NATË E PAFUNDME
TREGIM NGA QAZIM MUSKA
U zgjova
nga një dhimbje e tmerrshme pas shpinës, në mes të shpatullave, mu aty ku
lidhet trupi me kokën, në atë vertebrën e madhe, kryesore, që quhet “Atlas”.
Ulëriva sa munda pasi ndjeva që diçka e ftohtë dhe e mprehtë po më hynte nën
lëkurë. Nuk po kuptoja mirë në atë zgjim të beftë nga gjumi, por më dukej se po
më rripnin lëkurën. Nga zhaurima e shqitjes prej mishit ulërija sa mundja dhe
po bindesha se kjo që po ndodhte ishte e vërtetë. Lëkura po shkitej nga mishi
me forcë dhe me mundim, si një lëvore limoni i pabërë ende. Ajri futej në
hapësirën që krijohej dhe më drithëronte pa masë pjesën e avullt të mishit që
mbetej tashmë pa mbulesën e vet të përhershme, të butë. Rrjepja kish filluar nga pas dhe jo nga
përpara, aty te gryka, ku zakonisht fillonte për bagëtitë e zbriste pastaj
poshtë e më poshtë, deri në fund të barkut. Ishte një rrjepje e çuditshme, jo
vetëm nga mënyra e zgjedhjes së nisjes së procesit, por edhe sepse kishte
filluar për së gjalli, ndryshe nga bagëtitë, të cilat, në fillim i ngordhin me
një të rënë në lule të ballit, ose prapa kokës me vare. Kështu që unë ulërija
sa mundja. Gjithsesi, ato duar të shpejta vazhdonin punën e vet të
pashqetësuara nga vuajtjet e mia. Tashmë isha kthyer në një kufomë të gjallë, i
pafuqishëm as edhe të nxirrja zë. Gjaku që kishte rrjedhur thuajse i gjithi, më
kishte lënë të mpirë, me çdo venë e kapilar pothuajse bosh dhe ajo sasi e vogël
që kishte mbetur kishte filluar të mpiksej. Nuk e kisha idenë cili ishte ai
dikushi që po punonte me aq pasion mbi trupin tim, por kuptova se më njihte
mirë. Kjo, ngaqë, kur erdhi te pjesa e përparme dhe filloi të çante gjoksin nga
gryka, ashtu si fillonte kjo punë me kafshët, e të zbriste deri përfund barkut,
nishanin tim, që unë e kisha aq të preferuar në mes të gjoksit, nuk e preu dhe
nuk e shëmtoi duke e ndarë më dysh. Me shkathtësi bëri një zgjatim si një liqkë
për të kopsitur kopsat, duke e lënë të paprekur në anën e majtë të pjesës së
ndarë të lëkurës. Kjo do të thoshte se i dinte mirë dobësitë e mia dhe
patjetër, me këtë, ka dashur të respektojë preferencen time, njësoj si të
pushkatuarit që i kërkojnë dëshirën e fundit. Pasi mbaroi punën, në mënyrë të
rrufeshme e tendosi lëkurën time me dy shkopinj të thatë në shpatullat dhe në
pjesën e poshtme dhe e vari në murin përballë, si një kostum në kremastar, që
të thahej. E hollë, e bardhë dhe e tendosur lëkura reflektonte nën dritën e
vakur të një qiriri që gati po shuhej, e dukej si plastmasë e vendosur në vend
të xhamit, në një dritare ndërtese të mjerë e të ronitur. Sakaq, ai njeri
fantazmë, iku e u zhduk në errësirën e paskaj, kurse pjesët e mishta të trupit
tim filluan të shkëputeshin prej kockave e të rrëshqisnin poshtë dyshemesë së
ftohtë prej betoni. Dukej se po zbërthehej pjesë-pjesë trupi i një manekini nga
ata që përdoren për nxënësit e shkollave në anatomi. Por rënia e tyre nuk
kishte atë tingull bosh të plastikës, kur përplaset në dysheme. Ato rrëzoheshin
duke u zvarritur nëpër trup të qullëta e të paforma, si ca vemje gjigante, duke
bërë rreth skeletit tim, të mbetur tani si trung i bardhë plepi, një pirg të
madh mishi e gjaku. U dëgjuan ca lehje nga thellësia e errësirës. Pastaj një
rrëmujë nën një nxitim të madh. Ishin qentë rrugaçë të qytetit, të cilët,
tërhequr nga era e gjakut dhe e mishit e të shtyrë nga uria dhe nepsi për
ushqimin e majmë, me sytë xixëllues e gjuhë të jargavitur mes dhëmbëve të
mprehtë, u sulën duke shqyer e duke kollofitur sa hap e mbyll sytë copat e
majme të mishit që ende avullonte. Instinkti i vjetër i presë dhe dehma e
gjakut i mblodhën në këtë lukuni. Mbasi asgjë nuk kishte mbetur më, filluan të
largohen ngadalë në drejtime të ndryshme, secili në hesap të vet. Të nginjur
paq, me shpinën e ngritur si hark nga kënaqësia, kthenin kokën pas në ikje e
sipër herë pas here, si vrasësi që kërkon të sigurohet se puna vërtet ka
mbaruar mirë. Lëpinin njollat nëpër fytyrat duke përzierë me gjuhë gjak e jargë
bashkë , ndërsa xixëllimat e syve tashmë u ishin shuar. Humbën nëpër terr të
qetë, pa zhurmë e bujë, duke u tretur dalëngadalë si hijet. Unë, shndërruar në
skelet, qëndroja si mes një skene të braktisur e të ankthshme. Por nuk zgjati
shumë dhe ca krrokama të çjerra zgjuan përsëri errësirën e ftohtë dhe drodhën
ajrin që tashmë ishte e vetmja mbështjellë e trupit tim të kockët. Ca toptha
puplash të zinj, u shfaqën duke ardhur drejt meje dhe qëndruan mbi supet, si
mbi degë pemësh të thara. Skeleti dridhej dhe nuk dihej; nga e ftohta apo nga
ankthi. Arsyen e ardhjes së atyre topthave të zinj puplorë e kuptova vetëm kur
mbi sytë e mi ranë njëra pas tjetrës çukitje të çartura sqepash pa fund. Vetëm
brenda atyre goglave të vogla kishte mbetur një imazh i rremë jete në atë
strukturë të shkretuar. Në terrin që u rrënua edhe më, dëgjoheshin në thellësi
të kafkës dhe në brendësi të kafazit të kraharorit çukitje të tjera, si çekiçë
të vegjël pneumatikë, që thërrmonin dhe shfarosnin krejt çdo gjë që kishte
mbetur aty brenda. Pasi çukitjet mbaruan, krrokamat humbën ashtu si erdhën, në
terr. Por, ndryshe nga qentë rrugaçë, të cilët ikën të qetë e në paqe, ato
toptha të zinj puplorë krrokatnin sërish në ikjen e tyre. Dukej si një e qeshur
cinike mbas atij sulmi kjo krrokamë. E menjëherë heshtje. Një heshtje varri. E
një varri gjigant bërë njësh me qiellin. Asgjë s’pipëtinte. Veç ndihej
drithërima e kockave, si një fërshëllimë thëllimi mes shkurresh të zhveshura
nga gjelbërimi. Mbështillte gjithë trupskeletin e ftohta e asaj drithërime.
Veç, nuk zgjati shumë as kjo heshtje dhe, pas pak, u ndjenë ca hapa të lehtë e
të butë që afroheshin.Ishin si mërmërima jehonash kur vë veshin të dëgjosh
zhurmat që vijnë nga larg nëpërmjet tokës. Dhe menjëherë mes drithërimës së
ftohtë ca si ngjitje të buta, të lagëta e të ngrohta mbi atë që kishte mbetur
prej trupit tim. Nga mënyra se si ngjiteshin e shqiteshin me të shpejtë në të
gjithë fyejt e kockave dhe nyjet me një epsh dhe zell të madh, kuptohej që
ishin të lëpira; zgjatime gjuhësh që përdridheshin rreth kërcejve të kockave
dhe më jepnin një si kilikosje, e njëjtë me ato në vende delikate të trupit,
kur ky ka mish, gjak e nerv, aq sa nuk i duron dot e përpëlitesh e hidhesh
përpjetë pa e kuptuar ç’ndjesi është kjo; kënaqësi, bezdi apo drithërimë prej
diçkaje të papërcaktuar. Ishin lëpirje qensh të butë e të urtë, nga ata që
rëndom i mbajmë nëpër shtëpitë e mjediset ku banojmë, pasi as nuk lehnin, as
hungëronin si rrugaçët ne dyluftimin për të ndarë prenë, por veç lëpinin në
heshtje. Pasi nuk lanë asnjë pikë prej gjakut të athët e yndyrës mbi të gjithë
sipërfaqen e mbetur kockore, lëpirjet u ndërprenë. Hapat u ndjenë sërish, por
tani duke u shuar si valëzimi i rrethit të ujit nga qendra drejt periferisë.
Dhe ra sërish ajo heshtje varri në errësirën që shpohej vakët nga qiriu që po
shuhej. Hija e dritës luhatej sa andej-këndej prej erës e dukej si kërcelli i
një bimëze të vyshkur që s’gjente paqe mbi dysheme. Në çast, një si krisje e
mbytur jehoi, prej atyre jehonave që vijnë nga çdo anë e nga askund e të
ngjitin një makth të madh. Pastaj, një zhurmë po e mbytur e, më pas, një
shakullimë gjërash që bien mbi njëra-tjetrën u dëgjua. Për pak sekonda, në mes
të sheshit, aty ku drita e qiriut po linte frymën e fundit, u bë një grumbull
kockash që reflektonin si të ishin prej fajance. Ashtu rrëmujshëm mbi
njëra-tjetrën, të linin përshtypjen se mezi prisnin të kalleshin në dhe. Lëkura
e nderur në murin përbri fluturoi nga era që fryu, e si një velë e nderë paq,
ju hodh përsipër atij grumbulli të përzishëm, si një kapak arkivoli. Qiriu u
fik menjëherë pas kësaj, duke bërë që përreth të mbizotëronte heshtje dhe
errësirë aq e frikshme sa, mëngjesi, dukej se nuk do të zbardhte më kurrë.