E hene, 29.04.2024, 02:40 PM (GMT+1)

Mendime

Arbën Xhaferi: Zgjidhja e madhe apo zgjidhja e vogël?

E marte, 05.08.2008, 06:49 PM


Arbën Xhaferi
Zgjidhja e madhe apo zgjidhja e vogël?

Nga Arbën Xhaferi

Më 22 korrik 2008, në Beograd u burgos krimineli i shumëkërkuar i luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, Radovan Karaxhiqi. Të gjithë tashmë dinë se si ishte i maskuar, se si e ka ndërruar identitetin, madje gazetat botërore, ofronin pagesa të lartë për ta fituar të drejtën e ekskluzivitetit në botimin e fotografive të tija, sikur të ishte Anzhelin Xholi dhe jo kriminel lufte.

Gjykata e Hagës ka ngritur aktpadinë për 50 funksionarë të lartë politikë dhe ushtarakë serbë, për krimet e kryera gjatë procesit të shpërbërjes së Jugosllavisë. Deri më tani janë dorëzuar 48 prej tyre, thuaja i gjithë kreu shtetëror serb i asaj kohe dhe kanë mbetur vetëm edhe 2 kaçakë, gjenerali satrap Mlladiq dhe njëfarë Axhiqi, të cilët “fshihen”para syve të policisë, qoftë si psikiatër, që mbase dinë se si t’i çmendin njerëzit normalë, apo si pronarë të moteleve turistike.

Këto raste, patjetër nxisin jo vetëm kërshërinë e opinionit për detajet pikante të jetës së këtyre kaçakëve modernë, por nxisin edhe analizat për strategjinë politike serbe, për etnopsikologjinë e tyre, për gabimet e tyre, për naivitetin e viktimave të agresionit të paramenduar serb, për paradokset dhe absurdet në qëndrimet e faktorit ndërkombëtar.

Serbët, gjatë historisë së tyre gjithmonë kanë qenë në hamendje, mu si gomari i Buridanit, rreth strategjisë për realizim të aspiratave hegjemoniste kombëtare. Para tyre gjithmonë ka ekzistuar dilema rreth modelit të realizimit të këtij qëllimi. Disa e parapëlqenin zgjidhjen e madhe, themeluesit e Jugosllavisë, disa zgjidhjen e vogël, në fakt optimale, krijimin e Serbisë së madhe.

Në thelb, mes tyre kurrë s’ ka pasur dallime, meqë ideja kryesore ishte hegjemonia serbe. Zgjidhja e madhe, bashkimi i të gjithë sllavëve të jugut pos Bullgarisë mori vizën në Luftën e Parë Botërore, në vitin 1914 në Nish, kur Kuvendi Popullor Serb, sipas propozimit të qeverisë serbe, e solli “Deklaratën e Nishit”: “Të bindur në vendosmërinë e popullit serb që të mbrojë vatrën e vet të shenjtë dhe lirinë, qeveria e Mbretërisë vlerëson se qëllimi kryesor në këto momente vendimtare është përfundimi i suksesshëm i kësaj lufte të madhe që, prej momentit kur ka filluar, është shndërruar në luftë çlirimtare për të gjithë vëllezërit tanë të robëruar, serbët, kroatët dhe sllovenët”.

Qeveria e atëhershme serbe ishte e vetëdijshme se vetë ajo nuk mund ta realizojë këtë qëllim pa ndihmën e “nënës Rusi”. Mirëpo, Rusia kishte dilema lidhur me prezencën e 4 milionë katolikëve (të kroatëve dhe sllovenëve) që mund të kenë ndikim strategjik në shtetin e ri. Ky qëndrim i Rusisë ishte shkak për një aktivitet të dendur diplomatik në funksion të bindjes së Rusisë. Në kuadër të këtij aktiviteti në Londër u themelua Këshilli Jugosllav, që tregon se dhe shtetet tjera të mëdha ishin të interesuara për krijimin e një shteti të ri të sllavëve të jugut. Me dobësimin e Rusisë, për shkak të Revolucionit të Tetorit, ideja e krijimit të Jugosllavisë mori përparësi dhe serbët filluan ta realizojnë projektin e zgjidhjes së madhe.

Mirëpo, që nga fillimi i funksionimit të këtij shteti dolën telashe të mëdha, diskrepancat në relacionet etnike, kulturore, religjioze etj. Këto antagonizma kulminuan në vitin 1928 kur u bë atentati kundër kryetarit të Partisë Popullore Fshatare kroate, Stjepan Radiç. Ky akt nxiti sërish dilemën, përkatësisht nostalgjinë për zgjidhjen e vogël, krijimin e Serbisë së Madhe. Serbët këtë ide e quajtën amputim, prerje kirurgjike që nënkuptonte aneksimin e tërësishëm të Bosnjës dhe të pjesëve të Dalmacisë. Kroatët në vend të nocionit amputim përdorën fjalë më të buta, më pak luftarake, ndarje e drejtë, divorc me marrëveshje. Si rezultat i gjithë këtyre dilemave ishte vendosja e diktaturës së Mbretit Aleksandër Karagjorgjeviçit e cila nuk zgjati shumë, ngaqë në vitin 1934 u bë atentati kundër tij në Marsejë. Pas kësaj vazhduan bisedimet për amputim.

Marrëveshjet në planin global ndikuan që sërish, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore të rithemelohet Jugosllavia, por tani e federalizuar, ide të cilën ideologët e hegjemonisë serbe me neveri e refuzonin paraprakisht. Ky refuzim i ngulitur thellë në konceptet politike serbe ndikoi që serbët të zhvillojnë një politikë opstruktive në ndërtimin e Jugosllavisë Federale. Kjo politikë, kjo strategji që synonte ta vendosë hegjemoninë serbe në këto hapësira të Ballkanit, kulminoi pas vdekjes së Titos, me shfaqjen në skenën politike të Sllobodan Millosheviqit i cili imponoi dy alternativa:

-ose zgjidhja e madhe - Jugosllavia nën hegjemoninë serbe

-ose zgjidhja e vogël - krijimi i Serbisë së Madhe.

Me siguri këto gjëra janë të ditura si fakte historike, por e shoh të udhës t’i theksoj në kuadër të debateve që zhvillohen lidhur me respektimin e integritetit territorial të shteteve. Ideologët aktual të nacionalizmit serb e trajtojnë shtetin e tyre si një kategori jashtëkohore, si diçka ontologjike ndërkaq realiteti është shumë banal. Natyra e nacionalizmit serb në qendër ka intencën e ekspansionit territorial. Ky territor prej vitit 1804 është rritur dhjetëfish ashtu si edhe territori i Rusisë prej kohës së Pjetrit të Madh.

Politika e kriminelëve të luftës që sot gjinden në Hagë apo fshihen “publikisht” është politikë epigoniste. Millosheviqi, Shesheli, Karaxhiqi janë thjeshtë epigonë, ashtu si edhe politikanët aktual “të moderuar”, Gjingjiq, Tadiq, Koshtunica etj., të paraardhësve të tyre, Garashanin, Pashiq apo të dinastive të Karagjorgjeviqëve dhe Obrenoviqëve.

Ata janë cilësuar si kriminelë lufte për shkak se me dhunë, duke i shkelë normat ndërkombëtare tentuan të realizojnë një interes të panatyrshëm, që vinte ndesh me realitetet etnike, me standardet ndërkombëtare për respektim të drejtave të njeriut si dhe të drejtave të popujve për vetëvendosje. Dallimi ndërmjet Nikolla Pasiqit, kryeministrit serb gjatë Luftës së Parë Botërore dhe Sllobodan Millosheviqit qëndron te fakti se ky i pari ishte i vetëdijshëm se pa ndihmën e Rusisë dhe shteteve evropiane nuk mund të realizohet ideja e zgjidhjes së madhe apo të vogël, ndërkaq ky i dyti lehtë-lehtë e bindte veten dhe popullin serb se me demagogji do të arrijë t’i mashtrojë të gjithë. Më në fund pësoi ai dhe populli i tij.

Luftën që e zhvilluan epigonët aktualë të një politike anakronike ekspansioniste serbe megjithatë ka lënë pas vetes disa paradokse dhe absurde që krijojnë shqetësime. Sot, në Tribunalin e Hagës zhvillohet procesi i gjykimit të individëve dhe jo të rezultateve të politikës së tyre të gabuar. Do të gjykohet gjithsesi Karaxhiqi dhe kurrsesi jo rezultati i politikës së tij, ekzistimi i një etniteti të ri shtetëror, si fryt i luftës ekspansioniste, Republika Serpska. Në pyetjen e gjykatësit se banor i cilit shtet është ai, Karaxhiqi u përgjigj se e ndjen veten si shtetas i Republika Serpskës, i Malit të Zi dhe i Serbisë, pra qytetar i zgjidhjes së vogël.

Gjykimi i Karaxhiqit do të duhej që të hedhë dritë mbi shumë vendime të fshehta, plane dhe metoda veprimi që vinin ndesh me konventat ndërkombëtare. Do të ishte naive që boshnjakët të kënaqen vetëm me ndëshkimin e një individi dhe jo me ndëshkimin e rezultateve të politikës së tij. Me gjykimin e Radovan Karaxhiqit duhet të rihapet procesi gjyqësor për fajësinë e Serbisë për agresion ndaj Bosnje dhe Hercegovinës që nënkupton jo vetëm dëmshpërblimin për humbjet njerëzore dhe materiale, por edhe shuarjen e entitetit artificial, Republika Serpskës. Natyrisht se një zhvillim i këtillë do të kishte efekte pozitive dhe në Kosovë.

Është befasuese se si faktori ndërkombëtar, përkundër një mori faktesh për ekzistimin e një strategjie të këtillë ekspansioniste që synonte zgjerimin e territorit, daljen në det, vënien nën kontroll të resurseve natyrore dhe nuk reagoi që në fillim me masa të rrepta për ta parandaluar pikënisjen e këtij projekti, përkatësisht parandalimin e një tragjedie të pakuptimtë, sidomos për Evropën e qytetëruar.

Nga të gjithë të burgosurit serb të Hagës dallohen Millosheviqi, Shesheli dhe së fundi Karaxhiqi, jo për shkak të koncepteve të tyre politike, ata ishin dhe mbetën epigonë të thjeshtë të politikave nacionaliste serbe të shekullin XIX-XX, por për shkak të etnopsikologjisë serbe që manifestohet në procesin e mbrojtjes. Të tre këta shfaqën dëshirën të mbrohen vetë. Në deklaratën e tij para gjyqit, Karaxhiqi, 13 vjet i fshehur, i maskuar deklaroi me mburrje, se e ka ndërgjegjen e pastër dhe prandaj do të mbrohet vetë.

Kjo modë e përcaktimit për të refuzuar avokatë ka të bëjë me bindjet e rrejshme serbe se ata janë të pafajshëm dhe se janë viktima të një komploti të faktorëve perëndimorë kundër popullit dhe shtetit serb.

Gjatë tërë procesit gjyqësor që u zhvillua kundër Millosheviqit, që zhvillohet kundër Sheshelit dhe mbase që do të zhvillohet kundër Karaxhiqit nxori në shesh urrejtjen e tyre kundër standardeve dhe vlerave të shteteve demokratike, komplekset e tyre narcisoide, vetëmburrjen dhe arrogancën infantile.

Millosheviqi mbrojtjen e vet e organizoi në kuadër të strategjisë për t’ia shpjeguar botës “të vërtetën” serbe, me bindjen se bota nuk ka tjetër brengë pos të ndjekë procesin gjyqësor kundër tij. Ai mendonte se me mbrojtjen e “të vërtetës serbe” do ta mposhtë të vërtetat e shteteve perëndimore. Shpesh herë kënaqej duke fut në kurth dëshmitarët, njerëzit e thjeshtë, të pamësuar me debatet e këtilla gjyqësore. Për këtë ai angazhoi një ekip të madh bashkëpunëtorësh që mblidhnin fakte për secilin dëshmitar.

Kjo strategji e tij në fillim i krijonte kënaqësi, mirëpo në fund ai kuptoi katandisjen e tij të mjerë: prej udhëheqësit karizmatik, zotit të luftës dhe paqes, ai u shndërrua në një qatip që merrte në pyetje njerëz të thjeshtë, me përvoja tragjike nga lufta që e shkaktoi ai. Paramendimi i tij se ky gjykim do të shndërrohet në gjykim të politikës ndërkombëtare doli si iluzion i padurueshëm. Më në fund ai e kuptoi se para vetes ka gjykatës të rreptë, kategori njerëzish që ai në vendin e tij nuk i bënte hesap dhe një mori dëshmitarësh për krime që në emër të tij i bënë kriminelët e ndryshëm. Ky vetëdijesim, siç thonë kosovarët e kopi atë. Ai as e mbrojti Serbinë as e gjykoi botën, por përfundoi si epigon i një politike anakronike ekspansioniste dhe mbi të gjitha megalomane.

I dyti që po ashtu u përcaktua të mbrohet vetë, Shesheli njihet në opinion si njeri ekscentrik, që e adhuron skenën. Ai gjithmonë e ka xhelozuar Millosheviqin dhe me siguri ka ëndërruar se do të ishte më i suksesshëm se idoli i tij në ballafaqim me institucionet e Evropës “së degjeneruar”. Shesheli mezi priste të luajë lojën e vetë në këtë skenë atraktive planetare. U paraqit vetë të shkojë në Gjykatën e Hagës, t’i shkatërrojë paragjykimet, përkatësisht sistemin e tyre të vlerave dhe ta hyjnizojë “të vërtetën” serbe. Vetimponimi i tij krijoi situata absurde. Partia e tij nuk reagoi kundër arrestimit të tij të vullnetshëm, si rrjedhojë e sensit të tij të pakontrollueshëm për eksponim, për protagonizëm, por reagoi kundër dorëzimit të kriminelëve të tjerë të luftës siç ishin protestat e fundit kundër arrestimit të Karaxhiqit që përfunduan me dhunë.

Shesheli i bindur se ironia, deformimi sarkastik i nocioneve, përqeshja, arroganca, përçmimi janë mjete që bëjnë punë edhe në tregun evropian që në ditën e parë të gjykimit u ballafaqua me qetësinë e akullt të gjykatësve perëndimorë. Ai refuzoi ta pranojë aktgjykimin në gjuhën kroate, duke thënë me përbuzje se nuk e njeh atë gjuhë. Kërkoi përkthimin në gjuhën serbe. Gjykatësit nuk e kundërshtuan, por e shtynë gjykimin për dy vjet deri sa t’i kalojë afshi për inskenime. Pas dy vjetësh, i dalë mendsh nga monotonia e qelisë i shau keq gjykatësit dhe prokurorin që përfundoi me sanksione të reja deri sa u bind se është në duart e një administrate që punon me përpikëri dhe që nuk jep rëndësi roleve të tija teatrale.

Më në fund, kur u krimb nga mërzia filloi të zbutet, t’i drejtohet gjyqit me epitete siç e lyp bon-toni i gjykatës. Ashtu si Millosheviqi edhe ai më në fund kuptoi se nuk është protagonist në skenën historike, por është një i pandehur në duart e një administrate të përsosur gjyqësore që i respekton procedurën, metodologjinë e pamëshirshme juridike. Prej një lojtari të madh të skenës politike serbe që në mënyrë megalomane pandehte se do ta shndërronte këtë proces në një akuzë historike ndaj qytetërimit perëndimor ai e pa veten si një insekt i kapur në endëzën e merimangës.

Tani do të pasojë gjykimi edhe i Radovan Karaxhiqit. Ashtu si pararendësit e tij narcisoidë, edhe ai, i fshehur 13 vjet, tha se e ka ndërgjegjen të pastër dhe se do të mbrohet vetë. Por që në fjalitë e para hasi në pengesën e parë këndellëse: në logjikën e hekurt të kryetarit të trupit gjykues. Deshi të imponojë rrëfimin e madh, për njëfarë marrëveshjeje me përfaqësuesin amerikan, Hollbruk, që lirinë ta fitojë me tërheqjen nga postet shtetërore, por gjykatësi e zbriti në tokë, duke i thënë se kjo nuk është temë për këtë seancë.

Zbatuesin e projektit të zgjidhjes së vogël e ktheu nga rrëfimi i madh në shtratin e vogël, duke e pyetur thjeshtë nëse e ka kuptuar aktakuzën? Nuk di se sa është në gjendje një gjeneratë, e edukuar në frymën e grandomanisë dhe mitomanisë etnike, me shenjtërimin, me hyjnizimin e një kauze profane kombëtare, do të jetë në gjendje të ballafaqohet me realitetin (me Srebrenicën), por e di fare mirë se monotonia e burgut do të jetë e padurueshme, ashtu si ishte për idhullin e tij, Millosheviqin.

Hë për hë, as pozita as opozita serbe, as të moderuarit e as radikalët, as pro-evropianët as pro-rusët nuk janë gjendje të kuptojnë se janë epigonë të thjeshtë të projekteve megalomane nacionale, të ideologëve të nacionalizmit serb të shekullit të 19-të që fiksuan në mendësinë serbe alternativën jo reale: zgjidhja e madhe – zgjidhja e vogël.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora