Mendime
Adil Fetahu: Apo zbatohet Memorandumi 2 i AShS?
E merkure, 28.01.2015, 06:59 PM
A
Nga Adil FETAHU
Në qershor të vitit 2011, kam botuar një shkrim me titull: “Memorandumi 2 i AShS- program i luftës speciale”. Shkrimi u botua në disa gazeta e portale. Me atë shkrim doja t’i bëja me dije lexuesit për një dokument diabolik të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë, asaj fabrike të strategjive djallëzore për veprimin e shtetit dhe të gjitha segmenteve të shtetit e të kishës serbe kundër popujve dhe shteteve përreth.
Ish-baba i kombit serb (D.Qosiqi), i cili pohonte një tezë të rrejshme se “Serbia gjithnjë ka fituar në luftë, por ka humbur në paqe”, me kompaninë e tij të senilve të AShA të Serbisë, “e kthey qyrkun në anën tjetër” me tezën që atë që e “ka humbur në luftë, duhet ta kthejë në paqe”, gjithmonë duke aluduar në Kosovën “e tyre të shenjtë”.
Për dallim nga Memorandumi 1 (i vitit 1986), zbatimi i të cilit pati për pasojë shkatërrimin e përgjakshëm të Jugosllavisë, Memorandumi 2 ka përshtatur metodat dhe format e luftës speciale dhe veprimit për realizimin e qëllimeve në kushte të reja, duke zhvilluar luftë speciale për të dëmtuar interesat dhe destabilizuar shtetet fqinje: Bosnje-Hercegovinën, Kosovën, Kroacinë, por edhe Malin e Zi dhe Maqedoninë, duke mos përjashtuar edhe Shqipërinë. Memorandumi 2 është mbajtur sekret, u është dhënë si udhëzues vetëm kreut dhe udhëheqësve më të besuar të shtetit, me porosinë: “Lexo, por mos e përhap më tutje”.
Në vija të përgjithshme, Memorandumi 2 ka përcaktuar se çka duhet të bëhet për të arritur efektet dhe synimet. Me veprime të ndryshme, organet shtetërore, politike, diplomatike e kishtare, shërbimet sekrete me qendra në Serbi e në vende të ndryshme, duhet të punojnë që:
- të dobësohen ekonomikisht vendet fqinje, me bllokada, obstruksione e mënyra të ndryshme,
- të heqin dorë shtetet finje: Kroacia, BH dhe Kosova nga paditë e ngritura apo të pretenduara në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë kundër Serbisë,
- të provokohen pakënaqësi, protesta e demonstrata në vendet e rajonit,
- Serbia të orientohet kah Kina politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht,
- të krijohet bashkësia panserbe për të gjithë serbët në rajon dhe në diasporë,
- të minimizohet përgjegjësia e Serbisë për krimet dhe shkatërrimet e kryera gjatë luftërave, duke ngritur akuza, fletëarreste ndërkombëtare dhe procese gjyqësore kundër qytetarëve të Bosnje-Hercegovinës, Kroacisë dhe Kosovës,
- të hiqet vëmendja e mediave rajonale e ndërkombëtare nga proceset e gjykimeve të kryera në Tribunalin e Hagës kundër kreut shtetëror, ushtarak e policor të Serbisë (për ndërmarrjen e përbashkët kriminale),
- me aksione pendese të vihet Serbia në pozitë të njëjtë të viktimës me shtetet fqinje të dëmtuara nga lufta,
- të insistohet në mbylljen e Tribunalit të Hagës, ashtu që gjykimi i gjeneralit Ratko Mlladiq të zhvillohet në gjykatat e vendit,
- të destabilizohen qeveritë e vendeve fqinje, të provokohen pakënaqësi, tollovi në to, ashtu që të dobësohet tehu i akuzave kundër Serbisë,
- të ndihmohet shkëputja e Republikës serbe (të Bosnjës),
- të insistohet në fitimin e statusit të popullit konstituiv të serbëve në Kroaci, Mal të Zi dhe në Kosovë,
- të pengohet ndarja e Vojvodinës dhe rajonizimi i Serbisë, dhe të dobësohet veprimi i Bashkësisë Islame në Sanxhak.
Udhëheqja shtetërore, partiake, ushtarake, policore, kishtare dhe të gjitha segmentet e tjera, me plane aksione, programe, ligje e veprime punojnë pandërprerë në realizimin e synimeve të përcaktuara me atë Memorandum dhe strategjinë e tyre. Për shumë prej pikave të përmendura të Memorandumit, mund të bindemi kur vëren zhvillimet në terren, qoftë në Bosnje, Kosovë, Sanxhak, Mal të Zi. Me Kroacinë puna qëndron ndryshe, se ajo është “arrë e fortë” ku Serbia mund t’i thyejë dhembët, veçmas tash pasi Kroacia është bërë anëtare e Bashkimit Evropian. Por, në Bosnje e në Kosovë ka krijuar infrastrukturën kriminale për realizimin e qëllimeve satanike. A s’i kemi në realitet të gjitha këto veprime: bllokadën nga të gjitha anët dhe gjendjen ekonomike katastrofave; pakënaqësi e protesta me eskalim të dhunës dhe destabilizimit; njohja e statusit konstituiv të pakicës serbe (më të privilegjuar në botë); krijimi i bashkësisë së komunave (si një entitet i posaçëm); padi, fletarreste ndërkombëtare e gjykime të shqiptarëve në gjykatat serbe; gjykata speciale që do të krijohet për gjykimin e personave për të cilët Serbia ofron “prova për krimet e kryera”, etj,etj.
Në demokraci pushteti fitohet me votë, e jo me gurë, stupca e hekur
Me qeverisjen e vendit, qysh prej çlirimit, askush nuk mund të jetë i kënaqur, përveç atyre që kanë zënë pozita të rëndësishme e privilegje. Mirëpo, pakënaqësia është dashur të shprehet me vota, me rastin e zgjedhjeve të përgjithshme. Në zgjedhjet e përgjithshme (qershor 2014), Partia në pushtet (PDK) megjithatëë fitoi numrin ma të madh të votave në krahasim me partitë e tjera, 222.181, apo 30,38% të numrit përgjithshëm që dolën në votime. Madje, lideri i saj, Hashim Thaçi fitoi gati sa krejt Partia e tij, ai i fitoi 166.458 vota. LDK-ja fitoi 184.596, apo 25,24% të votave; lideri i saj (Isa Mustafa, 121.052 vota); Lëvizja Vetëvendosje fitoi 99.397, apo 13,59 % të votave (lideri Albin Kurti fitoi 63.598 vota); AAK fitoi 69.793, apo 9,54% të votave (Ramush Haradinaj 50.391 vota).
Partitë që vazhdimisht prej një cikli në tjetrin të votimeve humbën në vota, me një manovrim që u gjykua si antikushtetues u përpoqën të bëhen bllok, ta joshin edhe Vetëvendosjen t’iu bashkohet, në mënyrë që ta formojnë shumicën në Kuvend dhe ta marrin pushtetin. Ata jo vetëm se bënë veprim antikushtetues, me një koalicion paszgjedhor, por i bënë “kaps” të gjitha institucionet e shtetit, por bënë veprim krejtësisht joparimor, duke e “dominuar” Ramush Haradinajn për kryeministër, me 9% të votave të fituara, e me premtim që Isa Mustafën ta zgjedhin kryetar të shtetit kur të vjen koha e zgjedhjes. Partia e Ramushit kishte fituar gjithsejt 9,54% të votave, kurse vet Ramushi 50.391 vota, që ishte tri herë më pak se PDK dhe lideri i saj Hashim Thaçi. Natyrisht që Thaçi nuk mund ta lëshonte pushtetin prej dore, dhe bëri koalicion me LDK-n. Se sa ka qenë i ndershëm veprimi i Isa Mustafës, mund ta merrni me mend të gjithë; atë madje për postin e kryeministrit nuk e votuan as bashkëpunëtorët më të afërt nga kreu i partisë së tij. Mirëpo, koalicioni PDK-LDK+”Lista srpska”, përbënte shumicën në Kuvend, dhe Qeveria u zgjodh, me Isën kryeministër.
Koalicioni paszgjedhor që ishte një grumbull i dështakëve në votime, gjoja qëllimin kryesor e kishte të bëjë ndryshime, gjegjësisht ta rrëzojë Qeverinë Thaçi. Unë jam i bindur se Albin Kurti, për çështje parimore, dhe Limaj (për inati), e kishin me gjithë mend këtë qëllim, kurse Ramush Haradinaj e kishte vetëm lakminë për t’u bërë kryeministër, ndërsa Isa Mustafa, para se të shkonte në pension – të bëhej kryetar i shtetit. Dhe me qenë se në rrugë demokratike nuk mundën të realizojnë aspiratat e tyre, deshtakët e zgjedhjeve zgjodhën rrugën e dhunës për ta marrë pushtetin. Këtë e treguan me dhunën vandaliste në dy protestat e fundit, dhe me paralajmërimet se dhunën nuk do ta ndalin derisa ta arrijnë qëllimin. Floskulat, kinse protestat po i mbajnë për “Trepçën”, apo kundër ministrit serb Jabllanoviq, nuk mund t’ia shesin askujt, derisa gjithnjë kanë trumbetuar se këtë Qeveri do ta rrezojmë gjithsesi. E po zotërinjë, në një shtet demokratik, çfarë i duhet këtij populli dhe që duhet ta ndërtojmë, pushteti merret me votën, e jo me manipulimin e popullit e me dhunë në protesta vandaliste. Dhe, deri sa njeni e tjetri ikën sapo e panë situatën të nxehtë, Albini që ishte autoriteti i pakontestueshëm i protestës, është dashur të thërrasë protestuesit të mos gjuajnë policinë, të mos dëmtojnë pronën private as publike. Protestat janë të lejueshme, por dhuna dhe dëmtimi i pronës private as publike – nuk janë të lejueshme, ndonëse ato ndodhin edhe në shtetet më demokratike, por në Kosovën tonë të brishtë në çdo aspekt, nuk duhet të ndodhin.
Albini më dhimbset që po degradon
Nuk jam anëtar as simpatizant i asnjë partie dhe nuk kam asnjë konsideratë ndaj liderëve të tyre. Për Albin Kurtin si djalë i ri, mjaft i kthjelltë dhe i guximshëm, e aq më tepër pa “hipotekë”, kam menduar dhe shpresuar se do të krijohet një profil i ri politik, që në të ardhmën, në mënyrë të rregullt e me meritë do të arrijë në pozitë që të bëjë ndryshime pozitive, çfarë i duhen këtij populli e këtij vendi. Po të vepronte me mençuri dhe i pa ndikuar prej të tjerëve, edhe do t’ia arrinte qëllimit, duke pasur parasysh se prej një palë zgjedhje në tjerat, qoftë në nivelin lokal apo të përgjithshëm, ka shënuar rritje në vota, derisa të gjitha partitë e tjera kanë shënuar rënie. Mirëpo, me iluzione dhe në shoqëri me ata që aspirojnë vetëm për pozitë e privilegje në pushtet, Albini mund të digjet dhe largohet gjithnjë e më tepër nga mundësia për të ardhur në pushtet. Ramushi njëherë ka ardhur në pushtet, falë makinacioneve dhe inateve midis LDK-s e PDK-s, se përndryshe, çdo respekt për meritat si komandant i UÇK-s, me të gjitha të metat që mund t’i ketë pasur, ai nuk është kuadër adekuat as nuk ka kapacitet për ta udhëhequr Qeverinë e për të bërë ndryshime pozitive. Përgjithësisht, blloku që ishte humbësi më i madh në zgjedhje, edhe nëse e merr pushtetin me dhunë, nuk i sjell asgjë të mirë Kosovës dhe popullit të saj. Prandaj, hiqnu prej rruge e punoni në Kuvend si opozitë konstruktive dhe tregoni veten për zgjedhjet e ardhshme. Kështu si po veproni tash, po e ndihmoni zbatimin e Memorandumit 2 të Akademisë së Shkencave të Serbisë, dhe po qoni ujë në mullirin e Serbisë!