Editorial » Sidheri
Elvi Sidheri: Zdravko!
E premte, 18.04.2014, 07:05 PM
Zdravko!
Nga Elvi Sidheri
Nacionalizmi duan të thonë, konsiderohet në botën tonë moderne dhe egërsisht të globalizuar, si diçka e tepërt, antike ndoshta, një shfaqje mentaliteti të tejkaluar nga koha dhe zhvillimi bashkëkohor i botës në të cilën në fakt jetojmë të gjithë bashkë (“tutti insieme apassionatamente”-do të thoshin italianët).
Për një arsye të tillë...edhe unë si qënie me prirje “globale”, si një shqiptar qytetar i botës së përbashkët për të cilën qeshë duke treguar pak më parë, nuk do të duhej faktikisht që të kisha asgjë prej gjëje kundër shfaqjes së Zdravko serbit në një televizion shqiptar para ca ditësh.
Të këndojë ore tjetri, kush e pengon!
Në serbisht po ashtu...se mos di të këndojë në anglisht fundja?-Jo nuk di, ndaj dhe lëreni të këndojë në gjuhën e ti mëmë “nashka-risht” (se pikërisht “nashka” i thonë në Shkodër këngëve serbe apo boshnjake).
Ka qejf të këndojë dhe efektivisht askush nuk ka ndërmend t’a ndalojë në ushtrimin e profesionit të tij Zdravkon, aq më pak në skenat e Tiranës apo Shqipërisë!
Unë për fat Zdravkon nuk e njoh, as kam patur rastin të dëgjoj këngët e Lepa Brenës apo ndonjë serbi ose boshnjakeje tjetër.
Turbofolkun serb nuk e njoh dhe as që më intereson po ashtu.
Thënë kjo, më nevojitet të pranoj “botërisht” se mosnjohja nga ana ime e realitetit muzikor boshnjako-rom-serb (turbofolku)...nuk më ka penguar aspak që të jem një artdashës, shijues i tingujve të mirëfilltë joserbë muzikorë, vlerësues i muzikës në përgjithësi.
Ideja ime si njeri “vesh-mprehur” lidhur me botën e muzikës ballkanike, pa qenë sidoqoftë i këtij profesioni si formim, është se rajoni ynë vuan thellësisht nga mungesa e “origjinalitetit” në këtë fushë...dhe kjo ndodh ngahera e nuk ka nisur kurrësesi sot.
Fakti është që prania e stërzgjatur osmane në viset dhe trojet etnike të popujve të Ballkanit, ka lënë gjurmë të pashlyeshme sa në veshje, mentalitet, sjellje dhe veprime, aq edhe në muzikën dhe vallet tona papërjashtim.
Në një këndvështrim të tillë, tallavaja aktuale si dhe turbofolku serb, kanë të bëjnë ngushtësisht ashtu si edhe shumë degëzime të tjera të bërjes muzikë të këtij gadishulli ku të gjithë frymojmë, me një origjinë të përbashkët turke, sa nga folku i mirëqenë turk, aq edhe nga muzika e romëve të Azisë së Vogël, të quajtur “romani” nga turqit.
Në të vërtetë po të hidhet një vështrim i përciptë mbi universin e pasur muzikor të Turqisë së ditëve tona, aty do të vërehen pa shumë vështirësi, pjesëza të origjinës së shumë dokeve dhe traditave muzikore të gjithë banorëve të Ballkanit, me përjashtim të sllovenëve e ndoshta kroatëve, të jetuar më tepër nën qeverisjen dhe kulturën austriake, sesa nën influencën jetëgjatë të hapësirës osmane.
Kështu mund të takojmë lehtësisht gjurmët turke sa në vallet dhe këngët e Shqipërisë së Mesme (por edhe më tej sesa thjesht ky rajon i vendit tonë), aq edhe tek veshjet apo vallet, meloditë dhe kërcimet specifike të serbëve, maqedonasve, domosdo të boshnjakëve (me modelin e tyre tipik ala-cigan të të kënduarit të përdëllyer rëndshëm brenda përvuajtjes konstante), bullgarëve e ndopak edhe grekëve.
E gjithë kjo na vlen për të kuptuar se jetojmë në një rajon tepër të vogël, ku shumë popuj të ndryshëm janë “kontaminuar” fort kulturalisht nga fuqia e fundit madhore pushtuese-sunduese, siç patën qenë turqit deri para një shekulli, për këtë arsye është deri diku normale dhe e pranueshme që muzika e njëri-tjetrit (që jo rrallë ngjan), të na tërheqë.
Unë vetë nuk prirem të kem ndonjë ndjesi të zhvilluar kureshtje apo tërheqjeje ndaj muzikës ballkanike në përgjithësi, apo asaj të secilit fqinj tonit në veçanti.
Mënjanë malazezëve që në përshtypjen time nuk kanë muzikë (si dhe gjuhë apo tradita më vete) fare, s’më kanë ndezur asnjëherë ndienjat pseudo-baladat qaramane orientale thellësisht banale të boshnjakëve, as folku i serbëve ku të njëjtat melodi me kombinimin e pamungueshëm “srce-lubav” (zemër-dashuri) të çajnë timpanët e veshëve në përjetësi.
Muzika greke nuk më qëndron antipatike, por as më zgjon ndonjë preferencë dhe thelbësisht nuk e njoh.
Sllavët e Maqedonisë, sidomos në rajonet kufitare me juglindjen tonë dhe Selanikun grek, praktikojnë një lloj muzike të këndshme qytetare e cila ngjan së tepërmi me serentatat korçare e për një shkak të tillë, është më e pranueshme për një vesh të hollë.
Nga ana
tjetër, bullgarët muzikë nuk kanë (ose kanë, po këtë fakt nuk e njeh kush) dhe
rendin vazhdimisht pas kopjimit të trubofolkut serb ose tallavasë
Rumunët sipas përshtypjes sime, bëjnë muzikë tepër të mirë “dance”, një fakt që i ka bërë të njohur anembanë “club-eve” të kontinentit, ndaj dhe ankesa për ta nuk mund të kem, sadoqë muzikën tradicionale nuk ua njoh asnjëçikë.
Nga ky “thellim” gjithësesi nuk mund të përjashtohen fare as vetë turqit ndërkohë, pasi edhe muzika e tyre moderne, është ku më pak e ku më tepër, një ripërsëritje e të njëjtave tinguj e melodi komerciale, ku mungon totalisht shpirti krijues dhe origjinaliteti autokton, pra tejet e ndryshme dhe më e varfër për nga vlerat, sesa muzika popullore e atij populli.
Zdravko është gjë tjetër.
Zdravko është simbol, është serbi që erdhi në Tiranë dhe e shkuli rrylin e fytit duke kënduar (apo ishte me “play back” gjë?) në mes të Tiranës, pa iu dridhur qerpiku, pa ia bërë syri tërrt, si të ishte në Beograd e jo në kryeqytetin e “albancëve” këtyre njerëzve me bisht sipas shkencës serbe, që jo më tepër se 15 vite më parë, kanë shqyer të gjallë e ua kanë shkulur veshkat dhe zemrat nga trupi qindra serbëve në një shtëpi andej nga katundet e thella të Burrelit!
Kurse Zdravkua ynë, as që e “rrujti sqetllën” dhe me vetëmohim, erdhi në Tiranë e me këngë në gojë, solli tingujt dhe fjalët serbe në tokën e shqiptarëve.
Nuk e njoh Zdravkon dhe nuk e kam idenë se çfarë lloj njeriu është ai.
Mua vetë m’u duk pak si gomar në pamje, por nuk dua të abuzoj me njerëz që s’i njoh.
Ajo që mendoj është se Zdravko më tepër habitej vetë sesi nuk po e “hanin ose piqnin të gjallë” këta shqiptarët me bisht dhe të egër, se gjë tjetër...dhe i ngrati kur këndonte, ndoshta ishte duke i numëruar së prapthi sekondat deri në çastin kur ndokush do t’a paloste në vend, që më pas t’a rripnin dhe t’ia hidhnin qenve ose diçka të ngjashme.
Ndërkaq, në momentin që Zdravko nisi të vërë re se publiku aty përballë skenës ku pati nisur të këndojë, vërtetë ishte marrosur në mënyrë të pakthyeshme, por që kjo nuk kishte fare të bënte me ndonjë mëri ndaj atij vetë ose kombësisë së tij, ai u çlirua përfundimisht dhe nisi t’u jepte shqiptarëve atë që këta kërkonin atë mbrëmje të “paharruar”.
Publiku shqiptar aty nën skenën ku serbi në fjalë këndonte, në realitet dukej ashtu nën efektet degjeneruese të ekstazës idiotësuese, si një turmë e etur që ka vrapuar me të katërta, për tek një lokal “striptease-i” (aty ku zhvishen dhe lëpijnë e shkrijnë shtyllën, femra sensuale).
Kam bindjen që po qe se Zdravko do të ishte zhveshur atë natë, rrobat e tij do të kishin shkaktuar një kaos të tillë midis publikut të përvëluar, saqë salla ku Çoliçi po këndonte, do të ishte djegur me themel dhe do t’i kishte dalë tymi.
Si t’a them...Zdravko ishte “kuçki...prostituti” në skenë dhe masa amorfe me trajta të paqarta turme të dalë duarsh, që pallohej me vetveten dhe ekstazën e këngëve serbe që ai këndonte, duke u çjerrë dhe uluritur histerikisht nën këmbët e Çoliçit, ishte sipas këtij këndvështrimi, personifikimi masiv, i klientit “homo-albanensis...bushtër-frekuentues”.
Pas asaj shfaqje të pështirë të mungesës komplete e të parikuperueshme të dinjitetit minimal kombëtar të gjithkujt që ra përmbys para këmbëve të Zdravkos, çdo koment në realitet është i tepërt.
Pamjet e asaj mbrëmje janë tejet të qarta dhe flasin vetë më mirë sesa mijëra fjalë.
Sigurisht që disa dhjetëra spektatorë të marrë serbë-dashës, nuk përbëjnë asgjë krahasuar me shoqërinë shqiptare.
Shqipëria për fat të madh, është shumë më tepër se aq, megjithëse shfaqje të tilla të budallallëkut kolektiv, nuk të bëjnë të mendosh mirë për qenësinë mendore e aq më pak, morale të popullit tënd.
Në të njëjtën kohë nuk do kishte qenë e tepërt të ishte përmendur për shembull sesi do të kishte vajtur saktësisht një situatë e ngjashme, por e ndodhur hipotetikisht në Beograd dhe jo Tiranë...
Këngëtari “X” t’a zëmë shkon i ftuar në një program të suksesshëm serb.
Në çastin që i kumtohet publikut emri i tij, ka një ngërdheshje të përgjithshme...
-“
Më tej, kur këngëtari shqiptar do të ngjitej në skenë e për më tepër, kur të niste të shqiptonte rrokjet e para të fjalëve në shqip të këngës së tij, atëherë nga publiku drejt tij do të vërshonin jo vetëm një numër i pallogaritshëm sharjesh të çdo lloji, fyerjesh personale dhe etnike, kërcënimesh dhe përbetimesh për likuidim fizik, por ka mundësi edhe karrige, stola, ombrella, këpucë e bastunë të spektatorëve të pranishëm në sallë.
Për gjestet e mëtejshme, nuk kam as fantazi që të imagjinoj dot më shumë se kaq, por është e sigurtë që një kryengritje e vërtetë do të pasonte.
Dikush tani do të thoshte se ne prandaj nuk jemi serbë, as ballkanas nuk jemi nga kjo anë, se nuk bëjmë gjëra të tilla, jemi më normalë dhe të evoluar ne, i pranojmë ndryshimet dhe dallimet me të tjerët, kurse artit i japim vëmendjen e duhur duke e ndarë nga mëritë ndëretnike të rajonit tonë.
Të na rrojë “mendja e hapur” atëherë, sepse ky qëndrim i “lavdërueshëm” i joni, ende nuk është korresponduar me të njëjtën sjellje, qoftë edhe njëherë të vetme, sidomos nga ana e serbëve!
Kur dinjiteti ynë të mos nëpërkëmbet nëpër librat e historisë, stadiumet (ku flamujt tanë digjen më shpejt dhe shpesh, se çdo material tjetër në Serbi), politikën dhe qëndrimin zyrtar të shtetit serb dhe jo vetëm, atëherë mund të jetë e udhës, që edhe ne të tregojmë para fqinjëve tanë e në veçanti serbëve, faqen tonë moderne, liberale dhe europiane, atë që pranon vlerat e tjetrit, që njeh meritat e artit, që gëzon muzikën, pa u ngatërruar me epshet shtazarake të kënetave të prapambetura sllavo-ballkanike.
Por deri në atë ditë, sipas meje ende të largët, “nashkat” dhe Zdravkot që i këndojnë, s’bëjnë për mua të paktën!