E diele, 28.04.2024, 04:53 PM (GMT+1)

Mendime

Elida Buçpapaj: PD harron testamentin e Olldashit

E premte, 29.11.2013, 08:44 PM


PËRVEÇ MESILA DODËS, PD HARRON TESTAMENTIN E OLLDASHIT DHE VAZHDON STILIN QË DENONCOI SOKOLI MË 14 NËNTOR

NGA ELIDA BUÇPAPAJ

I kam ndjekur me vemendje atë që ka ngjarë pas vdekjes aksidentale të Sokol Olldashit. Përpiqem të jem sa më e drejtë në vlerësimin e situatës. Për hir të së vërtetës Sokol Olldashi ka qenë një nga njerëzit të cilin Sali Berisha e ka vlerësuar, nisur nga faktet se ka qenë për dy mandate ministër me portofole të ndryshme dhe kandidati versus Edi Ramës në zgjedhjet lokale të 2007.

Pas humbjes të 23 qershorit, dihej se Sali Berisha mbështeti për kryetar të PD-së kandidaturën e Lulzim Bashës. Me të gjitha mënyrat, me shtyp, gazeta, TV jo në mënyrë të drejtë për drejtë, por implicite.

Secili ka mendimet e tij, simpatitë e tij. Deri këtu shtyhet. Problemi nisi tek gara, e cila nuk përmbushi asnjë standart për të qenë free and fair.

Menjëherë pas rezultatit që e shpalli Lul Bashën fitues, Sokol Olldashi deklaroi se “Përzgjedhja e kreut te ri të PD u bë përmes një procesi tërësisht të deformuar. Në asnjë çast nuk u qartësua procedura e përgatitjes të listave dhe, për më tepër në asnjë moment listat nuk u vunë në dispozicionin tim. Do të thotë që në mënyrë anormale unë garova pa e ditur se cili ishte korpusi i votuesave. Dita e votimit provoi se mijëra demokratë nuk gjeten emrat në lista. Procesi që m'u premtua se do ishte jashtë ndikimeve, nuk ishte i tillë. Intimidimi u kurorëzua me fletën e numerizuar të votimit që e bënte lehtësisht të mundur identifikimin e votuesit”, vlerësoi Olldashi. "Kjo ishte një energji e tepert e harxhuar brenda nesh që do duhej në fakt ta kishim shpenzuar më 23 qershor dhe jo më 22 korrik." "Unë mbetem i vendosur të përfaqësoj me gjithë energjitë e mia njerëzore dhe politike militantët e Partisë Demokratike në misionin për ta bërë Partinë Demokratike më të mirë", deklaroi ai.

Këtu kemi për herë të parë përballjen publike midis Sokol Olldashit dhe Sali Berishës e Lulzim Bashës, të cilët nga ana e tyre e ngritën në qiell procesin. Ndërkohë, edhe pas fitores të Bashës, PD nuk iu kthye analizave, por vazhdoi me stilin e vet shantazhist që i bën jehonë luftës të klasave deri në qelizat e familjes. Kur PD nuk i respekton rregullat e lojës për të garantuar një proces zgjedhor demokratik brënda partisë, e si mund të guxojë të protestojë me 20 mijë lekësha në Parlament!

Kur kam komentuar zgjedhjet e 23 qershorit, e kam paraparë humbjen dhe fajtorë të saj kanë deputetët e PD, përfshi edhe Sokol Olldashin, por fajtori kryesor ishte Sali Berisha.

Kam pritur që Sali Berisha të bënte një mea culpa. Por ai u mjaftua me dorëheqjen de jure, ndërkohë që ka marrë drejtimin e PD pas quintave, sepse i duket vetja i pamposhtur, ndërsa po ta shohësh në facebook ka një varfëri të tmerrshme idesh. Ka mbetur i fiksuar pas krizës greke të Papandreut, por edhe këtë e ka të huazuar. Pra është tmerësisht i lodhur.

Në aksidentin tragjik të Sokolit nga sa pamë, lidërshipi i PD-së u gjend shumë i befasuar – sepse nuk e kishte imagjinuar që Olldashi të kishte këtë përkrahje midis njerëzve të thjeshtë. Që u pa në telefonatat televizive, rrjetet sociale dhe në turmën e pafund për ta përcjellë deri në banesën e fundit.

Aty njerëzit u kujtuan se Sokol Olldashi kishte një CV personale. E kishte mbështetur PD që adoleshent dhe pastaj nuk i ishte ndarë. Vinte nga një familje e persekutuar, kishte provuar dramat monstruoze shkaktuar nga regjimi dhe kishte luftuar në mënyrën e tij, duke qenë nxënës e student i shkëlqyer, pastaj duke iu bashkangjitur gazetarisë, tek Albania, tek një TV që mbështeste PD në vitet më të trishta pas 1997, deri kur më 2001 u zgjodh deputet.

I përfshirë në euforinë e fitoreve dhe posteve të larta Sokol Olldashi nuk e kishte vënë re se ku ishte katandisur PD, ose ndoshta e kishte vënë re, por ishte bërë pjesë e së tërës. Deri kur e provoi vetë zhgënjimin, atëherë i thirri ndërgjegjes si politikan. Pas procesit që e konsideroi farsë, ku kandidoi për kreun e PD-së, e njohu Lulzim Bashën si lider të PD, por mendoi se kishte ardhur koha e reformimit, për garë dhe konkurencë të ndershme.

Por lideri historik i mësuar me pushtet për 23 vjet, të gjitha ëndërrat i sheh në zyrën e kryeministrit. Ai nuk pranon as të lëshojë frenat e partisë dhe as të reformojë partinë. Dhe me synimin për t’u rikthyer, ka zgjedhur një zëvendësues kukull që përsërit si papagall çfarë i thuhet. Ndërkohë deklarimi i hapur i Sokol Olldashit për deformimin e procesit zgjedhor për kreun e PD më 23 korrik 2013, e shndërroi atë për lidërshipin e PD-së në të padëshiruar dhe "djalin plangprishës" .

Në fjalimin e tij të 14 nëntorit, vetëm gjashtë ditë përpara tragjedisë, Sokol Olldashi akuzoi politikën shqiptare se ka sjellë në Parlamentin e Shqipërisë, deputetë që i blejnë votat. Nuk ka akuzë më të madhe për Institucionin më të rëndësishëm të vendit. Askush nuk ia kundërshoi ato që ai tha.

Fjalimi i Olldashit i 14 nëntorit do të duhej të kishte shkaktuar tërmet në të gjitha institucionet e vendit, mediat, shoqërinë. Por kaloi në heshtje të plotë, të cilën e theu mesnata e 20 nëntorit kur u lajmërua se Sokoli humbi jetën në një aksident automobilistik. Në ato rrugë që u trumpetuan me aq bujë, por që janë një dështim i plotë, nisur nga numri i viktimave, njëra prej të cilave edhe vetë ish-Ministri i tyre.

Fjalimi i Sokol Olldashit ishte tërmet i vërtetë për trafikantët e votave, të cilët qëndrojnë rrejshëm si përfaqësues të popullit, pasi votën e blerë ata e përdorin për pasurimin dhe degjenerimin e demokracisë së brishtë të këtij vendi që sot rradhitet si vendi më i korruptuar në Europë.

Në ditët kur ai jetonte, ne nuk pamë asnjë reagim ndaj fjalimit të tij të 14 nëntorit 2013, as nga PD, as nga Lul Basha, as nga Sali Berisha, as nga shtypi dhe as nga mediat. Këto janë metoda staliniste të përshtatura në epokën e NATO-s, që bëjnë sikur nuk e kanë dëgjuar Olldashin, sikur Sokoli atë fjalim e kishte shqiptuar në Hënë e jo aty në mes të Parlamentit të Shqipërisë.

Fjalimi i Sokol Olldashit më 14 nëntor 2013 ishte fillimi i projektit të tij.Ai ishte 40 vjeç, me plot idé, shpresë e besim se PD dhe politika shqiptare mund të ndryshojë.

Aksidenti tragjik nuk i la kohë.  Ndërkohë ajo që u vu re menjëherë që kur u lajmërua tragjedia, ishte tendenca për ta njollosur Sokol Olldashin, duke ngritur dyshime se bashkë me të në makinë udhëtonte një person i dytë, shkurt e dashura e tij.

Ca moralistë të shpifur që sa ishte gjallë Sokol Olldashi, kishin patur mundësi  t’i botonin dhe afishonin pretendimet e tyre, gjetën rastin të na tregonin nivelin për tokë të nderit të tyre, kur villnin vrerë për Sokolin, ndërsa atë e dërgonin në banesën e fundit dhe në ditët e zisë.

Megjithkëtë, asnjë intrigë politike nuk ia cënoi dot ditën e përcjelljes Sokol Olldashit. Kishte aq shumë shqiptarë që dëshironin t’i jepnin nderimet e fundit, sa shteti e shpalli me të drejtë ditë zie, qeveria dhe deputetët e majtë u bashkuan me të djathtët dhe e qanë dhe e nderuan bashkë. Po kështu, në prononcimet për publik thanë për Sokol Olldashin fjalët më të mira, fjalë që nuk kishin asnjë tingull, në krahasim me nderimin popullor që iu bë Olldashit, i cili ishte krejt spontan, dmth ata njerëz që vinin aty, vinin me kokën e tyre e jo të partisë.

Pas ditës të zisë dhe flamurit gjysmë shtize, rifilloi jeta parlamentare në Shqipëri. Vendosën lule në vendin e tij në Parlament, recituan fjali, por përsëri askush nuk iu referua fjalimit të fundit të Sokol Olldashit, i cili sot konsiderohet si « Testamenti i tij politik » - O ta shpëtojmë vendin – o fundosja është e pandalshme.

Vetëm Mesila Doda, një nga ish-studentet e dhjetorit, kolege dhe shoqe e Sokol Olldashit e ngriti zërin dje dhe kujtoi tek Sokol Olldashi, atë që të tjerët e harrojnë me qëllim.

Aktualisht lidërshipi i PD është i angazhuar për të krijuar një alibi, që bie ndesh me pretendimin që deklaroi para disa ditësh Sokol Balla, sipas të cilit, Sokol Olldash pikërisht të hënën që shkoi do të dilte e të shpallte lëvizjen e re politike.

Ndërsa, si rastësisht Lul Basha tregoi se si të dy kishin pirë kafe a verë tek Rogneri, në një ambient me pak ose me aspak njerëz, ku Sokol Olldashi kishte premtuar se nuk do të largohej nga PD!

Cilin të besojmë – Sokol Ballën – apo Lul Bashën! Por nga mënyra se si PD e ka harruar Fjalën e Fundit të Olldashit, na mbetet të besojmë Sokol Ballën.

Por e trishtueshme është se Partia Demokratike po ec në një rrugë të mbrapshtë, duke thelluar metodat antidemokratike brënda partisë si dhe luftën e klasave deri në familje, si në kohën e diktaturës.

Situata është shumë dramatike. Ose duhet të ketë ngritje ose do të vazhdojë rrëzimi dhe coptimi përfundimtar i PD-së. Partia është nocion abstrakt. Atë e bëjnë njerëzit me zë të fuqishëm, me zë të besueshëm. Siç u shfaq papritmas zëri i Sokol Olldashit, që i hoqi siparin skenës dhe tregoi llumin e politikës shqiptare. Një zë i tillë është edhe ai i Mesila Dodës dje në parlament që denoncoi sjelljen e papërgjegjëshme të politikës. Ja si ju drejtua Mesila Doda deputetëve të të gjitha ngjyrave, përfshi edhe atyre që kanë ngjyrën e saj: „Mjaft më hipokrizi perbeniste, shuka me baltë që ia hedhim fytyrës së tjetrit, kur do duhet në fillim të pastrojmë tonën. Unë kisha faj! Unë kisha faj ato dhjetra, ato qindra herë kur tentova të isha politikane e mirë, oratore e shkëlqyer dhe harrova që u afrova në politikë jo se më duhej një rrogë e as se më duhej dashamirsia e eproreve por e doja politikën, që të sillja ndryshimin, të mundësoja një botë më të mirë. Ju kishit Faj! Kishit Faj kur e late Sokolin të vetëm në përpjekjen e tij titanike e solitare për të ndryshuar të djathtën shqiptare, për të bërë një forcë politike me militantë që afrohen nga zemra e jo nga xhepi pranë politikës. Kishit të gjithë faj se e latë vetëm, madje shumë herë dhe e qëlluat dhe e përbaltët dhe e bëtë të ndjehej fajtor pa faj.“

Mesila e nis me „unë kisha faj“. Dhe ne si qytetarë duhet të themi të njëjtën gjë « ne kemi faj » sepse lejuam që demokracia shqiptare të metamorfizohet në trafik të votës që është i barabartë si trafiku i drogës apo i qenieve njerëzore.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora