E premte, 02.05.2025, 01:04 AM (GMT+1)

Mendime

Lavdrim Lita: Eksodi jo vetëm një çështje ekonomike!

E marte, 25.08.2015, 07:44 PM


Eksodi drejt Europës nuk është vetëm një çështje ekonomike!

Nga Lavdrim Lita*

Në ditët e ardhshme në samitin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Vjenë të Austrisë do të diskutohen temat mbi infrastrukturat lidhëse dhe integrimin Europian. Në mënyrë paradoksale pikërisht në këtë “korridor Ballkanit” nga Selaniku në Budapest, kalojnë në këmbë, makina, autobusë qindra e mijëra refugjatë dhe imigrantë.

Europa për shekuj ka qenë burim emigrimesh masive dhe e dominuar nga luftërat e varfëria. Ndërsa sot ajo është një nga kontinentet më të pasura dhe më një mirëqenie që shumë popuj lakmojnë. Këtë begati e paqe e lakmojnë popujt e Lindjes së Mesme dhe të Afrikës, si dhe padyshim popujt që kanë një perspektivë të qartë integrimi në BE-së që jetojnë në anën juglindore të kontinentit.

Është fare e qartë që emigracioni dhe kriza e refugjatëve ka hyrë tashmë në rendin e parë të ditës së agjendës së Bashkimit Europian dhe kancelaritë Europiane. Dy ditë më parë në një konferencë të përbashkët për shtyp, kancerlarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti Francës Fransois Hollande, ndër të tjera, propozuan një veprim të unifikuar për t’i dhënë një zgjidhje këtij fenomeni shqetësues për të gjithë Europën. Presidenti i KE-së Juncker në një shkrim të fundit vuri në dukje se një shtet i vetëm europian nuk mund të përballojë i vetëm këtë sfidë dhe se duhet një angazhim të 28 vendeve.

Mediat e të mëdha europiane këto ditë po përpiqen të mbulojnë me kronika e reportazhe kanalet hyrëse të emigracionit dhe analistët tentojnë të japin përgjigje të ndryshme pse ka një valë kaq të lartë eksodi e refugjatësh. Nuk janë vetëm vendet në luftë apo konflikte si Siria, Iraku, Libia apo Eritrea që synojnë azilin në shtetet kryesore me mirëqenie të lartë të Europës, por edhe qytetarë të vendet të Ballkanit Perëndimor me Status kandidat o potencial si Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia e Bosnja-Hercegovina që kërkojnë azil. Shtetet e rajonit akoma jashtë BE-së përbëhen nga 15 milion banorë dhe një prodhim të brendshëm bruto afërsisht 1% në krahasim me 28 vendet e BE-së me mbi 500 milion banorë.

Diagnoza që ju jepet azilantëve nga Ballkani Perëndimor është se ajo ka të bëjë më gjendjen e rendë ekonomike të këtyre vendeve dhe padurimin e mëtejshëm të këtyre qytetarëve, pra këto shtetas janë “azilkërkues për motive ekonomike” dhe jo të tjera. Në fakt, këto analiza dhe deklarata të zyrtarëve të lartë të vendeve të BE-së që i përkufizojnë këto azilkërkues të motivuar vetëm nga shkaqet ekonomike janë të thjeshtëzuara. Ata i dinë që janë të thjeshtëzuara, por u flasin një opinioni publik europian që hallet minimale e të rëndomta të vendeve të Ballkanit i kanë kaluara 70 vite më parë dhe ndonjëherë s’i perceptojnë dot.

Në sytë e qytetarëve të angazhuar të vendeve të Ballkanit Perëndimor janë të thjeshtëzuara sepse “kriza ekonomike” që ka përfshirë sot vendet e rajonit nuk janë veçse variacione të një krize ekonomike të madhe e të konsoliduar gjatë viteve të tranzicionit paskomunist të këtyre vendeve. Ekonomia e tregut e mirëfilltë ka qenë për më shumë se dy dekada në këto vende e shartuar me ndërhyrje etatiste dhe kapje nga ana e oligarkisë së pushteteve politike, ekonomike dhe mediatike. Pasiguria ligjore, fizike dhe investimeve afatgjatë ka qenë një shok i keq i ekonomisë së tregut në vendet e rajonit. Problemet janë strukturore dhe nga modelet e gabuara ekonomike të përzgjedhura ose të keqzbatuara.

Zhgënjimet e herëpashershme të qytetarëve nga politikat represive dhe mbytëse të qeverive të rajonit mbi bizneset dhe veprimtaritë e tyre ka bërë që qytetarët të ndejnë rrezikun e një përshkallëzimi të represionit dhe mungesës se shpresës. Një pjesë e mirë e shtresës së mesme shqiptare, kosovare, maqedonase apo boshnjake ku bëjnë pjesë mjekë, infermierë, profesorë, financierë, gazetarë dhe profesionistë të lirë janë azilkërkues në Gjermani dhe vendet skandinave. Kjo nuk është vetëm një çështje ekonomike, por edhe politike dhe sociale njëkohësisht. Këta qytetarë azilkërkues synojnë një jetë më të mirë, siguri juridike, sociale dhe fizike, që vendet e “sigurta” të origjinës i cenojnë me vetëdije apo pavetëdije.

Prej dy dekadash Bashkimi Europian po përpiqet me stimujt ekonomikë, administrativ dhe infrastrukturor, që të konsolidojë demokracinë në këto vende, me qëllim që njerëzit të shohin një perspektivë në vendin e tyre. Rezultatet janë vërtete të matshme, por valët e ikjeve drejt vendeve europiane që po konstatojmë sot dëften se ka akoma shumë për të bërë nga institucionet e BE-së në Bruksel dhe ambasadat e saj në vendet e Ballkanit. Padyshim kjo punë e madhe për tu bërë nuk do të jetë e mundur të adresohet nëse do të mungojë vullneti i qeverive të rajonit.

*Autori është gazetar nga Tirana dhe njohës i mirë i rrethanave politike e shoqërore në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. MA në Kolegjin Europës.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx