qëllim të hynte në luftë me Perandorinë otomane. Në këtë prag lufte, ku humbësit e vërtetë do të ishin banorët, Teofili u nis drejt Athinës për t’u shkruar vullnëtar. Megjithëse edhe vëndlindja e tij, ishulli Lesbo, ishte akoma e pushtuar, çështjen e lirisë, ay e shikonte si një detyrë kombëtare.

Piktori i oborit të sulltanit Abdyl-hamitit II, italiani Fausto Zonaro e përjetoi masakrën e Domokos duke na lënë edhe dëshminë, se si u flijuan luftëtarët shqipetarë të mbretërisë së Helladës. (piktura lart) . (3)

Kulmi i luftës u arit në betejën e Domokos(17.05.1897) që vulosi edhe fitoren e turqve. Ushtria e mbretit Giorgio I u mund keqas, ndërsa Perandoria otomane pati mundësi të pushtonte një pjesë të Thesalise. Ne nuk e dimë nëse Teofili arriti të marrë pjesë apo jo në luftë, por humbja, gjaku i derdhur dhe masakrat mbi popullsinë e tronditën thellë piktorin e ri.  Po këtë vit , tashmë në moshë të pjekur, ai vendoset në Volos, qytetin-port më të rëndësishëm të gadishullit Pelion, ku vijoi , për vite më radhë të pikturonte portrete të njerëzve, muret e brëndëshme të shtëpive, dyqaneve dhe kafeneve. Të fitoje jetën si piktor, sidomos në ato kohë kur popullsia ishte më shumë bujqësore dhe e varfëruar nga luftrat civile dhe sulmet pushtuese të shteteve te reja fqinje ishte shumë e vështirë. Teofili megjithatë punonte pa u lodhur në çdo punë që i afrohej, edhe si bari, siç lexojmë në disa shkrime, për të mbajtur veten dhe për të siguruar bojra, furça dhe pëlhurë për pikturat e tij. Në këtë kohë, sipas specialistëve, pikturat e tij tregojnë pjekurinë e Teofilit si artist. 

(majtas)Murri i brëndshëm i shtëpisë së Jani Kondo (Giannis Kondos) në Volos e pikturuar nga Teofil Haxhimihali(1912), sot e kthyer në galeri arti të pikturave të tij ; Portreti i dy heronjve, Erotokritos dhe Arethusa, të poemës së poetit të madh të Kretës, italianit Vinçenco Kornaro (Vitsentzos Cornaros) shk 17. Në mbarë Gadishullin e sunduar nga Bizanti , poema ishte shumë popullore, për hymnin e saj kushtuar kurajos, nderit dhe miqësisë. (4)

Mbasi provon fatin e tij duke shëtitur në krahina të ndryshme, i përbuzur dhe i shpërfillur nga  « helenët e rinj », i moshuar, i sëmurë dhe i varfër, më së fundit kthehet përfundimisht në vëndlindjen e tij, Mytilenë. Në shtëpinë e vëllait të tij Stavros, ay gjeti mikpritjen dhe mbështetjen për punën e tij në vitet e fundit të jetës. Në murin e shtëpisë së tij ,ruhet edhe sot piktura e dy heronjve (foto lart) të poemës së famshme. Më vonë largohet së bashku me nënën, për të jetuar në një shtëpi tjetër, ku edhe mbylli sytë më 26 mars 1934.

Në foto shtëpia ku jetoi vitet e fundit të jetës në Mitilenë. Vdiq në varfëri të plotë dhe i vetmuar, dy vjet pas vdekjes së nënës së tij. (5) Në kujtimet që ka lënë Teofil Haxhimihali tek bashkëkohësit dhe studiuesit e artit të cilët kanë folur për pikturat e tij , është përcaktuar si njëri thellësisht i përkushtuar ndaj historisë , figurave të shquara të mitologjisë dhe heronjve të epokës moderne, natyrës dhe njerëzve të thjeshtë të vëndit të tij.

Kjo « histori popullore» që la piktori shëtitës, më kujton arkivin e fotografive që ka lënë në arkivën e tij, Kol Marubi (Shkodër). Një trashëgimi, që edhe kur mungojnë dokumentet, mund të sjellin fakte për studimet historike të kohës (siç do ta shfrytëzojmë më poshtë edhe ne) por edhe jetësore për autorin.  Populli ynë thotë se çdo njëri ka yllin (fatin) e tij, dhe ky yll, do të jetë takimi i piktorit, tashmë me përvojë, me  Strati Eleftheriadis (1897-1983) me origjinë po nga ishulli Lesbo. Këtu duhet të ndalemi pak, për të folur për këtë njeri, në mënyrë që lexuesi jo profesionist i pikturës ,të kuptojë vlerën artistike të pikturave të Teofil Haxhimihalit.

Stratis Eleftheriadis (1897-1983),i njohur në rrethet artistike të Parisit me emrin E.Tériade, ishte larguar në moshën 18 vjeçare nga vëndlindja e tij, ishulli i Lesbos, drejt Parisit. Në kohën e tij, njihet si një nga kritikët dhe botuesit më të mëdhenj mbi artin në Francë. Fillimisht e nisi punën si kritik arti në revistën « L'Intransigeant », më vonë si bashk-themelues i revistës « Minotaure », themelues i revistës « Verve » dhe autor i 27 botimeve me piktura e gravura të piktorëve të famshëm dhe disa veprave të vetë artistëve. Mbështeti dhe i bëri të njohur autorët e rymave të reja në fushën e letërsisë, skulpturës dhe pikturës, që më vonë krijuan « shkolla » të artit modern europian dhe atij botëror. Tériade bashkëpunoi me figura të shquara si Maurice Raynal, Albert Skira, Michel Leiris, Raymond Queneau, Matisse, Georges Braque, Picasso, Chagall, Fernand Léger, Miró etj.  Në kohën e tij, ishte një zë i rëndësishëm i kritikës letrare dhe artistikë, i vlerësuar nga lexuesit francez dhe ata botëror. (6) 

Një nga zbulimet e tij qenë edhe pikturat e Teofilit. « Tradita bizantine e pikturës murale, me veprat e tij u rilind në mënyrë natyrale – shkruante E.Teriade për të -Thjeshtësia, ndjesia magjike në çdo kombinim të ngjyrave, ornamentet e freskëta, imagjinata spontane dhe së fundi krijimtaria e thjeshtë, kjo thjeshtësi krijuese e cila e bën artin primitiv (popullor-shën im) të barazvlefshëm, ose më të mirë se çdo shprehje e sofistikuar artitike.  Të gjitha këto e bëjnë Teofilin një person unik, në sytë e kaltër të të cilit pasqyrohen thesaret e ngjyrave fisnike, të vështira për t’u gjetur. E bën të barazvlefshëm artistin, me  nivelin e të gjithë piktorëve të artit  popullor dhe me piktorët e sotëm më novator. Guximi kriues, sundon tek ay deri në atë shkallë, sa na mahnit ».  (7) E.Teriade i jep para Teofilit për të siguruar çdo material të nevojshëm për të pikturuar dhe  porosit tabllo në pëlhurë, me qëllim që t’i bënte të njohura në Paris. Pikturat e shumta që grumbulloi kritiku i artit në shtëpinë e tij (86 prej të cilave sot ndodhen në muzeun e piktorit), dëshmojnë për punën e madhe të Teofilit gjatë këtyre viteve. Por vetë ay nuk ariti të shijonte suksesin e tyre dhe as përfitimin material në “kryeqytetin e artit botëror” siç emërtohej Parisi, sepse ekspozita u hap në Luvër më 1936, ndërkohë që piktori kishte vdekur në varfëri të plotë, dy vjet para çeljës së saj.

Pikturat e tij lanë mbresa në rrethin artistik të asaj kohe dhe sot tregëtohen me çmime të larta (deri në gjashtë shifra) nga Galeri me emër në Londër , Nju Jork dhe Athinë. Teriade, që në thellësi të shpirtit kishtë mbetur bir i vëndlindjes së tij, ishullit Lesbo, jo vetëm që e bëri të njohur botërisht emrin e tij, por në vitin 1965 ndërtoi në Mitelen, (Lesbo) muzëun e Teofil Haxhimihalit duke i dhuruar edhe 86 piktura të autorit, nga koleksioni i tij privat. Mbledhja e pikturave nga E.Triade, ekspozita në Paris dhe sidomos hapja e muzeut, krijoi mundësinë që veprat e tij, të mos jenë thjesht zbukurime të mureve të kafeneve dhe disa shtëpive private (disa prej të cilave u dogjen gjatë luftimeve me turqit dhe disa u shkulën për t’u shitur) por të vlerësohen nga shumë njerëz të shquar. Poeti dhe nobelisti në letërsi (1963) Yórgos Seferiádis, pohon se Teofili në pikturat e tij kishte shprehur një këndvështrim të ri, që shumë artistë nuk e kanë arritur.  Ai kishte ndriçuar mendimin e njerëzve. “Ishte një artist i madh por i panjohur për ne dhe kjo është e pafalshme”(8).        

Kurse sociollogu francez Louis Roussel (1921 -2011) me keqardhje pohon : “Nuk e kam dëgjuar kurrë emrin e tij. Çfarë gabimi. Kishte një personalitet kaq të jashtzakonshëm dhe arriti të bëjë kaq shumë, duke patur parasysh se kishte filluar nga hiçi » . (9)

Piktori Yannis Tsarouchis (1910-1989) vuri në dukje se “veprat e tij kanë sjellë atë, që piktura greke e shekullit XIX nuk e ka shprehur”. (10)

 Po çfarë nuk ka shprehur piktura, por edhe historia greke?  Historiografia greke ka heshtur për popullsinë arbërore, pasardhëse e heronjve mitik të lashtësisë dhe autore e luftrave çlirimtare kundër Perandorisë Osmane. Për Teofilin kjo ishte një padrejtësi e madhe që i bëhej banorëve autoktonë të Helladës. Ky udhëtar i palodhur dhe vetmitar, i “armatosur”me penela dhe bojrat e tij, kishtë marrë përsipër një detyrë fisnike, që të bëhej përfaqësues dhe ta përjetësonte historinë e tyre. Ky mission “mesianik” i piktorit, nuk përmëndet në asnjë jetëshkrim të tij. Në fakt nuk ka as ndonjë botim të veçantë për të. E gjithë biografia e botuar mbi Teofil Haxhimihalin mund të përfshihet në “dy rrjeshta” : Ishte i apasionuar mbas miteve të lashtësisë, figurave heroike të 1821 dhe jetës së njerëzve të thjeshtë. Kishte mani të çuditshme të mbante fustanellën e gardës greke.

Personaliteti i vërtetë i Teofil Haxhimihalit, botkuptimi i tij, arësyeja se përse ndëroi mbiemrin,  përzgjedhja e tematikës së pikturave dhe mënyra që kishte zgjedhur për jetën e tij, çuditrisht nuk është studiuar asnjëherë, as kur ishte gjallë dhe as në ditët e sotme. Nuk dimë as se çfarë na ka lënë të shkruar vetë piktori mbi copën e portreteve dhe të figurave historike, që të kishim një dokument ku të mësonim se ç’ka dashur të shprehë në ato tabllo.  

Ja si përshkruhet përgjithësisht “portreti” i Teofilit, në Greqinë e sotme, i marrë nga libri i Stratis Myrivilis : “Ai ishte njëri i çuditshëm dhe njerëzit mendonin së ishte gjysëm i marrë. E ka kaluar kohën në vetmi dhe varfëri, i veshur më fundin e tij të përçmuar. Ju do të habiteni se si i shkoi ndërmënd një banori të ishullit, të vishte fustanellën. Ky ishtë pasioni i tij (...) Ishte një njeri trup-vogël dhe i zbehtë, por tek ay zjentë dëshira për të patur pamjen, që Zoti ia kishtë mohuar. Nganjëherë në karnavale ai mblidhte miqtë e tij dhe paraqitej me veshjet e Perëndive të Olimpit (...) Shumë herë, i veshur me fustanellë dhe mbasi ngjeshte në brez jataganin, do të pikturonte pjesë nga lufta e Pavarsisë së Helladës. Ai kishtë pasion temat heroike, ngjarjet nga jeta e Ali Pashait...” (Nga libri  Vasilis Arvanitis i Stratis Myrivilis shkruar më 1934). (11)  

Në të gjitha shkrimet, Teofil Haxhimihali paraqitet si piktor grek. Është e vështirë në botimet biografike të banorëve të Greqisë, të përcaktosh se kush është grek dhe kush nuk është. Kjo për arësyen e thjeshtë se mendohet se të gjithë ata që banojnë apo kanë banuar aty, që nga lashtësija e deri në kohën e Teofilit, dmth në shk 19, janë helenë-grekë. Gjithashtu në këtë shtet, janë ndryshuar jo vetëm toponimet, por edhe emrat dhe mbiemrat e banorëve të tij, të vjetër dhe të rinj. Prandaj këtë detyrë do t’ia lëmë vetë piktorit.

Siç paraqitet në fotografi (poshtë) dhe siç e kujtojnë bashkohësit e tij, Teofili që në rininë e herëshme dhe deri ditën që mbylli sytë, ka mbajtur vetëm një nga veshjet tradicionale të shqipetarëve, tipin me fustanellë, të përhapur në Shqipërinë e Jugut dhe të Veriut (mjafton t’i drejtohesh fonotëkës Marubi-Shkodër). Ai mbante flokë të gjatë të kapur bisht nga mbrapa, siç ishte tradita e lashtë e shqipetarëve, e luftëtarëve të Ali Pash Tepelenës dhe e heronjve të1821-ës.  Nga trastja që e hidhte mbas supit, lidhur tek një shkop, i valavitej një flamur i vogël me shqiponjë. (12) 

  Mbajtja e veshjes së shqipetarëve, nuk ka qënë thjesht një mani e piktorit , siç shkruhet, apo mahnitje ndaj bukurisë burrërore të saj, siç e shikojmë tek fotografitë e të huajve në fonotekën Maurubi dhe pikturat e shumta të shekullit 19. Përkundrazi, prej saj ai u përçmua dhe u tall nga “helenët e rinj” dhe nuk u kuptua (apo nuk kanë dashur ta kuptojnë) nga shkruesit mbi jetën e tij. 

(nga e majta) Teofili me nënën e tij; Foto e rojes mbretërore ; Oscar Wilde (1854-1900), gjatë vizitës në Helladë,1877; Mbreti Otton me veshjen tradicionale shqipetare. (13)

Për Teofil Haxhimihalin, ky kostum lidhej me vetë qënien e tij shpirtërore, si origjinë, si njeri dhe si piktor. “Fustanella është një provë konkrete e identifikimit të tij” pohon intelektuali siçilian Fernando Buscemi në komentin e tij për dokumentarin “Theofilos”(1987). (14)

Siç përmëndëm për toponimet, emrat dhe figurat historike është “greqizuar” edhe fustanella, dhe sot mbahet e shpërfytyruar nga rojet e gardës në Athinë. (foto majtas) Në botimet mbi origjinën e saj, shkruhet se është një veshje e traditës së grekëve dhe shqipetarëve. Dihet se veshja e traditës përcakton edhe origjinën e njerëzve që e mbajnë atë, apo e kanë veshur në të kaluarën. Për këtë problem do të paraqesim mendimin e vetëm disa autorëve që e kanë njohur shtetin e Helladës (Greqi) në fundin e shk19 dhe fillimin e 20-ës.

Zbuluesi i Trojës, arkeologu Heinrich Schliemann (1822-1890)shkruan :”Fustanella është veshje origjinale Shqipetare dhe është adaptuar nga Grekët vetëm pas Revolucionit. Ajo është trashëguar në Shqiperi që nga kohët më të lashta; atë e gjejmë shpesh tek statujat antike, duke përfshirë dhe atë të Pirros në Muzeumin e Napolit” (Ithaka, der Peloponnes und Troja: Archäologische Forschungen.by Heinrich Schliemann,1869,f 57) (15) Poeti dhe dipllomati anglez në Athinë James Rennell Rodd (1858–1941) shton se :”Që nga koha e luftës për pavarësi, veshja shqipetare u bë veshja kombëtare e Greqisë kontinentale”  (The Customs and Lore of Modern Greece,Rennell Rodd, botuar D. Stott, 1892, 2006 f23, 73,291) (16)

Edhe gazetari anglez Brailsford Henry Noel, (1873-1958) që morri pjesë në një mision ndihme në Maqedoni në vitin 1903 pohon se:”Kostumi kombëtar i Toskëve është një “kilt”(si e skocezëve-shën im) ose fustanella e bardhë prej lini, që u  përshtat për ushtrinë greke”  (Brailsford, Henry Noel “Its Races and Their Future”, 1906 f230) (17) Lista me emrat e studiuesve edhe më të vonshëm, të cilët pohojnë origjinën shqipetare të fustanellës është shumë e gjatë, por do të mjaftohemi me dëshminë e James P. Verinis, (Journal of Modern Greek Studies(May 2005), pp. 139—175.) se në Greqi fustanella bëhet traditë, falë shqipetarëve në kohën e pushtimit Osman të shk 15 dhe ka qënë e përdorur gjërësisht që në shk 12-të. (18) 

Huazimet e popujve fqinj nga tradita e shqipetarëve, nuk ka qënë vetëm tek veshja e tyre, por edhe në fusha të tjera të kulturës. Historiani dhe etnologu serb Tatomir P. Vukanovi? (1907–1997) duke folur për balladat e ngjajshme mesjetare të popujve ballkanik, pohon se: « Janë më të bukura këngët kur këndohen në shqip, se në gjuhët e tjera. Prandaj edhe sllavët edhe turqit edhe ciganët këto këngë i këndojnë, jo në gjuhën e tyre, por në shqip » (19) dhe siç dihet, origjinali gjithëmonë është më i bukur se kopja e tij, siç e dëshmon edhe fustanella.

Si përfundim fustanella përfaqëson origjinën shqipetaro-arbërore, të atyre që e kanë veshur në Greqi. Teofili e mbante fustanellën, për të shprehur identitetin e tij kombëtar si kundërvënie ndaj propagandës, aktivitetit shtetëror dhe institucioneve fetare në Greqi, ndaj çdo çfaqjeje shqipetare: në gjuhë, etni, traditë dhe sidomos në kulturë dhe besim. Siç shkruhet,Teofili asnjëherë nuk e ka shkelur pragun e Kishës ortodokse. (20) Odise Andruco, një nga luftëtaret e Ali Pash Tepelenës në luftën kundra Perandorise osmane, ishte frymëzuesi i Këshillit të kapedaneve të Rumelisë për të krijuar një shteti pa dallime fetare. Portreti i tij ishte një nga më të dashurat për Teofilin.

Si një MESIA i së vërtetës historike të shqipetaro-arbërve të vendit të tij, siç tregojnë banorët që e kanë njohur piktorin, në festat shtetërore apo të traditës, organizonte në sheshin e qytetit apo të fshatit ku banonte, çfaqje teatrale popullore me tematikë nga lufta heroike e 1821 apo mbi figura të lashtësisë si Aleksandri i Madh. Ai luante gjithëmonë rolin kryesor duke përgatitur vetë edhe veshjen e tij.  (21)

Teofil Haxhimihali, është një figurë madhore si njeri dhe piktor, sepse përjetsoi në pëlhurë, muret e shtëpive dhe kafeneve të qytetit e të fshatit, historinë dhe heronjtë e vërtetë të Helladës, ata që shoqëria helene kishte filluar t’i shikonte ndryshe. Disa prej tyre u vranë, të tjerë u burgosën e u quajtën “tradhëtarë” dhe ata që mbetën u emërtuan grekë. Me penelin e tij të thjeshtë dhe shpesh nën dashamirësinë e banorëve për bukën e gojës, ai u la njerezve “Iliadën” e tij, jo me vargje, por me vizatime. Në “homeriadën”e Teofilit , krahas betejave të Tiseut, Akilit, Aleksandrit të Madh dhe figurave hyjnore të Artemidës, Athinasë, Zeusit dhe shumë të tjerëve, zënë vënd edhe heronjtë e kohëve të reja, që nga Skënderbeu, Paleologu bizantin, e deri të Ali Pash Tepelena, Marko Boçari, bab e bir Andruco dhe shokët e tyre luftëtarë. Tek pikturat e tij  ndihet melodia e shtruar e bariut të fshatit, blegerima e tufës qe ka pushtuar livadhin në perëndim të diellit, thirrjet entuziaste të valltarëve me fustanella apo heshtja  pritëse e shitësit pranë tezgës në rrugën e qytetit.

Veprat e tij,  janë bërë shumë të njohura në Greqinë e sotme dhe për artdashesit europiane dhe më gjërë. Por figura madheshtore e Teofilit  “homerik”, qe mbante gjallë në shpirtin e popullit të tij bëmat e të parëve të tyre, nuk është zbuluar as sot. Në sytë e njerëzve ai ka mbetur një njëri i çuditshëm, që kishte zgjedhur një jetë prej nomadi dhe maniak për t’u veshur me fustanellën e tij.

Duke gjetur ato pak të dhëna mbi jetën e tij dhe sidomos duke u njohur me vetë veprat e piktorit (disa prej të cilave paraqiten më poshtë), pa asnjë vështirësi mësojmë përkatësinë e tij etnike, mendimet dhe misionin që i kishte vënë vetes. E.Teriade u përkujdes që “Iliada” arbërore e piktorit të mos humbasë dhe të njihet kudo në botë, duke përciellë në këtë mënyrë tek çdo shikues, bashkë me veprat edhe “zërin” e vet Teofil Haxhimihalit : Jam dhe do të mbetem përjetësisht shqipetar !

(nga e majta) Odise Andruco (1790-1825), biri i të famshmit kryekomitit Andrea Verushi, nga Livanti i Lokridhës; Adamantios Korais (shqipetari që hartoi gjuhën moderne greke) dhe Rigas Feraios. (1911) Fatkeqsisht, si edhe në pikturat e tjera, nuk e dimë se çfarë është shkruar posht pikturës; Luftëtari suliot Marko Boçari (1900) (22)

Sipas mitit, Agamemnoni, mbreti i Mikenës dhe Argosit, gjatë gjuetisë kishte vrare një dre, kafshën e shënjtë të Artemisës. Kalkante (Calcante), prifti-orakull i tempullit të saj, për t’ia ulur zëmërimin, i tha Agamemnonit, se duhej sakrifikuar një virgjëreshë dhe Ifigjenia ishte zgjedhja më e pranueshme.

Kur një grua e vjetër e pyeti Teofilin « Çfarë po pikturon o bir ? Ai u përgjegj : « Një femër që sakrifikoi jetën e saj për të shpëtuar Helladën » (23)

Shenim : Sipas studiuesit arbëresh At Dhimitër Kamarda, Aristoteli pohon se  Hellada e parë ishte Epiri. (Meteor.I,14)

Fatbardha Demi fatbardha_demi@yahoo.com

 9.02.2016



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora