E hene, 29.04.2024, 05:36 AM (GMT+1)

Speciale

Faik Konica: Ejani në vete, o shqiptarë!

E hene, 16.03.2015, 10:02 PM


Rubrika: Shkrime nga Faik Konica me tematikë aktuale

Thërret Faik Konica 21 vjeçar: Ejani në vete, o shqiptarë!

Është i njohur dhe më se i komentuar kryeartikulli i numrit 1, 1897 të Albania-s "Armiqtë e Shqipërisë", shkruar nga djaloshi 21 vjeçar Faik Konica, artikull që vë gishtin në plagë, açik dhe me guxim të paparë:

"Armiqtë e Shqipërisë janë shqiptarët!" – thotë Konica prerë, me gjakftohtësinë dhe qetësinë e tij olimpike, pa lulka retorike e patriotizëm të shtirë. Janë shqiptarët, sepse vetë ata janë përgjegjës edhe sot e kësaj dite që Shqipëria vazhdon të renditet ndër kombet e fundit në Europë. Veçse ky pohim tronditës konician, që i vesh shqiptarët me përgjegjësi të rëndë historike e aktuale, shfaqet edhe në shkrimin e mëposhtëm firmosur me pseudonimin Rrapo Palla, shkrim ky i pabotuar fatkeqësisht në Veprat e Konicës, ashtu sikurse tërë shkrimet e kësaj rubrike në faqet e gazetës sonë.

Ndjejmë në shkrimin "Të vijmë ndër mend" zërin tronditës të Faikut për të zgjuar shqiptarët nga gjumi i rëndë shumëshekullor i pushtimit, por edhe i prapambetjes, për t'i shkundur që të vijnë në vete, të ndërgjegjësohen për fatet e tyre dhe fatet e vendit. Sot, pas 118 vjetësh kur Faiku lëshoi nga zemra e tij këtë thirrje kreshniku, kaq aktuale dhe kaq e domosdoshme, nuk ka si të mos nxjerrim mësimet e duhura, pas tërë atyre zezonave që kanë përpirë breza të tëra shqiptarësh e që kulmuan me atë vit të mbrapshtë 97, viti i qoftëlargut, që veshi shumë nëna me të zeza. Sot njeriu i thjeshtë shqiptar, i sfilitur nga prapambetja dhe politika klanore antikombëtare, nga politika populiste dhe bajraktariste e rrugës që bën viktima të pafajshme, si dhe nga thirrjet që nxisin dasitë fetare e krahinore, i thotë Ndal! njëherë e mirë, çdo spekulimi "në emër të sovranit", çdo spektakli tragjiko-komik të parlamentit shqiptar, çdo ulërime "të të fortëve" që kërcënojnë si përherë për gjëma dhe tronditje themeli të botës shqiptare. Le t'i vëmë veshin Konicës gjeni, që mbetet përherë aktual, me largpamësinë e tij madhështore.

Materiali u përgatit për botim me drejtshkrimin e sotëm

nga Monet Maneshi,

 

Të vimë ndër mend!

Nga Faik Konica

 

Për fat të keq, aq liksht gjenden shqiptarët sot, sa janë bërë për t'u qarë; e keqja më e madhe është se as që kanë nisur të mendohen se ç'duhet bërë e të përpiqen të vënë në udhë të mbarë punërat e tyre.

Shumë duhet të punojmë ne shqiptarët sot, dhe sa më shpejt; po më parë nga të gjitha, të shëndoshim dashurinë dhe vëllazërinë në mes tonë; ndarja dhe armiqësia, që na kanë sjellë besimet [fetare], të lipsen; errësirën e padijes – e cila na ka verbuar aq sa të mos mund të njohim të mirën tonë, por të vimë në këtë ditë si mos më keq –, të përpiqemi ta shpërndajmë, që të hyjmë edhe ne në rrethin e kombeve të ndritura. Ç'ka të bëjë myslimanëria apo krishterëria me shqiptarërinë? Myslimani le të mbetet mysliman, i krishteri, i krishter. Po Shqipëria është e të gjithëve ne, dhe të gjithë e kemi për detyrë të mendohemi e të bëjmë si është më mirë për të. Nuk do të na çalojnë [cenohen] besimet në të cilat besojmë gjithësecili, por të vimë ndër mend dhe të qëllojmë më thellë [të synojmë më larg]. Nuk e dimë me sa lloj besimesh janë ndarë Inglizët, Hungrët e të tjera kombe. Po fare s'i ka ndalur besimi që të bëhen si janë sot. Helvecianët [zvicerianët], të cilët, përveç besimeve, përbëhen edhe nga tri farë kombesh dhe gjuhërash, janë burra me mend e me dëshirim për dheun e tyre dhe, përpara Helvecisë, çdo gjë tjetër e lënë mënjanë; dhe kur është fjala për atë, të gjithë si vëllezër përpiqen, e po ta dojë puna, hidhen edhe në zjarr, se nuk ka gjë më të shtrenjtë e më të dhembshur se mëmëdheu. Po ne shqiptarët, që kemi të gjithë një gjak dhe flasim të gjithë një gjuhë, mbetur nga të lumturit stërgjyshërit tanë, përse nuk bëjmë dhe ne kështu? Gjer kur do ta lëmë të mjerën Shqipëri në këtë ditë të zezë që gjendet sot? Është nevojë e madhe [e domosdoshme], sot më tepër se kurdoherë, të punojmë shumë, se vetëm ne kemi mbetur, nga gjithë kombet e Europës, pa dritë, pa shkolla për gjuhën tonë, robër të njerëzve të huaj dhe të politikës së tyre të paudhë, të atyre që duan dhe mundohen të na fshijnë nga faqja e dheut.

Disa njerëz të politikës kanë zënë të besojnë dhe kanë shkruar se ne shqiptarët nuk do të arrijmë të bëjmë një komb; përse kaq lehtazi na e paskan prerë këta për vdekje? Sepse na vështrojnë të ndarë, pa mendje për Shqipëri, trima t'u shërbejmë qëllimeve të të huajve dhe të dobët për punërat tona.

Errësirë e padijes na i ka prurë të gjitha këto të këqija. E vërteta është se kemi shumë armiq, po më i madhi e më i keqi armik i Shqipërisë është vetë shqiptari; dhe, në jemi mbajtur gjer më sot, e quhemi akoma shqiptarë, [kjo sepse] na ka mbajtur flaka e trumërisë, e nderit dhe e zakoneve të shenjtëruara që na kanë mbetur prej stërgjyshërve tanë.

Shqipëria do dritë; të hapim shkolla shqipe nëpër tërë Shqipërinë, që vegjëlia të mësojnë në gjuhë të tyre; të mos presim të vijnë të huajt të na mësojnë dhelpëritë e tyre për dëmtim dhe për humbjen e mëmëdheut tonë. Do bëjmë siç kanë bërë e bëjnë gjithë kombet e qytetëruara. Është detyrë e gjithë shqiptarëve të përpiqen për këtë punë të shenjtëruar. Disa thonë se forca dhe intrigat e armiqve që kemi përreth na pengojnë të bëjmë gjë të mbarë për ne. Nuk është e vërtetë, nuk! Dhe e them me zë të lartë: ne nuk duam, ne po flemë gjumin e vdekjes dhe vetë e kemi fajin. I pavdekuri vjershëtor, me shumë të drejtë ka thënë për shqiptarët: Kur ka pasë lidhë besë burrë i Shqipërisë, / I ka pasë shti dridhjen gjithë Rumelisë.

Kemi përpara syve kombe më të dobta në fuqi dhe më të pakta në numër se sa ne, të cilat kanë bërë punëra më të mëdha, duke pasur bashkim mes tyre dhe dashuri për mëmëdheun, për mbarësinë e tij.

Nuk na ka mbetur më kohë për fjalë; duhet punë. Apo mos nuk ka ardhë ende koha që të njohim të mirën tonë e të mendohemi ne vetë për ne [për vetëvete]? Ç'presim? Apo presim prej të huajve gjë të mirë për ne? Jo, asnjë s'na do të mirën dhe mbrodhësinë tonë, asnjërit s'i dhembset për ne; të gjithë armiqtë, me dhelpëritë e tyre kërkojnë të na copëtojnë dhe të na shuajnë.

Shqiptarë nga të gjitha anët! Mëma jonë e dashur Shqipëria, s'mund të durojë më kaq të këqija. Të lidhim besa-besën, të luftojmë për të drejtat dhe për nderin e Shqipërisë dhe t'u tregojmë të haujve se rrojmë e duam të rrojmë me nder në vendin tonë, në atë vend ku stërgjyshërit tanë kanë qendruar në jetëra.

Rrapo Palla.

(Albania, nr. 2, 1897).

 

Burrëri, dhe jo shpifje

Nga Faik Konica

Kombi  shqiptar ka ca veti të mira dhe ca të liga. Detyra e burrave që shkruajnë është t'i lëvdojnë dhe të përpiqen t'i rrisin vetitë e larta, t'i luftojnë me forcë vetitë e poshtra.  Mjerisht, pak ka që sillen ashtu: janë disa të cilët çdo të padrejtë, çdo të shpifur, çdo shtazëri e poshtërsi, e gjejnë të mirë në qoftë se shohin ndonjë fitim për vete të tyre; nga ana tjetër, fjalët më të vërteta, puna më e kulluar, sjellja më e bukur nuk gjejnë ndonjë mbrojtës në mes të tyre, në qoftë se këta shohin që mund t'u prishet interesi  duke folur. Heshtin pra. Dhe këtë heshtje e thërresin paanësi, në vend që ta quajnë dobësi.  Një gjë nuk mohohet dot; janë mjeshtër. Po mjeshtëria, në qoftë një cilësi e mirë, nuk është nga ato cilësi që mund të ndihin në themelimin e një kombi. Burrëria është shumë më e nevojshme.

(Albania, nr. 1, 1907).

Mendime të zgjedhura – Shpifja

- Calomniez, calomniez! Il en restera toujours quelque chose. (Beaumarchais, Berberi i Seviljes) : Shpifni, shpifni! Diç ka për të mbetur gjithnjë nga shpifja.

- Audacter calumniare, semper aliquid haeret (Bacon) : Nga shpifja e guximshme, gjithnjë diç ngjit.

- Calumnies are answered best with silence (Ben Jonson) : Ndaj shpifjeve, më e mira përgjigje është heshtja.

- Carmina spreta exolescunt; si irascare, agnita videntur. (Taciti): Satirat e mos vëna re, bien; në qoftë se zemërojnë, duken sikur njihen të vërteta [Shpifjet e shpërfillura vijnë e shuhen ; po të shfaqësh acarim, njihen si të vërteta].

- Homines qui gestant, quique auscultant crimina, Si meo arbitratu liceat, omnes pendeant, Gestores linguis, auditores auribus (Plauti) : Njertëzit që përhapin dhe ata që dëgjojnë të shpifura, për mendimin tim, të gjithë duhej të vareshin, shpifarakët nga gjuha, dëgjuesit nga veshët.

- Difficilem oportet aurem habere ad crimina (Publius Sirus): Duhet të shpifurave t'u vëmë veshin ngadalë.  [Ndaj shpifjeve duhet pasur një vesh ngritur].

- Back wounding calumny, The whitest virtue strikes (Shekspir, Masë për masë): E shpifura që plagos prapa kurrizit, godet edhe më të bardhin virtyt.

- Be thou as chaste as ice, as pure as snow, thou shalt not escape calumny (Shekspir, Hamlet): Qofsh aq i kthjellët sa akulli, aq i kulluar sa bora, nuk ke për të shpëtuar nga shpifja.

- Nihil est… Quin male narrando possit depravarier (Terentius): S'ka asgjë që të mos mund të duket e ligë, në rrëfehet liksht.

(Albania, nr. 2, 1907).



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora