Mendime
Dukagjin Hata: Kush kërkon të çkurdis zembrekun
E enjte, 27.08.2015, 07:50 PM
Kush
Nga Dukagjin HATA
Në vitet ’70-80, në Itali, mafja do të bënte një luftë të nëndheshme e të hapur kundër sipëramrrjes private, për të shtënë në dorë tenderat me firma fantazma, por dhe vetë firmat dhe kompanitë më të fuqishme, për ta kaluar kapitalin e saj të errët në kanalet e lubrifikimit dhe për ta pastruar atë në sipërmarrje të ligjshme. Në këtë betejë të përgjakur u dogjën e shkatërruan qindra biznese, u morën peng, u vranë e masakruan dhjetëra qindra biznesmenë, por lufta e strukturave të antikrimit do të ishte unike, megjithë heronjtë dhe martirët e saj, që tanimë kanë hyrë në analet e historisë.
Sipas studimeve të ekspertëve të kriminalistikës, në periudhën 1990-1997, në Shqipëri u shfaqën struktura kriminale hierarkike në formën e bandave të armatosura, i organizatave kriminale dhe grupeve të strukturuara kriminale. Fillimisht, në rrethe të ndryshme të Shqipërisë u shfaqën banda të armatosura, të përfshira në trafikim njerëzish, kontrabandë migrantësh të favorizuara nga izolimi i deriatëhershëm i vendit, rrëmbime personi, gjobëvënie dhe rivaliteti i vazhdueshëm për kontroll territori.
Në periudhën 1998-2004, bashkë me mënyrën e organizimit të tyre, u zhvillua dhe u zgjerua sfera e veprimtarive ku ato u përfshinë. Me kalimin e kohës, trafikimi i grave dhe vajzave shqiptare, për qëllim shfrytëzimi seksual, pësoi rënie, por u rrit ndjeshëm goditja e biznesit dhe sipërmarrjes private. Shqipëria nga vend origjine po shndërrohej më tepër në vend tranziti për femra të rekrutuara nga vendet e Evropës Lindore, por nga ana tjetër po përshkallëzohej me ritme të egra lufta e bandave për zotërimin e bizneseve të ligjshme, duke dhunuar e trembur, vrarë e pengmarrë sipërmarrësit e suksesshëm.
Nga ana tjetër, trafikimi i drogës dhe armëve lulëzuan dhe u shndërruan në veprimtaritë parësore fitimprurëse për këto organizime kriminale. Rreth fundit të viteve 2004-2005, kohë që përkon me fundin e periudhës së dytë të evoluimit dhe përshtatjes të strukturave kriminale, fillojnë dhe shfaqen forma të reja organizimesh kriminale. Grupe të caktuara kriminale brenda dhe jashtë Shqipërisë, fillojnë të ndërveprojnë në mënyrë aktive dhe të vazhdueshme në formën e rrjeteve kriminale, por duke ruajtur autonominë e grupit. Prej vitit 2005 e në vazhdim, rrjeti kriminal paraqitet si forma më e përhapur dhe e përshtatshme për realizimin e sipërmarrjeve të ndryshme kriminale. Këtu përfshihen trafikimi i llojeve të ndryshme të drogave, armëve dhe municioneve, rrjetet e kontrabandimit të migrantëve dhe krimi i organizuar kibernetik. Kohët e fundit këto rrjete po tentojnë fuqishëm të hyjnë në rrisqet e biznesit, duke aplikuar gjobvënie ndaj biznesmenëve, dëmtim të pronave të tyre, (djegie, shkatërrime, dhunime të ndryshme). Kësisoj dhuna dhe shantazhet po kthehen në një mënyrë të botës kriminale për të zoëtuar në hije, pa konkurencë reale asete të sipërmarrjeve private.
Sot shoqëria shqiptare, më tepër se kurrënjëherë më parë gjatë këtyre njëzet e pesë vjetëve, ndodhet në një betejë dhëmb për dhëmb me botën e krimit, me falangat e keqbërjes, që kërkojnë ta mbajnë peng këtë vend, për interesat e tyre të ngushta kriminale. Veçanërisht më i ekspozuar ndaj goditjeve është biznesi dhe biznesmenët, ndaj të cilëve krimi i organizuar dhe mafia po ndërmerr aksione të njëpasnjëshme kriminale, si pengmarrje, gjoba, grabitje e zjarrvënie biznesesh, etj.
Shoqërisë sonë i shkaktohet një dëm prej afro 1.3 miliardë dollarë në vit, nga veprimtaria e krimit të organizuar, nga konkurenca e pandershme që shfaqet si presion i botës kriminale nga firmave dhe kompanive serioze që mbajnë një peshë të konsiderueshme të zhvillimit ekonomik në vend. Sipas studimit, “Vlerësimi i riskut të krimit të organizuar”, të kryer me mbështetjen e fondacionit “Shoqëria e hapur për Shqipërinë”, në vendin tonë krimi vijon të sofistikohet dhe të shfaqet, përveç të tjerave, në drejtim të krijimit të firmave fantazëm, të përdorura nga kontigjentë të krimit, të lidhur me segmente të niveleve të ndryshme të pushtetit dhe institucioneve, për të bllokuar e për të nxjerrë jashtë loje konkurencën e ndershme në Shqipëri.
Duke treguar portretin e krimit të organizuar, në raport thuhet se, gjobvënia, presionet e shantazhet, dëmtimi i biznesesve, deri dhe pengmarrjet e vrasjet e biznesmenëve po përdoren nga grupet kriminale si shantazh ndaj protagonistëve të suksesshëm në fushën e sipërmarrjes.
Zhurma që bëri revolta e sipërmarrëses italiane Marta Cardillo që i është kërcënuar disa herë jeta dhe biznesi i saj në Vlorë, në katër tentativa zjarrvënie, duke deklaruar se policia nuk po merr asnjë masë dhe duket se segmente të saj janë palë me krimin, është pjesë e një lufte që i duhet të përballojë biznesit dhe sipërmarrjes private në këtë vend, me elementë që kërkojnë të donminojnë sipërmarrjen e lirë jo me rregulla e ligje, por me dhunë e keqbërje. Ajo rrëfeu me nota të hidhura se kishte denoncuar te gjitha tentativat e djegies se fabrikës së këpuceve nga persona të paidentifikuar dhe shtonte e zemëruar se nëse shteti nuk e ndihmonte, do të largohej, megjithese prej 20 vitesh ka investuar në Shqiperi dhe ka punësuar qindra gra.
Shantazhe, presione e dhunë të aramatosur janë ndërmarrë në Farkë të Tiranës edhe ndaj presidentit të firmës Plaku Adrion, Xhemal Plaku, kushëririt të parë të ish kryetarit të komunës Bardh Plaku, vila e të cilit u godit para disa kohëve nga grupet kriminale me mortajë. Në ditët e nxehta të fushatës elektorale, gjatë zgjedhjeve të kaluara vendore, një grup personash të armatosur kanë hyrë në lokalin “Xholi” në pronësi të Xh. Plakut dhe kanë hapur zjarr me breshëri të gjata, duke terrorizuar klientët dhe familjarët e pranishëm. Kërcënimet ndaj tij vazhdojnë që nga viti i mbapshtë ’97, kur ai dhe familjarët e tij u pozicionuan djathtas, por kohët e fundit këto kërcënime po kulmojnë në mënyrë agresive, edhe për shkak të pozicionit të tij si sipërmarrës i autobzave të linjës.
Nuk mund të mohohet lufta që po bën policia e shtetit për të bllokuar këtë dimension të frikshëm të botës së errët kriminale, që kërkon të gjunjëzojë sipërmarrjen e lirë dhe ta kthejë vendin në një mbretëri të kaosit, sepse dihet se vetëm nga rrëmuja e kaosi bandat dhe rrjetet e keqbërjes mund të përfitojnë maksimalisht.
Por mjaft elementë të korruptuar të strukturave të rendit, që ende vegjetojnë në uniformat blu, vazhdojnë ta mbështesin në hije protagonistë të njohur të krimit ordiner dhe atij të organizuar. Është kjo arsyeja që këto akte të kryera në errësirë, por të denancuara shpesh me emër e mbiemër, mbeten pa u zbardhur.
Fakti që goditja e biznesit të ndershëm kohët e fundit po mban kryet e vendit në arealin e krimit ordiner dhe atij të organizuar, tregon tendencën e rrjeteve e grupeve shoqërisht të rrezikshme, për të çkurdisur zembrekun e orës së tregut të lirë, të sipërmarrjes së lirë e të ndershme, që është vetë zembreku i një shoqërie të hapur.
Duhet që strukturat e antikrimit, organet e drejtësisë, që thuhet me të drejtë se shpesh janë kthyer në organe të padrejtësisë e për të cilat ka kohë që zien politika e shoqëria për një reformë të thellë e shndërruese, këto struktura pra duhet që të luftojnë në bllok për të bllokuar presionin e krimit ndaj sipërmarrjes private, e cila është mushkëria që i jep jetë demokracisë funksionale dhe lirisë reale të një kombi.