Mendime
Shaban Peraj: Ndërrimi i deputetëve
E merkure, 07.01.2015, 06:16 PM
Ndërrimi i deputetëve
Shkruan: Shaban Peraj
Duke akuzuar njëri-tjetrin në prag të Vitit të Ri , pretendentët
shqiptarë për deputet në parlamentin malazias kanë nxitur shumë
polemika se kush nga këta është në të drejtë, ngjanë se po
kërkojnë alibi për punët dhe obligimet e pakryera ndaj komunitetit
shqiptarë në Mal të Zi. Ky është një banalitet i radhës që na
servirin këta politikanë, për çka na bëjnë të jemi më se të
saktë në bindjet tona se këtyre kaq u duhet , kaq kanë kapacitet
politik dhe atë mundohen ta arsyetojnë në mungesë të argumenteve
nga cilado palë vinë! Për paaftësi të tyre u munduan që fundvitin
ta arsyetojnë me disa akrobacione politike gjoja se po luajnë në
skena të mëdha,ku parashikohet sipas tyre fundi i botës , nëse këta
nuk ulen në fotelet e parlamentit malazias. Potezat që po luhen, së
paku sipas informacioneve, duket se po kërkojnë një aleat të tretë
që t’u mundësohet ngjitja shkallëve të parlamentit. Kjo mund të
merret edhe si një arsye më shumë për të shtuar arin e mbledhur
tash e disa dekada në mënyrë që ai të mos coptohet, përkundrazi,
mandati të kthehet në para duke dëshmuar se nuk pyet kush për
komunitetin të cilin e kanë lënë të marshojë në drejtim të
humnerës. Qëndron fakti se komuniteti shqiptarë në Mal të Zi nuk
ka një kalibër të politikanit parimor, e që do t’i hynte kësaj
pune me parime, po edhe me parime do të përfundonte jetën poltike
duke e kuptuar atë si diçka normale, përkundrazi këto bëhen sikur
janë të përjetshëm e të pakrahasueshëm me të tjerët, pa e
kuptuar se ka ardhur koha e ndryshimit të rregullave të lojës! Ai që
i pengon këto ekzibicione është gjithomë votuesi, dhe ai në vend
që të ndëgjojë ndonjë thënie të mirë nga politikanët për
festat e vundvitit, dëgjon akuza, padi, letërkëmbime e çfarë jo ,
pa pasur ndonjë parametër të deputetve se çka parashikojnë për
ditët e vitit 2015-të. Këto ndërrime që gjoja duhet të bëhen
sipas marrëveshjes që kanë partnerët e koalicionit : Partia
Demokratike, Lidhja Demokratike në Mal të Zi dhe Alternativa
shqiptare, meritojnë kritika të forta , megjithëse kurrë të
kundërshtuara me efikasitet.
Tani që shqiptarët në Mal të Zi e morën këtë mesazh duket se nuk
do të kemi më asmnjë debat rreth kësaj çështjeje sepse në
mesazhet e tyre shihen qartë gjërat, janë të shkruara e
nënshkruara nga dora e atyre që ia dinë qejfin vetit. Shikuar nga ky
këndvështrim është e qartë tashmë se qëllimi i vetëm i atyre
që kërkojnë fotele në parlamentin malazias është të marrin
garanci nga partnerët politik përmes paçavuarave që u servojnë
votuesve shqiptarë.Që të jemi të qartë, dikush duhet të hiqet nga
karrigat parlamentare për t’u lëshuar vendin atyre që pretendojnë
se u takon sipas “marrëveshtjes”, e kjo për aq sa shikohet deri
tani duket se do të realizohet deri në fund të këtij muaji.. Një
pjesë prej tyre deri në këtë legjislaturë nuk kanë perfituar
asnjë ditë pune si deputet , të tjerët kanë krijuar karrierë
përmes kësaj pune gjë që këto transferime të pritshme i bënë
akoma më qesharakë. Pra, dikush duhet të hiqet , dikush të vendoset
, pa e sqaruar këtë me ligjin ekzistues, duke vazhduar kështu, dhe
populli të paguajë faturën e lartë, ku dy vetëve t’u paguhet një
vend pune! Me arsyetimet e tyre dhe ulurimat që bëjnë rreth këtyre
çështjeve mundohen të arsyetojnë dështimin e plotë në
politikëbërjen e tyre.Të gjithë të paaftit politik, për të
krijuar vetë fatin e tyre, bashkojnë pafuqitë e tyre dhe i
konsideriojnë në një moral burokratik që infekton tërë
shoqërinë. Kur e keqja është e thellë, siç ndodh mes politikanëve
profesionistë, atëherë vlerat e ndryshme hidhen në një tryezë
lodre kumari. Këta persona të “respektuar prej radhës së tyre”
rrotullohen e bëhen anonim në të njëjtën ditë që e humbasin
fotelen e pamerituar dhe pasardhësve të tyre u lejojnë të zgjedhin
variante nga situata e krijuar. Rasti i veprimit të tyre në fundvitin
e 2014-ës, na bënë të na kujtohen tri gjëra: papunësia , migrimi i
qytetarëve shqiptarë nga trojet e tyre etnike, si dhe kriza sociale
që ka pëfshi trojet tona. Nga deklaratat e herëpashershme që
lëshojnë këta, qytetarëve u mbetet që t’i propozojnë për
shpërblime vjetore –“për punën e devotshme që kanë kryer”.
Detyra bëhet me ndërtim pozitiv dhe jo me grindje e deklarata për
të kaluarën , e që konvertohet në polemika shterpa e
shkatërronjëse.
Mirë bënë që na uruan Vitin e Ri duke na dëshiruar shëndet,
lumturi e mbrarësi , por qytetari nuk beson se do i vinë ditë të
mira duke mos parë diçka konkrete për t’i bërë palë me
optimistët, ndaj i vetmi shpëtim është shporrja e mentalitetit
dogmatik dhe zgjimi i rinisë, që me shpirt të ri të kërkojë ideale
të reja , një moralitet të ri në shekullin e 21-të.