E premte, 01.11.2024, 01:03 AM (GMT)

Mendime

Sadik Bejko: Mbi deklaratat e Rexhep Qoses në Ulqin

E premte, 01.08.2008, 09:24 PM


Mbi deklaratat e Rexhep Qoses në Ulqin

Nga Sadik Bejko

Siç njofton shtypi, Rexhep Qosja, shkrimtar dhe akademik i Kosovës, shfrytëzoi rastin e panairit të librit në Ulqin, për të bërë një sulm kundër shkrimtarit Ismail Kadare.
Nuk do të merremi me këtë sulm, që përsëriste sulme të tjera të tij: Ismail Kadareja na qenkësh shkrimtari më stalinist, më komunist, një mit i komunizmit dhe, si përfundim, më i dëmshmi i letrave shqipe. Logjika e sulmit? Të hiqet ky shkrimtar nga letërsia shqipe? Ta quash një shkrimtar “mbrojtës dhe eksponent i komunizmit”, “mit të krijuar nga komunizmi për nevojat e veta”, është më mirë ta heqësh nga letërsia, se sa ta lësh.
Këto deklarata Qosja i bën në konferencë shtypi në një panair libri, që është festë e librit, e librit të Shqipërisë, e librit të Kosovës, që si shtet për herë të parë merr pjesë në një panair të tillë, pas shpalljes së pavarësisë.
Këto deklarata bëhen në Mal të Zi përpara publikut shqiptar, por edhe përpara publikut malazez. Përpara shkrimtareve shqiptarë, por edhe përpara shkrimtarëve malazezë, kroatë dhe maqedonas, që marrin pjesë në panair. Në panair ku marrin pjesë ministra të Shqipërisë, të Kosovës, zyrtarë të tjerë të lartë të Malit të Zi e të Maqedonisë. Ku organizator kryesor është Fatmir Toçi, botues i Qoses, menaxhues i shkrimeve të tij kundër Kadaresë dhe kryetar i shoqatës së botuesve shqiptarë!
Sulmi i Qoses është në radhë të parë sulm politik, në emër të moralit të lartë që duhet të ketë shkrimtari i sotëm.
Ne nuk do të zgjatemi me komente për deklarimet e tij, por do të sjellim një deklarim që Qosja vetë e ka bërë, kohë më parë, botuar nga publicisti i njohur kosovar, Sylejman Aliu. Citimi më poshtë është nxjerrë i plotë, nga artikulli i Qoses për Titon, botuar në gazetën “Rilindja”, datë 11 maj 1980:
“Tito e ka udhëhequr dhe e ka sjellë në triumf përfundimtar luftën nacionalçlirimtare të popujve të Jugosllavisë – ja një meritë e mjaftë për historinë. Tito i ka thënë “JO” Stalinit, në një kohë kur forca e Stalinit sikur nuk njihte kufij – ja një meritë e mjaftë historike për historinë. Tito na ka udhëhequr shtigjeve të vetëqeverisjes socialiste, të barazisë, vëllazërimit e bashkimit, bashkëjetesës së kombeve e kombësive – ja një meritë tjetër e jashtëzakonshme historike. Tito i ka prirë idesë së madhe që u reziston fuqive të mëdha – ja një meritë tjetër, aq e madhe, aq vendimtare në historinë e përbotshme”.
Në këtë deklaratë jepet e plotë fytyra morale e Rexhep Qoses.
Është deklaratë tepër e rrallë, për të mos thënë unikale: një shkrimtar t’i bëjë lajka të tilla të neveritshme pushtuesit dhe shtypësit të huaj të popullit të vet!
Këto lajka i adresoheshin Jugosllavisë titiste, në kohën kur ajo shtypte me terror dhe gjak popullin e Kosovës. Rexhep Qosja u puth duart xhelatëve.
Këto lajka nuk janë bërë në ndonjë kohë të hershme, në vite të rinisë dhe të naivitetit, por më 11 maj të vitit 1980, dhjetë muaj përpara rebelimit të rinisë kosovare, atëherë kur rrugët e Prishtinas u lanë me gjakun e studentëve shqiptarë.
Ndërsa Qosja bën këto lajka, më 1981, në kohën e rebelimit kosovar, shkrimtari i sulmuar prej tij, Ismail Kadareja, shkruante veprën e tij “Krushqit janë të ngrirë”, e para vepër letrare, që e përkthyer në anglisht dhe në frëngjisht, i bëri të njohur publikut botëror fytyrën e vërtetë të përgjakshme të Jugosllavisë.
Qoftë edhe vetëm për këtë fakt, R. Qosja duhej të rrinte i heshtur dhe me faj. Aq më pak të jepte leksione morali për të tjerët.
Por ai ka zgjedhur një rrugë tjetër. E cila në të vërtetë nuk është gjë tjetër veçse vazhdimi i asaj që ka bërë më 11 maj 1980, kur i bënte lajka pushtuesit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora